Të tregojmë interes personal: Duke qenë dashamirës
1 Duke sjellë ndër mend herën e parë që takoi një Dëshmitare të Jehovait, një grua e cila i kishte paragjykuar Dëshmitarët tha: «Në të vërtetë nuk e mbaj mend se për çfarë folëm, por ajo që më kujtohet, është sa e mirë u tregua me mua dhe sa miqësore dhe e përulur ishte. Më tërhoqi vërtet si njeri.» Ky koment na bën të qartë se sa e rëndësishme është të tregojmë interes të sinqertë për ata që u predikojmë.—Filip. 2:4.
2 Dashuria është mirëdashëse: Një mënyrë se si mund t’u tregojmë dashurinë tonë të tjerëve është duke qenë mirëdashës. (1 Kor. 13:4) Ai që është mirëdashës, interesohet për mirëqenien e të tjerëve dhe përpiqet t’i ndihmojë. Sigurisht, vetë vepra e predikimit është një akt dashamirësie. Por interesimi ynë i sinqertë për njerëzit duhet të shfaqet jo vetëm nëpërmjet predikimit. E gjithë marrëdhënia me njerëzit, domethënë të qenët miqësorë, mirësjellja, mënyra se si i dëgjojmë, fjalët që u themi dhe mënyra se si ua themi, e madje, edhe mënyra se si i shohim, tregon se interesohemi vërtet për ta.—Mat. 8:2, 3.
3 Interesimi i dashur për njerëzit do të na shtyjë t’i ndihmojmë në mënyra praktike. Një herë, ndërsa po predikonte nga shtëpia në shtëpi, një vëlla që shërbente si pionier, u përpoq të fliste me një grua të ve. Me ta marrë vesh se ishte një Dëshmitar, ajo e përzuri. I tha se, kur ai i ra derës, ajo kishte qenë sipër shkallës, sepse donte të vinte një llambë. «Është e rrezikshme ta vësh vetëm»,—ia ktheu ai. Kështu, ajo e ftoi brenda. Ai i vuri llambën dhe u largua. Kur djali i kësaj vejushe vajti pak më vonë për të parë të ëmën, ajo i tregoi se çfarë kishte ndodhur. Atij i bëri kaq shumë përshtypje sa u përpoq ta gjente këtë vëlla që ta falënderonte. Kur e gjeti, midis tyre u zhvillua një bisedë mjaft e këndshme dhe, në fund, ai pranoi një studim biblik.
4 Duke qenë mirëdashës, ne pasqyrojmë dashurinë e Jehovait për njerëzit dhe stolisim mesazhin e Mbretërisë. Prandaj, vazhdimisht le ta «rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë, . . . përmes mirëdashjes»!—2 Kor. 6:4, 6.