«Mbahuni fort pas asaj që keni»
NJË grup Dëshmitarësh po predikonin në një prej rreth 30 ishujve që përbëjnë Ishujt Cuklade të Greqisë. Ndërsa dy prej tyre predikonin gjatë një rruge, takuan një polic i cili u kërkoi që ta ndiqnin për në rajonin e policisë. Pak pasi mbërritën në rajon, ra zilja e telefonit. Ishte prifti i fshatit. «Dëgjova se ka Dëshmitarë të Jehovait në fshat»,—tha ai. «Po, kam dy prej tyre këtu»,—i përgjigjet polici. «Po vij menjëherë aty.» Nga toni i bisedës, vëllezërit filluan të shqetësohen ca.
Por, me të mbërritur, prifti buzëqeshi, u shtrëngoi duart dhe u ul në karrigen afër policit. Kur po diskutonin, polici u bë kundërshtues ndërsa prifti qëndronte i arsyeshëm dhe i sjellshëm. Ai i tha policit që të mos i përçmonte Dëshmitarët dhe shtoi: «Ata mund t’i përgjigjen çdo pyetjeje, sepse stërviten në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Do të ishte më e lehtë të tundje botën nga themeli sesa të ndryshoje besimin e njërit prej Dëshmitarëve të Jehovait.»
Ndërsa predikonin mëngjesin tjetër, vëllezërit u ndeshën përsëri me priftin dhe e pyetën: «Përse ishe kaq miqësor me ne gjatë diskutimit në rajonin e policisë?» Prifti u tha se kishte njohur shumë Dëshmitarë të Jehovait në Seros dhe se kishte lexuar prej shumë vitesh revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!. Në fakt, në disa raste ai merrte ndonjë revistë Kulla e Rojës, e fshihte në një dosje dhe e përdorte gjatë predikimit të tij në kishë. Ai vërejti: «Mendoj se nuk do t’ia vlente të jetoja, po të mos kisha literaturën tuaj. Kjo është ajo që më jep shpresë.»
Më vonë, prifti u tha Dëshmitarëve: «Dua t’ju them një gjë. Mbahuni fort pas asaj që keni. Mos bëni gabim ta lëshoni atë. Kjo që po ju them tani, është predikimi më i mirë që kam dhënë ndonjëherë dhe nuk po e them vetëm me gojë, por me gjithë zemër.»