Mësova të mbështetem në Jehovain
TREGUAR NGA JÁN KORPA-ONDO
Ishte viti 1942 dhe isha nën ruajtjen e ushtarëve hungarezë afër Kursk të Rusisë. Ne ishim të burgosurit e fuqive të Boshtit që luftonin me rusët gjatë Luftës II Botërore. Varri im ishte gërmuar dhe më ishin dhënë vetëm dhjetë minuta kohë për të vendosur nëse do të firmosja ose jo një dokument, ku thuhej se nuk isha më një Dëshmitar i Jehovait. Përpara se t’ju tregoj se ç’ndodhi më pas, po ju tregoj se si përfundova atje.
LINDA në vitin 1904, në fshatin e vogël Zahor, që tani shtrihet në Sllovakinë lindore. Me mbarimin e Luftës I Botërore, Zahor u bë pjesë e vendit të sapoformuar, Çekosllovakisë. Fshati ynë përbëhej nga rreth 200 shtëpi dhe dy kisha, ajo Katolike Greke dhe Kalviniste.
Edhe pse shkoja në kishën Kalviniste, bëja një jetë pa ndonjë kufizim moral. Jo larg meje, banonte një burrë që ishte krejt i ndryshëm. Një ditë, ai nisi një bisedë me mua dhe më dha hua një Bibël. Ishte hera e parë që e mbaja atë libër në duart e mia. Në këtë periudhë, në vitin 1926, u martova me Barboran dhe shpejt patëm dy fëmijë, Barboran dhe Ján.
Fillova ta lexoja Biblën, por kishte shumë gjëra që nuk i kuptoja. Prandaj shkova te pastori im dhe i kërkova që të më ndihmonte. «Bibla është vetëm për njerëzit e arsimuar,—më tha,—as mos u mundo ta kuptosh.» Pastaj më ftoi për një lojë me letra.
Pas kësaj shkova tek ai burri që më kishte lënë Biblën. Ai ishte një Student i Biblës, siç quheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait. Ishte i lumtur të më ndihmonte dhe pas njëfarë kohe, sytë filluan të më hapen. Ndërpreva të pirët e tepërt dhe fillova të bëja një jetë morale, madje fillova t’u flisja edhe të tjerëve për Jehovain. E vërteta biblike hodhi rrënjë në Zahor në fillim të viteve 20 dhe shpejt u formua një grup aktiv me Studentë të Biblës.
Megjithatë, kundërshtimi fetar ishte i fortë. Prifti i zonës e ktheu shumicën e familjes sime kundër meje, duke thënë se kisha luajtur mendsh. Por jeta ime filloi të kishte një qëllim dhe i palëkundur vendosa t’i shërbeja Perëndisë së vërtetë, Jehova. Kështu, në vitin 1930, simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait dhe u pagëzova.
Fillimi i provave të ashpra
Në vitin 1938, rajoni ynë u vu nën sundimin e Hungarisë, e cila mori anën e Gjermanisë gjatë Luftës II Botërore. Në atë kohë ishim rreth 50 Dëshmitarë në fshatin tonë me më pak se një mijë njerëz. Ne vazhduam të predikonim edhe pse duke bërë këtë e vinim në rrezik jetën dhe lirinë tonë.
Në vitin 1940, më thirrën në ushtrinë hungareze. Çfarë të bëja? Unë kisha lexuar profecitë e Biblës për njerëz që i farkëtonin armët e luftës në mjete paqeje dhe e dija se në kohën e tij, Perëndia do t’i eliminonte të gjitha luftërat nga toka. (Psalmi 46:9; Isaia 2:4) Kështu, kisha filluar ta urreja luftën dhe vendosa të mos shkoja ushtar, pavarësisht nga pasojat.
U dënova me 14 muaj burg dhe e kreva dënimin në Peks, Hungari. Në të njëjtin burg ishin edhe pesë Dëshmitarë të tjerë dhe e çmonim faktin që mund të shoqëroheshim së bashku. Por, për njëfarë kohe, unë isha në izolim, me pranga në këmbë. Kur refuzonim të merrnim pjesë në punë që kishin të bënin me luftën, na goditnin. Gjithashtu, na detyronin me forcë që të qëndronim gatitu gjithë ditën, përveç dy orëve në mesditë. Kjo provë vazhdoi për muaj të tërë. Megjithatë, ishim të lumtur, sepse kishim një ndërgjegje të pastër para Perëndisë tonë.
Propozim për kompromis
Një ditë, një grup prej 15 priftërinjsh katolikë erdhën dhe u përpoqën të na bindnin se ishte e rëndësishme që t’i mbështetnim përpjekjet që bëheshin për luftën, duke marrë pjesë në ushtri. Gjatë diskutimit u thamë: «Nëse mund ta provoni me anë të Biblës se shpirti është i pavdekshëm dhe se ne do të shkojmë në qiell nëse vdesim në luftë, atëherë jemi dakord.» Natyrisht, ata nuk mund ta provonin këtë gjë dhe nuk deshën që ta vazhdonin më diskutimin.
Në vitin 1941, dënimi im përfundoi dhe po prisja të bashkohesha me familjen time. Por në vend të kësaj, më çuan nën pranga te një bazë ushtarake që e kishte bazën në Sharëshpatëk, Hungari. Kur mbërritëm, m’u dha një mundësi për t’u liruar. «E gjitha që duhet të bësh,—më thanë,—është që të firmosësh këtë premtim se do të paguash 200 pengo, kur të kthehesh në shtëpi.»
«Si është e mundur kjo?»—i pyeta. «Për çfarë i doni paratë?»
«Në kthim të parave,—më thanë,—do të marrësh certifikatën se nuk e kalove ekzaminimin mjekësor për në ushtri.»
U ndodha përballë një vendimi të vështirë. Për më shumë se një vit, kisha vuajtur nën një trajtim ç’njerëzor. Po lodhesha. Tani, po të pranoja që të paguaja disa para, mund të isha i lirë. «Do të mendohem»,—murmurita.
Çfarë vendimi të merrja? Më duhej të mendoja për gruan dhe fëmijët. Kështu, në atë periudhë, mora një letër nga një i krishterë tjetër, me anë të së cilës ai më jepte inkurajim. Ai përmendte Hebrenjve 10:38, ku apostulli Pavël citon fjalët e Jehovait: «‘Dhe i drejti do të jetojë prej besimit’ dhe ‘nëse ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të’.» Pak pas kësaj, dy oficerë hungarezë të kazermave, folën me mua, njëri duke thënë: «Ti nuk e di se sa shumë të respektojmë për mbajtjen me kaq vendosmëri të parimeve të Biblës! Mos u dorëzo!»
Të nesërmen shkova tek ata që më ofruan lirinë për 200 pengo dhe u thashë: «Pasi Perëndia Jehova lejoi që të burgosesha, ai do të kujdeset edhe për lirimin tim. Unë nuk do të paguaj për t’u liruar.» Kështu u dënova me dhjet vjet burg. Por nuk ishte ky fundi i përpjekjes për të më bërë që të kompromentohesha. Gjykata më ofroi falje nëse do të pranoja të shërbeja në ushtri vetëm për dy muaj e madje as të mos merrja armë! Unë e refuzova edhe këtë ofertë dhe dënimi im filloi.
Persekutimi rritet
Më dërguan përsëri në burgun e Peksit. Këtë herë tortura ishte edhe më e ashpër. Më varnin nga duart që m’i lidhnin prapa për rreth dy orë. Si rezultat, të dyja shpatullat më dolën vendit. Kjo lloj torture u përsërit për një periudhë prej gati gjashtë muajsh. Mund të falënderoj vetëm Jehovain që nuk u dorëzova.
Në vitin 1942, një grup nga ne, i përbërë nga hebrenj, të burgosur politikë dhe 26 Dëshmitarë të Jehovait, u çua në qytetin Kursk, në një zonë të pushtuar nga trupat gjermane. Na dorëzuan te gjermanët dhe ata i vunë në punë të burgosurit që t’u çonin ushqime, armë dhe veshje ushtarëve në front. Ne Dëshmitarët e refuzuam punën sepse ajo dhunonte asnjanësinë tonë të krishterë. Si rezultat, na rikthyen te hungarezët.
Përfundimisht, na futën në burgun e zonës në Kursk. Për disa ditë na rrahën me shkopa gome tri herë në ditë. Mora një goditje në tëmtha dhe rashë në gjunjë. Ndërsa goditesha, mendoja, ‘nuk qenka dhe kaq e vështirë të vdesësh’. I gjithë trupi m’u mpi e kështu nuk ndieja më asgjë. Për tri ditë nuk na u dha absolutisht asgjë për të ngrënë. Pastaj na çuan në gjykatë dhe gjashtë prej nesh u dënuan me vdekje. Pas kryerjes së dënimit, mbetëm 20 veta.
Provat e besimit që përjetuam gjatë atyre ditëve në Kursk, në tetor të vitit 1942, ishin nga më të ashprat që kam ndeshur ndonjëherë. Ndjenjat tona u shprehën mjaft mirë nga mbreti i lashtë Jozafati, kur populli i tij ndeshi situata në dukje të pakapërcyeshme: «Ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti.»—2. Kronikave 20:12.
Ne të 20-t na dërguan që të gërmonim varrin tonë të përbashkët, nën ruajtjen e 18 ushtarëve hungarezë. Kur mbaruam gërmimin na u tha se kishim dhjetë minuta kohë për të firmosur një dokument, ku pjesërisht thuhej: «Mësimi i Dëshmitarëve të Jehovait është i gabuar. Unë nuk do të besoj apo nuk do ta përkrah më atë. Do të luftoj për atdheun hungarez . . . Konfirmoj me firmën time se i bashkohem Kishës Katolike Romake.»
Pas dhjetë minutash erdhi urdhri: «Djathtas kthehu! Marrsh për në varr!» Më pas, u dëgjua urdhri: «I burgosuri i parë dhe i tretë, futuni në gropë!» Këtyre iu dhanë edhe dhjetë minuta të tjera që të vendosnin të firmosnin dokumentin. Njëri nga ushtarët i luti: «Dorëzojeni besimin dhe dilni nga varri!» Asnjëri nuk foli. Atëherë oficeri komandant i qëlloi që të dy.
«Çdo të bëjmë me këta që mbetën?»—e pyeti oficerin njëri nga ushtarët.
«Lidhi», i përgjigjet ai. «Do t’i torturojmë edhe ca dhe do t’i vrasim në gjashtë të mëngjesit.»
Papritur më hyri frika, jo ngaqë do të vdisja, por sepse nuk do të mund t’i duroja më torturat e kështu mund të bëja kompromis. Prandaj eca më përpara dhe thashë: «Zotëri, ne e kemi shkelur ligjin njësoj si vëllezërit tanë që sapo vratë. Përse nuk na vritni edhe ne?»
Por nuk e bënë. Na lidhën me duart prapa kurrizit. Pastaj na varnin nga duart. Kur e humbnim vetëdijen, na hidhnin ujë. Dhimbja ishte e tmerrshme, sepse pesha e trupit na i nxirrte shpatullat vendit. Kjo torturë vazhdonte për gati tri orë. Pastaj, papritur erdhi një urdhër për të mos i qëlluar më Dëshmitarët e Jehovait.
Një lëvizje drejt lindjes, më pas shpëtimi
Tri javë më vonë marshuam në formacione për disa ditë, deri sa mbërritëm në breg të lumit Don. Ata që ishin përgjegjës na thanë se nuk do të na kthenin prapa të gjallë. Gjatë ditës na jepnin punë të kota, të hapnim kanale e pastaj t’i mbushnim prap. Në mbrëmje kishim njëfarë lirie sa për t’u sorollatur.
Me sa pashë, kishte dy mundësi. Ose do të vdisnim aty, ose t’u shpëtonim gjermanëve e t’u dorëzoheshim rusëve. Vetëm tre veta vendosëm të përpiqeshim për të shpëtuar përmes lumit të ngrirë Don. Më 12 dhjetor 1942, iu lutëm Jehovait dhe u nisëm. Mbërritëm në frontin rus dhe na futën menjëherë në një kamp burgu me rreth 35.000 të burgosur. Në pranverë, vetëm rreth 2.300 të burgosur ishin akoma gjallë. Pjesa tjetër vdiq nga uria.
