Çfarë të ardhmeje dëshiron për fëmijët e tu?
A I KONSIDERON fëmijët e tu si një trashëgimi me vlerë të madhe? (Psalmi 127:3) Apo rritjen e tyre e konsideron si një barrë financiare, që nuk e ka të garantuar suksesin? Në vend që të sjellë përfitim monetar, rritja e fëmijëve kërkon para, derisa ata të mund të mbajnë veten. Ashtu si për administrimin e një pasurie të trashëguar kërkohet planifikim i mirë, po kjo kërkohet edhe për të pasur sukses në rritjen e fëmijëve.
Prindërit e kujdesshëm dëshirojnë që fëmijëve të tyre t’u japin një nisje të mirë në jetë. Ndonëse në këtë botë mund të ndodhin gjëra të këqija dhe shumë të trishtueshme, prindërit mund të bëjnë shumë për të mbrojtur pasardhësit e tyre. Të marrim rastin e Vernerit dhe të Evës, të cilët u përmendën në artikullin e mëparshëm.a
Kur prindërit kujdesen me të vërtetë
Verneri tregon se prindërit e tij, në vend që t’i linin gjërat të ndiqnin rrjedhën e tyre, treguan interesim të sinqertë për atë që ndodhte në shkollë. «I çmoja shumë sugjerimet praktike që më jepnin dhe e ndieja se kujdeseshin për mua dhe më përkrahnin. Si prindër ishin mjaft të prerë, por e dija se ishin miqtë e mi të vërtetë.» Edhe kur Eva u shqetësua aq shumë për mësimet e shkollës, sa ra në depresion dhe pati probleme me gjumin, prindërit e saj, Françisko dhe Inez, kaluan, gjithashtu, kohë të konsiderueshme, duke folur me të dhe duke e ndihmuar që të rifitonte drejtpeshimin mendor dhe frymor.
Si u përpoqën Françisko dhe Inez t’i mbronin fëmijët e tyre dhe t’i përgatitnin për jetën si të rritur? E pra, që nga koha kur fëmijët ishin foshnjë, këta prindër të dashur i përfshinin gjithmonë në aktivitetet e tyre të përditshme. Në vend që të shoqëroheshin vetëm me miqtë e tyre të rritur, Inez dhe Françisko i merrnin me vete fëmijët kudo që shkonin. Si prindër të dashur, ata i dhanë djalit dhe vajzës së tyre edhe udhëheqjen e duhur. Inez thotë: «I mësuam të kujdeseshin për shtëpinë, të ishin nikoqirë dhe të kujdeseshin për rrobat e tyre. Gjithashtu, secilin prej tyre e ndihmuam të zgjidhte një profesion dhe të drejtpeshonte përgjegjësitë e veta me interesat frymore.»
Sa jetësore është të arrish të njohësh fëmijët e tu dhe të sigurosh udhëheqje prindërore! Le të shqyrtojmë tri fusha në të cilat mund ta bësh këtë: (1) Ndihmoji fëmijët e tu të zgjedhin një lloj të përshtatshëm pune në botë; (2) përgatiti të përballojnë stresin emocional në shkollë dhe në punë; (3) tregoju se si t’i plotësojnë nevojat e tyre frymore.
Ndihmoji të zgjedhin punë të përshtatshme
Të jesh prind i mirë përfshin edhe marrjen në konsideratë të interesave dhe të aftësive të secilit fëmijë, sepse puna që bën një person, jo vetëm ndikon në gjendjen e tij financiare, por i merr edhe shumë kohë. Meqenëse asnjë individ i ndërgjegjshëm nuk dëshiron t’u bëhet barrë të tjerëve, prindërit duhet të mendojnë seriozisht se si ta përgatitin fëmijën e tyre për të mbajtur veten dhe një familje. A do të ketë nevojë djali yt ose vajza jote të mësojë një zanat, që të sigurojë një nivel normal jetese? Si prind vërtet i kujdesshëm, bëj përpjekje konsekuente për ta ndihmuar fëmijën tënd të zhvillojë cilësi të tilla, si: dëshirën për të punuar me zell, gatishmërinë për të mësuar dhe aftësinë për të shkuar mirë me të tjerët.
Të marrim rastin e Nikolës. Ajo thotë: «Prindërit më futën të punoja bashkë me ta në aktivitetin e tyre të pastrimit. Ata sugjeruan që nga fitimet e mia të jepja një përqindje përkundrejt shpenzimeve të familjes dhe atë që mbetej ta mbaja për shpenzimet ose kursimet e mia. Kjo më dha një ndjenjë të lartë përgjegjësie, që më vonë doli shumë e dobishme në jetë.»
