Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 10
Si t’i stërvitim studentët për shërbimin nga shtëpia në shtëpi?
1 Kur pleqtë e kongregacionit përcaktojnë se një student i Biblës kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar, ai mund të dalë bashkë me kongregacionin në veprën e predikimit. (Shih Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, f. 79-81.) Si mund ta ndihmojmë studentin që të bëhet sa më i aftë në predikimin nga shtëpia në shtëpi?
2 Të përgatitemi së bashku: Asgjë nuk e zëvendëson një përgatitje të mirë. Tregoji studentit se ku mund të gjejë sugjerime për prezantimet e revistave te Shërbimi ynë i Mbretërisë dhe ndihmoje që të zgjedhë një prezantim të thjeshtë e të përshtatshëm për territorin. Që në fillim, nxite të përdorë Biblën në shërbim.—2 Tim. 4:2.
3 Për një lajmëtar të ri, do të ishte e dobishme që të bënit disa prova. Ndërsa studenti provon prezantimin, tregoji se si të reagojë me takt ndaj qëndrimeve që zakonisht hasen në territor. (Kolos. 4:6) Tregoji se nuk është e thënë që shërbëtorët e krishterë të dinë përgjigjen e çdo pyetjeje që mund të bëjë i zoti i shtëpisë. Shpesh, është më mirë t’i themi të zotit të shtëpisë se do të bëjmë kërkime dhe do të kthehemi një herë tjetër për t’i dhënë përgjigje asaj pyetjeje.—Prov. 15:28.
4 Të dalim bashkë në predikim: Herën e parë që studenti del në predikimin nga shtëpia në shtëpi, le të të shohë ty në fillim se si e bën prezantimin që keni përgatitur së bashku. Pastaj përfshije edhe atë. Në disa raste, mund të jetë më mirë që lajmëtari i ri të bëjë vetëm një pjesë të prezantimit, si për shembull të lexojë dhe të shpjegojë një shkrim. Ki parasysh karakterin dhe aftësitë e studentit. (Filip. 4:5) Mos ia kurse lavdërimet, ndërsa gradualisht e stërvit në aspekte të ndryshme të veprës së predikimit.
5 Është e rëndësishme ta ndihmosh një lajmëtar të ri që të bëjë një program të rregullt për të dalë në shërbim, mundësisht çdo javë. (Filip. 3:16) Bëni plane specifike për të dalë bashkë në shërbim, dhe inkurajoje që të dalë edhe me lajmëtarë të tjerë të zellshëm. Shembulli dhe shoqëria e tyre do ta ndihmojnë që të bëhet më i aftë në shërbim e të gjejë gëzim në predikimin nga shtëpia në shtëpi.