‘Shkëndija kureshtjeje në zemër e në mendje’
«Nuk mund të shprehet me fjalë gëzimi dhe entuziazmi që vazhdojnë të më rriten ndërsa përpij librin A ka një Krijues që interesohet për ju? Ai krijon brenda një personi dëshirën ose më mirë nevojën për të ditur më shumë. Faleminderit që ndezët shkëndija kureshtjeje në zemrën e në mendjen time.»
KËSHTU u ndie një Dëshmitare e Jehovait nga Karolina e Jugut, SHBA, për librin që u prezantua nga Shoqata Watch Tower në Kongreset Krahinore «Udha hyjnore e jetës», gjatë periudhës 1998-1999. Edhe nëse nuk ke personalisht një kopje të librit, vër re si kanë reaguar të tjerët.
Disa ditë pasi kishte marrë kopjen e vet në një kongres në San Diego, Kaliforni, SHBA, një burrë shkroi: «Ky libër po më duket shumë forcues për besimin. Ma mbush zemrën me çmueshmëri të thellë për veprat krijuese të Jehovait. Kam arritur deri në faqen 98 dhe mezi po pres ditën kur ta mbaroj të gjithin! Është vërtet një gëzim që të kënaq.»
Një grua nga Lindja shkroi: «Oratori i kongresit përdori shprehjen ‘një libër unik’ dhe është vërtet shprehje e goditur për përmbajtjen e këtij libri. Një karakteristikë e jashtëzakonshme është se libri nuk ia imponon lexuesit ekzistencën e Perëndisë, por paraqet faktet.»
Faktet përfshijnë zbulime tërheqëse shkencore për universin, për jetën dhe për ne. Kjo gjë u ka bërë përshtypje shumë vetave. «Vërtet nuk kam fjalë për ta shprehur se sa thellë ka ndikuar ky libër i vogël tek unë,—shkroi një grua nga Kalifornia.—Nuk e lëshoja dot nga dora, pasi çdo faqe përshkruante zbulime të tjera të zgjeruara rreth universit tonë dhe rreth vetë jetës. Me të vërtetë mësova shumë! Do ta ruaj këtë libër të vogël si thesar dhe do ta ndaj me sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.»
Një aspekt që kënaqi shumë veta është mënyra se si libri jep një përmbledhje të Biblës, duke theksuar personalitetin e Krijuesit. «Vështrimi i përgjithshëm mbi Biblën, i paraqitur aty nga fundi i librit është një ndër më të mirët që kam lexuar»,—thotë një koment tipik. Sapo kishte mbaruar një nga kongreset e para në Nju Jork, SHBA, një grua tjetër shkroi: «Botimi i ri duhet të jetë botimi më tërheqës që keni botuar ndonjëherë. U magjepsa nga provat shkencore mbi ekzistencën e një Krijuesi. Përmbledhja e shkurtër e vetë Biblës mjafton për të shpjeguar pikat kryesore dhe për të hapur oreksin që të lexosh më shumë.»
Shkencë e kuptueshme
Informacioni shkencor që gjendet në kapitujt e parë mund të duket sikur është tepër i vështirë për t’u kuptuar, por shiko disa reagime tipike.
Një kanadez shkroi: «Çfarë kontrasti me librat teknikë, autorët e të cilëve përpiqen të na lënë mbresa me fjalë të mëdha! Formimi juaj është i jashtëzakonshëm, pasi i keni bërë aspektet e fizikës, kimisë, ADN-së, kromozomeve, etj, shumë të kuptueshme për ne. Ah, sikur t’i kishit shkruar ju tekstet shkollore universitare që kam studiuar vite më parë!»
Një profesor fizike në një universitet shkroi: «[Libri] i paraqet me qartësi çështjet që përfshihen, pa u ngatërruar me hollësi teknike. Libri arsyeton me lexuesin dhe citon nga shumë shkencëtarë të njohur. Ky hyn në librat që ‘duhen lexuar’ nga kushdo që interesohet për origjinën e universit dhe të jetës, qoftë ky një shkencëtar, qoftë një njeri i zakonshëm.»
