Përse e bëjnë këtë?
1 Për Krishtin u paratha se ‘zelli për shtëpinë e Perëndisë do ta kishte përpirë’. (Psal. 69:9) Ky zell për adhurimin e vërtetë të Jehovait, e shtyu Jezuin që ta vendoste shërbimin në vend të parë. (Luka 4:43; Gjoni 18:37) Po ky zell në dhënien e dëshmisë për të vërtetën, pasqyrohet sot në shërbimin e Dëshmitarëve të Jehovait. Vitin e fundit të shërbimit, në mbarë botën një mesatare prej 645.509 personash, morën pjesë çdo muaj në ndonjë formë të shërbimit si pionierë. Duke mbajtur parasysh dedikimin tonë ndaj Perëndisë, secili prej nesh duhet ta konsiderojë në lutje nëse mund të bëjmë rregullime në rrethanat tona, në mënyrë që të shërbejmë si pionierë ndihmës apo të rregullt.—Psal. 110:3; Ekl. 12:1; Rom. 12:1.
2 Duke jetuar në një sistem gjërash që është materialist, në një mënyrë egoiste, shumë personave në botë iu duket e vështirë që ta kuptojnë se përse dikush do të punonte me kaq zell në shërbim, për diçka që nuk i sjell as përfitim monetar, as lavdi. Përse e bëjnë pionierët këtë? Ata e dinë se janë të përfshirë në një vepër jetëshpëtuese. Të nxitur nga dashuria e thellë për Jehovain dhe për të afërmit e tyre, ata ndiejnë një detyrim të madh personal, për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve. (Rom. 1:14-16; 1. Tim. 2:4; 4:16) Një çift i martuar pionierësh, e përmblodhi shumë mirë këtë, duke thënë: «Përse po shërbejmë si pionierë? A do të mundnim të justifikoheshim ndonjëherë para Jehovait, nëse nuk do të vepronim kështu?»
3 Një motër tjetër shkroi kështu, në lidhje me vendimin e saj për të filluar shërbimin si pioniere: «Burri im dhe unë bëmë plane të jetonim vetëm me një burim të ardhurash, që do të thoshte të hiqnim dorë nga të gjitha gjërat jo të domosdoshme. Megjithatë, Jehovai na bekoi në mënyrë të pasur, duke mos na braktisur kurrë në varfëri apo në nevojë. . . . Kam gjetur një arsye të vërtetë për të jetuar: atë për të ndihmuar nevojtarët që të arrijnë ta dinë se Jehovai, Perëndia i vërtetë, nuk është larg nga ata që e kërkojnë.» Duke parë urgjencën e kohëve, pionierët kënaqen me gjërat e domosdoshme të jetës, ndërkohë që kërkojnë me zjarr të fitojnë thesare frymore që do të mbeten përgjithmonë.—1. Tim. 6:8, 18, 19.
4 Nëse ta lejojnë rrethanat personale, përse të mos bashkohesh me qindra mijëra motrat dhe vëllezërit e tu, të cilët po shërbejnë si pionierë? Në këtë mënyrë, ti mund të përjetosh të njëjtin gëzim të tyre.