BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 nëntor f. 10-15
  • Ruaj gëzimin ndërsa kujdesesh për njeriun tënd të dashur

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ruaj gëzimin ndërsa kujdesesh për njeriun tënd të dashur
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE ËSHTË E VËSHTIRË TË RUASH GËZIMIN
  • SI TË RUASH GËZIMIN
  • SI T’I NDIHMOSH ATA QË PO KUJDESEN PËR DIKË
  • Ruaj gëzimin në moshë të shkuar
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Duke u kujdesur për të moshuarit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
  • Jehovai është ‘gëzimi ynë i papërshkrueshëm’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Gjej përgjigjet e këtyre pyetjeve
    Programi i Asamblesë Qarkore 2025-2026—Me mbikëqyrësin qarkor
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 nëntor f. 10-15

ARTIKULLI I STUDIMIT 45

KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar

Ruaj gëzimin ndërsa kujdesesh për njeriun tënd të dashur

«Ai që mbjell me lot, do të korrë me britma gëzimi.»—PSAL. 126:5.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si të ruash gëzimin ndërsa përballon sfidat unike që vijnë kur kujdesesh për një njeri të dashur.

1-2. Si ndihet Jehovai për ata që po kujdesen për një njeri të dashur? (Proverbat 19:17) (Shih edhe figurat.)

NJË vëlla nga Koreja që quhet Xhin Jol thotë: «Kam mbi 32 vjet i martuar me time shoqe. Këto 5 vitet e fundit kujdesem unë për të, sepse ajo vuan nga sëmundja e Parkinsonit dhe mezi lëviz. E dua shumë gruan time dhe i shërbej me kënaqësi. Tani asaj i duhet të flejë në një shtrat spitali, që e kemi marrë në shtëpi. Çdo natë fle pranë saj dhe nuk ia lëshoj dorën.»

2 A po kujdesesh për një njeri të dashur, mbase për prindin, bashkëshortin, fëmijën ose një mik? Nëse po, patjetër që e vlerëson privilegjin e veçantë që ke për ta ndihmuar. E duke u kujdesur për të, tregon përkushtimin tënd ndaj Jehovait. (1 Tim. 5:4, 8; Jak. 1:27) Gjithsesi has edhe sfida që shpesh kalojnë pa u vënë re. Madje, ndonjëherë mund të ndihesh sikur askush nuk e di çfarë po heq. Ndoshta buzëqesh kur je me të tjerë, ama kur je vetëm, të shkojnë lotët rrëke. (Psal. 6:6) Edhe pse të tjerët mund të mos e dinë si ndihesh, Jehovai të kupton fare mirë. (Krahaso Eksodin 3:7.) Çdo lot e çdo sakrificë jotja është e vyer për të. (Psal. 56:8; 126:5) Ai e vëren çdo gjë që bën për të ndihmuar njeriun tënd të zemrës. Jehovai e konsideron veten borxhli ndaj teje dhe premton të të shpërblejë.—Lexo Proverbat 19:17.

Kolazh: persona që kujdesen për njerëzit e tyre të dashur në situata të ndryshme. 1. Një motër ushqen mamanë e saj të moshuar, që ka zënë krevatin. 2. Një motër i vesh këpucët të shoqit, i cili është në karrige me rrota. 3. Një mama i vendos djalit një helmetë të veçantë para se të luajë futboll me të atin. 4. Një vëlla i ka shkuar për vizitë në shtëpi një vëllai të moshuar dhe po luten bashkë.

A po kujdesesh për një njeri të dashur? (Shih paragrafin 2)


3. Çfarë sfidash mund të kenë hasur Abrahami dhe Sara ndërsa kujdeseshin për Terahun?

3 Në Bibël ka shumë raste të burrave e grave që u kujdesën për të tjerët. Le të shohim shembullin e Abrahamit dhe Sarës. Kur u larguan nga Uri, babai i tyre, Terahu, ishte rreth 200 vjeç. Prapëseprapë, ai udhëtoi me ta rreth 960 kilometra deri në Haran. (Zan. 11:31, 32) Natyrisht Abrahami dhe Sara e donin Terahun. Ama imagjino sa të vështirë duhet ta kenë pasur të kujdeseshin për të, sidomos gjatë udhëtimit. Me shumë gjasa ata udhëtuan me deve ose gomarë, e kjo mund të ketë qenë tejet sfiduese për Terahun e moshuar. S’është çudi që me raste Abrahami me Sarën të jenë ndier shumë të lodhur, e mbase të rraskapitur. Sidoqoftë, me siguri Jehovai u dha forcën që u nevojitej. Ashtu siç mbështeti Abrahamin dhe Sarën, Jehovai do të të mbështetë dhe do të të japë forcë edhe ty.—Psal. 55:22.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Një zemër e gëzuar të ndihmon që të vazhdosh të kujdesesh për njeriun tënd të dashur. (Prov. 15:13) Mos harro se gëzimi i vërtetë nuk varet nga rrethanat. (Jak. 1:2, 3) Si mund ta zhvillosh këtë lloj gëzimi? Një mënyrë është t’i lutesh Jehovait që të të ndihmojë të mbash një qëndrim optimist. Në këtë artikull do të shqyrtojmë ç’mund të bësh tjetër për të ruajtur gëzimin në një situatë të tillë. Do të shohim edhe si mund të të ndihmojnë të tjerët. Fillimisht, le të diskutojmë pse është thelbësore të ruash gëzimin, dhe cilat gjëra mund të ta vjedhin gëzimin.

PSE ËSHTË E VËSHTIRË TË RUASH GËZIMIN

5. Pse është e rëndësishme të ruash gëzimin nëse po i shërben dikujt?

5 Nëse e humbet gëzimin ndërsa i shërben dikujt, mund të të shteren fuqitë. (Prov. 24:10) E kur je i lodhur, mbase e ke të vështirë të tregohesh i sjellshëm dhe të ndihmosh aq sa do të doje. Cilat gjëra mund të ta venitin gëzimin, ndërkohë që i bën hyzmet një njeriu të dashur?

6. Pse ndihen të sfilitur disa që kujdesen për të tjerët?

6 Sfilitja. Një motër që quhet Lea thotë: «Edhe në ditët kur gjërat shkojnë mirë, të kujdesesh për dikë të shteron emocionalisht. Kur vjen darka, s’kam pikë fuqie. Ndonjëherë jam aq e lodhur emocionalisht, sa nuk i përgjigjem dot as një mesazhi.» Të tjerë e kanë të vështirë të çlodhen mjaftueshëm ose të shkojnë me pushime. Një motër që quhet Inesa shprehet: «Mezi ngopem me gjumë. Shpesh zgjohem disa herë gjatë natës që të kujdesem për vjehrrën. Kemi vite që nuk bëjmë pushime me burrin.» Disa janë të detyruar t’u thonë «jo» ftesave të miqve e madje caktimeve teokratike, ngaqë duhet të kujdesen 24 orë për njerëzit e tyre të dashur. Si rezultat, mund të ndihen të vetmuar dhe pa rrugëdalje.

7. Pse përjetojnë ndjenja faji dhe trishtimi disa që kujdesen për të tjerët?

7 Ndjenjat e forta të fajit dhe të trishtimit. Një motër që quhet Xhesika thotë: «Shpesh më duket sikur s’po e ndihmoj aq sa duhet tim atë. Ndihem fajtore dhe egoiste kur lë pak kohë që të pushoj.» Disa ndihen fajtorë, ngaqë ndonjëherë u vjen në majë të hundës situata ku ndodhen. Të tjerë janë në merak se mos nuk po bëjnë mjaftueshëm. Kurse të tjerë ndihen keq, sepse në lodhje e sipër mund ta kenë lënduar me fjalë personin për të cilin po kujdesen. (Jak. 3:2) Disave u pikon në shpirt tek shohin që njeriu i tyre i dashur nuk ka më gjallërinë dhe shëndetin e dikurshëm. Një motër që quhet Barbara thotë: «Më copëtohet zemra kur shoh miken time të tretet dita-ditës.»

