BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/12 f. 4-8
  • Krishtlindjet: Përse edhe në Lindje?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Krishtlindjet: Përse edhe në Lindje?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Roli i dhënies së dhuratave
  • Origjina e Krishtlindjeve
  • Mendjehollësi nga Shkrimet për Krishtlindjet
  • Rrënjët e Krishtlindjeve moderne
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Çfarë do të thonë Krishtlindjet për ju?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Miti që nuk do të vdesë
    Zgjohuni!—2003
  • Krishtlindjet në Lindje
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/12 f. 4-8

Krishtlindjet: Përse edhe në Lindje?

EKZISTON një besim i lashtë oriental që të kujton Santa Klausin e Krishtlindjeve (ose Plakun e Vitit të Ri). Ky është besimi korean në perëndinë e quajtur Çouangshin e diçka e ngjashme mund të gjendet mes kinezëve dhe japonezëve.

Çouangshini mbahej si perëndia që kishte nën kontroll kuzhinën, një perëndi i zjarrit që kishte të bënte me adhurimin e lashtë korean të zjarrit. (Në kohët e lashta, koreanët i transportonin me kujdes thëngjijtë e ndezur, duke u siguruar që të mos shuheshin.) Njerëzit besonin se gjatë vitit ky perëndi vëzhgonte me kujdes sjelljen e pjesëtarëve të një familjeje dhe pas kësaj ngjitej në qiell nëpërmjet stufës së kuzhinës dhe oxhakut.

Supozohej se Çouangshini dilte në raport para mbretit të qiellit, ditën e 23-të të muajit hënor të dhjetorit. Pritej që në fund të vitit ai të kthehej nëpërmjet oxhakut dhe stufës, duke sjellë shpërblime dhe ndëshkime sipas sjelljes së secilit. Ditën e kthimit të tij, pjesëtarët e familjes duhej të ndiznin qirinj në kuzhinë dhe kudo nëpër shtëpi. Disa piktura të atij perëndie të kuzhinës kanë edhe një ngjashmëri tjetër me Plakun e Vitit të Ri, pasi edhe ai përshkruhej i veshur me rroba të kuqe. Një zakon ishte që nuset të bënin një palë çorape tradicionale koreane dhe në solsticin e dimrit t’ia jepnin vjehrrës së tyre. Kjo duhej të simbolizonte dëshirën e tyre që vjehrra të kishte jetë të gjatë, meqë pas kësaj date ditët fillojnë të zgjaten.

A i dallon disa ngjashmëri mes pikave që u përmendën më lart dhe Krishtlindjeve? Ato kanë histori dhe zakone të ngjashme: oxhakun, qirinjtë, dhënien e dhuratave, çorapet, një burrë të moshuar të veshur me rroba të kuqe dhe datën e festimit. Gjithsesi, vetëm këto ngjashmëri nuk mjaftojnë për të shpjeguar pranimin kaq me lehtësi të Krishtlindjeve në Kore. Në kohën kur u fut për herë të parë festa e Krishtlindjeve në Kore, besimi te Çouangshini pothuajse ishte zhdukur. Në fakt, shumica e koreanëve sot as që e dinë se një herë e një kohë ka ekzistuar ky besim.

Megjithatë, kjo ilustron se si janë përhapur zakonet e lidhura me solsticin e dimrit dhe fundin e vitit në gjithë botën, nëpërmjet rrugëve të ndryshme. Në shekullin e katërt të erës sonë, kisha në pushtet në Perandorinë Romake e ndryshoi emrin e Saturnaleve, festës pagane romake të lindjes së perëndisë-diell dhe e bëri pjesë të Krishtlindjeve. Festimi i Krishtlindjeve përbënte thjesht një ripërtëritje të zakoneve vendase, por me një etiketë të ndryshme. Si ishte e mundur kjo?

Roli i dhënies së dhuratave

Dhënia e dhuratave është një zakon që nuk është zhdukur asnjëherë. Që prej kohësh koreanët kënaqeshin shumë duke dhënë e duke marrë dhurata. Kjo qe një arsye për popullarizimin e festimit të Krishtlindjeve në Kore.

