Të vazhdojmë të flasim me guxim për fjalën e Perëndisë
1 Si shërbëtorë të krishterë, e dimë se jo të gjithë do ta mirëpresin mesazhin që predikojmë. (Mat. 10:14) Megjithatë nuk do të lejojmë që reagimet e tyre negative të na sprapsin e të mos e shpallim lajmin e mirë. (Prov. 29:25) Çfarë na ndihmon të vazhdojmë të flasim me guxim për fjalën e Perëndisë?
2 Apostulli Pavël e çmonte ‘vlerën e pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu’. Kjo e nxiste që të fliste me «bindje të fortë». (Filip. 3:8; 1 Sel. 1:5) Megjithëse disa e konsideronin si shenjë dobësie dhe budallallëku mesazhin që predikonte, ai e dinte se ishte «fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim». (Rom. 1:16) Prandaj, edhe kur haste kundërshtime, Pavli vazhdonte të fliste ‘me guxim me anë të autoritetit që u kishte dhënë Jehovai’.—Vep. 14:1-7; 20:18-21, 24.
3 Burimi nga marrim forcë: Dëshmia e guximshme e Pavlit, nuk ishte falë fuqisë së tij. Për veten dhe për Silën, Pavli tha: «Pasi fillimisht vuajtëm dhe u trajtuam në mënyrë fyese në Filipi, morëm guxim nga Perëndia t’ju thoshim lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh.» (1 Sel. 2:2; Vep 16:12, 37) Më vonë, kur ndodhej i burgosur në Romë, Pavli u kërkoi të tjerëve të luteshin për të, që të mund të vazhdonte të fliste për lajmin e mirë ‘me guxim, siç duhej të fliste’. (Efes. 6:18-20) Duke u mbështetur te Jehovai dhe jo te vetja, Pavli vazhdoi të fliste me guxim për fjalën e Perëndisë.—2 Kor. 4:7; Filip. 4:13.
4 E njëjta gjë vlen edhe për sot. Një vëlla, që e kishte të vështirë t’u tregonte shokëve të punës se ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe të jepte dëshmi joformale, iu lut Jehovait për këtë gjë dhe filloi të jepte dëshmi. Në fillim, një nga shokët e punës reagoi keq kur i predikoi, por, kur i përmendi shpresën e ringjalljes, kjo çoi në fillimin e një studimi biblik. Që nga ajo kohë, vëllai shfrytëzonte çdo rast për të dhënë dëshmi. Në punën që pati më pas, për 14 vjet ndihmoi 34 persona të arrinin deri në pagëzim. Mund të kemi besim se, po kështu, Jehovai do të na forcojë që ‘ta themi fjalën e Perëndisë plot guxim’.—Vep. 4:29.