Kemi ndihmën e engjëjve!
1 «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» Sa zemër u japin këto fjalë atyre që i binden urdhrit të Jezuit: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj.» (Mat. 28:18-20) Një gjë që tregon se Jezui është me të krishterët e vërtetë, është mbështetja e engjëjve. (Mat. 13:36-43) Sa emocionuese është të shpallësh ‘lajmin e mirë të përhershëm’ bashkë me këto krijesa frymore besnike!—Zbul. 14:6, 7.
2 Në shërbim: Bibla tregon se engjëjt janë dërguar «që të shërbejnë për ata që kanë për të trashëguar shpëtimin». (Hebr. 1:14) Në shekullin e parë, engjëjt i ndihmuan ithtarët e Jezuit që të gjenin ata që e meritonin. (Vep. 8:26) Edhe për shërbëtorët e sotëm të Perëndisë drejtimi i engjëjve është i dukshëm. Në shumë raste, pronarët e shtëpive kanë thënë se ishin duke iu lutur Perëndisë për ndihmë kur, pas kësaj, një Dëshmitar ka trokitur në derë. Sa shumë gëzohemi, ne bashkë me engjëjt, që persona të tillë e mirëpresin mesazhin e Mbretërisë!—Luka 15:10.
3 Kur hasim kundërshtime: Danieli, tre shokët e tij hebrenj, apostulli Pjetër dhe shumë të tjerë që kaluan sprova të mëdha kanë pasur mbrojtjen e Jehovait që ua dha me anë të engjëjve «të pushtetshëm dhe të fortë». (Psal. 103:20; Dan. 3:28; 6:21, 22; Vep. 12:11) Edhe pse ka raste kur ndihemi të pambrojtur përballë kundërshtimeve, mund të marrim zemër nga përvoja e shërbëtorit të Eliseut. Ashtu si ai, edhe ne e kuptojmë se «ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta». (2 Mbret. 6:15-17) Edhe nëse na ndajnë me forcë nga vëllezërit tanë të krishterë, nuk duhet të dëshpërohemi. Fjala e Perëndisë na siguron: «Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij.»—Psal. 34:7.
4 Së shpejti ushtritë e engjëjve do të ndërhyjnë për t’i dhënë fund kundërshtimit që i bëhet mbretërimit të Krishtit. (Zbul. 19:11, 14, 15) Ndërsa presim atë ditë, le të vazhdojmë ta lavdërojmë Jehovain me guxim, duke pasur besim të plotë te mbështetja e fuqishme e ushtrive qiellore nën drejtimin e Jezuit!—1 Pjet. 3:22.