Pas Luftës II Botërore, për ushtarët e Shteteve të Bashkuara që ishin vendosur në Kore, të cilët dëshironin të forconin lidhjet e tyre me popullin, kishat u bënë vende për t’u takuar e për të shpërndarë dhurata dhe ndihma humanitare. Kjo gjë ndodhte veçanërisht ditën e Krishtlindjeve. Shumë fëmijë shkuan për t’i parë kishat nga kureshtja dhe atje patën kontaktin e parë me dhuratat e bëra prej çokollate. Siç mund të kuptohet, shumë prej tyre mezi e prisnin festën tjetër të Krishtlindjeve.

Për këta fëmijë, Plaku i Vitit të Ri ishte një ushtar amerikan me kapuç të kuq. Në Fjalët e urta 19:6 thuhet: «Të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.» Në fakt, dhënia e dhuratave doli shumë e efektshme. Por, siç mund të kuptojmë nga ky varg, këto dhurata nuk garantojnë një miqësi të qëndrueshme. Madje edhe në Kore janë të shumtë ata që kanë shkuar në kishë vetëm kur ishin të vegjël, për të ngrënë çokollata. Megjithatë, Krishtlindjet nuk u harruan. Së bashku me rritjen e shpejtë ekonomike të Koresë, u rritën edhe interesat tregtare, prandaj një mënyrë e thjeshtë për t’i nxitur konsumatorët që të shpenzonin ishte që të jepeshin dhurata për Krishtlindje. Për të rritur fitimet e tyre, sipërmarrjet tregtare shfrytëzuan Krishtlindjet.

Kjo na bën të kuptojmë se përse festohen sot Krishtlindjet në Lindje. Duke synuar që njerëzit të blejnë pa hesap për Krishtlindje, krijohen gjithnjë produkte të reja. Planet për reklama fillojnë nga mesi i verës. Ritmi i shitjeve arrin kulmin në fund të vitit, i mbështetur nga blerja e dhuratave për Krishtlindje, e kartolinave dhe e kasetave muzikore. E pra, reklamat arrijnë deri aty sa mund t’i bëjnë të rinjtë të ndihen të mjerë nëse qëndrojnë në shtëpi dhe nuk marrin asnjë dhuratë në vigjiljen e Krishtlindjeve.

Me afrimin e ditës së Krishtlindjeve, nëpër dyqane dhe supermarkete në Seul dynden njerëz që shkojnë për të blerë dhurata e po e njëjta histori përsëritet në qytete të tjera të Lindjes. Për pasojë bllokohet trafiku. Hotelet, zonat tregtare, restorantet dhe klubet e natës mbushen me klientë. Dëgjohen tinguj festimesh dhe njerëz që këndojnë me zë të lartë. Në vigjiljen e Krishtlindjeve, nëpër rrugët e mbushura me plehra shihen burra e gra të dehur.

Ja, pra, kjo është skena. Krishtlindjet në Lindje nuk janë më një festë e udhëhequr nga ata që pohojnë se janë të krishterë. Qartë, ashtu si kudo, edhe në Kore interesat tregtare kanë marrë drejtimin për të nxjerrë sa më shumë fitime nga kjo festë e të ashtuquajturit krishterim. Por, a i duhet vënë faji vetëm tregtisë që Krishtlindjet janë larguar kaq shumë nga fryma që tregoi Krishti? Të krishterët e vërtetë duhet të kërkojnë më thellë në çështjen serioze që përfshihet.

Origjina e Krishtlindjeve

Një kafshë e egër, të cilën e futin në një kafaz, mbetet prapëseprapë një kafshë e egër. Prandaj, do të ishte një gabim i rëndë të besonim se ajo është zbutur, vetëm sepse ka ndenjur në kafaz për ca kohë dhe se duket që gëzohet me të vegjlit e saj. Mund të kesh dëgjuar lajme për kafshë të tilla që kanë sulmuar punonjës të kopshteve zoologjike.

