ARTIKULLI I STUDIMIT 44
KËNGA 138 Kurora e bukur e flokëve të bardhë
Ruaj gëzimin në moshë të shkuar
«Do të jenë të frytshëm . . . kur të jenë flokëzbardhur.»—PSAL. 92:14.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shqyrtojmë pse është e rëndësishme që të moshuarit të ruajnë gëzimin dhe si mund ta bëjnë këtë.
1-2. Si i sheh Jehovai shërbëtorët besnikë, që janë të moshuar? (Psalmi 92:12-14; shih edhe figurën.)
NË MBARË botën njerëzit kanë mendime të ndryshme për plakjen. Për shembull, të kujtohet kur pe se të kishte dalë thinja e parë? Mbase doje që ta shkulje para se ta shihte njeri. Por kuptove se sado të përpiqeshe, nuk shpëtoje dot nga thinjat. Ky shembull tregon se nuk është gjithnjë kollaj të pranosh se po të ikin vitet.
2 Megjithatë, Ati ynë qiellor i sheh me sy tjetër shërbëtorët e tij që po moshohen. (Prov. 16:31) Ai i krahason me pemë të frytshme. (Lexo Psalmin 92:12-14.) Pse është me vend ky krahasim? Sepse shpesh pemët shumëvjeçare janë plot me gjethe dhe me lule erëmira. Një nga pemët më mbresëlënëse është qershia japoneze. E ndër to më të bukurat janë mbi 1000-vjeçare. Po njësoj, shërbëtorët besnikë në moshë të thyer janë të bukur, sidomos në sytë e Perëndisë. Jehovai sheh përtej thinjave. Ai vlerëson cilësitë e shkëlqyera që kanë të moshuarit—qëndrueshmërinë dhe besnikërinë e tyre—si edhe gjithë vitet që i kanë shërbyer me përkushtim.
Njësoj si pemët shumëvjeçare që janë të bukura e të frytshme, edhe të moshuarit besnikë kanë cilësi të bukura që i bëjnë të çmuar në sytë e Jehovait dhe të të tjerëve. (Shih paragrafin 2)
3. Jepni një shembull si i ka përdorur Jehovai të moshuarit për të përmbushur qëllimin e tij.
3 Jehovait nuk i zbehet aspak vlerësimi për adhuruesit e tij, teksa ata moshohen.a Ç’është e vërteta, ai i ka përdorur shpesh të moshuarit për të përmbushur qëllimin e vet. Për shembull, Sara ishte në moshë të shkuar kur Jehovai tha se prej saj do të vinte një komb i fuqishëm, dhe se do të bëhej paraardhëse e Mesisë. (Zan. 17:15-19) Moisiu ishte i moshuar kur Jehovai e caktoi që të nxirrte izraelitët nga Egjipti. (Eks. 7:6, 7) Edhe apostulli Gjon ishte në moshë të thyer kur Jehovai e frymëzoi për të shkruar pesë libra të Biblës.
4. Sipas Proverbave 15:15, ç’mund t’i ndihmojë të moshuarit të përballojnë vështirësitë? (Shih edhe figurën.)
4 Të moshuarit përballen me shumë vështirësi që sjell pleqëria. Një motër tha me shaka: «Pleqëria nuk është për frikacakët.» Gjithsesi, falë gëzimitb që jep Jehovai, të moshuarit mund t’i përballojnë më kollaj sfidat. (Lexo Proverbat 15:15.) Në këtë artikull do të shohim ç’mund të bëjnë konkretisht të moshuarit që të ruajnë gëzimin. Do të shqyrtojmë edhe si mund t’i ndihmojmë motrat dhe vëllezërit e moshuar. Por, si fillim le të diskutojmë pse mund të jetë e vështirë të ruajmë gëzimin ndërsa vitet kalojnë.
Nëse je pozitiv dhe i gëzuar, do t’i përballosh më lehtë sfidat e moshës së thyer (Shih paragrafin 4)
SI MUND TË NDIKOJË MOSHA E SHKUAR TE GËZIMI
5. Pse mund të shkurajohen disa të moshuar?
5 Cilat janë disa nga gjërat që mund të të shkurajojnë? Mbase ndihesh i shkurajuar se nuk arrin dot të bësh gjërat që bëje më parë. Ose të qan zemra për kohën kur ishe i ri dhe mirë me shëndet. (Ekl. 7:10) Për shembull, një motër që quhet Rubi thotë: «E kam të vështirë të vishem, sepse kam dhimbje dhe mezi lëviz. Nuk e kam kollaj të bëj as gjëra të thjeshta, si të vesh çorapet. Ngaqë më rrinë duart e mpira dhe vuaj nga artriti, edhe punët e vogla i bëj me zor.» Ndërsa Haroldi, i cili ka shërbyer në Bethel, thotë: «Nuk jam më ai që kam qenë, dhe kjo më acaron ndonjëherë. Kam qenë tip goxha sportiv. Kisha shumë qejf të luaja bejzboll. Të tjerët thoshin: ‘Jepja topin Haroldit se e kemi të sigurt fitoren.’ Por tani s’kam fuqi as ta hedh topin.»