Një e re që po bënte kursin për infermieri komentoi: «Nuk u besoja dot syve kur hapa kapitullin 4 dhe lexova një citim nga një libër që po e përdorim në klasë! Ia dhashë librin profesorit tonë dhe i thashë se e dija që ky informacion do t’i pëlqente. I tregova faqen 54, ku flitej për trurin. Ai e lexoi vetë dhe tha: ‘Kjo është interesante! Do ta kontrolloj vetë.’»
Një anëtar parlamenti në Belgjikë shkroi: «Ajo që më goditi dhe më tërhoqi ishte përmbledhja shkencore që thekson se shkenca moderne nuk bie në kundërshtim me notat monoteiste të Biblës, por, përkundrazi, u bashkohet atyre. Kjo është një pikëpamje shumë e rëndësishme.»
Ta njohim më mirë Krijuesin
Libri i ndihmoi njerëzit në shumë vende ta njihnin më mirë Perëndinë dhe të ndiheshin shumë më afër tij. Një lexuese në qytetin e Fukuokës, Japoni, vërejti: «Ishte sikur për herë të parë një lente të ishte përqendruar me përpikmëri mbi Jehovain. Libri është bindës në mënyrë të mrekullueshme. Arrita ta njoh Jehovain nga një këndvështrim që nuk e kisha menduar kurrë deri tani.» Një burrë nga Salvadori shkroi: «Ju shpjegoni shumë qartë se sa i mëshirshëm, hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur është Perëndia. Vërtet, kjo është tamam ajo që na duhet për të qenë më afër tij dhe Birit të tij. Është libri i parë që shpjegon ndjenjat e Jehovait dhe ndjenjat njerëzore të Birit të tij, Jezuit.» Po kështu, një lexues në Zambia u përgjigj: «Jehovai për mua mori një kuptim krejt të ri.»
Kuptohet që Dëshmitarët e Jehovait janë entuziastë për t’ua ndarë të tjerëve librin A ka një Krijues që interesohet për ju? Një Dëshmitare vërejti: «Kur mbarova së lexuari kapitullin 10 [Nëse Krijuesi interesohet, përse kaq shumë vuajtje?], s’u përmbajta dot dhe thashë: ‘Ky është tamam libri që na duhet në Japoni!’ Do të më pëlqente ta asimiloja mirë materialin që gjendet në këtë kapitull dhe ta përdorja në shërbimin në fushë gjithnjë e më tepër.» Një grua tjetër po studion Biblën me një vajzë që ishte rritur në një tempull budist, ku i ati është prift. Gruaja thotë: «Ajo ka vështirësi për të pranuar konceptin e Krijuesit. Por shpjegimi i këtij libri nuk ka asgjë imponuese, përveçse fakte, kështu që mendoj se edhe budistët mund ta lexojnë pa ngurrim atë. Gjithashtu, ai na bën ta ndiejmë më shumë dashurinë e Jehovait.»
Nga Anglia erdhi ky vlerësim: «Sapo e kam mbaruar librin Krijuesi dhe jam gati të filloj ta lexoj përsëri. Sa libër i mrekullueshëm! Kur lexon këtë libër, s’mund të bësh gjë tjetër veçse ta duash Jehovain. I kam dhënë një kopje fqinjit tim, i cili pasi kishte lexuar vetëm dy kapituj tha: ‘S’e heq dot nga dora, është shumë tërheqës.’ Jam i sigurt se ky libër do t’i ndihmojë njerëzit që ta njohin dhe ta duan Krijuesin tonë të Madh.»
Një burrë në Merilend, SHBA, tha: «Ka qenë vërtet mprehës për kockat dhe palcën time frymore! Kam në plan që t’u lë nga një kopje të gjithë njerëzve me të cilët më lidh puna. Disa herë më duket e vështirë të filloj t’u dëshmoj këtyre njerëzve kaq të zënë me punë e të arsimuar. Me këtë libër, tani do të gjej një mënyrë tërheqëse dhe të efektshme afrimi.»
Është e qartë se libri A ka një Krijues që interesohet për ju? do të ketë një ndikim pozitiv në njerëzit anembanë tokës.
[Burimi i figurës në faqen 25]
Sipër, fotografi e kapakut, mjegullnaja pluhurore Eagle: J. Hester dhe P. Skouen (Universitet shtetëror AZ), NASA