Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 11
T’i stërvitim lajmëtarët e rinj për të bërë rivizita
1 Kur një student i Biblës fillon të marrë pjesë në veprën e predikimit, do të takojë njerëz që tregojnë interes për lajmin e mirë. Si mund ta ndihmojmë lajmëtarin e ri të bëjë rivizita të efektshme dhe të ndjekë interesin që gjen?
2 Përgatitja për rivizitën fillon që kur predikon për herë të parë. Ta inkurajojmë studentin të tregojë interes të sinqertë për ata me të cilët bisedon. (Filip. 2:4) Ta stërvitim gradualisht që ta ftojë të zotin e shtëpisë të shprehë mendimin e vet, t’i kushtojë vëmendje fjalëve të tij dhe t’i mbajë shënim gjërat që i interesojnë. Ta mësojmë lajmëtarin që, kur dikush tregon interes, të mbajë shënim informacionin e duhur në lidhje me vizitën. T’i përdorim këto të dhëna për ta ndihmuar që të planifikojë bisedat e mëtejshme që mund të zhvillojë me të.
3 Përgatitja për rivizitën: T’i rishikojmë të dhënat e vizitës së parë dhe t’i tregojmë studentit se si të zgjedhë një aspekt të mesazhit të Mbretërisë që mund të jetë me interes për të zotin e shtëpisë. (1 Kor. 9:19-23) Të përgatitim së bashku një prezantim të shkurtër, që përfshin një shkrim nga Bibla dhe një paragraf nga një botim që përdoret për studim. Pastaj, të përgatitim një pyetje për ta lënë pezull në fund të bisedës, që të krijojmë mundësinë për një rivizitë tjetër. T’i tregojmë lajmëtarit të ri se si, vizitë pas vizite, ta ndihmojë të interesuarin të shtojë njohuritë e tij për Fjalën e Perëndisë.
4 Gjithashtu, do të ishte mirë t’i mësonim lajmëtarit që në rivizitë të bëjë një hyrje të thjeshtë. Pasi e ka përshëndetur të zotin e shtëpisë, mund të thotë: «Më pëlqeu biseda që bëmë bashkë javën e kaluar, prandaj u ktheva që të flasim për informacione të tjera nga Bibla në lidhje me [të përmendë temën].» Gjithashtu, mund të jetë e nevojshme t’i tregojmë lajmëtarit të ri se si të veprojë nëse në derë del dikush tjetër.
5 Të jemi të zellshëm për të ndjekur interesin: Ta inkurajojmë studentin të lërë një shembull të mirë duke i rivizituar pa vonuar të gjithë ata që tregojnë interes. Ndoshta do t’i duhet të këmbëngulë derisa ta gjejë të interesuarin në shtëpi. Ta mësojmë se si të lërë përsëri takim me të për t’u kthyer dhe ta ndihmojmë të kuptojë se është e rëndësishme të vijmë atëherë kur i kemi dhënë fjalën. (Mat. 5:37) Ta udhëzojmë lajmëtarin e ri që të jetë i sjellshëm, i kujdesshëm dhe të tregojë respekt për njerëzit, ndërsa kërkon ata ngjashëm deleve dhe ndjek interesin e tyre.—Titit 3:2.