8. Jepni një shembull që tregon si ndikojnë pak fjalë falënderimi tek ata që kujdesen për një njeri të dashur.

8 Mungesa e vlerësimit. Disa ndihen sikur askush nuk e vlerëson mundin dhe sakrificat e tyre, sepse rrallë dëgjojnë një fjalë të mirë. Mirëpo, pak fjalë falënderimi mund t’ua ngrenë zemrën peshë atyre që po kujdesen për një njeri të dashur. (Kolos. 3:15) Një motër që quhet Melisa tregon: «Ndonjëherë jam ndier aq e lodhur dhe e shkurajuar, sa ia kam plasur të qarit. Ama, kur ata për të cilët kujdesem më thonë: ‘Faleminderit për gjithçka që po bën për mua’, e harroj gjithë lodhjen. Fjalë të tilla më motivojnë që të zgjohem me qejf ditën tjetër dhe të vazhdoj të kujdesem për ta.» Një vëlla që quhet Amadu tregon si ndihet kur e falënderojnë. Bashkë me të shoqen ai kujdeset për mbesën e saj të vogël, e cila vuan nga krizat epileptike. Ai shprehet: «Ndonëse ajo nuk i kupton plotësisht gjithë sakrificat që bëjmë për të, fluturoj nga gëzimi kur na falënderon ose kur përpiqet të shkruajë: ‘Ju dua shumë!’»

SI TË RUASH GËZIMIN

9. Si mund të tregohen modestë ata që po kujdesen për dikë?

9 Ji modest. (Prov. 11:2) Askush nuk ka kohë dhe energji të pakufizuar. Ndaj, të duhet të vendosësh disa kufij se sa gjëra mund të marrësh përsipër dhe, me raste, të thuash edhe «jo». S’ke pse të ndihesh keq. Në fakt, kështu po tregohesh modest. Nëse të tjerët të ofrojnë ndihmë, pranoje me kënaqësi. Një vëlla që quhet Xhei thotë: «Çdo ditë mund të bëjmë vetëm aq sa na lejojnë koha dhe fuqitë. Kur i kuptojmë dhe i respektojmë limitet tona, e kemi më kollaj të ruajmë gëzimin.»

10. Pse është e rëndësishme të tregojnë aftësi dalluese ata që po kujdesen për dikë? (Proverbat 19:11)

10 Trego aftësi dalluese. (Lexo Proverbat 19:11.) Kur tregon aftësi dalluese, ka më shumë të ngjarë të ruash qetësinë në situata të tensionuara. Gjykimi i thellë do të të ndihmojë të kuptosh pse tjetri po sillet në atë mënyrë. Disa sëmundje kronike i shtyjnë të sëmurët të bëjnë gjëra që normalisht s’do t’i kishin bërë. (Ekl. 7:7) Për shembull, dikush që ka qenë i sjellshëm dhe nuk i lëndonte të tjerët, mund të fillojë të grindet e të debatojë. Ose mund të bëhet pretendues, kritikues dhe të mos kënaqet kollaj. Nëse po i shërben dikujt që ka një sëmundje serioze, mund të jetë e dobishme të marrësh më tepër informacion për sëmundjen. Sa më shumë të dish, aq më mirë do të kuptosh se sjellja e tij flet për sëmundjen, jo për personin.—Prov. 14:29.

11. Për cilat gjëra të rëndësishme duhet të gjejnë kohë çdo ditë ata që po kujdesen për dikë? (Psalmi 132:4, 5)

11 Lër kohë të forcosh miqësinë me Jehovain. Hera-herës duhet t’i lësh për më vonë disa punë, që të merresh me «gjërat më të rëndësishme». (Filip. 1:10) Ndër to është forcimi i miqësisë me Jehovain. Mbreti David e vuri në vend të parë në jetë adhurimin e Jehovait. (Lexo Psalmin 132:4, 5.) Po njësoj, është e rëndësishme që t’i japësh përparësi çdo ditë leximit të Biblës dhe lutjes. Një motër që quhet Elizaa thotë: «Lutjet dhe meditimi për psalme ngushëlluese më ndihmojnë të ruaj gëzimin. Nuk e di çfarë do të bëja pa lutjet. I lutem sa e sa herë Jehovait gjatë ditës që të mos e humbas qetësinë.»

