Pionierët japin dhe marrin bekime
«VEPRA e pionierit vlen më shumë sesa një karrierë e suksesshme në botë. S’ka asgjë më të këndshme, sesa të ndihmosh njerëzit për të fituar njohuri mbi Jehovain dhe të vërtetën e tij.» Kështu tha një grua e krishterë, e cila zgjodhi si karrierë veprën e pionierit—predikimin e Mbretërisë në kohë të plotë. Cila karrierë tjetër mund të të japë kënaqësi të tillë?
Vepra e pionierit është jo vetëm një synim i lartë, por edhe një privilegj i çmuar. Si mund të zgjidhet një jetë e tillë? Ç’nevojitet për të qëndruar në veprën e pionierit për një kohë të mjaftueshme, në mënyrë që të korrim bekimet që ajo na sjell?
Janë të domosdoshme dy gjëra. Së pari, kushtet e përshtatshme. Shumë jetojnë në kushte që në mënyrë të dukshme nuk mund t’i lejojnë ata të kryejnë veprën e pionierit. Së dyti, kualifikimi i duhur dhe pikëpamja frymore. Pavarësisht, nëse kushtet e tanishme i japin apo jo mundësi dikujt për të kryer veprën e pionierit, të gjithë mund të punojnë për të zhvilluar cilësi të pjekura të krishtere.
Përse disa kryejnë veprën e pionierit
Ç’kualifikime nevojiten për të kryer veprën e pionierit? Mirë, janë të domosdoshme aftësitë për të predikuar. Pionierët duhet të dinë t’ua paraqesin lajmin e mirë të huajve, t’u bëjnë rivizita të interesuarve dhe të drejtojnë studime biblike në shtëpi. Mungesa e këtyre aftësive mund ta shkurajojë një pionier. Megjithatë, janë të rëndësishme edhe gjëra të tjera.
Për shembull, gjithçka që ka të bëjë me adhurimin tonë lidhet me marrëdhënien tonë me Jehovain dhe organizatën e tij. Kjo përfshin veprën e pionierit. Një pionier i ri, i quajtur Rado, shpjegoi: «Nuk ka asgjë më të mrekullueshme për një të ri, sesa të kujtojë Jehovain dhe të ecë në rrugën e së vërtetës.» Po, për të rinjtë, vepra e pionierit është një rrugë e mrekullueshme për të treguar se e duan Jehovain dhe se i qëndrojnë afër.—Eklisiastiu 12:1.
Janë të domosdoshme edhe njohuria dhe kuptueshmëria. (Filipianëve 1:9-11) Në fakt, këto janë karburanti që vë në lëvizje motorin tonë frymor. Studimi i rregullt personal është thelbësor për të mos shteruar në kuptim frymor, duke humbur kështu bindjen dhe entuziazmin tonë. Pa dyshim, njohuria që marrim nuk duhet të ndikojë vetëm në mendje, por edhe në zemër. (Proverbat 2:2) Prandaj, përveç studimit personal, na nevojitet kohë për lutje dhe meditim, në mënyrë që njohuria e fituar të na prekë zemrën. Kështu, nëse kushtet do të na lejonin, do të mund të kryenim shërbimin e pionierit.—Krahaso Ezdra 7:10.
Të ndërmarrësh shërbimin e pionierit nevojitet gjithashtu edhe fryma e vetëflijimit. Një i ri, i quajtur Ron, i kishte bërë të gjitha planet për t’u bërë pionier. Priste vetëm kushtet e përshtatshme për të filluar. Veçanërisht, donte një punë që mund t’i lejonte të ishte pionier, por në të njëjtën kohë edhe të gëzonte disa nga gjërat e mrekullueshme të jetës. Kur ia përmendi këtë një motre të pjekur, përgjigjja e saj e tronditi. Ajo i tha: «Jehovai bekon veprat dhe jo premtimet.» I riu gjeti një punë me pagë të ulët, që i linte kohë për të kryer shërbimin si pionier. Vënia në praktikë e Mateut 6:25-34, do ta ndihmojë shumë një person për t’ia dalë mbanë me të ardhura të pakta.