Fjala e Perëndisë, Bibla, nuk specifikon se çfarë lloj pune duhet të zgjedhë një person. Por siguron udhëzime të shëndetshme. Për shembull, apostulli Pavël tha: «Po qe se ndonjë nuk dëshiron të punojë, as të mos hajë.» Duke u shkruar të krishterëve në Selanik, ai, gjithashtu, tha: «Dëgjojmë se mes jush disa ecin në mënyrë të çrregullt, duke mos punuar aspak, por që përzihen në gjërat që nuk u takojnë. Personave të tillë u japim urdhrin dhe nxitjen në Zotërinë Jezu Krisht që duke punuar shtruar të hanë bukën që fitojnë vetë.»—2. Thesalonikasve 3:10-12, BR.
Por megjithatë, gjetja e një pune dhe fitimi i parave nuk janë gjithçka në jetë. Në fund, ata që janë tepër ambiciozë, ka të ngjarë të bëhen të pakënaqur dhe mund të zbulojnë se po ‘kërkojnë të kapin erën’. (Predikuesi 1:14) Në vend që t’i nxitin fëmijët e tyre të rendin pas famës dhe begatisë ekonomike, prindërit bëjnë mirë t’i ndihmojnë të kuptojnë mençurinë e fjalëve të frymëzuara hyjnisht të apostullit Gjon: «Mos e doni as botën, as gjërat në botë. Nëse dikush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe shfaqja për t’u dukur e mjeteve të jetesës, nuk e kanë origjinën nga Ati, por e kanë origjinën nga bota. Për më tepër, bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»—1. Gjonit 2:15-17, BR.
Si mund t’i plotësosh nevojat e tyre emocionale?
Si prind, pse të mos jesh si një trainer atletësh? Tek atletët për të cilët kujdeset, ai nuk përqendrohet vetëm te zhvillimi në ta i cilësisë fizike për të vrapuar më shpejt apo për t’u hedhur më larg. Ka të ngjarë që ai të përpiqet t’i ndihmojë për të kapërcyer çdo qëndrim negativ, duke përforcuar kështu forcën e tyre emocionale. Në rastin tënd, si mund t’i inkurajosh, ndërtosh dhe motivosh fëmijët e tu?
Të marrim rastin e Roxherios, një djalosh 13-vjeçar. Përveç gjendjes së brendshme të trazuar për shkak të ndryshimeve trupore, ai përjetoi edhe stres emocional, për shkak të mosmarrëveshjeve mes prindërve dhe mungesës së vëmendjes nga ana e tyre. Ç’mund të bëhet për të rinj si ai? Megjithëse është e pamundur t’i mbrosh fëmijët e tu nga të gjitha ankthet dhe ndikimet e këqija, mos hiq asnjëherë dorë nga roli yt si prind. Pa qenë tepër mbrojtës, disiplinoi pasardhësit e tu me kuptueshmëri, duke kujtuar gjithmonë se çdo fëmijë është i veçantë. Duke treguar dashamirësi dhe dashuri, mund të bësh shumë që një i ri të ndihet i sigurt. Kjo do të jetë edhe një pengesë që kur të rritet, të mos i mungojë siguria dhe respekti për veten.
Pavarësisht se sa të suksesshëm kanë qenë prindërit e tu në plotësimin e nevojave të tua emocionale, tri janë gjërat që mund të të ndihmojnë t’ia dalësh si një prind vërtet i dobishëm: (1) Mos ji kaq i përpirë nga vështirësitë e tua, sa të shpërfillësh problemet në dukje të vogla të fëmijëve të tu; (2) përpiqu të kesh me ta një komunikim të përditshëm, të këndshëm dhe domethënës; (3) nxit një qëndrim pozitiv mbi mënyrën se si t’i zgjidhin problemet dhe se si të veprojnë me njerëzit.
Duke kujtuar vitet e saj si adoleshente, Birgit thotë: «M’u desh të mësoja se nuk mund t’i ndryshosh njerëzit, që të jenë ashtu siç i do ti të jenë. Mamaja ime arsyetonte me mua se nëse shihja te të tjerët diçka që nuk më pëlqente, ajo që mund të bëja ishte të mos bëhesha si ata. Ajo thoshte edhe se koha më e mirë për të ndryshuar zakonet e mia, ishte sa isha ende e re.»