Liria, por dhe një tragjedi tjetër
Pjesën tjetër të luftës, duke përfshirë edhe disa muaj pas mbarimit të saj, e mbijetova si një i burgosur rus. Më në fund, në nëntor të vitit 1945, mbërrita në shtëpi në Zahor. Ferma jonë ishte në një gjendje të keqe, prandaj, më duhej të filloja gjithçka nga e para. Gruaja dhe fëmijët e kishin punuar fermën gjatë luftës, por në tetor të vitit 1944, me afrimin e rusëve, ishin larguar për në lindje. Çdo gjë që zotëronim ishte plaçkitur.
Por më e keqja ishte se kur u ktheva në shtëpi, gruan e gjeta shumë të sëmurë. Në shkurt të vitit 1946, ajo vdiq. Ishte vetëm 38 vjeçe. Patëm kaq pak kohë për të gëzuar ribashkimin tonë pas më shumë se pesë vjetësh të gjatë e të vështirë ndarjeje.
Gjeta ngushëllim mes vëllezërve të mi frymorë, duke ndjekur mbledhjet dhe duke marrë pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Në vitin 1947, munda të gjej disa para hua për të shkuar në Brno, një udhëtim prej 400 km, për të ndjekur një kongres. Atje, mes vëllezërve të mi të krishterë, duke përfshirë edhe Nathan H. Knorr, në atë kohë president i Watch Tower Bible and Tract Society, mora shumë ngushëllim dhe inkurajim.
Lirinë e pasluftës nuk e gëzuam gjatë. Në vitin 1948, komunistët filluan të na shtypnin. Në vitin 1952, u arrestuan shumë prej vëllezërve që merrnin drejtimin në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Çekosllovaki dhe mua m’u dha përgjegjësia për t’u kujdesur për kongregacionet. Në vitin 1954, edhe mua më arrestuan dhe më dënuan me katër vjet burg. Edhe im bir Jan me të birin Juri, ishin arrestuar për mbajtjen e asnjanësisë së tyre të krishterë. Kalova dy vjet dënimi në burgun shtetëror Pankrats, në Pragë. Amnistia e shpallur në vitin 1956, bëri që të lirohem.
Më në fund, liria!
Në vitin 1989, komunizmi e humbi më në fund pushtetin në Çekosllovaki dhe vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u regjistrua ligjërisht. Kështu, ishim të lirë të mblidheshim së bashku e të predikonim hapur. Në atë kohë, në Zahor, kishte afërsisht njëqind Dëshmitarë, që do të thoshte se 1 në çdo 10 persona në fshat ishte një Dëshmitar. Disa vjet përpara, ndërtuam në Zahor një Sallë Mbretërie, të bukur, të gjerë rreth 200-vendëshe.
Shëndeti im nuk është më dhe aq i mirë, prandaj, vëllezërit më sjellin me makinë në Sallën e Mbretërisë. Gjej kënaqësi kur jam aty dhe gëzoj duke bërë komente gjatë studimit të Kullës së Rojës. Jam veçanërisht i lumtur, tek shoh përfaqësues të tri brezave të familjes sime, që i shërbejnë Jehovait, duke përfshirë edhe disa prej nipërve. Njëri prej tyre shërbeu si mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait në Çekosllovaki, derisa ia lejuan përgjegjësitë e tij familjare.
I jam mirënjohës Jehovait që më forcoi gjatë provave të mia të shumta. Mbajtja e vëmendjes përqendruar mbi të, ‘si të shihja Atë që është i padukshëm’, është ajo që më mbështeti. (Hebrenjve 11:27) Po, unë ndjeva krahun e tij të fuqishëm të çlirimit. Ja pse, edhe tani, vazhdoj të përpiqem që të jem i pranishëm në mbledhjet e kongregacionit dhe të marr pjesë aq sa mundem në shpalljen e emrit të tij në shërbimin publik.
[Figura në faqen 25]
Salla e Mbretërisë në Zahor
[Figura në faqen 26]
E çmoj privilegjin për të komentuar gjatë studimit të Kullës së Rojës