Jeronimi: Një pionier i kundërshtuar në përkthimin e Biblës
KËSHILLI i Trentos dekretoi më 8 prill 1546, se Vulgata latine «është miratuar nga Kisha [Katolike] . . . dhe asnjë të mos guxojë ose të pretendojë ta hedhë poshtë, nën çfarëdo lloj preteksti». Edhe pse Vulgata u përfundua mbi njëmijë vjet më parë, ajo dhe përkthyesi i saj, Jeronimi, kishin qenë për një kohë të gjatë objekt kundërshtimesh. Kush ishte Jeronimi? Pse ishte kundërshtuar ai dhe përkthimi i tij i Biblës? Si ndikon puna e tij sot në përkthimin e Biblës?
Formimi i një dijetari
Emri latin i Jeronimit ishte Eusebius Hieronimus. Lindi rreth vitit 346 të e.s., në Stridon, në provincën romake të Dalmacisë, afër kufirit të sotëm që ndan Italinë nga Sllovenia.a Prindërit i kishte relativisht të pasur dhe i provoi që në moshë të re avantazhet e parasë, duke u arsimuar në Romë nën gramatikanin e njohur Donatus. Jeronimi doli se qe një student i talentuar i gramatikës, i retorikës dhe i filozofisë. Gjatë kësaj periudhe, ai filloi të studionte edhe greqishten.
Pasi u largua nga Roma në vitin 366 të e.s., Jeronimi u end vërdallë, duke përfunduar në Akuileja, Itali, ku u njoh me konceptin e asketizmit. I tërhequr nga këto pikëpamje të vetëmohimit ekstrem, së bashku me një grup miqsh ai i kaloi disa vite që pasuan duke bërë një jetë asketike.
Në vitin 373 të e.s., një ngatërresë e pashpjegueshme bëri që grupi të shpërndahej. I zhgënjyer, Jeronimi u end në drejtim të lindjes përgjatë Bitinisë, Galacisë dhe Kilikisë e përfundimisht mbërriti në Antioki, Siri.
Udhëtimi i gjatë bëri punën e vet tek ai. I sfilitur dhe me shëndet të dobët, Jeronimin desh e vunë poshtë ethet. «Oh, sikur Zotëria Jezu Krisht të më transportonte papritur te ti,—tha ai, duke i shkruar një miku.—Trupi im i gjorë, që është i dobët edhe kur jam mirë me shëndet, është rraskapitur.»
Sikur të mos mjaftonin sëmundjet, vetmia dhe konflikti i brendshëm, shpejt Jeronimi hasi një krizë tjetër, krizën frymore. Në një ëndërr, ai e pa veten «të tërhequr zvarrë para fronit të gjykimit» të Perëndisë. Kur iu kërkua të identifikonte veten, Jeronimi u përgjigj: «Jam një i krishterë.» Por ai që drejtonte në qiell ia ktheu: «Ti gënjen, ti je një ithtar i Ciceronit dhe jo i Krishtit.»
Deri në atë kohë, pasioni i Jeronimit për të mësuar ishte përqendruar kryesisht mbi studimin e klasikëve paganë në vend se mbi Fjalën e Perëndisë. «Ndihesha i torturuar,—tha ai,—nga zjarri i ndërgjegjes.» Duke shpresuar t’i vinte gjërat në vend, Jeronimi u betua në ëndërr: «Zotëri, po mora më në dorë libra botërorë ose po lexova më të tillë, të kam mohuar Ty.»
Më vonë, Jeronimi argumentoi se nuk mund t’i kërkohej llogari për një betim të bërë në ëndërr. Gjithsesi, ishte i vendosur të përmbushte betimin e tij, të paktën në parim. Kështu, Jeronimi u largua nga Antiokia dhe kërkoi izolim në Kalkis, në shkretëtirën siriane. Duke jetuar si eremit, ai u zhyt në një studim të Biblës dhe të literaturës teologjike. Jeronimi tha: «I lexova librat e Perëndisë me një zell më të madh nga ai që i kisha dhënë më përpara librave të njerëzve.» Ai mësoi edhe gjuhën siriake vendase dhe filloi të studionte hebraishten me ndihmën e një hebreu që ishte kthyer në krishterim.
