BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 shkurt f. 26-29
  • Fëmijët janë «trashëgimi nga Jehovai»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Fëmijët janë «trashëgimi nga Jehovai»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SFIDAT
  • ÇFARË PRET JEHOVAI NGA PRINDËRIT?
  • JEHOVAI DO QË TË KENI SUKSES
  • Prindër—Stërvitini fëmijët të duan Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Prindër, ndihmojini fëmijët ta duan Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Prindër, sigurojini gjërat e nevojshme familjes suaj!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 shkurt f. 26-29
Një baba dhe një nënë duke përqafuar të lumtur vajzën e tyre të vogël.

Fëmijët janë «trashëgimi nga Jehovai»

ÇFARË të vjen ndër mend kur dëgjon fjalën «trashëgimi»? Mbase mendon për paratë, për një pronë ose për diçka të vyer që e ke trashëguar nga një pjesëtar i dashur i familjes. Çfarëdo që të jetë, një trashëgimi ngelet e çmuar, dhe patjetër që dëshiron të kujdesesh mirë për të.

Bibla i quan fëmijët «trashëgimi nga Jehovai». (Psal. 127:3) Sigurisht, prindërit që adhurojnë Jehovain i shohin fëmijët si një dhuratë e çmuar nga Ati i tyre qiellor. Ata bëjnë çmos t’i mbrojnë, t’u plotësojnë nevojat fizike dhe emocionale, si edhe t’i ndihmojnë të bëhen miq me Jehovain.

Por mjerisht, disa prindër sot nuk i shohin fëmijët si dhuratë nga Perëndia. (Isa. 49:15; 2 Tim. 3:1-3) Të tjerë duan me shpirt të kujdesen për fëmijët, por e kanë të vështirë për shkak të sfidave të ndryshme. Cilat janë disa sfida që hasin prindërit teksa kujdesen për fëmijët? Çfarë pret Jehovai nga prindërit? Si mund të kenë sukses prindërit Dëshmitarë në rritjen e fëmijëve?

SFIDAT

  • Presioni nga familja dhe komuniteti. Në disa pjesë të botës, prindërit që kanë më shumë fëmijë, respektohen më tepër nga të tjerët. Ja pse çiftet mund të kenë presion nga familja ose nga fqinjët që të bëjnë shumë fëmijë—mbase më tepër nga sa mund të kujdesen.

  • Meraku për të ardhmen. Në vende ku shkalla e vdekshmërisë së foshnjave është e lartë, për shkak të kequshqyerjes, sëmundjeve dhe shërbimeve shëndetësore të kufizuara, disa çifte bëjnë shumë fëmijë me shpresën që disa të arrijnë moshën e rritur. Çifte të tjera mund të zgjedhin të kenë shumë fëmijë, që të mos mbeten pa mbështetje në moshë të shkuar. Kjo ndodh sidomos në vende ku qeveria nuk ofron ndihmë për të moshuarit.

  • Planifikimi familjar. Në vende të tjera, disa çifte nuk kanë shumë opsione për parandalimin e shtatzënive. Të tjerë u druhen efekteve anësore të kontraceptivëve jocilësorë që kanë në dispozicion. Ndërsa të tjerë nuk mund të përdorin metoda për parandalimin e shtatzënive, për shkak të kostos së lartë.a

ÇFARË PRET JEHOVAI NGA PRINDËRIT?

Një familje kënaqet duke kaluar kohë së bashku në park. Babai e dëgjon me vëmendje vajzën adoleshente që po i tregon diçka, ndërsa mamaja luan me top me djalin e vogël.

Kaloni kohë me secilin nga fëmijët

Plotësojuni fëmijëve nevojat materiale. Jehovai ua ka besuar prindërve përgjegjësinë që t’u sigurojnë gjërat materiale fëmijëve të mitur. Ai pret nga prindërit që të jenë të gatshëm të punojnë pa u lodhur për të siguruar ushqim, veshje dhe strehim për secilin nga fëmijët. Veç kësaj, Jehovai kërkon që t’i edukojnë fëmijët e tyre. Ndaj në vend se t’i dërgojnë fëmijët në shkollë me konvikt, prindërit Dëshmitarë sigurohen që të jetojnë me ta, në mënyrë që t’u japin arsimimin e nevojshëm dhe të kalojnë kohë me secilin prej tyre. Kështu, ata do të rriten në një ambient plot dashuri dhe do të ndihen të mbrojtur e të sigurt. Gjithsesi, Jehovai është i arsyeshëm; ai nuk pret që prindërit të jenë të pasur. Në fakt, prindërit që zgjodhi për të rritur Birin e tij të dashur, ishin të varfër, por mjaft punëtorë.—Mat. 13:55, 56; Luka 2:24.

