Si erdhi Bibla tek ne?—Pjesa e parë
Pjesët 2 dhe 3 do të dalin përkatësisht në numrat e 15 shtatorit dhe 15 tetorit.
NË NJË punishte të vogël, një tipograf dhe çiraku i tij i ri po punojnë ritmikisht në shtypshkronjën e tyre prej druri, duke vendosur me kujdes mbi pllakën me shkronja faqet e bardha. Ndërsa heqin fletët, ata kontrollojnë tekstin e shtypur. Fletët e palosura i varin që të thahen mbi tela të lidhur nëpër mure.
Papritur, në derë dëgjohet një e trokitur e fortë. I alarmuar, tipografi i heq llozin portës dhe një grup ushtarësh të armatosur turren brenda. Ata nisin të kërkojnë llojin më të ndaluar të literaturës së paligjshme: Biblën në gjuhën e njerëzve të zakonshëm!
Ata kishin ardhur me vonesë. Të paralajmëruar për rrezikun, përkthyesi dhe një ndihmës tashmë kishin shkuar në punishte, kishin mbushur krahët plot me faqe dhe tashmë ishin duke ikur nëpër lumin Rin. Të paktën kishin shpëtuar një pjesë të punës së tyre.
Përkthyesi për të cilin e kemi fjalën ishte Uilliam Tindal, i cili në vitin 1525 po përpiqej të prodhonte në Këln të Gjermanisë versionin e tij të ndaluar në anglisht të «Besëlidhjes së Re». Përvoja e tij nuk ishte aspak e veçantë. Gjatë pothuajse 1.900 vjetëve që nga përfundimi i shkrimit të Biblës, shumë burra e gra kanë rrezikuar çdo gjë, për të përkthyer dhe shpërndarë Fjalën e Perëndisë. Ende sot ne nxjerrim dobi nga puna e tyre. Çfarë bënë ata? Si kanë ardhur tek ne Biblat që tani mbajmë në duar?
Kopjimi dhe përkthimi i hershëm i Biblës
Shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë gjithmonë e kanë vlerësuar shumë Fjalën e tij. New Catholic Encyclopedia pranon: «Si paraardhësit e tyre judenj, të krishterët e hershëm e vlerësonin leximin e Librave të Shenjtë. Duke ndjekur shembullin e Jezuit (Mt 4.4; 5.18; Lu 24.44; Gjo 5.39), Apostujt gëzonin familjaritet me B[esëlidhjen] e V[jetër], gjë që nënkuptonte një lexim dhe studim të gjatë e të kujdesshëm dhe këtë e nxitën edhe tek dishepujt e tyre. (Rom 15.4; 2Ti 3.15-17).»
Për këtë qëllim, duheshin bërë kopje të Biblës. Në kohët para krishterimit, një pjesë e madhe e kësaj pune bëhej nga ‘kopjues të aftë’ tepër profesionistë, të cilët u trembeshin tepër gabimeve. (Ezdra 7:6, 11, 12, BR) Duke synuar përsosmërinë, ata lanë një standard të lartë për të gjithë kopjuesit e mëvonshëm të Biblës.
Megjithatë, gjatë shekullit të katërt p.e.s., u paraqit një sfidë. Aleksandri i Madh dëshironte që të gjithë njerëzit e botës të edukoheshin me kulturën greke. Pushtimet e tij e bënë greqishten e zakonshme apo koine, gjuhën e përbotshme në gjithë Lindjen e Mesme. Si rrjedhojë, shumë judenj u rritën, duke mos mësuar kurrë të lexonin hebraisht e në këtë mënyrë nuk kishin mundësi të lexonin Shkrimet. Prandaj, rreth vitit 208 p.e.s., një grup dijetarësh hebrenj u mblodhën në Aleksandri të Egjiptit, për të përkthyer Biblën Hebraike në koinenë e zakonshme. Përkthimi i tyre u bë i njohur si Septuaginta, në latinisht «shtatëdhjetë», e cila i referohet numrit të përafërt të përkthyesve që besohet se morën pjesë. Ky përkthim mbaroi rreth vitit 150 p.e.s.