Autorizimi i papës
Pasi bëri një jetë murgu për gati pesë vjet, Jeronimi u kthye në Antioki për të vazhduar studimet e tij. Por, kur mbërriti aty ai e gjeti kishën thellësisht të ndarë. Në fakt, kur ishte ende në shkretëtirë, Jeronimi i kishte kërkuar papa Damasit një këshillë, duke thënë: «Kisha është e ndarë në tri fraksione dhe secili prej këtyre është gati të më marrë për vete.»
Me kohë, Jeronimi vendosi të bashkohej me Paulinusin, një nga tre burrat që kishin paraqitur kërkesën për titullin e peshkopit të Antiokisë. Jeronimi pranoi të ishte në shërbim të Paulinusit me dy kushte. Së pari, ai donte të ishte i lirë të ndiqte ambiciet e tij prej murgu. E së dyti, ai këmbënguli që të mbetej jashtë detyrimeve priftërore për të shërbyer në ndonjë kishë të veçantë.
Në vitin 381 të e.s., Jeronimi e shoqëroi Paulinusin në Këshillin e Kostandinopojës dhe pas kësaj vazhdoi rrugën me të për në Romë. Papa Damasi i njohu menjëherë aftësitë gjuhësore dhe metodike të Jeronimit. Brenda një viti, Jeronimi u ngrit në pozitën e lartë të sekretarit personal të Damasit.
Si sekretar, Jeronimi nuk u shmang nga kundërshtimet. Përkundrazi, ai dukej se i tërhiqte ato. Për shembull, ai vazhdoi të bënte një jetë asketi në mes të oborrit luksoz papnor. Përveç kësaj, duke përkrahur stilin e tij asketik të jetesës dhe duke folur me zjarr kundër teprimeve mondane të klerit, Jeronimi bëri shumë armiq.
Por, pavarësisht nga ata që e kritikonin, Jeronimi kishte mbështetjen e plotë të papa Damasit. Papa kishte arsye të vlefshme për ta inkurajuar Jeronimin që të vazhdonte kërkimet e tij biblike. Në atë kohë, ishin në përdorim shumë versione latine të Biblës. Shumë prej këtyre ishin përkthyer pa kujdes dhe përmbanin gabime flagrante. Një merak tjetër i Damasit ishte se gjuha po ndante sferat Lindore dhe Perëndimore të kishës. Pak veta në Lindje dinin latinisht, e akoma më pak veta në Perëndim dinin greqisht.
Pra, papa Damasi dëshironte me zjarr një përkthim të ripunuar në latinisht të Ungjijve. Damasi donte një përkthim që të pasqyronte me saktësi greqishten origjinale, e megjithatë të ishte i rrjedhshëm dhe i qartë në latinisht. Jeronimi ishte një nga dijetarët e paktë që mund të siguronte një përkthim të tillë. Meqë fliste rrjedhshëm gjuhët greke, latine e siriake dhe kishte njëfarë njohurie praktike me hebraishten, ai ishte mjaft i kualifikuar për këtë punë. Prandaj, me autorizimin e Damasit, Jeronimi filloi një projekt që do t’i merrte më shumë se 20 vjetët e tjerë të jetës së tij.
Kundërshtimet intensifikohen
Edhe pse punonte me një shpejtësi të madhe në përkthimin e Ungjijve, Jeronimi shfaqi një teknikë të qartë e metodike. Duke krahasuar të gjitha dorëshkrimet greke që ishin në dispozicion atëherë, ai bëri korrigjime në tekstin latin, si në stilin e shkrimit, ashtu edhe në përmbajtjen, me qëllim që ta sillte sa më shumë në harmoni me tekstin grek.
