Duke shërbyer nën dorën e dashur të Jehovait
TREGUAR NGA LAMBROS ZUMBOS
Gjendesha përpara një zgjedhjeje vendimtare: të pranoja ofertën e xhaxhait tim të pasur për t’u bërë administrues i ndërtesave dhe i tokës që ai kishte si pronë, e në këtë mënyrë të zgjidhja problemet financiare të familjes sime, apo të bëhesha shërbëtor i plotkohor i Perëndisë Jehova. Më lini t’ju shpjegoj se cilët faktorë përcaktuan vendimin që mora më në fund.
LINDA në 1919-n, në qytetin Volos, në Greqi. Babai shiste ndërresa për burra dhe ishim në gjendje të mirë materiale. Por si pasojë e rënies ekonomike nga fundi i viteve ’20, babai u detyrua të falimentonte e kështu humbi dyqanin e tij. Më hipte dëshpërimi, sa herë që shikoja fytyrën e pashpresë të tim eti.
Për ca kohë, familja ime jetoi në varfëri ekstreme. Çdo ditë, lija orën e fundit të mësimit për të mbajtur radhën për racionet e ushqimit. Megjithatë, edhe pse ishim të varfër, gëzonim një jetë të qetë familjare. Ëndrra ime ishte të bëhesha mjek, por nga mesi i adoleshencës m’u desh ta lija shkollën dhe të filloja punë për të ndihmuar familjen që të mbijetonte.
Më pas, gjatë Luftës II Botërore, Greqinë e pushtuan gjermanët e italianët dhe ra një zi e madhe buke. Shumë shpesh pashë miq dhe të njohur, duke vdekur nga urija nëpër rrugë: një gjë e tmerrshme që kurrë s’kam për ta harruar. Njëherë, familja kaloi 40 ditë pa bukë, që është ushqimi kryesor për grekët. Për t’u mbajtur gjallë, vëllai im më i madh dhe unë shkonim nëpër fshatrat fqinjë dhe siguronim patate nga miqtë dhe të afërmit.
Sëmundja kthehet në një bekim
Nga fundi i vitit 1944, u sëmura rëndë me një formë pleuriti. Gjatë qëndrimit prej tre muajsh në spital, një kushëri më solli dy broshura dhe më tha: «Lexoji! Jam i sigurt që do të të pëlqejnë.» Broshurat Kush është Perëndia? dhe Mbrojtje, ishin botuar nga Shoqata Watch Tower Bible and Tract. Pasi i lexova, ua tregova përmbajtjen pacientëve të tjerë.
Pasi dola nga spitali, fillova të shoqërohesha me kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në Volos. Megjithatë, për një muaj të tërë u mbylla në shtëpi, akoma nën kujdes dhe për gjashtë deri në tetë orë në ditë lexoja botimet e mëparshme të Kullës së Rojës, si dhe botime të tjera të botuara nga Shoqata Watch Tower. Si pasojë, rritja ime frymore qe e shpejtë.
Shpëtova për një qime
Një ditë, nga mesi i vitit 1944, kisha zënë një stol në një park, në Volos. Befas, një grup paraushtarakësh, përkrahës i ushtrisë pushtuese gjermane, rrethoi vendin dhe arrestoi të gjithë ata që gjendeshin aty. Rreth njëzetekatër prej nesh morën rrugën drejt shtabit të Gestapos, të vendosur në një depo duhani.
Pas pak minutash, dëgjova dikë që po thërriste emrin tim dhe emrin e personit me të cilin po flisja në park. Një oficer i ushtrisë greke na thirri dhe na tregoi se një nga të afërmit e mi që na kishte parë të shoqëruar me ushtarë, i kishte thënë se ne ishim Dëshmitarë të Jehovait. Pas kësaj, oficeri grek na tha se ishim të lirë të shkonim në shtëpi dhe na dha kartvizitën e tij, për ta përdorur në rast se na arrestonin përsëri.