Në kohën e Jezuit, hebraishtja përdorej akoma në Palestinë. Megjithatë, koineja mbizotëronte në atë zonë dhe në provincat më të largëta të botës romake. Prandaj, shkrimtarët e krishterë të Biblës përdorën këtë formë të zakonshme të greqishtes, me qëllim që të arrinin sa më shumë njerëz të kombeve që të ishte e mundur. Gjithashtu, ata cituan lirisht nga Septuaginta dhe përdorën shumë prej termave të saj.
Duke qenë se të krishterët e hershëm ishin misionarë të zellshëm, ata u bënë shpejt të zotët në përdorimin e Septuagintës, për të provuar se Jezui ishte Mesia i shumëpritur. Kjo i turbulloi judenjtë dhe i nxiti ata që të prodhonin disa përkthime të reja në greqisht, të përcaktuara për t’u hequr të krishterëve argumentet, duke rishikur tekstet e tyre të preferuara. Për shembull, në Isainë 7:14 Septuaginta përdorte një fjalë greqisht që do të thotë «virgjëreshë», duke bërë fjalë në mënyrë profetike për nënën e Mesisë. Përkthimet e reja përdornin një fjalë të ndryshme në greqisht, e cila do të thotë «vajzë e re». Përdorimi i vazhdueshëm i Septuagintës nga të krishterët, i nxiti judenjtë që ta braktisnin plotësisht taktikën e tyre dhe të nxitnin një kthim në hebraisht. Përfundimisht, ky veprim doli një bekim për përkthimet e mëvonshme të Biblës, sepse ndihmoi në mbajtjen gjallë të gjuhës hebraike.
Botuesit e parë të krishterë
Të krishterët e hershëm të zellshëm filluan të prodhonin vetë sa më shumë kopje të Biblës që mundnin, të gjitha të kopjuara me dorë. Gjithashtu, ata qenë të parët në përdorimin e kodeksit, i cili kishte faqe si një libër modern, në vend se të vazhdonin përdorimin e rrotullave. Përveçse ishte më i leverdisshëm për të gjetur më shpejt shkrimet, kodeksi mund të përmbante më shumë në një vëllim të vetëm, nga sa mund të regjistrohej në një rrotull: për shembull, të gjitha Shkrimet Greke apo edhe të gjithë Biblën.
Kanuni i Shkrimeve të Krishtere Greke përfundoi rreth vitit 98 të e.s., me librat e apostullit të fundit të mbijetuar, Gjonit. Ekziston një fragment i një kopjeje të Ungjillit të Gjonit, i quajtur Papirusi Railënds 457 (P52), i cili daton jo më larg se viti 125 i e.s. Aty nga vitet 150 deri 170 të e.s., Taciani, një student i Justin Martirit, prodhoi një tregim të përbërë të jetës së Jezuit të quajtur Diatessaron, i cili u përpilua nga po ata katër ungjij që gjenden në Biblat tona të sotme.a Kjo tregon se ai i konsideronte vetëm këta ungjij si autentikë dhe se ata tashmë ishin në qarkullim. Aty nga viti 170 i e.s., u prodhua katalogu më i hershëm që njihet i librave të «Besëlidhjes së Re», i quajtur Fragmenti Muratorian. Ai rendit shumicën e librave të Shkrimeve të Krishtere Greke.
Me përhapjen e bindjeve të krishtere, shpejt lindi një kërkesë për përkthime të Shkrimeve të Krishtere Greke, si dhe të Shkrimeve Hebraike. Më në fund, dolën disa versione në gjuhë të tilla, si armene, koptike, gjeorgjiane dhe siriake. Shpesh, u desh që të shpikeshin alfabete pikërisht për këtë qëllim. Për shembull, Ulfilasi, një peshkop i Kishës Romake në shekullin e katërt, thuhet se shpiku alfabetin gotik, për të përkthyer Biblën. Por ai la jashtë librat e Mbretërve, sepse mendonte se këta libra do të inkurajonin prirjet e gotëve për luftë. Megjithatë, ky veprim nuk i ndaloi gotët «e krishterizuar» nga plaçkitja e Romës në vitin 410 të e.s.!
Biblat latine dhe sllavonike
Ndërkohë, latinishtja u bë e rëndësishme dhe u shfaqën disa versione në latinishten e vjetër. Por ato ndryshonin nga stili dhe saktësia. Kështu që në vitin 382 të e.s., papa Damasi ngarkoi sekretarin e tij, Jeromin, që të përgatiste një Bibël zyrtare në latinisht.
Jeromi ia nisi punës, duke rishikuar versionet latinisht të Shkrimeve të Krishtere Greke. Megjithatë, për Shkrimet Hebraike, ai këmbënguli në përkthimin prej origjinalit hebraisht. Prandaj, në vitin 386 të e.s., ai shkoi në Bethlehem, për të studiuar hebraisht dhe për të kërkuar ndihmën e një rabini. Për këtë arsye, ai ngjalli një kontradiktë të konsiderueshme në qarqet e kishës. Disa, duke përfshirë edhe bashkëkohësin e Jeromit, Agustinin, besonin se Septuaginta ishte e frymëzuar dhe e akuzuan Jeromin se «u ishte drejtuar judenjve». Duke vazhduar përpara, Jeromi përfundoi veprën e tij rreth vitit 400 të e.s. Duke u mbajtur ngushtë pas burimit të gjuhëve dhe dokumenteve origjinale dhe duke i përkthyer ato në gjuhën e gjallë të kohës, Jeromi i tejkaloi metodat moderne të përkthimit me mijëra vjet. Vepra e tij u bë e njohur si Vulgata apo Versioni i Zakonshëm dhe u solli dobi njerëzve për shumë shekuj.
Në të ashtuquajturin krishterim të lindjes, shumë persona mund të lexonin akoma Septuagintën dhe Shkrimet e Krishtere Greke. Megjithatë, sllavonishtja e vjetër, pararendësja e gjuhëve të sotme sllave, u bë më vonë gjuha kryesore në pjesën veriore të Evropës. Në vitin 863 të e.s., dy vëllezër greqishtfolës, Sirili dhe Metodiusi, shkuan në Moravi, tani në Republikën Çeke. Ata filluan të përkthenin Biblën në sllavonisht. Për ta bërë këtë, ata shpikën alfabetin glakolitik, i cili më vonë u zëvendësua nga alfabeti sirilik, në nder të Sirilit. Ky ishte burimi i alfabeteve të sotëm rus, ukrainas, serb dhe bullgar. Bibla sllavone u shërbeu për breza të tërë njerëzve të atyre anëve. Por me kalimin e kohës, ndërkohë që gjuhët ndryshonin, ajo u bë e pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë.
Bibla hebraisht mbijeton
Gjatë kësaj periudhe, aty nga shekujt e gjashtë deri të dhjetë të e.s, një grup judenjsh të njohur si masoretët, zhvilluan metoda sistematike kopjimi për të ruajtur tekstin e Shkrimeve Hebraike. Ata shkuan deri aty, sa llogaritnin të gjitha rreshtat madje edhe çdo germë të veçantë, duke shënuar ndryshimet mes dorëshkrimeve, duke bërë gjithçka në përpjekje për të ruajtur një tekst autentik. Përpjekjet e tyre s’shkuan kot. Për të cituar vetëm një shembull, krahasimi i tekstit modern masoretik me Rrotullat e Detit të Vdekur, të shkruara mes viteve 250 p.e.s. dhe 50 të e.s., nuk tregon asnjë ndryshim doktrinal në më shumë se 1.000 vjet.b
Në Evropë, Epoka e Mesjetës ishte në përgjithësi sinonimi i Epokës së Errët. Leximi dhe mësimi ishin katandisur në pikën më të ulët mes popullsisë. Së fundi, edhe vetë klerikët, në pjesën më të madhe, nuk ishin në gjendje të lexonin latinishten e kishës dhe shpesh nuk mund të lexonin as në vetë gjuhën e tyre. Gjithashtu, kjo ishte koha kur në Evropë judenjtë u grumbulluan nëpër geto. Pjesërisht për shkak të këtij izolimi, dituria e hebraishtes biblike u ruajt. Megjithatë, për shkak të paragjykimit dhe mosbesimit, njohuria judaike shpesh nuk ishte e pranuar jashtë getos. Në Evropën Perëndimore, edhe njohuria e greqishtes po merrte teposhtën. Situata u rëndua edhe më tej, për shkak të adhurimit që kisha perëndimore i bënte Vulgatës në latinisht të Jeromit. Përgjithësisht ajo konsiderohej si versioni i vetëm i autorizuar, edhe pse aty nga fundi i periudhës masoretike, latinishtja po shndërrohej në një gjuhë të vdekur. Prandaj, ndërkohë që dëshira për të njohur Biblën nisi dalëngadalë të çelte, u hodhën themelet për një konflikt të madh.