6. (a) Çfarë gjërash të tjera mund t’i demoralizojnë të moshuarit? (b) Ç’mund t’i ndihmojë të moshuarit të vendosin nëse duhet të vazhdojnë të ngasin makinën? (Shih në këtë revistë artikullin «A është më mirë të mos e ngas më makinën?»)
6 Mbase ndihesh i demoralizuar, sepse nuk je më aq i pavarur sa më përpara. Ndoshta tani ke nevojë për dikë që të kujdeset për ty ose duhet të jetosh me një nga fëmijët. Mund të jesh shumë i mërzitur ngaqë të është përkeqësuar shëndeti a shikimi deri në atë pikë, sa nuk del dot i pashoqëruar dhe s’e nget dot më makinën. Kjo situatë mund të të trishtojë pa masë. Mirëpo mos harro se vlera që ke në sytë e Jehovait dhe në sy të të tjerëve nuk zbehet ngaqë nuk kujdesesh dot për veten, nuk jeton dot vetëm dhe nuk e nget dot më makinën. Ji plotësisht i sigurt se Jehovai e kupton si ndihesh. Për të ka rëndësi ajo që sheh thellë brenda teje—një zemër të mbushur me dashuri dhe çmueshmëri për Jehovain dhe për bashkëbesimtarët.—1 Sam. 16:7.
7. Ç’mund t’i ndihmojë të moshuarit që i trishton mendimi se mbase nuk do ta shohin dot Armagedonin?
7 Ndoshta je i trishtuar sepse mendon që nuk do ta shohësh dot fundin e këtij sistemi. Çfarë mund të të ndihmojë nëse ndihesh kështu? Mbaj ndër mend se Jehovai po pret me durim që t’i japë fund kësaj bote të ligë. (Isa. 30:18, shën.) Mirëpo e ka një qëllim pse po duron. Falë durimit të Jehovait, miliona njerëz kanë ende kohë dhe mundësi që ta njohin dhe t’i shërbejnë. (2 Pjet. 3:9) Ndaj, kur ndihesh përtokë, mendo për gjithë njerëzit që do të nxjerrin dobi nga durimi i Jehovait para se të vijë fundi. E disa prej tyre mund të jenë edhe familjarët e tu.
8. Si mund të ndikojnë sfidat e moshës së thyer te sjellja e të moshuarve?
8 Pavarësisht nga mosha, kur nuk jemi mirë, ka më tepër gjasa të themi ose të bëjmë diçka, për të cilën më vonë bëhemi pishman. (Ekl. 7:7; Jak. 3:2) Për shembull, Jobi besnik tha «fjalë të rrëmbyera» kur po vuante. (Jobi 6:1-3) Veç kësaj, për shkak të ndonjë sëmundjeje, të moshuarit mund të thonë a të bëjnë gjëra që normalisht nuk do t’i bënin. Patjetër, askush prej nesh nuk do t’i përdorte qëllimisht moshën ose problemet shëndetësore si justifikim për t’u treguar i pasjellshëm dhe pretendues. E nëse kuptojmë se me fjalët tona kemi lënduar dikë, të mos ngurrojmë t’i kërkojmë falje.—Mat. 5:23, 24.
SI TË RUASH GËZIMIN
Si mund ta ruash gëzimin, pavarësisht nga sfidat e moshës së shkuar? (Shih paragrafët 9-13)
9. Pse duhet ta pranosh ndihmën e të tjerëve? (Shih edhe figurat.)
9 Prano ndihmën e të tjerëve. (Gal. 6:2) Si fillim kjo mund të jetë e vështirë. Një motër që quhet Gretac thotë: «Ndonjëherë e kam siklet të kërkoj ndihmë, se s’dua t’i bëhem barrë njeriu. Më është dashur kohë të ndryshoj mënyrën si mendoj dhe të pranoj me përulësi se nuk i bëj dot të gjitha vetë.» Kur pranon ndihmën e të tjerëve, u jep mundësinë të provojnë gëzimin që vjen kur japim. (Vep. 20:35) Dhe pa dyshim do të kënaqesh kur të shohësh sa shumë të duan dhe sa merak të kanë.