Në njëfarë mënyre, mund të themi pothuajse të njëjtën gjë për festimin e Krishtlindjeve. Fillimisht ajo ishte një «bishë» që jetonte jashtë krishterimit. Te nëntitulli «Lidhja me Saturnalet romake», The Christian Encyclopedia (në gjuhën koreane)a vëren lidhur me Krishtlindjet:

«Saturnalet dhe Brumalet pagane ishin rrënjosur tepër thellë në zakonet e përhapura, prandaj ndikimi i krishterë nuk mund t’i linte mënjanë. Pranimi i së Dielës (dita e Febit dhe e Mitrës, si edhe Dita e Zotërisë) nga perandori Kostandin . . . mund t’i ketë bërë të krishterët e shekullit të katërt të mendonin se ishte e përshtatshme ta bënin ditëlindjen e Birit të Perëndisë të përkonte me atë të diellit fizik. Njerëzve u pëlqente kaq shumë kjo festë pagane me shfrenime dhe argëtime, saqë të krishterët ishin të kënaqur që gjetën një justifikim për t’i vazhduar këto festime me një ndryshim të vogël në frymën ose në mënyrën e festimit.»

A mendon se ky zhvillim mund të ndodhte pa asnjë kundërshtim? E njëjta enciklopedi thotë: «Predikuesit e krishterë të Perëndimit dhe të Lindjes së Afërme protestuan kundër mendjelehtësisë së paturpshme me të cilën festohej ditëlindja e Krishtit, kurse të krishterët e Mesopotamisë i akuzuan vëllezërit e tyre perëndimorë për idhujtari dhe adhurim të diellit, ngaqë adoptuan si të krishterë këtë festë pagane.» Është e qartë se diçka nuk shkonte që nga fillimi. «Megjithatë, festa u pranua me të shpejtë dhe më së fundi u rrënjos kaq thellë, saqë as revolucioni protestant në shekullin e gjashtëmbëdhjetë nuk qe në gjendje ta çrrënjoste»,—vëren enciklopedia.

Pikërisht, pra, kisha në pushtet adoptoi një festë të perëndisë-diell, e cila nuk ishte pjesë e krishterimit të vërtetë. Kjo festë mori një emër të ndryshëm, e megjithatë karakteri pagan i saj mbeti. Gjithashtu, kjo festë ndihmoi për ta futur paganizmin në kishat formale të krishtere dhe për të ndotur gjendjen frymore të njerëzve. Historia dëshmon se me përhapjen e të ashtuquajturit krishterim, qëndrimi fillestar «duani armiqtë tuaj» ia la vendin degradimeve morale dhe luftërave të dhunshme.

Me kalimin e kohës, u bë e qartë se pavarësisht nga emri i saj i sajuar, Krishtlindjet pasqyronin origjinën e tyre pagane me shfrenime, dehje, dëfrime, vallëzime, bërje dhuratash dhe me stolisjen e shtëpive me bredha. Që tregtia të arrijë synimin e saj kryesor, domethënë të ketë më shumë shitje, Krishtlindjet janë shfrytëzuar në çdo mënyrë të mundshme. Mjetet e informacionit i thurin lavdi kësaj feste, kurse publiku thjesht dëfrehet. Në qendër të Seulit, një dyqan që tregton vetëm veshje të brendshme, bëri bujë në televizion duke ekspozuar në vitrinën e tij një pemë Krishtlindjeje të stolisur vetëm me veshje të brendshme. Atmosfera e Krishtlindjeve ishte e dukshme, por nuk kishte asgjëkundi ndonjë shenjë mirëseardhjeje për Krishtin».

Mendjehollësi nga Shkrimet për Krishtlindjet

Çfarë mësojmë nga kjo origjinë dhe nga këto zhvillime historike? Nëse një këmishë ose një bluzë kopsitet gabim që në fillim, e vetmja mënyrë për ta rregulluar është të fillosh ta kopsitësh nga e para. A nuk është e vërtetë kjo? Pavarësisht nga kjo e vërtetë, disa arsyetojnë se i ashtuquajturi krishterim i ka pranuar Krishtlindjet, duke lënë jashtë rrënjët e saj pagane në adhurimin e diellit. Prandaj, ata mendojnë se kjo festë është shenjtëruar si ditëlindja e Krishtit dhe i është dhënë një domethënie tjetër.