Përkthimi i katër Ungjijve nga Jeronimi në përgjithësi u prit mirë, ashtu si edhe ripunimi i tij në latinisht i Psalmeve, i cili u bazua në tekstin e Septuagintës greke. Megjithatë, kishte ende nga ata që e kritikonin. «Disa krijesa të ulëta,—shkroi Jeronimi,—po më sulmonin me qëllim, me akuzën se isha përpjekur të korrigjoja fragmente të ungjijve, kundër autoritetit të të lashtëve dhe opinionit të të gjithë botës.» Këto denoncime u intensifikuan pas vdekjes së papa Damasit në vitin 384 të e.s. Meqë marrëdhënia e Jeronimit me papën e ri qe më pak e favorshme, ai vendosi të largohej nga Roma. Edhe një herë Jeronimi u drejtua për nga lindja.
Formimi i një dijetari hebre
Në vitin 386 të e.s., Jeronimi u vendos në Bethlehem, ku do të mbetej për pjesën tjetër të jetës së tij. Atë e shoqëronin një grup i vogël ithtarësh besnikë, duke përfshirë edhe Paulën, një grua e pasur nga fisnikëria e Romës. Paula kishte pranuar jetën asketike si rezultat i predikimit të Jeronimit. Me mbështetjen e saj financiare, u ngrit një manastir nën drejtimin e Jeronimit. Atje ai vazhdoi punën e tij metodike dhe përfundoi veprën më të madhe të jetës së tij.
Të jetuarit në Palestinë i dha Jeronimit rastin për të përmirësuar kuptueshmërinë e tij për hebraishten. Ai pagoi disa mësues judenj që ta ndihmonin të kuptonte disa prej aspekteve më të vështira të gjuhës. Por edhe me mësues nuk ishte e lehtë. Në lidhje me një nga mësuesit, Baraninasin e Tiberias, Jeronimi tha: «Sa shqetësim dhe shpenzime më kushtoi ta merrja Baraninasin që të më jepte mësim natën!» Pse studionin natën? Sepse Baraninasi i frikësohej opinionit të komunitetit judaik për faktin që ai shoqërohej me një «të krishterë»!
Në ditët e Jeronimit, judenjtë shpesh i tallnin johebrenjtë që flitnin hebraisht për paaftësinë e tyre në shqiptimin e duhur të tingujve grykorë. Megjithatë, pas shumë përpjekjeve, Jeronimi arriti t’i zotëronte këto tinguj. Gjithashtu, Jeronimi shkroi me alfabetin latin një numër të madh fjalësh hebraike. Ky hap jo vetëm që e ndihmoi atë për të mbajtur mend fjalët, por edhe ruajti shqiptimin hebraik të asaj kohe.
Kundërshtimi më i madh për Jeronimin
Se sa pjesë të Biblës kishte ndër mend papa Damasi që të përkthente Jeronimi nuk është e qartë. Por nuk ka shumë dyshime se si e konsideronte Jeronimi këtë çështje. Jeronimi ishte shumë i përqendruar dhe i vendosur. Dëshira e tij e zjarrtë ishte që të prodhonte diçka «të dobishme për Kishën, të vlefshme për brezat e ardhshëm». Prandaj ai vendosi të bënte një përkthim latin të ripunuar të të gjithë Biblës.
Për Shkrimet Hebraike, Jeronimi kishte ndër mend ta bazonte veprën e tij mbi Septuagintën. Ky version grek i Shkrimeve Hebraike, i përkthyer fillimisht në shekullin e tretë p.e.s., konsiderohej nga shumë veta si i frymëzuar drejtpërdrejt nga Perëndia. Prandaj, Septuaginta kishte një qarkullim të gjerë mes të krishterëve greqishtfolës të asaj kohe.
Por, ndërsa përparonte në punën e tij, Jeronimi gjeti shumë mospajtime mes dorëshkrimeve greke, të ngjashme me ato që gjeti në latinisht. Zhgënjimi i Jeronimit u shtua. Në fund, ai arriti përfundimin se për të bërë një përkthim të besueshëm, do t’i duhej të linte mënjanë dorëshkrimet greke, duke përfshirë edhe Septuagintën shumë të respektuar dhe të shkonte drejtpërdrejt në tekstin origjinal hebraik.
Ky vendim shkaktoi një kundërshtim të fortë. Disa e etiketuan Jeronimin si një falsifikues tekstesh, një blasfemues të Perëndisë që braktiste traditat e kishës në favor të judenjve. Edhe Agustini, teologu kryesor i kishës në atë kohë, iu lut Jeronimit që t’i kthehej tekstit të Septuagintës, duke i thënë: «Nëse përkthimi yt do të fillojë të lexohet më gjerësisht në shumë kisha, do të jetë një gjë pikëlluese që, kur të lexohen Shkrimet, të dalin ndryshime mes Kishave Latine dhe Kishave Greke.»
Po, Agustini kishte frikë se kisha mund të përçahej nëse kishat e Perëndimit do të përdornin tekstin latin të Jeronimit, të bazuar mbi tekstin hebraik, kurse kishat greke të Lindjes do të përdornin ende versionin e Septuagintës.b Përveç kësaj, Agustini shprehu dyshime në lidhje me lënien mënjanë të Septuagintës për të favorizuar një përkthim që vetëm Jeronimi mund ta mbronte.
Si reagoi Jeronimi ndaj gjithë këtyre kundërshtarëve? Në përputhje me karakterin e tij, Jeronimi i shpërfilli ata që e kritikonin. Ai vazhdoi të punonte drejtpërdrejt nga hebraishtja dhe në vitin 405 të e.s., e kishte përfunduar Biblën e tij në latinisht. Vite më vonë përkthimit të tij iu vu emri Vulgata, e cila i referohet një versioni të pranuar zakonisht (vulgatus nga latinishtja do të thotë «i zakonshëm, që është i përhapur»).
Arritje të qëndrueshme
Përkthimi i Shkrimeve Hebraike nga Jeronimi ishte shumë më tepër se një ripunim i një teksti ekzistues. Për brezat që do të vinin, ky përkthim ndryshoi drejtimin e studimit dhe të përkthimit të Biblës. «Vulgata,—tha historiani Uill Durant,—mbetet arritja më e madhe dhe më e fuqishme letrare e shekullit të katërt.»
Edhe pse Jeronimi kishte një të folur sarkastik dhe personalitet kundërshtues, ai, i vetëm, i drejtoi përsëri kërkimet e Biblës në tekstin e frymëzuar hebraik. Me një sy të mprehtë ai studioi dhe krahasoi dorëshkrimet e lashta hebraike dhe greke të Biblës, të cilat nuk janë më në dispozicionin tonë sot. Vepra e tij, gjithashtu, i parapriu asaj të masoretëve judaikë. Kështu, Vulgata është një referim i vlefshëm për të krahasuar përkthimet e ndryshme të teksteve biblike.
Pa shfajësuar sjelljen e tij ekstreme ose pikëpamjet e tij fetare, dashuruesit e Fjalës së Perëndisë mund të vlerësojnë përpjekjet e zellshme të këtij pionieri të kundërshtuar në përkthimin e Biblës. E patjetër që Jeronimi e arriti synimin e tij, pasi prodhoi diçka «të vlefshme për brezat që do të vinin».
[Shënimet]
a Jo të gjithë historianët janë dakord në lidhje me datat dhe renditjen e ngjarjeve të jetës së Jeronimit.
b Siç shkuan më vonë gjërat, përkthimi i Jeronimit u bë Bibla bazë për të ashtuquajturin krishterim në Perëndim, kurse Septuaginta vazhdon të përdoret në të ashtuquajturin krishterim të Lindjes deri më sot.
[Figura në faqen 28]
Statujë e Jeronimit në Bethlehem
[Burimi]
Garo Nalbandian
[Burimet e figurave në faqen 26]
Lart majtas, dorëshkrimi hebraik: Me mirësjellje nga Altari i Librit, Muzeu i Izraelit, Jerusalem; Poshtë majtas, dorëshkrimi siriak: Riprodhuar me lejen mirësjelltë të Këshillit administrativ të Bibliotekës Çestër Biti, Dublin; Lart në qendër, dorëshkrimi grek: Me mirësjellje nga Autoritetet e Antikiteteve të Izraelit