(Shih paragrafin 9)
10. Pse s’duhet të harrosh të tregosh mirënjohje? (Shih edhe figurat.)
10 Trego mirënjohje. (Kolos. 3:15; 1 Sel. 5:18) Natyrisht gjërat e mira që bëjnë të tjerët për ne, na mbushin me mirënjohje, por ndonjëherë mund të harrojmë ta shfaqim. Megjithatë, nëse buzëqeshim dhe themi «faleminderit», miqtë tanë do të ndihen të çmuar e të vlerësuar. Lea, një motër që kujdeset për të moshuarit në Bethel, thotë: «Një nga motrat për të cilën kujdesem, më lë shënime të vogla falënderimi. Mesazhet që më shkruan janë të shkurtra, por shumë të ngrohta. Mezi pres t’i lexoj shënimet e saj dhe jam shumë e lumtur që ajo e vlerëson ndihmën time.»
(Shih paragrafin 10)
11. Si mund t’i ndihmosh të tjerët? (Shih edhe figurat.)
11 Bëj çmos të ndihmosh të tjerët. Nëse e përdor kohën dhe energjinë për të tjerët, ka të ngjarë të mendosh më pak për hallet e tua. Një proverb afrikan i krahason të moshuarit me një bibliotekë të mbushur me libra plot thesare mençurie. Ama, librat që rrinë në raft nuk të mësojnë dot gjë. Ndaj, si një «bibliotekë e gjallë» merr iniciativën t’i pasurosh më të rinjtë me njohurinë dhe me eksperiencën që ke fituar ndër vite. Bëju pyetje e dëgjoji me vëmendje. Pastaj tregoju si e ke parë dorën e Jehovait në jetën tënde, dhe pse do të jenë më të lumtur po t’u binden standardeve të Jehovait. Pa dyshim do të provosh gëzim, ndërsa u jep zemër dhe forcë vëllezërve e motrave më të rinj.—Psal. 71:18.
(Shih paragrafin 11)
12. Çfarë u ka premtuar Jehovai të moshuarve tek Isaia 46:4? (Shih edhe figurat.)
12 Lutju Jehovait për forcë. Edhe pse ti mund të ndihesh përtokë fizikisht ose emocionalisht, Jehovai «nuk lodhet e nuk rraskapitet kurrë». (Isa. 40:28) Si e përdor Jehovai energjinë e tij të pakufishme? Një mënyrë është duke u dhënë forcë të moshuarve besnikë. (Isa. 40:29-31) Në fakt, ai ka premtuar se do të të ndihmojë. (Lexo Isainë 46:4.) Dhe Jehovai e mban gjithmonë fjalën. (Jos. 23:14; Isa. 55:10, 11) Kur lutesh dhe pastaj ndien dashurinë dhe mbështetjen e Jehovait, s’ka si të mos jesh i gëzuar.
(Shih paragrafin 12)
13. Sipas 2 Korintasve 4:16-18, çfarë nuk duhet të harrojmë? (Shih edhe figurat.)
13 Mos harro se situata jote është e përkohshme. Kur mbajmë ndër mend se një situatë e vështirë nuk do të zgjatë përgjithmonë, e kemi më kollaj ta përballojmë. Bibla na siguron se plakja dhe problemet shëndetësore janë të përkohshme. (Jobi 33:25; Isa. 33:24) Ndaj gëzohu, sepse të presin ditë shumë më të mira se ato që ke lënë pas. (Lexo 2 Korintasve 4:16-18.) Mirëpo, si mund të të ndihmojnë të tjerët?
(Shih paragrafin 13)
SI MUND T’I NDIHMOSH TË MOSHUARIT
14. Pse është e rëndësishme t’i vizitojmë e t’i marrim në telefon të moshuarit?
14 Vizitoji dhe merri në telefon rregullisht motrat dhe vëllezërit e moshuar. (Hebr. 13:16) Të moshuarit mund të ndihen të izoluar, ngaqë rrinë shumë kohë vetëm. Karlo, një vëlla që nuk del dot nga shtëpia, thotë: «Rri gjithë ditën brenda, nga mëngjesi deri në darkë. Prandaj mërzitem shumë. Ndonjëherë ndihem si një luan i vjetër, i mbyllur në kafaz. Bëhem nervoz dhe acarohem.» Kur shkojmë të takojmë të moshuarit, duam t’i sigurojmë se janë të rëndësishëm për ne dhe i duam fort. Mbase na ka ndodhur që kemi planifikuar të vizitojmë a të telefonojmë një të moshuar në kongregacion, por nuk e kemi bërë. Të gjithë kemi jetë të ngarkuar. Ndaj ç’mund të na ndihmojë ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’, siç është t’u shkojmë për vizitë të moshuarve? (Filip. 1:10) Mund të bësh një shënim në kalendar, që të kujtohesh t’u dërgosh një mesazh ose t’u telefonosh të moshuarve në kongregacionin tënd. Gjithashtu, planifikoje që më përpara kohën kur do t’i takosh; mos ia lër rastësisë.