Parimi nga Bibla: «Sigurisht, nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e familjes së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.»—1 Tim. 5:8.

Jehovai e kupton se prindërit mund të kenë nevojë për ndihmë praktike ndërsa vitet kalojnë. Në fakt, një mënyrë se si fëmijët mund t’i nderojnë prindërit, është duke u kujdesur për ta në moshë të thyer. (Eks. 20:12; 1 Tim. 5:4) Megjithatë, Jehovai kënaqet kur prindërit mendojnë kryesisht si do të kujdesen ata për fëmijët, në vend se si mund të kujdesen fëmijët për ta.—2 Kor. 12:14.

Plotësojuni fëmijëve nevojën për të njohur Jehovain. Prindërit Dëshmitarë kanë edhe përgjegjësinë që t’i stërvitin fëmijët ta duan dhe ta adhurojnë Jehovain. Perëndia e konsideron këtë lloj stërvitjeje një pjesë thelbësore të rritjes së fëmijëve.—Ligj. 6:6, 7.

Parimi nga Bibla: «Vazhdoni t’i rritni [fëmijët] me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait.»—Efes. 6:4.

JEHOVAI DO QË TË KENI SUKSES

Një çift po bisedon në shtëpinë e tyre. Mbi tavolinë është një Bibël e hapur.

Bisedoni që më parë sa fëmijë dëshironi të keni

Planifikoni për të ardhmen. Nëse po mendoni të keni fëmijë, shqyrtojini me kujdes rrethanat tuaja. Për shembull, a do të jeni në gjendje të siguroni ushqim, veshje dhe arsimim për shumë fëmijë? Nëse jo, bisedoni si çift sa fëmijë planifikoni të keni. Kur merrni këtë vendim, mbani ndër mend se duhet të kujdeseni për secilin nga fëmijët ashtu siç pret Jehovai. Patjetër, Perëndia e kupton se gjërat në jetë nuk shkojnë gjithmonë siç i planifikojmë. (Ekl. 9:11) Prapëseprapë, ai ka për t’i bekuar përpjekjet tuaja me gjithë zemër për të qenë prindër të suksesshëm.

Parime nga Bibla: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses, por kush është i nxituar, me siguri turret drejt skamjes.»—Prov. 21:5.

«Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar?»—Luka 14:28.

Vendoseni Jehovain në vend të parë. Bëni çmos që adhurimi i Jehovait të jetë gjëja më e rëndësishme për familjen tuaj. Nëse keni fëmijë, përpiquni fort t’i ushqeni secilit dashurinë për Jehovain. Ndihmojini të jenë të vëmendshëm dhe të mësojnë në mbledhjet e kongregacionit. Programoni kohë çdo javë për adhurimin familjar. Mësojini fëmijët si të predikojnë. Mos ia lini përgjegjësitë prindërore fëmijëve më të mëdhenj ose të afërmve. Të rritësh fëmijë që e duan Jehovain kërkon kohë dhe përpjekje, ama bekimet janë ku e ku më të mëdha.

Parimi nga Bibla: «Më bëhet zemra mal kur dëgjoj që fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»—3 Gjon. 4.b

Kini besim te Jehovai. Pavarësisht nëse po mendoni të bëheni prindër ose nëse tashmë keni fëmijë, jini të sigurt se standardet e Jehovait janë më të rëndësishme se zakonet apo kultura e vendit.

Kolazh: 1. Prindërit janë ulur bashkë me djalin e tyre në mbledhje. Djali ngre dorën për të komentuar. 2. Një familje ka dalë bashkë në shërbim. Babai ka dalë me vajzën, ndërsa mamaja me dy fëmijët e vegjël.

T’i mësosh fëmijët të adhurojnë Jehovain e t’i kënaqin zemrën, kërkon kohë dhe përpjekje

Nëse vendosni të mos keni shumë fëmijë, kini besim se Jehovai nuk do t’ju lërë pa mbështetje kur të jeni në moshë të shkuar. Rezistojini presionit për t’i parë fëmijët si «plan pensioni». S’ka pse të shqetësoheni se një ditë do të mbeteni njeri pa njeri. Jehovai ka premtuar se do të kujdeset për ju dhe ai nuk del kurrë nga fjala.—Jos. 23:14.

Parime nga Bibla: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në aftësinë tënde për të kuptuar. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai do t’i drejtojë shtigjet e tua.»—Prov. 3:5, 6.

«Dikur isha i ri e tani jam plakur, por kurrë s’kam parë ndonjë të drejtë të braktisur e as fëmijët e tij të zgjatin dorën për bukë.»—Psal. 37:25.

«Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»—Mat. 6:33.

Fëmijët janë dhurata të vyera që Jehovai ua ka besuar prindërve. Perëndisë i bëhet zemra mal kur çiftet nuk e shpërdorojnë besimin e tij. Ata plotësojnë nevojat fizike dhe emocionale të fëmijëve, mbjellin në zemrat e tyre dashurinë për Jehovain, planifikojnë me kujdes sa fëmijë do të kenë, si edhe vendosin plot besnikëri kërkesat e Jehovait para zakoneve ose kulturës së vendit. Kështu tregojnë se i shohin fëmijët si një dhuratë e shtrenjtë—«trashëgimi nga Jehovai».

Aspak pishman!

Një baba drejton adhurimin familjar me gruan dhe dy fëmijët e vegjël.

A kanë më tepër vështirësi prindërit që zgjedhin të kenë një familje të vogël? Kjo pyetje mundon shumë prindër që jetojnë në vende ku problemet ekonomike janë të zakonshme. Vër re si shprehen për këtë temë disa kryefamiljarë që jetojnë në disa prej këtyre vendeve.

A të kanë bërë presion që të kesh një familje të madhe?

«Po, madje edhe disa vëllezër e motra në kongregacion. Një çift na tha: ‘Pse keni bërë vetëm një djalë? Këtu në Afrikë, të kesh vetëm një djalë, është sikur të mos kesh fare. Po pate dy, zëre se ke vetëm një.’ Edhe kur na lindi vajza, presioni nuk u ndal.»—Zheremia

A ju ka sjellë vështirësi vendimi për të mos pasur shumë fëmijë?

«Jo, përkundrazi. Meqë vendosëm të kishim një familje të vogël, unë dhe gruaja e patëm më kollaj të plotësonim nevojat materiale dhe, mbi të gjitha, të ruanim një miqësi të fortë me Jehovain. Unë jam rritur në një familje me shumë fëmijë dhe e kam parë vetë çfarë hiqnin prindërit që të na siguronin arsimimin e duhur dhe gjërat e tjera të nevojshme.»—Zheremia

Si ndihen fëmijët për vendimin tuaj?

«Fëmijët janë të lumtur, sepse nuk u është dashur të kalojnë të njëjtat peripeci si fëmijët e tjerë që jetojnë në një familje të madhe, ku prindërit mezi kujdesen për ta.»—Filipi

«Fëmijët ishin të kënaqur ndërsa rriteshin në një ambient të sigurt e të ngrohtë familjar. Ftonim gjithmonë motra e vëllezër të pjekur, të cilët na nxitnin të vendosnim synime në shërbim të Jehovait. Sot e shohim te fëmijët tanë se ia ka vlejtur çdo përpjekje.»—Karlosi

A keni nxjerrë dobi nga vendimi për të mos pasur shumë fëmijë?

«Ngaqë morëm këtë vendim, arritëm të kujdeseshim më mirë për nevojat materiale të familjes. Tre vjet më parë humba një punë me rrogë të mirë. Gjithsesi nuk e vuajtëm shumë këtë ndryshim rrethanash, meqë ishim familje e vogël dhe mund t’ia dilnim me pak të ardhura.»—Zheremia

«Falë vendimit që morëm, e patëm më të thjeshtë t’u siguronim fëmijëve gjërat materiale dhe t’i ndihmonim të lidhnin miqësi me Jehovain. Kemi shërbyer në zona ku kishte nevojë për më tepër lajmëtarë. E patëm më kollaj t’i kushtonim kohë secilit prej fëmijëve dhe të kujdeseshim për ta. Sot fëmijët tanë i shërbejnë Jehovait dhe përpiqen vazhdimisht të arrijnë synime teokratike.»—Lenadi

Çfarë do t’u thoshe prindërve të tjerë?

«Kam provuar sa i vërtetë është Psalmi 34:10b, që thotë: ‘Atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.’ Jehovai s’na ka lënë asgjë mangët mua dhe familjes sime.»—Rafaeli

a I takon çiftit të vendosë sa fëmijë do të bëjnë, kur është koha më e mirë, si edhe nëse do të përdorin ndonjë formë joabortuese për parandalimin e shtatzënive. Askush nuk duhet t’i gjykojë për zgjedhjet personale. (Rom. 14:4, 10-13) Për më tepër, kur një çift merr këto vendime, duhet të mbajë ndër mend këshillën te 1 Korintasve 7:3-5.

b Edhe pse në këtë varg Gjoni e përdori fjalën «fëmijë» për dishepujt e krishterë, një prind mund të provojë të njëjtat ndjenja për fëmijët e vet që i shërbejnë Jehovait.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo