Mirëdashja tret hidhërimin
NJË grua e moshuar u tregua vërtet jomiqësore me Zhorzhin dhe Manonën, dy Dëshmitarë në Holandë, që i predikuan lajmin e mirë për Mbretërinë. Ata kuptuan se kishte mbetur dy herë e ve, se i kishte vdekur një djalë dhe se vuante nga artriti i rëndë. Megjithëse u qetësua disi gjatë bisedës, nuk u bë vërtet miqësore.
Sidoqoftë, Zhorzhi i sugjeroi Manonës të ktheheshin tek ajo grua me një buqetë lulesh, pasi dukej shumë e vetmuar dhe e hidhëruar. Kur shkuan, e zonja e shtëpisë, Rija, u habit, por edhe u kënaq. Gjithsesi, meqë nuk ishte momenti i përshtatshëm, lanë një takim për një herë tjetër. Kur Zhorzhi dhe Manona u kthyen siç e kishin lënë, askush s’e hapi derën. Edhe pse provuan në orare të ndryshme, nuk e gjetën më. Madje, menduan se ndoshta po u shmangej.
Më në fund Zhorzhi e gjeti një ditë Rijën në shtëpi. Ajo i kërkoi falje që nuk ishte treguar korrekte për takimin dhe i shpjegoi se kishte qenë në spital. Pastaj i tha: «S’e merr dot me mend çfarë kam bërë pasi ikët ju. Fillova të lexoja Biblën!» Pasoi një diskutim i këndshëm dhe nisën një studim biblik.
Ndërsa Rija vazhdonte studimin, u shndërrua nga një grua e hidhëruar në një grua të lumtur dhe mirëdashëse. Edhe pse s’dilte dot nga shtëpia, menjëherë nisi t’i dëshmonte për besimin e saj të ri kujtdo që i vinte për vizitë. Shëndeti e pengonte të shkonte shumë shpesh në mbledhjet e kongregacionit, por kënaqej me vizitat e vëllezërve dhe të motrave. Ditën që mbushi 82 vjeçe ishte e pranishme në një asamble qarkore dhe u pagëzua në simbol të kushtimit të saj ndaj Perëndisë.
Pas vdekjes së saj, vetëm disa muaj më vonë, gjetën një poezi që kishte shkruar. Aty përshkruante mjerimin e vetmisë në moshë të thyer dhe theksonte rëndësinë e mirëdashjes. Manona thotë: «U preka shumë teksa lexoja poezinë dhe sa e lumtur jam që Jehovai na ndihmoi t’i tregonim mirëdashje asaj!»
Po, shembulli i vetë Jehovait na nxit të shfaqim dashuri dhe mirëdashje. (Efes. 5:1, 2) Shërbimi ynë do të jetë i frytshëm nëse «e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë . . . përmes mirëdashjes».—2 Kor. 6:4, 6.