Si mund t’i mbrosh fëmijët e tu?
PASI ndoqi për disa vjet një shkollë në lagjen e tij, Verneria filloi shkollën e mesme bashkë me rreth 3.000 të rinj të tjerë në San Paolo të Brazilit. Për herë të parë, ai pa nxënës që shitnin dhe përdornin droga. Duke qenë me shtat të vogël, shpejt ra viktimë e riteve degraduese dhe të rrezikshme të pranimit në shoqëri nga nxënësit më të mëdhenj.
Edhe motra e Vernerit, Eva, kishte probleme. Duke dashur të jepte më të mirën e saj, ajo studionte kaq intensivisht, sa kaloi në stërlodhje dhe turbullim mendor. Ashtu si adoleshentët e tjerë, Verneri dhe Eva kishin nevojë si për mbrojtjen fizike, ashtu edhe për atë emocionale. Për çfarë lloj ndihme kanë nevojë fëmijët e tu? Si mund t’i përgatitësh për jetën si të rritur? Në fakt, çfarë të ardhmeje dëshiron për fëmijët e tu?
Ata kanë nevojë për më shumë sesa mbështetje ekonomike
Mendo për një çast rreth sfidës që hasin prindërit për të mbrojtur sot fëmijët e tyre. Për shkak të rënies së cilësisë së jetës familjare dhe shtimit të varfërisë, në shumë vende numri i fëmijëve që jetojnë rrugëve po rritet. Puna e fëmijëve është rezultat i dështimit për të mbrojtur të vegjlit nga shfrytëzimi. Edhe abuzimi me drogën shkatërron shumë të rinj. Për shembull, kur një adoleshent brazilian u dha pas drogës, nga shtëpia e tij u zhduk paqja. Përveç tensionit emocional të përjetuar nga prindërit e tij, ishte edhe beteja për të financuar shërimin e tij dhe shpërndarësit e pamëshirshëm të narkotikëve, që u shkonin në derë dhe u kërkonin paratë.
Megjithatë, pavarësisht nga presionet e jetës, shumë prindër e vazhdojnë betejën për t’u siguruar fëmijëve të tyre jo vetëm ushqim, veshje dhe strehë, por edhe mbrojtje nga dhuna, abuzimi me drogën dhe problemet e tjera. Kjo është një përpjekje fisnike, por a mjafton? Ç’të themi për mbrojtjen nga dëmet emocionale dhe frymore? Shumë e kuptojnë se suksesi si prind përfshin edhe përballimin e sfidave që kanë të bëjnë me zgjedhjen e miqve dhe të zbavitjes nga ana e fëmijëve të tyre. Por, si mund ta shmangin prindërit të qenët tepër mbrojtës ose tepër tolerues? Të ftojmë të shqyrtosh përgjigjet që gjenden në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Në këtë artikull, janë përdorur emra zëvendësues.