BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 nëntor f. 8-9
  • A është më mirë të mos e ngas më makinën?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A është më mirë të mos e ngas më makinën?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SHQYRTO SI E NGET MAKINËN
  • LEJO TË TË DREJTOJNË PARIMET E BIBLËS
  • Aksidentet automobilistike: A jeni të mbrojtur nga ato?
    Zgjohuni!—2002
  • Si t’i parandalojmë aksidentet
    Zgjohuni!—2011
  • Si ta ngasësh makinën pa rrezikuar
    Zgjohuni!—2009
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 nëntor f. 8-9
Një vëlla i moshuar qëndron ulur pranë dritares dhe sheh jashtë makinën e tij. Në duar mban çelësat e makinës dhe mendohet.

A është më mirë të mos e ngas më makinën?

KE DEKADA që e nget makinën. Të pëlqen liria dhe pavarësia që vjen kur ke makinën tënde. Mirëpo familja dhe miqtë kanë merak për ty dhe mendojnë se është më mirë të mos e ngasësh më makinën. Nuk arrin t’i kuptosh pse janë kaq të shqetësuar.

A të duhet edhe ty të vendosësh nëse duhet ta ngasësh akoma makinën? Nëse po, ç’mund të të ndihmojë të marrësh një vendim të mençur?

Në disa shtete, shoferët e moshuar që duan të rinovojnë lejen e drejtimit, duhet të ekzaminohen nga një mjek dhe të marrin vërtetimin përkatës. Shërbëtorët e Jehovait që jetojnë në këto shtete, u binden ligjeve dhe vendimeve të atyre që janë të autorizuar nga qeveria. (Rom. 13:1) Por, pavarësisht nga vendi ku jeton, mund t’i vlerësosh aftësitë e tua për të drejtuar në mënyrë të sigurt makinën.

SHQYRTO SI E NGET MAKINËN

Faqja e internetit e Institutit Kombëtar për Moshimin (NIA) në Shtetet e Bashkuara, sugjeron që t’i bësh vetes këto pyetje:

  • A e kam problem të lexoj tabelat rrugore ose të shoh natën?

  • A e kam të vështirë të kthej kokën për të kontrolluar pasqyrat dhe zonat jashtë fushëpamjes ose pikat e vdekura?

  • A e kam të vështirë të reagoj shpejt, për shembull kur duhet të lëviz këmbën nga pedali i gazit tek ai i frenave?

  • A e ngas makinën aq ngadalë, sa pengoj qarkullimin?

  • A kam rrezikuar të bëj disa aksidente kohët e fundit, ose a ka makina ime gërvishtje dhe dëmtime ngaqë kam goditur objekte të ndryshme?

  • A më ka ndaluar ndonjëherë policia për shkak të mënyrës si e ngas makinën?

  • A jam përgjumur ndonjëherë, ndërsa drejtoja makinën?

  • A marr ndonjë ilaç që mund të ndikojë te mënyra si e ngas makinën?

  • A më kanë thënë familjarët ose miqtë se janë në merak për mënyrën si e ngas makinën?

Nëse i përgjigjesh «po» një ose dy prej këtyre pyetjeve, mbase ka ardhur koha të bësh disa ndryshime. Për shembull, mund të vendosësh ta ngasësh më rrallë makinën, sidomos natën. Përpiqu të shqyrtosh rregullisht mënyrën si e drejton makinën. Mund të pyesësh se çfarë mendon për këtë edhe një familjar ose një mik që ka udhëtuar me ty. Ndoshta mund të bësh edhe ndonjë kurs që të ndihmon ta ngasësh në mënyrë të sigurt makinën. Megjithatë, nëse i përgjigjesh «po» disa pyetjeve të mësipërme, mbase është më mirë të mos e ngasësh më makinën.a

