BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 nëntor f. 16-21
  • Të kujtojmë Kryepriftin tonë të dhembshur—Jezuin

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të kujtojmë Kryepriftin tonë të dhembshur—Jezuin
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • BIRI I DASHUR I PERËNDISË VJEN NË TOKË
  • JEZUI I NDIEN DHIMBJET E NJERËZVE
  • TË IMITOJMË KRYEPRIFTIN TONË
  • KRYEPRIFTI YNË MUND TË TË NDIHMOJË
  • Çfarë na mëson shpërblesa?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Mësime nga 40 ditët e fundit të Jezuit në tokë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Jehovai «i shëron zemërthyerit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 nëntor f. 16-21

ARTIKULLI I STUDIMIT 46

KËNGA 17 «Po, dua!»

Të kujtojmë Kryepriftin tonë të dhembshur—Jezuin

«Nuk kemi si kryeprift një njeri që nuk na kupton dot për dobësitë tona.»—HEBR. 4:15.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shohim pse keqardhja dhe dhembshuria që provon për ne e bëjnë Jezuin Kryeprift të shkëlqyer dhe si po na ndihmon sot Kryeprifti ynë.

1-2. (a) Pse e dërgoi Jehovai Birin e tij në tokë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Hebrenjve 5:7-9)

RRETH 2.000 vjet më parë, Perëndia Jehova dërgoi në tokë Birin e tij më të shtrenjtë. Pse? Ndër të tjera, për ta çliruar njerëzimin nga mallkimi i mëkatit e i vdekjes dhe për të zhbërë gjithë dëmet e shkaktuara nga Satanai. (Gjoni 3:16; 1 Gjon. 3:8) Jehovai e dinte edhe se përvoja si njeri do ta përgatiste më tej Jezuin për të qenë një Kryeprift i dhembshur, që i vjen keq për ne dhe na kupton. Jezui filloi të shërbente në këtë rol pasi u pagëzua në vitin 29 të e.s.a

2 Në këtë artikull do të shohim si e stërvitën eksperiencat në tokë Jezuin për t’u kualifikuar plotësisht si Kryeprift i dhembshur. Është e rëndësishme të kuptojmë si «u bë i përsosur» për këtë rol, sepse kështu do ta kemi më të lehtë të lutemi e t’i afrohemi Jehovait, sidomos kur na lëshon zemra nga mëkatet ose dobësitë tona.—Lexo Hebrenjve 5:7-9.

BIRI I DASHUR I PERËNDISË VJEN NË TOKË

3-4. Çfarë ndryshimesh të mëdha ndodhën në jetën e Jezuit kur erdhi në tokë?

3 Shumë prej nesh jemi përballur me ndryshime në jetë. Ndoshta na është dashur të transferohemi e të lëmë pas një vend që e donim, familjen dhe miqtë. Ndryshime të tilla mund të jenë një sfidë. Por askush nuk ka përjetuar ndryshime si ato që i ndodhën Jezuit. Në qiell, ai ishte biri më i rëndësishëm i Jehovait. Ishte i lumtur ndërsa Jehovai e mbulonte me dashuri dhe gëzonte pareshtur tek shërbente «në të djathtën» e Perëndisë. (Psal. 16:11; Prov. 8:30) Megjithatë, Filipianëve 2:7 thotë se «e zbrazi veten» me gatishmëri, duke hequr dorë nga gjithë të mirat në qiell për të jetuar mes njerëzve të papërsosur në tokë.

4 Të mendojmë edhe për lindjen e për vitet e para të Jezuit në tokë. Ai lindi në një familje të varfër, siç e tregon flijimi modest që paraqitën prindërit pas lindjes së tij. (Lev. 12:8; Luka 2:24) Kur mbreti i lig Herod mori vesh për lindjen e Jezuit, u përpoq ta vriste. Për të shpëtuar nga kthetrat e Herodit, Jozefi, Maria dhe Jezui përfunduan refugjatë në Egjipt për njëfarë kohe. (Mat. 2:13, 15) Jeta e Jezuit në tokë ndryshonte si nata me ditën nga jeta në qiell.

5. Çfarë pa Jezui në tokë, dhe si e ndihmuan ato eksperienca të ishte një Kryeprift i dhembshur? (Shih edhe figurën.)

5 Kur ishte në tokë, Jezui shihte vuajtje kudo që hidhte sytë. Pa dyshim që ai përjetoi humbjen e njerëzve të dashur, me sa duket edhe të babait birësues, Jozefit. Gjatë shërbimit të tij, takoi të lebrosur, të verbër, të paralizuar e prindër me shpirtin copë nga vdekja e fëmijëve, dhe i pikonte në zemër për ta. (Mat. 9:2, 6; 15:30; 20:34; Mar. 1:40, 41; Luka 7:13) Vërtet, nga qielli i kishte parë njerëzit të vuanin. Por tani, si njeri në tokë, i shihte dhimbjet e tyre nga një këndvështrim tjetër. (Isa. 53:4) Gjërat që përjetoi në tokë e ndihmuan të kuptonte ndjenjat, zhgënjimet dhe dhimbjet e njerëzve. Jezui provoi edhe vetë ndjenja njerëzore, si ankth, rraskapitje e pikëllim.

Jezui i rrethuar nga një grup njerëzish që i përgjërohen t’i shërojë. Me dhembshuri, ai zgjatet dhe kap nga krahët një të moshuar të sëmurë.

Jezui merakosej thellë për ndjenjat e njerëzve përreth dhe për vuajtjet që hiqnin (Shih paragrafin 5)


JEZUI I NDIEN DHIMBJET E NJERËZVE

6. Ç’na mësojnë krahasimet e profetit Isaia për dhembshurinë e Jezuit për njerëzit? (Isaia 42:3)

6 Gjatë gjithë shërbimit në tokë, Jezui tregoi empati të thellë për të pambrojturit dhe të keqtrajtuarit. Në këtë mënyrë plotësoi profecitë. Në Shkrimet Hebraike, njerëzit që gëzojnë mirëqenie dhe janë të fortë krahasohen disa herë me një kopsht të ujitur mirë ose me pemë madhështore. (Psal. 92:12; Isa. 61:3; Jer. 31:12) Kurse të varfrit dhe të nëpërkëmburit krahasohen me një kallam të thyer dhe me një fitil thuajse të shuar, që s’kanë vlerë për askënd. (Lexo Isainë 42:3; Mat. 12:20) Nën frymëzim, profeti Isaia i përdori këto krahasime për të parathënë sa dashuri e dhembshuri do t’u tregonte Jezui njerëzve të thjeshtë e të përçmuar nga të tjerët.

7-8. Si e plotësoi Jezui profecinë e Isaisë?

7 Mateu, një nga shkrimtarët e ungjijve, tha se Jezui plotësoi këto fjalë të Isaisë: «Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin që ende nxjerr tym.» Me disa nga mrekullitë e tij, Jezui u solli lehtësim njerëzve të nëpërkëmbur, që ishin si një kallam i thyer, ose atyre që i kishin humbur shpresat e ishin si një fitil gati-gati i shuar. Një nga ata ishte një burrë plot lebër. E ku kishte më shpresë ai që të shërohej dhe të shijonte shoqërinë e familjes e të miqve?! (Luka 5:12, 13) Gjithashtu ishte edhe një burrë që nuk dëgjonte e i mbahej goja. Mendo si ndihej ai kur i shihte të tjerët të bisedonin tërë gjallëri, ndërsa vetë s’merrte vesh asgjë. (Mar. 7:32, 33) Por vuajtjet e atyre njerëzve nuk mbaronin me kaq.

8 Në ditët e Jezuit, shumë judenj mendonin se kush kishte një sëmundje a kufizim fizik, po ndëshkohej për mëkatet e veta ose të prindërve. (Gjoni 9:2) Prandaj të sëmurët shpesh përçmoheshin e zhyteshin në dëshpërim. Jezui plotësoi profecinë e Isaisë duke i shëruar ata që vuanin dhe duke ua përtërirë besimin se Perëndia merakosej për ta. Për çfarë na siguron kjo?