Përkthimi i Biblës has kundërshtime
Në vitin 1079, Papa Gregori VII nxori të parin e shumë edikteve të kishës mesjetare, që ndalonin prodhimin dhe disa herë edhe zotërimin e versioneve në gjuhën e vendit. Ai anuloi lejen për të festuar meshën në sllavonisht, me pretekstin se kjo do të kërkonte përkthimin e disa pjesëve të Shkrimeve të Shenjta. Kryekëput në kundërshtim me pozicionin e të krishterëve të hershëm, ai shkroi: «I [ka] pëlqyer Perëndisë të Plotfuqishëm, që shkrimi i shenjtë duhet të jetë sekret në disa vende.» Duke qenë kjo pozita zyrtare e kishës, nxitësit e leximit të Biblës filluan të konsideroheshin gjithnjë e më shumë të rrezikshëm.
Pavarësisht nga klima e pafavorshme, kopjimi dhe përkthimi i Biblës në gjuhët e zakonshme vazhdoi. Versione në shumë gjuhë qarkullonin fshehurazi në Evropë. Ato ishin të gjitha kopje të bëra me dorë, pasi shtypshkronja me germa të lëvizshme do të shpikej në Evropë vetëm nga mesi i viteve 1400. Por meqë kopjet ishin të kushtueshme dhe të kufizuara në numër, një qytetar i zakonshëm mund të konsiderohej i lumtur po të kishte vetëm një libër të Biblës apo edhe vetëm disa faqe. Disa mësuan përmendësh pjesë të tëra, madje edhe të gjitha Shkrimet e Krishtere Greke!
Megjithatë, me kalimin e kohës ndodhën lëvizje të gjera për reformimin e kishës. Pjesërisht, ato qenë të nxitura nga vetëdija e përtërirë e rëndësisë së Fjalës së Perëndisë në jetën e përditshme. Si do të ndikonin mbi Biblën këto lëvizje dhe zhvillimi i shtypjes? Çfarë ndodhi me Ulliam Tindalin dhe me përkthimin e tij, të përmendur në fillim të artikullit? Këtë histori tërheqëse dhe deri në ditët tona do ta ndjekim në numrat vijues.
[Shënimet]
a Libri Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., është një shembull modern i një harmonizimi të të katër ungjijve.
b Shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 2, faqe 315, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Tabela në faqet 8, 9]
Data kyçe në transmetimin e Biblës
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
PARA ERËS SONË (p.e.s.)
Shkrimet Hebraike përfundojnë rreth 443 p.e.s.
400 p.e.s.
Aleksandri i Madh (v. 323 p.e.s.)
300 p.e.s.
Septuaginta fillon rreth 280 p.e.s.
200 p.e.s.
100 p.e.s. Shumica e Rrotullave të Detit të Vdekur rreth
100 p.e.s. deri 68 e.s.
ERËS SONË (e.s.)
Jerusalemi shkatërrohet 70 e.s.
Shkrimet Greke përfundojnë 98 e.s.
100 e.s.
Papirusi Railënd i Gjonit (l. 125 e.s.)
200 p.e.s.
300 e.s.
400 e.s. Vulgata latinisht e Jeromit rreth 400 e.s
500 e.s.
600 e.s.
Përgatitet teksti masoretik
700 e.s.
800 e.s.
Sirili në Moravi 863 e.s.
900 e.s.
1000 e.s.
Edikt kundër Biblës në gjuhën e vendit 1079 e.s.
1100 e.s.
1200 e.s.
1300 e.s.
[Figura në faqen 9]
Të krishterët e hershëm ishin të parët në përdorimin e kodeksit
[Figura në faqen 10]
Jeromi shkoi në Bethlehem, për të studiuar hebraisht