LEJO TË TË DREJTOJNË PARIMET E BIBLËS

Mund të mos jetë e lehtë të pranosh se nuk je më shofer aq i zoti. Dhe mbase mërzitesh kur mendon se nuk do ta ngasësh dot më makinën. Ndaj, cilat parime të Biblës mund të të ndihmojnë të jesh realist për rrethanat e tua dhe të marrësh një vendim të mençur? Ja dy prej tyre:

Ji modest. (Prov. 11:2) Teksa moshohemi, mund të na dobësohen shikimi, dëgjimi dhe muskujt, si edhe të na ngadalësohen reflekset. Për shembull, shumë njerëz nuk merren më me disa lloje sportesh pas njëfarë moshe, ngaqë e kuptojnë se mund të dëmtohen më kollaj. Një parim i ngjashëm zbatohet edhe për ngarjen e makinës. Një njeri modest mund të vendosë të mos e ngasë më makinën kur e kupton që kjo mund t’i rrezikojë jetën. (Prov. 22:3) Dhe kur të tjerët i shprehin një shqetësim, modestia do ta nxitë t’ua vërë veshin.—Krahaso 2 Samuelit 21:15-17.

Shmang fajin e gjakut. (Ligj. 22:8) Makina bëhet një armë e rrezikshme kur nuk përdoret siç duhet. Dikush që vazhdon të ngasë makinën edhe pse nuk është më i aftë, mund të rrezikojë jetën e vet dhe atë të tjerëve. E nëse është shkaktar i një aksidenti fatal, do të bëhet me faj gjaku.

Në rast se të duhet të marrësh vendimin e vështirë për të mos e ngarë më makinën, mos mendo se do të humbasësh dinjitetin dhe vlerën si njeri. Jehovai të do se ke cilësi të bukura, si modestia, përulësia dhe meraku për mirëqenien e të tjerëve. Dhe ai premton se do të të mbështetë e do të të ngushëllojë. (Isa. 46:4) Jehovai nuk do të të braktisë kurrë. Prandaj, kërkoji ndihmë që të tregosh mençuri praktike dhe të përdorësh parimet e Biblës teksa shqyrton nëse duhet të vazhdosh ta ngasësh makinën.

Si mund të ndihmojnë të tjerët

Zakonisht pjesëtarët e familjes janë njerëzit e duhur për të folur me një familjar të moshuar për ngarjen e makinës. Por ndoshta je mik i shoferit dhe dëgjon që të tjerët janë të shqetësuar për mënyrën si e nget makinën. Në vend se t’i anashkalosh këto komente, mund t’i kërkosh të moshuarit ta shoqërosh, teksa nget makinën. Po të jetë e nevojshme, fol me të për mënyrën si e drejton mjetin. Kur ta bësh këtë, mendo si do të doje të të flisnin ty. Fol me takt, por hapur. Mos e përqendro bisedën te mosha e tij, por te mënyra si e nget makinën. Në vend se t’i thuash «nuk je më shofer i mirë», thuaji «kam merak për ty kur nget makinën». Thuaji se ke besim që ai dëshiron t’i zbatojë parimet që shqyrtuam në këtë artikull.

Të gjithë duhet të përpiqemi të kuptojmë si ndihet një i moshuar që nuk mund ta ngasë më makinën. Mbase i duket sikur ka humbur lirinë dhe pavarësinë. Si mund ta ndihmosh? Mbështete dhe ofroji ndihmë praktike. (Prov. 17:17) Mos prit të të kërkojë ta shoqërosh me makinë, se ndoshta ka merak se po të bëhet barrë. Mbase mund të bësh një program për ta shoqëruar në aktivitete të rëndësishme, si në mbledhje, në predikim, në pazar ose në takime mjekësore. Siguroje se për ty është kënaqësi ta ndihmosh dhe të kalosh kohë me të.—Rom. 1:11, 12.

a Për më shumë informacion, lexo artikullin «Aksidentet automobilistike: A jeni të mbrojtur nga ato?» në revistën Zgjohuni! të shtatorit 2002.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo