Vandalizmi mund të eliminohet
«VANDALIZMI i kryer nga adoleshentët është konsideruar gjithnjë si shprehje e mosrespektit dhe e rezistencës ndaj të rriturve dhe ndaj standardeve të tyre»,—shpjegojnë autorët Xhein Norman dhe Miron U. Harris. Këta autorë raportojnë se ndonëse shumë të rinj mendojnë që nuk mund të bëhet asgjë për të ndryshuar këtë situatë, «një në 3 të rinj mendojnë se vandalizmi prej adoleshentëve mund të kufizohej, nëse prindërit do t’i kushtonin më shumë vëmendje fëmijëve të tyre dhe nëse adoleshentët nuk do të ishin kaq të mërzitur». Ndërkohë që vandalizmi mund të reduktohet duke i përfshirë të rinjtë me punë dhe duke u dhënë një kontroll më të mirë prindëror, a do të arrinin këto gjëra në vetvete në shkaqet rrënjësore?
Kur janë vetëm, shumë të rinj nuk shkaktojnë trazira, por kur janë në grupe ose çifte-çifte, ata mund të përpiqen të tërheqin vëmendjen, duke bërë marrëzira dhe gjëra banale. Kështu ishte me Nelsonin, i cili, duke qenë nën efektin e drogës ose të alkoolit shpesh e shprehte zemërimin dhe pakënaqësinë e tij me akte vandalizmi. Zhoze, i nxitur nga predikimet në Kishën Katolike për reformën agrare dhe për të drejtat e punëtorëve, mendoi se duhej të merrte pjesë në greva dhe në vandalizmin e organizuar, si një mënyrë proteste. Por as Nelsoni, as Zhozeja, nuk gjetën ndonjë gjë më të mirë sesa trazirat ose vandalizmin.
Disa shkaqe më të thella të vandalizmit
Le të shqyrtojmë më nga afër se përse disa të rinj marrin pjesë në vandalizma. Shumë adoleshentë ndihen të pështjelluar dhe «e përshkruajnë botën si një vend të rrëmujshëm e të çmendur, të mbushur me njerëz të çmendur». Gjithsesi, në kontrast me atë që besojnë disa, në një raport thuhej: «Adoleshentët shqetësohen për drejtimin që do të marrë jeta e tyre. Atyre u intereson kjo gjë më tepër nga sa mendojnë të rriturit.» Me ose pa dashje, një i ri i përfshirë në vandalizëm mund të jetë duke shprehur në këtë mënyrë zhgënjimet e tij të rrënjosura thellë, problemet e pazgjidhura ose nevojat e papërmbushura. Sipas studimit të përmendur në fillim, «as edhe një prej të anketuarve nuk e mbrojti ose nuk e justifikoi vandalizmin, as edhe ata që [kishin] marrë pjesë në të».
Një i ri mund të dëgjojë rrallëherë fjalë çmueshmërie ose inkurajimi. Meqë arsimimi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm dhe më shumë punë kërkojnë një shkallë të lartë njohurie të specializuar a mjeshtërie teknike, ai ose ajo mund të ndihet i/e frikësuar. Për më tepër, prindërit, mësuesit ose bashkëmoshatarët mund të jenë shumë kritikë dhe kërkues, duke e vënë theksin mbi arritjet e të riut dhe jo mbi faktin se si është ai ose ajo si person. Shumë të rinj rebelohen ose bëjnë vandalizma thjesht sepse janë të zhgënjyer me veten e tyre. A nuk do ta zvogëlonte shumë këtë angështi dashuria dhe vëmendja e prindërve?
Mund të kesh vënë re që ndonëse disa autoritete kanë hequr dorë me sa duket nga përpjekjet për të frenuar shkarravinat dhe lloje të tjera vandalizmi, në përgjithësi qytetarët e shqetësuar i varin shpresat akoma te mësuesit dhe te personeli i shkollave për të frenuar vandalizmin. Lidhur me zbatimin e ligjit, The World Book Encyclopedia thotë: «Vandalizmi është i dënueshëm me gjobë ose burgim. Disa qeveri kanë ligje që konsiderojnë përgjegjës prindërit për vandalizmin që kryejnë fëmijët e tyre. Por, pjesa më e madhe e akteve të vandalizmit nuk ndëshkohet. Në këto raste zbatimi i ligjit bëhet i vështirë dhe kostoja e shumicës së dëmeve individuale nuk është aq e madhe sa për të bërë të nevojshëm ndonjë veprim ligjor.» Një raport tregonte se gjithsej ishin kapur vetëm 3 për qind e shkelësve.
Ndoshta je dakord se edukimi i duhur prindëror mund të jetë mënyra më e mirë për të eliminuar një nga shkaqet kryesore të vandalizmit. Por, kur jeta familjare keqësohet, lagje të tëra vuajnë. Profesoresha Ana Luiza Vieira de Matos, nga Universiteti i San Paulos, Brazil, vëren se disa nga arsyet e problemeve me të rinjtë janë «mbikëqyrja e dobët prindërore, mungesa e rregullave, mungesa e komunikimit, lënia pas dore, indiferenca ose apatia».
Në kohën tonë, kemi parë me siguri përmbushjen e fjalëve të Jezuit: «Duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria.» (Mateu 24:12) Po ashtu, kush mund ta mohojë se fjalët që gjejmë në 2. Timoteut 3:1-4 po dalin të vërteta? Apostulli Pavël shkroi: «Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës.» Fakti është që thjesht jetesa mes njerëzve që kanë karakteristika të tilla i kontribuon vandalizmit. Por nuk duhet të dorëzohemi. Në përgjithësi, vende të ndryshme nuk ia kanë dalë dot të eliminojnë vandalizmin, por mund të gjejmë njerëz që kanë pasur sukses në ndryshimin e stilit të tyre të jetesës, duke mos qenë më të pasjellshëm ose moskokëçarës. Në rastin e tyre, vandalizmi është ndalur.
Udhëheqje e shëndoshë për të rinjtë
Çfarë i ka ndihmuar disa vandalë e njerëz të tjerë që të ndryshojnë personalitetin? Edhe pse disa arsimtarëve dhe prindërve mund t’u duket e pabesueshme, Bibla siguron udhëheqje të shkëlqyer dhe të përditësuar. Duke ndjekur këtë udhëheqje, ish-vandalët janë ndier të nxitur t’i binden urdhrit specifik të Perëndisë: «Nuk duhet të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen.» (Eksodi 23:2) Shumë prej tyre janë tërhequr nga e vërteta prej Fjalës së Perëndisë mbi bindje dhe doktrina që nuk i kishin kuptuar kurrë më parë dhe ajo që kanë mësuar ka ndikuar për mirë tek ata. Shqyrto përvojën e Zhozes, një i ri në San Paulo. Ai u rrit duke besuar në përdorimin e shëmbëlltyrave për adhurim. Kur mësoi se Perëndia ka një emër, Jehova, dhe se Ai nuk e miraton adhurimin e shëmbëlltyrave, Zhoze bëri ndryshime që të bënte atë që është e kënaqshme në sytë e Perëndisë.—Eksodi 20:4, 5; Psalmi 83:18; 1. Gjonit 5:21; Zbulesa 4:11.
Në vend që të pësonte përvoja zhgënjyese njëra pas tjetrës, nëpër bandat dhe demonstratat e dhunshme, Nelsoni gjeti një shpresë të vërtetë për të ardhmen, shpresë që i ka dhënë çlirim të jashtëzakonshëm. Ai thotë: «Në vend që të bëhesha hasha nga familja për shkak të shoqërive të këqija dhe të një jete si narkoman, tani jam ai që respektohet më shumë në shtëpi. Shpesh, babai më kërkon të këshilloj vëllezërit e mi më të mëdhenj. Që kur fillova të studioj Biblën me Dëshmitarët e Jehovait kam njohur gëzimin, sepse tani kam një qëllim në jetë.» Po ashtu, njohuria se Mbretëria e Perëndisë do ta bëjë tokën parajsë, ka qenë vërtet ngushëlluese për Markon, një i ri qyteti, i cili është mësuar të jetojë në një ambient të dhunshëm.—Zbulesa 21:3, 4.
Shqyrto edhe rastin e një shamataxhiu rrugësh, vandali e ish-pjesëtari të një bande. Duke qenë një jetim me fëmijëri shumë të hidhur, Valterit i bëri përshtypje që mes këtij sistemi të lig e të korruptuar Perëndia ka një popull. Ata përpiqen sinqerisht për të zbatuar parimet biblike në jetën e tyre, duke treguar dhembshuri, konsideratë dhe dashamirësi. Valteri shpjegon: «Në përputhje me premtimin e Jezuit, tani unë kam një familje të madhe me ‘vëllezër, motra, nëna dhe baballarë’. Për sa i përket së ardhmes, mezi pres kohën kur njerëzit do të jetojnë të lumtur dhe të bashkuar nën qeverinë e drejtë të Perëndisë.»—Marku 10:29, 30; Psalmi 37:10, 11, 29.
Diçka më e mirë se protestat
Përveçse të tregojnë konsideratë dhe dashuri për njerëzit e tjerë, këta ish-vandalë kanë mësuar të ‘urrejnë të keqen’. (Psalmi 97:10; Mateu 7:12) Po ti? Edhe nëse je thjesht një nga ata që vuajnë për shkak të pasojave të vandalizmit kaq të përhapur, një studim i Fjalës së Perëndisë do të ta bëjë real Jehovain, si një Atë të dashur qiellor që dëshiron të kujdeset për ty. (1. Pjetrit 5:6, 7) Perëndia mund të të ndihmojë që të rritesh nga ana frymore, pavarësisht nga dobësitë personale ose nga varfëria. Kjo, në vetvete është një përvojë e mrekullueshme!
Jehovai dhe Biri i tij, Jezu Krishti, duan me të vërtetë që çdo lloj njeriu të ketë mundësinë ta mësojë të vërtetën e Biblës. Fjala e Perëndisë mund të bëjë më tepër sesa t’i ndihmojë individët që të mos jenë më vandalë, qysh tani. Ajo mund t’i motivojë ata për të bërë përparim të mëtejshëm në zbatimin e parimeve hyjnore. Si rezultat, ata bëhen anëtarë të një vëllazërie ndërkombëtare të njohur për pastërtinë dhe për edukatën, pra, të kongregacionit mbarëbotëror të Dëshmitarëve të Jehovait. Në harmoni me Efesianëve 4:24, këta të krishterë të vërtetë kanë ‘veshur personalitetin e ri që u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe në besnikëri’. (BR) Së shpejti, bota do të jetë e mbushur me njerëz të tillë, sepse këta do të jenë të vetmit që do të mbijetojnë e do të jetojnë përgjithmonë.—Krahaso Lukën 23:43.
Një botë e re e lirë nga vandalizmi është e mundur
A beson që vandalizmi mund të çrrënjoset me të vërtetë? Nëse është kështu, si do të ndodhë ky ndryshim historik? Mbretëria e Perëndisë së shpejti do të eliminojë këtë sistem të lig. Banorët e tokës do të konsiderohen përgjegjës për çdo thyerje të vullnetshme të ligjeve të drejta të Perëndisë. (Krahaso Isainë 24:5, 6.) Ndërkohë që «shkelësit vetë do të asgjësohen patjetër së bashku», ata që e duan drejtësinë do të çlirohen. «Jehovai do t’i ndihmojë dhe do t’u sigurojë çlirim. Do t’u sigurojë çlirim nga njerëzit e ligj dhe do t’i shpëtojë, sepse kanë gjetur strehim tek ai.»—Psalmi 37:38-40, BR.
Po, rrënjët e vandalizmit do të eliminohen plotësisht. E po kështu do të ndodhë me krimin, shtypjen, vuajtjet dhe ligësinë. Në vend të këtyre, paqja, drejtësia e vërtetë, qetësia dhe siguria do të karakterizojnë jetën në botën e re. Isaia 32:18 përshkruan atë që do të ndodhë në kuptim të mirëfilltë: «Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi.» Tamam, një parajsë e bukur globale do të banohet nga njerëz që tregojnë dashuri dhe konsideratë ndaj të tjerëve.
Së bashku me miliona njerëz të tjerë, edhe ish-vandalët po gëzojnë tashmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova. Ata nuk marrin më pjesë në akte vandalizmi. A do ta lejosh edhe ti Fjalën e Perëndisë të të udhëheqë drejt jetës në botën e tij të re? Pse të mos imitojmë psalmistin e lashtë, i cili dokumentoi deklaratën e Jehovait: «Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh. Unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.»—Psalmi 32:8.
[Figura në faqen 7]
Dashuria dhe vëmendja e prindërve i mbron të rinjtë