Gatishmëria për të ndjekur me përulësi këshillat e mira mund të na ndihmojë mjaft për të filluar shërbimin si pionier. Që nga momenti kur u bë e krishtere, Hana kultivoi dëshirën për t’u bërë pioniere. Por nuk u bë, pasi kishte për të mbajtur familjen dhe më vonë u përfshi në një karrierë tregtare. Duke u kushtuar vëmendje këshillave të mira që i dhanë pleqtë e zgjuar hoqi dorë nga karriera e saj interesante dhe filloi shërbimin e pionierit. Tani, Hana përjeton gëzim të madh, duke nxitur të tjerët drejt dedikimit dhe duke ndihmuar joaktivët.
Mirënjohja për atë që e vërteta ka bërë në jetën e disave mund të jetë gjithashtu një nxitje për të kryer shërbimin e pionierit. Mendo për rastin e një gruaje thellësisht të dëshpëruar, martesa e së cilës po shkonte drejt shkatërrimit. Kjo situatë ndryshoi në mënyrë dramatike, kur mësoi të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe e vuri atë në praktikë. E emocionuar nga ajo që e vërteta kishte bërë për të, vendosi që mënyra më e mirë për të treguar çmueshmërinë e saj, do të ishte të shërbente si pioniere dhe të ndihmonte të tjerët. Bëri kështu dhe tani gëzon një jetë të lumtur familjare dhe bekimin e shumë studimeve biblike.
Të tjerët mund të ndihmojnë
Shpesh, pionierët bëjnë pionierë të tjerë. Rado i përmendur më lart, ishte gjashtë vjeç kur prindërit e tij studionin Biblën me dy pionierë. Kur ishte akoma i ri, shoqërohej rregullisht në shërbimin e fushës me këta lajmëtarë në shërbim të plotë kohor. Vetë Rado u bë pionier i rregullt, kur ishte 17 vjeç. Arno, një tjetër i ri, megjithëse u rrit në një familje të krishterë, u dobësua frymësisht. Më vonë filloi të përtërijë forcën e tij frymore dhe tani thotë: «Inkurajohesha shumë nga pionierët. Shoqërohesha me ta, veçanërisht gjatë periudhave të pushimeve të shkollës dhe shpesh raportoja deri në 60 orë në muaj shërbim në fushë. Pas kësaj, hapi drejt shërbimit si pionier i rregullt [që kërkon 90 orë në muaj] nuk ishte kaq i madh.» Për këta të rinj, një ndihmë e madhe ka qenë meditimi mbi këshillën e 1. Korintasve 7:29-31 për të mos u dhënë lirisht pas botës.
Fryma e pionierit mund të hedhë rrënjë më lehtë në familjet ku interesat frymore zënë vend të parë dhe prindërit inkurajojnë fëmijët e tyre për të filluar shërbimin e plotë kohor. Filo, që u rrit në një familje të tillë, vëren: «Shumë më këshillonin të vazhdoja studimet, të punoja për të pasur një të ardhme. Ndërsa prindërit më ndihmuan të bëja një zgjedhje më të mençur. Më treguan se nëse doja me të vërtetë ta ndërtoja të ardhmen, para së gjithash duhej të zhvilloja një marrëdhënie me Jehovain.»
Edhe një e re, e quajtur Tamara, ia atribuon shërbimin e saj si pioniere shembullit dhe përpjekjeve të prindërve të vet. Ajo thotë: «Nuk e di me siguri se kur zhvillova një pikëpamje frymore për jetën, por di se nuk është e lindur. Zakoni i prindërve për të marrë pjesë regullisht në shërbimin në fushë, për të qenë të pranishëm në mbledhje, si dhe dashuria e thellë për të vërtetën më ndihmuan shumë për të zhvilluar perspektivën time frymore.»
Qëndroni në vendimin tuaj
Pasi një person fillon shërbimin si pionier, mund të nxjerrë dobi të plotë nga ky vendim i zgjuar, duke këmbëngulur në një shërbim të tillë. Për këtë gjë mund të jepen shumë këshilla praktike. Për shembull, pionierët duhet të mësojnë se si të programojnë kohën, për ta bërë atë sa më produktive. Megjithatë, faktori më i rëndësishëm mbetet marrëdhënia personale me Jehovain dhe organizatën e Tij.