15. Çfarë bisedash dhe aktivitetesh mund të bësh me të moshuarit nëse keni shumë diferencë moshe?
15 Ndoshta vret mendjen se çfarë muhabeti a çfarë aktivitetesh mund të bësh me një të moshuar nëse keni shumë diferencë moshe. Por mos u merakos së tepërmi. Thjesht ji një mik i mirë. (Prov. 17:17) Takoji dhe fol me të moshuarit para ose pas mbledhjes. Mbase mund t’i pyesësh të të tregojnë shkrimin e tyre të preferuar ose ndonjë histori të lezetshme nga fëmijëria. Mund t’i ftosh edhe që të shikoni bashkë një program të JW Broadcasting®. Veç kësaj, mund të bësh gjëra praktike për ta. Për shembull, mund t’i ndihmosh të përditësojnë pajisjet elektronike dhe të shkarkojnë botimet më të fundit për studim. Një motër që quhet Karola, shprehet: «Ftoji të moshuarit që të bëni gjëra që ke qejf ti. Vërtet jam e moshuar, por prapë dua ta shijoj jetën. Më pëlqen të bëj pazar, të ha jashtë dhe të vizitoj vende të bukura.» Ndërsa një motër që quhet Majra, thotë: «Kam një mike që është 90 vjeçe. Shpesh harroj që kemi një diferencë moshe prej 57 vjetësh, sepse qeshim bashkë dhe shikojmë filma bashkë. Dhe kur hasim ndonjë problem, i kërkojmë këshilla njëra-tjetrës.»
16. Pse mund të jetë e dobishme t’i shoqërojmë të moshuarit te mjeku?
16 Shoqëroji për vizita mjekësore. Përveçse t’i çosh të moshuarit te mjeku, mund të sigurohesh edhe që stafi mjekësor t’i trajtojë mirë dhe t’u japë ndihmën e nevojshme. (Isa. 1:17) Mund t’i ndihmosh edhe duke mbajtur shënim gjërat që thotë doktori. Një motër e moshuar që quhet Rutha, thotë: «Shpesh mjekët nuk më kushtojnë vëmendje kur shkoj vetëm. Ndonjëherë më thonë: ‘Nuk ke gjë, e ke psikologjike.’ Por kur shkoj me dikë tjetër, më trajtojnë komplet ndryshe. U jam shumë mirënjohëse vëllezërve e motrave që lënë punët e tyre për të më shoqëruar.»
17. Në cilat aspekte shërbimi mund t’i ftojmë të moshuarit?
17 Dil me ta në shërbim. Disa të moshuar mbase s’kanë fuqi për të predikuar shtëpi më shtëpi. Ndaj, a mund ta ftosh një motër të moshuar që të dilni bashkë te stendat? Mund të marrësh edhe një karrige që të ulet afër stendës. Ose a mund të ftosh një vëlla të moshuar në një nga studimet e tua dhe ndoshta ta bëni studimin në shtëpinë e tij? Pleqtë e kongregacionit mund të organizojnë disa mbledhje shërbimi te shtëpitë e bashkëbesimtarëve të moshuar, që ata ta kenë më kollaj të marrin pjesë. Ia vlen çdo përpjekje për të nderuar motrat dhe vëllezërit tanë të moshuar!—Prov. 3:27; Rom. 12:10.
18. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
18 Ky artikull na ka rikujtuar se Jehovai i do dhe i çmon të moshuarit. Edhe ne i duam dhe i çmojmë po njësoj. Sigurisht është e vështirë të mbash mbi supe peshën e viteve, por me ndihmën Jehovait mund ta ruash gëzimin. (Psal. 37:25) Sa zemërdhënëse është kur di se të presin ditë shumë më të mira! Mirëpo, disa vëllezër e motra hasin një sfidë tjetër—u duhet të kujdesen për një familjar të moshuar, një fëmijë ose një mik të sëmurë. Si mund ta ruajnë gëzimin? Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje.
KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im
a Shih në jw.org dhe në JW Library® videon me titull Të moshuar—Ju keni një rol të rëndësishëm.
c Disa emra janë ndryshuar.