Mund të marrim një mësim të vlefshëm nga një ngjarje historike që ndodhi në Judën e lashtë. Në vitin 612 para erës sonë, judenjtë e futën adhurimin pagan të diellit në tempullin në Jerusalem. A u shenjtërua ky adhurim pagan duke u spostuar në vendin që ishte dedikuar për adhurimin e pastër të Perëndisë Jehova? Shkrimtari biblik Ezekiel shkroi lidhur me adhurimin e diellit që praktikohej në tempullin e Jerusalemit: «Ja, në hyrje të tempullit të Zotit, midis portikut dhe altarit ishin rreth njëzet e pesë burra, me . . . fytyrë të kthyer nga lindja, që adhuronin diellin nga lindja. Pastaj më tha: ‘A e pe, bir njeriu? A është vallë një gjë e vogël për shtëpinë e Judës të kryejë gjërat e neveritshme që ajo bën këtu? Në fakt, ata e kanë mbushur vendin me dhunë dhe kanë provokuar disa herë zemërimin tim. Dhe ja, e çojnë degën te hunda [ime, BR].’»—Ezekieli 8:16, 17.

Tamam, pra, në vend që të shenjtërohej, kjo formë pagane e adhurimit e vuri të gjithë tempullin në rrezik. Praktika të tilla përshkuan Judën dhe i kontribuan përhapjes së dhunës e të degradimit moral në atë vend. Një gjë e ngjashme është në të ashtuquajturin krishterim ku praktikat që i kanë rrënjët në adhurimin e diellit të Saturnaleve duken qartë në Krishtlindje. Është domethënës fakti se disa vjet pasi Ezekieli mori atë vizion, Jerusalemi përjetoi gjykimin e Perëndisë, domethënë shkatërrimin nga dora e babilonasve.—2. Kronikave 36:15-20.

Mund të të jetë dukur për të qeshur përshkrimi që i bëri Jezuit të vogël ai studiues korean, për të cilin u fol në artikullin pararendës. Por fakti është se ky reagim i një personi që nuk kishte njohuri të saktë për Krishtin ka vlerë të konsiderueshme. Një reagim i tillë mund t’i bëjë njerëzit që festojnë Krishtlindjet të mendojnë seriozisht. Përse? Sepse Krishtlindjet kanë dështuar ta përfaqësojnë në mënyrë korrekte Krishtin. Në fakt, kjo festë e errëson pozitën e tij të vërtetë tani. Jezui nuk është më foshnjë në një koritë.

Bibla e thekson në mënyrë të vazhdueshme se tani Jezui është Mesia, Mbreti i fuqishëm i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. (Zbulesa 11:15) Ai është gati për t’i dhënë fund varfërisë dhe mjerimit, për të cilat disa njerëz kujtohen kur bëjnë bamirësi gjatë Krishtlindjeve.

E thënë qartë, Krishtlindjet nuk u kanë sjellë dobi as vendeve të të ashtuquajturit krishterim, as vendeve të tjera, duke përfshirë edhe ato në Lindje. Përkundrazi, e kanë larguar vëmendjen nga mesazhi i vërtetë i krishterë rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe fundit të sistemit të tanishëm të lig. (Mateu 24:14) Të ftojmë t’i pyesësh Dëshmitarët e Jehovait se si do të vijë ky fund. Gjithashtu, prej tyre mund të mësosh për bekimet e përjetshme që do të derdhen atëherë mbi tokë, nën drejtimin e Mbretërisë së Perëndisë dhe të Mbretit që sundon, Jezu Krishtit.—Zbulesa 21:3, 4.

[Shënimi]

a Bazuar në The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge.

[Diçitura në faqen 6]

Krishtlindjet ndihmuan për ta futur paganizmin në kishat formale të krishtere

[Figura në faqen 5]

Shumë fëmijë shkuan për t’i parë kishat nga kureshtja dhe morën dhurata të bëra prej çokollate. Pas kësaj, ata mezi i prisnin Krishtlindjet e ardhshme

[Figura në faqen 7]

Vigjilja e Krishtlindjeve në qendrën e Seulit, Kore

[Figura në faqen 8]

Krishti nuk është më një foshnjë, por Mbreti i fuqishëm i Mbretërisë së Perëndisë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo