Jehovai ndihmon ata që kanë besim tek ai
1 Shumë njerëz e shohin paranë, pushtetin dhe aftësitë e tyre si çelësin drejt suksesit. (Psal. 12:4; 33:16, 17; 49:6) Megjithatë, ata që i frikësohen Jehovait dhe besojnë tek ai, Bibla i siguron se «ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre». (Psal. 115:11) Le të shqyrtojmë dy drejtime në të cilat kemi nevojë të shfaqim besim te Jehovai.
2 Në shërbimin e krishterë: Sa herë që kemi një caktim në kongregacion ose për të mësuar njerëzit në shërbim, duhet të mbështetemi te Perëndia ynë. Shqyrtoni shembullin e Jezuit. Edhe pse ishte Biri i Perëndisë, ai nuk pati besim në aftësitë dhe në mençurinë e vet, por u mbështet tërësisht në Atin e tij qiellor. (Gjoni 12:49; 14:10) Aq më tepër ne. (Prov. 3:5-7) Vetëm nëse kemi mbështetjen e Jehovait, do të arrijmë që me përpjekjet tona të nderojmë Jehovain dhe t’u sjellim dobi të tjerëve.—Psal. 127:1, 2.
3 Tregojmë se mbështetemi te Jehovai kur lutemi që të na udhëheqë dhe të na japë frymën e shenjtë për ndihmë. (Psal. 105:4; Luka 11:13) Përveç këtyre, tregojmë se mbështetemi te Jehovai, nëse e bazojmë mësimdhënien tonë në Fjalën e tij, Biblën. Mesazhi i saj ka fuqi të prekë zemrat dhe të ndryshojë jetën e njerëzve. (Hebr. 4:12) Jehovai lavdërohet nëse ‘shërbejmë si të vareshim nga forca që jep Perëndia’.—1 Pjet. 4:11.
4 Kur hasim vështirësi: Kemi nevojë të kërkojmë ndihmën e Jehovait edhe kur jemi nën stres dhe në vështirësi. (Psal. 46:1) Për shembull, punëdhënësi mund të mos na japë leje për të shkuar në asamble ose mund të hasim një rrethanë të vështirë në familje. Shfaqim besim te Jehovai duke iu lutur me zjarr e duke ndjekur udhëheqjen që na jep me anë të Fjalës dhe organizatës së tij. (Psal. 62:8; 119:143, 173) Ndërsa veprojnë kështu, shërbëtorët e tij ndiejnë dorën e Jehovait që i ndihmon në jetën e tyre.—Psal. 37:5; 118:13, 16.
5 Vetë Jehovai na siguron: «Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti!» (Jer. 17:7) Le ta tregojmë besimin tonë te Jehovai në çdo gjë që bëjmë!—Psal. 146:5.