9. Si e thekson Hebrenjve 4:15, 16 se Kryeprifti ynë qiellor i kupton vërtet njerëzit e papërsosur?

9 Lexo Hebrenjve 4:15, 16 dhe shënimin. Këto vargje na sigurojnë se Jezui gjithmonë na kupton dhe i vjen keq për ne. Pra ai i ndien në shpirt vuajtjet dhe emocionet që përjetojmë. Fjala greke e përkthyer «kupton» ose «i vjen keq» do të thotë ta vësh veten në vend të tjetrit dhe të ndiesh atë që ndien ai. (Shih edhe Hebrenjve 10:34, ku Pavli përdor të njëjtën folje greke.) Mrekullitë e Jezuit tregojnë se i pikonte në shpirt kur i shihte të tjerët të vuanin. Ai nuk i shëronte njerëzit thjesht nga ndjenja e detyrës. Merakosej vërtet për ta dhe donte t’i ndihmonte. Për shembull, kur shëroi të lebrosurin, mund ta kishte kryer atë mrekulli pa iu afruar. Por zemra e shtyu ta prekte, e kjo ndoshta ishte prekja e parë njerëzore që provoi ai njeri pas shumë vjetësh. Po njësoj, Jezui tregoi konsideratë për burrin që nuk dëgjonte duke e larguar nga zhurma e turmës dhe duke e shëruar veçmas. Gjithashtu, kur një farise e pa me përçmim gruan e penduar që ia kishte larë këmbët Jezuit me lot e ia kishte tharë me flokët e saj, Jezui e mbrojti me vendosmëri. (Mat. 8:3; Mar. 7:33; Luka 7:44) Ai nuk i shmangte të sëmurët ose ata që kishin bërë mëkate të rënda. Përkundrazi, i priste krahëhapur dhe i trajtonte me dhembshuri. Mund të jemi të sigurt se Jezui ndien po kaq dhembshuri për ne.

TË IMITOJMË KRYEPRIFTIN TONË

10. Çfarë mund të përdorim për të ndihmuar ata që nuk dëgjojnë ose që nuk shohin? (Shih edhe figurat.)

10 Si dishepuj besnikë të Jezuit, bëjmë çmos ta imitojmë duke treguar dashuri, empati e dhembshuri për të tjerët. (1 Pjet. 2:21; 3:8) Vërtet, nuk i shërojmë dot me mrekulli ata që nuk dëgjojnë ose që nuk shohin, por mund t’i ndihmojmë të shërojnë zemrën me anë të Shkrimeve. Për shembull, botimet e bazuara në Bibël janë në dispozicion në mbi 100 gjuhë shenjash. Gjithashtu, për të ndihmuar ata që kanë shikim të dobët, ka në mbi 60 gjuhë botime brail, si edhe përgatiten në mbi 100 gjuhë përshkrime audio për videot tona. Të gjitha këto bëhen për t’i ndihmuar ata që nuk dëgjojnë ose që nuk shohin, të afrohen me Jehovain dhe Birin e tij.

Kolazh: 1. Vëllezër e motra këndojnë me gëzim një këngë Mbretërie në një kongregacion të gjuhës së shenjave. 2. Një motër e verbër lexon Biblën në brail.

Botimet tona të bazuara në Bibël janë në dispozicion në mbi 1.000 gjuhë

Majtas: Mbi 100 gjuhë shenjash

Djathtas: Mbi 60 gjuhë brail

(Shih paragrafin 10)


11. Si e pasqyron organizata e Jehovait dhembshurinë e Jezuit për të gjithë njerëzit? (Veprat 2:5-7, 33) (Shih edhe figurat.)

11 Organizata e Jehovait punon pa u lodhur për të ndihmuar njerëz nga të gjitha prejardhjet të afrohen me Jehovain. Të kujtojmë se pasi u ringjall, Jezui derdhi frymën e shenjtë mbi dishepujt e tij, që t’ua predikonin lajmin e mirë tërë të pranishmëve në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, secilit në «gjuhën e vet». (Lexo Veprat 2:5-7, 33.) Nën drejtimin e tij, sot organizata nxjerr botime të bazuara në Bibël në më shumë se 1.000 gjuhë, disa prej të cilave fliten nga fare pak njerëz. Për shembull, ka gjuhë të indianëve të Amerikës që i flasin relativisht pak veta në Amerikën e Veriut dhe në Amerikën e Jugut. Megjithatë, që lajmi i mirë të arrijë te sa më shumë prej tyre, kanë dalë botime në mbi 160 nga këto gjuhë. Botimet tona janë në dispozicion edhe në mbi 20 gjuhë rome. Mijëra veta që flasin këto gjuhë e kanë përqafuar të vërtetën.

Kolazh: 1. Një motër indiane e Amerikës buzëqesh ndërsa shtrëngon fort një Bibël në gjuhën e nënës. 2. Një motër rome dhe e bija ndjekin me kënaqësi një aktivitet teokratik.

Majtas: Mbi 160 gjuhë të indianëve të Amerikës

Djathtas: Mbi 20 gjuhë rome

(Shih paragrafin 11)


12. Në cilat mënyra të tjera i ndihmon njerëzit organizata e Jehovait?

12 Përveç përpjekjeve për të përhapur lajmin e mirë, organizata e Jehovait u shkon në ndihmë atyre që preken nga katastrofat natyrore. Me mijëra vëllezër e motra kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar bashkëbesimtarët në vështirësi. Po ashtu, organizata siguron vende adhurimi modeste, ku njerëzit mund të mblidhen e të mësojnë sa shumë i do Perëndia.