Por fëmijët e tu kanë nevojë për më shumë sesa një punë dhe stabilitet emocional. Pyet veten: ‘A e shoh rritjen e fëmijëve si një përgjegjësi të dhënë nga Perëndia?’ Nëse po, do të kesh dëshirë të kujdesesh për nevojat frymore të fëmijëve të tu.
Mënyra për të përmbushur nevojat e tyre frymore
Në Predikimin e tij në Mal, Jezu Krishti tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore, pasi atyre u përket mbretëria e qiejve.» (Mateu 5:3, BR) Çfarë përfshihet në përmbushjen e nevojave frymore? Fëmijët nxjerrin shumë dobi, kur prindërit japin një shembull të shkëlqyer në shfaqjen e besimit te Perëndia Jehova. Apostulli Pavël shkroi: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.» (Hebrenjve 11:6) Megjithatë, që besimi të ketë domethënie të vërtetë, nevojitet lutja. (Romakëve 12:12) Nëse pranon nevojën tënde frymore, do të kërkosh udhëheqjen hyjnore, ashtu siç e kërkoi babai i fëmijës që u bë gjykatës i njohur i Izraelit, Sansoni. (Gjyqtarët 13:8) Jo vetëm që do të lutesh, por edhe do t’i drejtohesh për ndihmë Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, Biblës.—2. Timoteut 3:16, 17.b
Pavarësisht nga gjithë puna e madhe për sigurimin e udhëheqjes së shëndoshë, përkrahjes emocionale dhe ndihmës frymore, të jesh prind mund të jetë shpërblyese. Një baba me dy fëmijë në Brazil, thotë: «As që e imagjinoj dot të mos kem fëmijët e mi. Ka kaq shumë gjëra të mira që mund të ndajmë me ta.» Duke shpjeguar se përse fëmijët po veprojnë mirë, mamaja shton: «Jemi gjithmonë bashkë dhe përpiqemi t’i bëjmë gjërat me gëzim dhe lumturi. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, lutemi gjithmonë për fëmijët.»
Prishila sjell ndër mend dashurinë dhe durimin që shfaqnin ndaj saj prindërit, sa herë që kishte ndonjë problem. «Ata ishin miqtë e mi të vërtetë dhe më ndihmonin për çdo gjë,—thotë ajo.—Si fëmijë, e ndieja me të vërtetë se trajtohesha si ‘një trashëgimi nga Jehovai’.» (Psalmi 127:3, BR) Ashtu si shumë prindër të tjerë, pse të mos e programosh kohën me fëmijët e tu, që të lexoni së bashku Biblën dhe botimet e krishtere? Shqyrtimi i tregimeve dhe i parimeve biblike në një atmosferë pozitive, mund t’i ndihmojë fëmijët e tu të ndihen të sigurt dhe të kenë një shpresë të vërtetë për të ardhmen.
Kur të gjithë fëmijët do të jenë të sigurt
Megjithëse sot për shumë fëmijë e ardhmja duket e zymtë, Fjala e Perëndisë garanton se së shpejti toka do të bëhet një shtëpi e sigurt për njerëzimin. Imagjino kohën në botën e re të premtuar të Perëndisë, kur prindërve nuk do t’u duhet të shqetësohen për sigurinë e fëmijëve të tyre! (2. Pjetrit 3:13) Përpiqu ta përfytyrosh përmbushjen e madhe të kësaj profecie: «Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.» (Isaia 11:6) Edhe sot, siguria frymore e përshkruar me këto fjalë ka një përmbushje të figurshme mes atyre që i shërbejnë Jehovait. Mes tyre, do të ndjesh kujdesin e dashur të Perëndisë. Nëse shfaq dashuri për Perëndinë, mund të jesh i sigurt se ai i kupton ndjenjat e tua si prind dhe do të të ndihmojë t’i përballosh ankthet dhe sprovat që mund të të dalin përpara. Studio Fjalën e tij dhe vendose shpresën tënde te Mbretëria e tij.
Ndihmoji fëmijët e tu në rrugën drejt jetës së përhershme, duke dhënë një shembull të shkëlqyer. Nëse gjen strehë te Perëndia Jehova, e ardhmja jote dhe ajo e fëmijëve të tu do ta tejkalojë atë që pret. Mund të kesh të njëjtën siguri që pati psalmisti, i cili këndoi: «Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.»—Psalmi 37:4.
[Shënimet]
a Në këtë artikull janë përdorur emra zëvendësues.
b Shiko kapitujt 5 deri në 7 të librit Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.