12. Pse duhet t’i kushtojnë kohë kujdesit për shëndetin ata që po i shërbejnë dikujt?

12 Lër kohë të kujdesesh për shëndetin. Njerëzit e ngarkuar—siç janë edhe ata që kujdesen për dikë—mund ta kenë sfidë të hanë shëndetshëm, ngaqë nuk u del koha të blejnë ushqime të freskëta e të përgatitin vakte ushqyese. Një dietë e ekuilibruar dhe ushtrimet fizike të rregullta janë jetike për shëndetin tënd fizik dhe mendor. Ndaj, përdore sa më mirë atë pak kohë që ke për t’u ushqyer shëndetshëm dhe për të bërë ushtrime rregullisht. (Efes. 5:15, 16) Përpiqu edhe të flesh mjaftueshëm. (Ekl. 4:6) Studimet tregojnë se gjumi ndihmon që truri të largojë toksinat. Artikulli me titull «Si ndikon gjumi te stresi», botuar nga një institucion mjekësor në SHBA (Banner Health), thotë se kur flemë mjaftueshëm, kemi më pak ankth dhe e përballojmë më mirë stresin. Veç kësaj, ke nevojë edhe të argëtohesh. (Ekl. 8:15) Një motër tregon se çfarë e ndihmon të ruajë gëzimin. Ajo thotë: «Kur është kohë e bukur, përpiqem të dal që të shijoj rrezet e diellit. Dhe të paktën një herë në muaj planifikoj të bëj diçka për qejf me ndonjë shoqe.»

13. Pse të bën mirë të qeshësh? (Proverbat 17:22)

13 Mbaj një ndjenjë humori. (Lexo Proverbat 17:22; Ekl. 3:1, 4) Të qeshësh të bën mirë për shëndetin mendor dhe fizik. Kur kujdesesh për dikë, rrallë ndodh që të shkojë gjithçka siç e kishe planifikuar, për të mos thënë kurrë. Por nëse përpiqesh t’i kalosh me humor situatat stresuese, ka të ngjarë t’i përballosh më lehtë. Dhe kur qesh bashkë me personin që po kujdesesh, lidhja juaj bëhet më e fortë.

14. Si mund të të ndihmojnë bisedat me një mik të besuar?

14 Fol me një mik të besuar. Sado të përpiqesh të ruash gëzimin, ndonjëherë mund të ndihesh sikur ka vajtur aty ku s’mban më. Në këto raste mund të jetë mirë t’i hapësh zemrën një miku të besuar, që nuk do të të gjykojë dhe nuk do të reagojë në mënyrë të ekzagjeruar. (Prov. 17:17) Një mik që të dëgjon me vëmendje dhe të inkurajon, mund të jetë fiks çka të nevojitet për të ruajtur gëzimin.—Prov. 12:25.

15. Si mund të ta shtojnë gëzimin bisedat për Parajsën?

15 Imagjinoje veten në Parajsë me njeriun tënd të dashur. Përpiqu t’i kujtosh vetes se përgjegjësia që ke tani është e përkohshme. Jehovai nuk e kishte kurrë si qëllim që njerëzit të mbanin këtë përgjegjësi. (2 Kor. 4:16-18) Në të ardhmen do të shijojmë «jetën e vërtetë». (1 Tim. 6:19) Ndaj, nëse flet me njeriun tënd të dashur për gjërat që do të bëni në Parajsë, me shumë gjasa do të ndiheni shumë të lumtur. (Isa. 33:24; 65:21) Një motër që quhet Hedhër thotë: «U them shpesh atyre që u shërbej se, shumë shpejt, do të qepim, do të vrapojmë dhe do të ngasim biçikletën bashkë. Do të bëjmë bukë dhe do të gatuajmë për njerëzit e shtrenjtë që do të ringjallen. Pastaj e falënderojmë Jehovain për shpresën tonë.»