KRYEPRIFTI YNË MUND TË TË NDIHMOJË

13. Cilat janë disa mënyra si na ndihmon Jezui?

13 Si bariu ynë i shkëlqyer, Jezui kujdeset që secili nga ne të ketë çdo gjë të nevojshme për të qëndruar i lidhur fort me Jehovain. (Gjoni 10:14; Efes. 4:7) Ndonjëherë, për shkak të rrethanave, mund të jemi si një fitil thuajse i shuar ose si një kallam i thyer. Mbase na shkurajon shumë një sëmundje e rëndë, një gabim që kemi bërë ose një mosmarrëveshje me një vëlla a motër. Ndoshta e kemi të vështirë të shohim përtej dhimbjes së tanishme dhe të përqendrohemi te shpresa e së ardhmes. Por mos harro se Jezui e kupton ç’po kalon dhe si ndihesh thellë-thellë. E dhembshuria që ka për ty e shtyn të të ndihmojë. Për shembull, ai përdor frymën e shenjtë që të të japë fuqi kur je zemërlëshuar. (Gjoni 16:7; Titit 3:6) Veç kësaj, Jezui mund të përdorë ‘dhuratat në njerëz’ dhe motra e vëllezër të tjerë për të të dhënë zemër, përkrahje e ndihmë.—Efes. 4:8.

14. Çfarë mund të bëjmë kur jemi të shkurajuar?

14 Nëse të ka lëshuar zemra ose ndihesh i dërrmuar, bluaj në mendje se ç’do të thotë që Jezui është Kryeprifti ynë. Kujto se Jehovai e dërgoi në tokë jo vetëm për të dhënë jetën si shpërblesë, por edhe për ta ndihmuar të kuptonte më mirë vështirësitë e njerëzve të papërsosur. Kur jemi të shkurajuar nga mëkatet ose dobësitë tona, Jezui dëshiron dhe është gati të na japë ndihmë «në kohën e duhur».—Hebr. 4:15, 16.

15. Çfarë e ndihmoi një vëlla të kthehej në kongregacion?

15 Jezui drejton edhe përpjekjet e popullit të tij për të kërkuar e ndihmuar ato dele që janë larguar nga Jehovai. (Mat. 18:12, 13) Të shohim rastin e Stefanos.b Dymbëdhjetë vjet pasi ishte hequr nga kongregacioni, ai vendosi të ndiqte një mbledhje. Stefano thotë: «Isha goxha në siklet, por doja të bëja prapë pjesë në familjen e dashur të Jehovait. Pleqtë që u takuan me mua më bënë të ndihesha i mirëpritur. Nganjëherë nxirrnin prapë kokë ndjenjat e pavlefshmërisë dhe më vinte të dorëzohesha. Por vëllezërit më kujtonin se Jehovai dhe Jezui nuk donin të hiqja dorë. Kur u rivendosa, tërë kongregacioni më priti krahëhapur. Me kalimin e kohës gruaja ime pranoi të studionte Biblën, dhe sot i shërbejmë Jehovait si familje.» Kushedi sa i gufon zemra Kryepriftit tonë të dashur kur sheh se të penduarve u jepet ndihma e nevojshme për t’u kthyer në kongregacion!

16. Pse ndihemi mirënjohës që kemi një Kryeprift kaq të dhembshur?

16 Gjatë jetës në tokë, Jezui u dha ndihmë «në kohën e duhur» sa e sa njerëzve. Sot mund të kemi besim absolut se ai do të na ndihmojë kurdo që të kemi nevojë. E pas pak, në botën e re, Jezui do t’i ndihmojë njerëzit e bindur të çlirohen plotësisht nga tërë pasojat e mëkatit dhe të papërsosmërisë. Sa mirënjohës i jemi Perëndisë tonë, Jehovait, që nga dashuria e mëshira e pamasë për ne, dha Birin e tij që të jetë Kryeprifti ynë i dhembshur!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si e përgatiti Jezuin jeta në tokë që të shërbejë si Kryeprifti ynë?

  • Si e përmbushi Jezui Isainë 42:3?

  • Si na ndihmon sot Kryeprifti ynë?

KËNGA 13 Krishti është modeli ynë

a Për të mësuar më shumë se si roli i Jezuit si Kryeprift zëvendësoi rolin e kryepriftit në Izrael, shih artikullin «Çmoje privilegjin për ta adhuruar Jehovain në tempullin e madh» në Kullën e Rojës të tetorit 2023, f. 26, p. 7-9.

b Emri është ndryshuar.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo