«Do të ishe një pionier i mirë!»
1. Si u ndie një motër për shërbimin e saj si pioniere?
1 «Asgjë tjetër nuk do të më sillte kaq shumë kënaqësi ose do të ishte kaq shpërblyese nga ana frymore.» Kështu u shpreh Kat Palm. Ajo shërbeu me altruizëm për dekada të tëra si një pioniere duke dhënë dëshmi nga njëri cep i Kilit në tjetrin, në Amerikën Jugore. Duke menduar për jetën shpërblyese të atyre në shërbim të plotkohor, ndoshta dikush të ka thënë: «Do të ishe një pionier i mirë!»
2. Shpjegoni pse kënaqësia e vërtetë vjen nga aktivitetet frymore.
2 Një udhë jete e kënaqshme: Jezui, modeli ynë, gjeti freskim të vërtetë duke bërë vullnetin e Atit të tij. (Gjoni 4:34) Prandaj, Jezui ishte i sinqertë kur i mësoi dishepujt se kënaqësia e vërtetë vjen kur angazhohemi në aktivitete që lidhen me adhurimin e Jehovait. Gjejmë kënaqësi kur e mbushim jetën me vepra që Jehovai i miraton. Përveç kësaj, ndërsa shpenzojmë më shumë kohë, energji dhe të ardhura për të ndihmuar të tjerët, jemi edhe më të lumtur.—Vep. 20:31, 35.
3. Ç’gëzim mund të përjetojmë kur kalojmë më shumë kohë në shërbim?
3 Sa më shumë kohë kalojmë në shërbim, aq më shumë mundësi kemi të përjetojmë gëzimin që vjen kur fillojmë dhe drejtojmë studime biblike. Edhe atje ku shumë njerëz duken apatikë, mund të vërejmë se territori është më frytdhënës sesa mendonim, ndërsa fitojmë përvojë dhe aftësi në shërbim. Pionierët mund të përdorin gjithçka që mësojnë në Shkollën e Shërbimit për Pionierë, të cilën mund ta ndjekin pasi kanë shërbyer si të tillë për një vit. (2 Tim. 2:15) Ndërsa ngulmojmë, mund të jemi duke mbjellë fara të së vërtetës që do të japin fryt më vonë.—Ekl. 11:6.
4. Çfarë duhet të shqyrtojnë të rinjtë që po mbarojnë shkollën e mesme?
4 Të rinj: Ndërsa mbaroni shkollën e mesme, a keni menduar mirë për të ardhmen tuaj? Deri tani, shkolla zinte një pjesë të madhe të programit tuaj. Si do ta përdorni kohën që më parë e kalonit në shkollë? Në vend se të ndiqni një karrierë në botë, pse të mos shqyrtoni synimin për të shërbyer si pionierë të rregullt duke u lutur për këtë synim? Aftësitë që do të mësoni—duke u dhënë dëshmi njerëzve me prejardhje të ndryshme, duke kapërcyer pengesat personale, duke kultivuar vetëdisiplinën dhe duke zhvilluar aftësitë e mësimdhënies—do t’ju sjellin dobi gjatë gjithë jetës.
5. Si mund të nxitin prindërit dhe kongregacioni veprën e pionierit?
5 Prindër, a po bëni pjesën tuaj për t’i ndihmuar fëmijët që të fillojnë shërbimin e plotkohor? Fjalët dhe shembulli juaj pozitiv mund t’i ndihmojnë shumë që të vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë. (Mat. 6:33) Rei, i cili filloi si pionier i rregullt kur mbaroi shkollën e mesme, kujton: «Mamaja ime, gjithmonë mendonte se po të shërbesh si pionier, do të jesh shumë i lumtur në jetë.» Të gjithë pjesëtarët e kongregacionit mund të nxitin shërbimin e pionierit me anë të fjalëve dhe mbështetjes që japin. Hosea nga Spanja thotë: «Kongregacioni im e shihte veprën e pionierit si karrierën më të mirë për të rinjtë. Komentet dhe vlerësimi i tyre për shërbimin si pionier, bashkë me ndihmën praktike që jepnin, ma bënë më të lehtë të filloja këtë shërbim.»
6. Çfarë mund të bëjmë nëse tani për tani na mungon dëshira për të shërbyer si pionier?
6 Kapërcimi i pengesave: Po nëse thua: «Më mungon dëshira për të shërbyer si pionier.» Nëse ndihesh kështu, shprehja Jehovait në lutje ndjenjat e tua dhe thuaji: «Nuk e di nëse shërbimi si pionier është për mua, por dua të bëj atë që është e pëlqyeshme për ty.» (Psal. 62:8; Prov. 23:26) Pastaj kërko drejtimin e tij me anë të Fjalës dhe organizatës së tij. Në fillim, shumë veta që shërbejnë si pionierë të rregullt, «e provuan» këtë lloj shërbimi duke u bërë pionierë ndihmës, dhe gëzimi që provuan, i shtyu drejt një karriere në shërbimin e plotkohor.—Psal. 34:8.
7. Si ti kapërcejmë dyshimet nëse do të arrijmë ose jo të bëjmë 70 orë në muaj?
7 Po në qoftë se nuk je i sigurt nëse mund të arrish të bësh 70 orë në muaj? Pse të mos flasësh me pionierë që kanë rrethana të ngjashme me të tuat? (Prov. 15:22) Pastaj, hidh me shkrim disa programe të mundshme. Duke blerë kohën për shërbimin nga aktivitete të parëndësishme, mund të zbulosh se është më e lehtë nga sa e kishe menduar.—Efes. 5:15, 16.
8. Pse duhet t’i rishqyrtojmë herë pas here rrethanat tona?
8 Rishqyrtoji rrethanat e tua: Rrethanat personale shpesh ndryshojnë. Është mirë që ta shqyrtosh situatën tënde herë pas here. Për shembull, a po i afrohesh pensionit? Rendi, i cili doli herët në pension, thotë: «Ngaqë morëm këtë vendim, unë dhe gruaja ime mundëm të fillonim shërbimin si pionierë të rregullt. Kjo na ka dhënë mundësi të transferohemi dhe të shërbejmë atje ku nevoja është më e madhe. Kam marrë bekime të panumërta nga ky vendim, por bekimi më i madh është që kam një ndërgjegje të mirë.»
9. Çfarë duhet të shqyrtojnë çiftet e martuara?
9 Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, disa çifte kanë parë se s’kanë pse të punojnë të dy në kohë të plotë. Vërtet, kjo mund të kërkojë që familja ta thjeshtojë jetën, por është sakrificë që ia vlen. Xhoni, gruaja e të cilit kohët e fundit e la punën në kohë të plotë për të zgjeruar shërbimin, tregon: «Nuk ka ndjenjë më të bukur se të dish që gruaja është e zënë me shërbimin e Jehovait gjatë ditës.»
10. Çfarë i motivon të krishterët të shqyrtojnë mundësinë e shërbimit si pionier?
10 Një shfaqje dashurie dhe besimi: Për Jehovain, predikimi është vepra më e rëndësishme që çdokush prej nesh mund të bëjë. Ky sistem i vjetër do të shkatërrohet së shpejti, dhe vetëm ata që thërrasin emrin e Jehovait do të shpëtojnë. (Rom. 10:13) Një zemër plot dashuri për Të dhe plot mirënjohje për atë që ka bërë për ne, do të na motivojë t’i bindemi caktimit të Birit të tij për të predikuar me zell. (Mat. 28:19, 20; 1 Gjon. 5:3) Përveç kësaj, besimi se vërtet po jetojmë në ditët e fundit, do të na shtyjë të bëjmë gjithçka mundemi në shërbim ndërsa ka akoma kohë, në vend se ta përdorim plotësisht botën.—1 Kor. 7:29-31.
11. Si duhet ta marrim nëse dikush na thotë se do të ishim pionierë të mirë?
11 Shërbimi si pionier i rregullt nuk do të thotë thjesht të kalosh më shumë orë në predikim. Ai është një shprehje e përkushtimit tonë ndaj Perëndisë. Prandaj, nëse dikush të thotë se do të ishe një pionier i mirë, merre si kompliment. Mendo e lutu rreth mundësisë për t’u bashkuar me ata që po i shërbejnë Perëndisë në këtë formë shërbimi që sjell kënaqësi.
[Diçitura në faqen 4]
Prindër, a po bëni pjesën tuaj për t’i ndihmuar fëmijët që të fillojnë shërbimin e plotkohor?
[Diçitura në faqen 5]
Për Jehovain, predikimi është vepra më e rëndësishme që çdokush prej nesh mund të bëjë.