Ditën tjetër mësuam se gjermanët kishin ekzekutuar shumicën e atyre që ishin arrestuar, si raprezalje për vrasjen e dy ushtarëve gjermanë nga luftëtarët e rezistencës greke. Përveç shpëtimit nga vdekja e mundshme, në atë rast mësova vlerën e asnjanësisë së krishterë.
Në vjeshtën e vitit 1944, e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Gjatë verës tjetër, Dëshmitarët morën masa që të shoqërohesha me kongregacionin Sklithro në malësi, ku mund të rifitoja shëndetin tim në mënyrë të plotë. Lufta civile që erdhi pas përfundimit të pushtimit gjerman, bëri kërdinë në Greqi. Ndodhi që fshati në të cilin gjendesha, shërbeu si një lloj baze për forcat guerrile. Prifti lokal dhe një burrë tjetër i mbrapshtë më akuzuan për spiunazh kundër forcave qeveritare dhe më morën në pyetje përmes një gjyqi guerril ushtarak të vetëvendosur.
I pranishëm në gjyqin qesharak, ishte udhëheqësi i forcave guerrile të zonës. Kur mbarova së shpjeguari arsyen përse qëndroja në fshat dhe pasi u tregova se si i krishterë isha plotësisht asnjanës në luftën civile, udhëheqësi u tha të tjerëve: «Nëse guxon ta prekë dikush këtë djalosh, ka punë me mua.»
Më vonë, u ktheva në vendlindjen time, në Volos më i fortë në besim, sesa në shëndet fizik.
Përparim frymor
Shpejt, pas kësaj, më caktuan shërbëtor të llogarisë në kongregacionin lokal. Pavarësisht nga vështirësitë e krijuara nga lufta civile, duke përfshirë edhe arrestimet e panumërta, për shkak të akuzave të nxitura nga kleri për prozelitizëm, pjesëmarrja në shërbimin e krishterë më solli gëzim të madh si mua, ashtu edhe të tjerëve në kongregacion.
Më vonë, në fillim të vitit 1947, patëm një vizitë nga një mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo ishte e para vizitë e këtij lloji pas Luftës II Botërore. Në atë kohë, kongregacioni ynë i mbarë në Volos, ishte ndarë në dy kongregacione dhe unë isha caktuar mbikëqyrës drejtues në njërin prej tyre. Organizatat paraushtarake dhe nacionaliste, në atë kohë përhapnin panik mes njerëzve. Kleri përfitoi nga kjo gjendje dhe i ktheu autoritetet kundër Dëshmitarëve të Jehovait, duke përhapur zëra të rremë se ne ishim përkrahës të komunistëve dhe të grupeve të majta.
Arrestimet dhe burgimet
Gjatë vitit 1947, më arrestuan gati dhjetë herë dhe u gjykova nga tre trupa gjykues. Në secilin rast mora pafajësinë. Në pranverën e vitit 1948, u dënova me katër muaj burg për prozelitizëm. Dënimin e kreva në burgun e Volosit. Ndërkohë, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në kongregacionin tonë u dyfishua dhe zemrat e vëllezërve gufonin nga gëzimi dhe lumturia.
Në tetor të vitit 1948, ndërsa po bëja një mbledhje me gjashtë vëllezër të tjerë, të cilët po merrnin drejtimin në kongregacion, pesë policë shpërthyen shtëpinë dhe na arrestuan, duke na kërcënuar me pistoletë. Na morën në rajonin e policisë, pa na shpjeguar arsyen e arrestimit dhe atje na rrahën. Një polic që kishte qenë boksier, më goditi me grusht në fytyrë. Pas gjithë kësaj, na çuan në qeli.
Më vonë, oficeri që ishte në detyrë më thirri në zyrën e tij. Kur hapa derën, ai më flaku një shishe boje, e cila nuk goditi në shenjë, por u thye në mur. E bëri këtë për të më frikësuar. Më dha, kështu, një copë letër e një penë dhe më urdhëroi: «Shkruaj emrat e të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait në Volos dhe ma sill listën në mëngjes. Nëse nuk e bën, e ke të qartë se çfarë të pret.»
Nuk i ktheva përgjigje, por pasi u ktheva në qeli unë bashkë me pjesën tjetër të vëllezërve iu lutëm Jehovait. Shkrova vetëm emrin tim në letër dhe prisja që oficeri të më thërriste përsëri. Por nuk dëgjova më asgjë nga ana e oficerit. Gjatë natës, kishin ardhur forcat kundërshtare ushtarake dhe ai udhëhoqi njerëzit e tij kundër tyre. Në përleshjen që ndodhi, ai u plagos rëndë dhe iu desh të priste njërën këmbë. Më në fund, çështja jonë shkoi në gjyq dhe na akuzuan për mbajtje ilegale të mbledhjeve. Që të shtatë u dënuam me pesë vjet burg.
Duke qenë se nuk pranova të merrja pjesë në meshën e së shtunës që bëhej në burg, më futën në izolim ushtarak. Ditën e tretë, kërkova të flisja me drejtorin e burgut. «Me gjithë respektin,—i thashë,—më duket e paarsyeshme të ndëshkosh një njeri, i cili është i gatshëm të kalojë pesë vjet në burg për besimin e tij.» Ai mendoi seriozisht mbi këtë dhe më në fund tha: «Duke filluar që nesër, do të punosh pranë meje në zyrën time.»
Përfundimisht, më thanë të punoja si ndihmësmjek në burg. Si rezultat, mësova shumë mbi kujdesin shëndetësor, diçka që për mua qe shumë e dobishme për vitet e mëvonshme. Gjatë kohës që isha në burg, pata shumë mundësi për të predikuar dhe tre persona m’u përgjigjën dhe u bënë Dëshmitarë të Jehovait.
Pasi kreva gati katër vjet në burg, në vitin 1952, më në fund mora lirimin me kusht. Më vonë, duhej të paraqitesha në gjyqin e Korintit për çështjen e asnjanësisë. (Isaia 2:4) Atje më mbajtën për pak kohë në burgun ushtarak, ku filloi një raund tjetër abuzimesh. Disa oficerë ishin krejt novatorë në kërcënimet e tyre dhe thoshin: «Do të ta bëj zemrën copa-copa me kamë.» «Mos shpreso të vdesësh shpejt vetëm me gjashtë plumba!»
Një lloj tjetër prove
Megjithatë, shpejt isha në shtëpi, duke shërbyer përsëri me kongregacionin e Volosit dhe duke bërë një punë gjysmë ditore. Një ditë, mora një letër nga zyra e degës së Shoqatës Watch Tower në Athinë, e cila më ftonte që të stërvitesha për dy javë e më pas të filloja që të vizitoja kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait si mbikëqyrës qarkor. Në të njëjtën kohë, xhaxhai, i cili nuk kishte fëmijë dhe zotëronte një pronë me ndërtesa dhe me tokë, më kërkoi të administroja pronat e tij. Familja ime ishte akoma në varfëri dhe kjo punë do t’i kishte zgjidhur problemet e tyre ekonomike.
I bëra një vizitë xhaxhait për t’i shprehur mirënjohjen time për ofertën që më kishte bërë dhe i bëra të njohur se kisha vendosur të pranoja një caktim special në shërbimin e krishterë. Me të dëgjuar këtë, u çua, më hodhi një vështrim serioz dhe shpejt u largua nga dhoma. U kthye me një dhuratë bujare në të holla, që mund të mbante familjen time për disa muaj. Ai tha: «Merre këtë dhe bëje ç’të të pëlqejë.» Deri sot e kësaj dite, nuk mund t’i përshkruaj ndjenjat e atij momenti. Ishte sikur dëgjoja zërin e Jehovait që më thoshte: «Ke bërë zgjedhjen e drejtë. Jam me ty.»
Me bekimin e familjes, në dhjetor të 1953-shit, u nisa për në Athinë. Edhe pse vetëm nëna u bë Dëshmitare, anëtarët e tjerë të familjes nuk e kundërshtuan veprimtarinë time të krishtere. Kur arrita në zyrën e degës në Athinë, më priste një tjetër surprizë. Motra më kishte dërguar një telegram, me të cilin më lajmëronte se beteja dyvjeçare e babait për të siguruar një pension, atë ditë kishte përfunduar me sukses. Ç’gjë tjetër mund të doja? Ndihesha me krahë, gati për të fluturuar lart në shërbimin e Jehovait.
Duke bërë kujdes
Gjatë viteve të para në veprën qarkore, duhej të bëja shumë kujdes, sepse Dëshmitarët e Jehovait po persekutoheshin ashpër nga autoritetet fetare dhe politike. Për të vizituar vëllezërit tanë të krishterë, veçanërisht ata që jetonin nëpër qytete dhe fshatra të vegjël, ecja në këmbë orë të tëra në terrin e natës. Vëllezërit që rrezikonin të arrestoheshin, mblidheshin në një shtëpi dhe prisnin me durim mbërritjen time. Ato vizita na dhanë të gjithëve ne një shkëmbim të shkëlqyer inkurajimi.—Romakëve 1:11, 12.
Për të mos u diktuar, shpeshherë u bëra tebdil. Njëherë, u vesha si bari, me qëllim që të kaloja një postbllok e të shkoja tek një grup vëllezërish që kishin një nevojë të jashtëzakonshme për kullotje frymore. Në një rast tjetër, në vitin 1955, një Dëshmitar tjetër dhe unë u shtirëm si shitës hudhrash, për të mos ngjallur dyshimin e policisë. Ishim caktuar të lidheshim me disa vëllezër të krishterë në qytetin e vogël Argos Orestikon, të cilët ishin bërë joaktivë.
Mallrat i sistemuam në tregun publik të qytetit. Megjithatë, një polic që patrullonte zonën, filloi të dyshonte dhe sa herë që kalonte, na shikonte ngultas me kureshtje. Më në fund, më tha: «Sikur s’më dukesh shitës hudhrash.» Në atë moment, u afruan tri gra, që donin të blinin hudhra. Duke treguar me gisht prodhimin, unë thërrita: «Ky djalosh i ri polic ha si këto hudhra dhe shikoni se sa i fuqishëm dhe i pashëm është.» Gratë kthyen sytë nga polici dhe qeshën. Edhe ai buzëqeshi dhe s’u duk më.
Kur ai iku, gjeta mundësinë për të shkuar në dyqanin, ku vëllezërit tanë frymorë punonin si rrobaqepës. Njërit prej tyre i kërkova të më qepte një kopsë, të cilën e kisha shqyer vetë nga xhaketa. Ndërsa ai merrej me të, unë u përkula sipër tij dhe i pëshpërita në vesh: «Kam ardhur nga zyra e degës për t’ju parë.» Në fillim, vëllezërit u frikësuan, duke qenë se për vite të tërë i kishin humbur lidhjet me Dëshmitarët e tjerë. I inkurajova aq sa munda dhe mora masat për t’u takuar më vonë në varrezat e qytetit për të folur përsëri. Lumturisht, vizita ishte inkurajuese dhe ata u bënë sërishmi të zellshëm në shërbimin e krishterë.
Fitova një partnere plot besim
Në 1956-n, tre vjet pasi kisha filluar veprën udhëtuese, u njoha me Nikin, një vajzë e krishtere që kishte shumë dashuri për veprën e predikimit dhe dëshironte ta kalonte jetën në shërbimin e plotë kohor. U dashuruam dhe në qershor të vitit 1957 u martuam. Pyesja veten nëse Niki do të mund të plotësonte kërkesat e veprës udhëtuese nën kushtet e ashpra që mbizotëronin në atë kohë për Dëshmitarët e Jehovait në Greqi. Me ndihmën e Jehovait, ajo ia doli mbanë, duke u bërë kështu gruaja e parë që shoqëronte të shoqin në veprën qarkore në Greqi.
Vazhduam së bashku në veprën udhëtuese për dhjetë vjet, duke shërbyer në shumë kongregacione në Greqi. Shpeshherë maskoheshim dhe me valixhe në dorë, ecnim nëpër terrin e natës me orë të tëra, për të shkuar në një kongregacion. Pavarësisht nga kundërshtimi i madh që shpesh përballuam, emocionoheshim tek shihnim me sytë tanë rritjen spektakulare të numrit të Dëshmitarëve.
Shërbimi në Bethel
Në janar të vitit 1967, mua dhe Nikin na ftuan të shërbenim në Bethel, siç quhet ndryshe zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait. Ftesa qe një surprizë për të dy, por e pranuam të bindur se ishte Jehovai ai që po i drejtonte gjërat. Me kalimin e kohës, arritëm të çmonim se ç’privilegj i madh është të shërbesh në këtë qendër të aktivitetit teokratik.
Tre muaj pasi kishim filluar shërbimin në Bethel, erdhi në fuqi një juntë ushtarake dhe Dëshmitarët e Jehovait duhej ta vazhdonin veprën e tyre në fshehtësi. Filluam të mblidheshim në grupe të vogla, i mbanim asambletë nëpër pyllishta, predikonim me maturi dhe shtypnim e shpërndanim literaturë biblike fshehurazi. Nuk qe e vështirë t’u përshtateshim këtyre rrethanave, sepse thjesht rijetuam metodat e kryerjes së aktiviteteve tona siç kishim bërë gjatë viteve të kaluara. Pavarësisht nga kufizimet, numri i Dëshmitarëve u rrit nga më pak se 11.000 në vitin 1967 në më shumë se 17.000 në vitin 1974.
Pasi kemi kaluar gati 30 vjet në shërbimin në Bethel, unë dhe Niki vazhdojmë të gëzojmë bekimet tona frymore, edhe pse kemi kufizime në moshë dhe në shëndet. Për më shumë se dhjetë vjet, jetuam në banesat e degës, që gjendeshin në rrugën Kartali, në Athinë. Në 1979-n, u dedikua një degë e re në Marusi, në periferi të Athinës. Por, që nga viti 1991, kemi gëzuar ndërtesat e zgjeruara të degës në Eleona, 60 km në veri të Athinës. Këtu, unë shërbej në infermierinë e Bethelit, ku stërvitja që mora si ndihmës i mjekut të burgut, qe shumë e dobishme.
Gjatë më shumë se katër dekadave në shërbimin e plotë kohor, unë, ashtu si Jeremia, kam arritur të kuptoj vërtetësinë e premtimit të Jehovait: «‘Ata do të luftojnë kundër teje, por nuk do të të mundin, sepse unë jam me ty për të të çliruar’,— thotë Zoti.» (Jeremia 1:19) Po, Niki dhe unë kemi gëzuar një kupë plot me bekime nga Jehovai. Ne vazhdimisht gëzojmë në kujdesin e dashur e të bollshëm dhe në dashamirësinë e pamerituar të tij.
Inkurajimi im për personat e moshës së re në organizatën e Jehovait, është që të ndjekin shërbimin e plotë kohor. Në këtë mënyrë, ata mund të pranojnë ftesën e Jehovait për të provuar nëse do të tregohet i vërtetë në lidhje me premtimin e tij ‘për të hapur pragjet e qiellit dhe për të derdhur mbi ta aq shumë bekime, sa të mos kenë vend të mjaftueshëm ku ta shtien’. (Malakia 3:10) Nga vetë përvoja ime, mund t’ju siguroj të gjithë ju të rinjve se Jehovai me të vërtetë do t’i bekojë të gjithë ata që mes jush mbështeten plotësisht në të.
[Figura në faqen 26]
Lambros Zumbos dhe gruaja e tij, Niki