Lidhur me këtë, lutja është thelbësore. «Kur njoha të vërtetën dëshiroja shumë të bëhesha pionier»,—thotë Kor. Por babai i tij donte që më parë të mbaronte kursin e agrikulturës në universitet. Pas kësaj, Kor filloi të shërbente si pionier. Me kalimin e kohës u martua dhe gruaja e tij iu bashkua në veprën e pionierit. Kur ajo mbeti shtatzënë, ai rrezikoi të ndërpriste veprën e pionierit. «Shpesh i lutesha Jehovait dhe i shprehja dëshirën e zjarrtë për të vazhduar si pionier»,—thotë Kor. Përfundimisht, gjeti një punë që i lejonte të ishte pionier edhe pse duhej të mbante familjen.
Një faktor tjetër, që shpesh ndihmon për të vazhduar shërbimin si pionier, është të jemi të kënaqur me gjërat e nevojshme materiale. Apostulli Pavël shkroi: «Mos u jepni pas parasë e jini të kënaqur me atë që keni. Perëndia ka thënë: ‘Kurrë nuk do të ta tërheq ndihmën time, kurrë nuk do të të lë në baltë!’» (Hebrenjve 13:5, ECM) Të kënaqurit me gjërat e tanishme e ndihmoi Harin dhe Irenën për të vazhduar si pionierë. Irena e verbër ishte pioniere që prej tetë vjetësh. «Kurrë nuk e kemi konsideruar gjendjen tonë financiare si një problem»,—tha ajo.—Vetëm kemi qenë të kujdesshëm që kurrë të mos merrnim ngarkesa të panevojshme financiare. Gjithmonë i kemi llogaritur shpenzimet. Jeta jonë gjithmonë ka qenë e thjeshtë, megjithatë e këndshme dhe jemi bekuar në mënyrë të pasur.»
Shumë bekime dhe gëzim
Duke menduar për nëntë vjetët e shërbimit si pioniere, Tamara, tha: «Ndihesh shumë i afërt me Jehovain, sikur të të kishte zënë për dore.» (Psalmi 73:23) Të vijnë ndër mend edhe disa prova. «Papërsosmëritë e mia bashkë me ato të të tjerëve më shqetësonin,—shton Tamara.—Përveç kësaj, shikoja vëllezërit dhe motrat që kishin zgjedhur një mënyrë jetese më të këndshme nga ana materiale dhe zgjedhja e tyre dukej më joshëse kur shkoja në shërbim në shi dhe në të ftohtë. Por në thellësi të zemrës sime kurrë nuk do të doja të isha në vend të tyre. Ç’gjë tjetër përveç shërbimit si pionier mund të sjellë gëzim, kënaqësi frymore dhe bekime të tilla?» A i çmoni këto gëzime dhe bekime?
Meqenëse pionierët harxhojnë shumë kohë në shërbimin e krishterë, ata mund të ndihmojnë një numër të madh personash për të fituar njohuri mbi të vërtetat biblike. Hari dhe Irena, të përmendur më lart, thonë: «Në organizatën e Jehovait mund të kesh shumë privilegje, por më i madhi ndër të gjithë është ai për të ndihmuar një të interesuar që të përparojë deri në pikën për t’u bërë një shërbëtor i Jehovait.»
Një tjetër pionier foli mirë mbi këtë pikë, duke thënë: «Në rastin tim, fjalët e Proverbave 10:22 treguan vërtetësi: ‘Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk sjell asnjë vuajtje.’ Kohë pas kohe, ky shkrim është plotësuar për mua, në vitet që i kam shërbyer Jehovait.»
Prindër, a po futni në fëmijët tuaj dëshirën për të qenë pionierë? Pionierë, a po përpiqeni për të bërë të lindë kjo dëshirë tek të tjerët? Pleq, a po i përkrahni pionierët në kongregacionin tuaj dhe a po ndihmoni për të ndërtuar frymën e pionierit tek të tjerët? Le të nxitet gjithnjë e më shumë populli i Jehovait për të arritur bekime të tilla të pasura, duke u angazhuar në shërbimin si pionierë.