SI T’I NDIHMOSH ATA QË PO KUJDESEN PËR DIKË

16. Si mund ta ndihmojmë një vëlla a motër që po kujdeset për një njeri të dashur? (Shih edhe figurën.)

16 Ndihmoji që të bëjnë pak pushim. Mund t’ia lehtësojmë barrën vëllait a motrës që po kujdeset për dikë, duke u ofruar të kalojmë ne ca kohë me njeriun e tij të dashur. Kështu i ndihmojmë të heqin pak mendjen dhe të kenë mundësi të merren me gjërat e tyre. (Gal. 6:2) Madje disa bashkëbesimtarë kanë organizuar një program javor për këtë qëllim. Natalia, një motër që kujdeset për burrin e paralizuar, shprehet: «Një vëlla nga kongregacioni vjen një ose dy herë në javë që të kalojë kohë me tim shoq. Ata predikojnë, bëjnë muhabet e madje shohin filma bashkë. Im shoq i vlerëson shumë këto raste dhe, nga ana tjetër, unë kam mundësi të pushoj ose të bëj gjëra që kam qejf, për shembull, të dal për një shëtitje.» Në disa raste mund të ofrohesh që gjatë natës t’i shërbesh ti personit që ka nevojë, kështu motra a vëllai të ngopet me gjumë.

Dy motra vizitojnë një motër të moshuar në shtëpinë e saj. Ajo që kujdeset për motrën, i përshëndet e buzëqeshur ndërsa del nga shtëpia.

Si mund ta ndihmosh një vëlla a motër që po kujdeset për një mik ose familjar? (Shih paragrafin 16)b


17. Si mund t’i ndihmosh gjatë mbledhjeve të kongregacionit ata që kujdesen për dikë?

17 Ndihmoji gjatë mbledhjeve të kongregacionit. Ata që kujdesen për një të moshuar ose të sëmurë, mund të mos përfitojnë shumë nga mbledhjet e kongregacionit, asambletë qarkore dhe kongreset rajonale, sepse janë të ngarkuar. Ndaj, mund të ofrohesh që të ulesh ti me njeriun e tyre të dashur gjatë gjithë mbledhjes ose gjatë një pjese të saj. Nëse personi që ka nevojë për kujdes nuk del dot nga shtëpia, mund të tregohesh i gatshëm ta ndiqni mbledhjen nga shtëpia e tij. Kështu, ai që kujdeset për të, mund ta ndjekë mbledhjen në Sallë.

18. Ç’mund të bëjmë tjetër për bashkëbesimtarët që po i shërbejnë dikujt?

18 Lavdëroji dhe lutu për ta. Pleqtë bëjnë mirë që t’i inkurajojnë rregullisht ata që po kujdesen për dikë. (Prov. 27:23) Pavarësisht nga rrethanat, të gjithë ne mund t’i lavdërojmë bujarisht e vazhdimisht këta vëllezër e motra. Veç kësaj, mund t’i kërkojmë Jehovait që t’u japë pareshtur forcë dhe t’i ndihmojë të kenë një zemër të gëzuar.—2 Kor. 1:11.

19. Cilën shpresë mezi presim të realizohet?

19 Së shpejti, Jehovai do të fshijë çdo lot e çdo dhembje. Sëmundjet dhe vdekja do t’i përkasin së shkuarës. (Zbul. 21:3, 4) «I çali do të kërcejë si një dre.» (Isa. 35:5, 6) Pasojat e trishta të moshës së thyer dhe dhembja që ndiejmë kur sëmuret një njeri i dashur, do t’i përkasin ‘gjërave të mëparshme që nuk do të vijnë më në mendje’. (Isa. 65:17) Mirëpo, teksa presim të realizohet kjo shpresë e mrekullueshme, Jehovai s’ka për të na braktisur kurrë. E nëse vazhdojmë të mbështetemi për forcë tek Ati ynë, ai do të na ndihmojë ‘të përballojmë çdo gjë me durim e gëzim’.—Kolos. 1:11.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse mund ta humbin gëzimin ata që kujdesen për një njeri të dashur?

  • Ç’mund t’i ndihmojë ta ruajnë gëzimin ata që kujdesen për dikë tjetër?

  • Si mund ta ndihmosh një vëlla a motër që po kujdeset për dikë?

KËNGA 155 Gëzim në përjetësi

[Shënimi]

a Emri është ndryshuar.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dy motra të reja vizitojnë një motër të moshuar, që kush kujdeset për të, të dalë për një shëtitje.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo