Çfarë është Talmudi?
«Talmudi është pa dyshim një prej prodhimeve letrare më të rralla të të gjitha kohërave.»—Enciklopedia universale judaike.
«[Talmudi është] një prej arritjeve të mëdha intelektuale të njerëzimit, një dokument kaq i ngjeshur, kaq i pasur, me një gjuhë kaq të hollë, saqë i ka mbajtur të zëna kokat e mëdha për më shumë se një mijë vjet e gjysmë.»—Jakob Noisner, dijetar dhe autor jude.
«Talmudi është shtylla qendrore [e judaizmit], që mban të gjithë ndërtesën frymore dhe intelektuale të jetës judaike.»—Adin Stinsalts, dijetar dhe rabi talmudist.
PËR shekuj të tërë, Talmudi ka pasur pa dyshim një ndikim tepër të madh mbi popullin jude. Por, në kontrast me shprehjet lavdëruese të lartpërmendura, Talmudi është denigruar dhe është quajtur «një det errësire dhe balte». Ai është denoncuar si një vepër blasfemuese e Djallit. Me dekret të papës, herë pas here ai është censuruar, konfiskuar dhe madje djegur në sheshet publike të Evropës.
Po çfarë është saktësisht kjo vepër, që ka ndezur kaq shumë kundërshtime? Ç’gjë e bën Talmudin të jetë unik mes shkrimeve judaike? Pse u shkrua? Si arriti të ketë një ndikim të tillë në judaizëm? A ka ndonjë domethënie për botën jo-judaike?
Gjatë 150 vjetëve që pasuan shkatërrimin e tempullit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., akademitë e të urtëve rabinikë nëpër gjithë Izraelin, kërkuan me urgjencë një bazë të re për ruajtjen e praktikave judaike. Ata debatuan dhe përmblodhën tradita të ndryshme të ligjit të tyre gojor. Duke ndërtuar mbi këtë themel, ata vendosën kufij dhe kërkesa të reja për judaizmin, të cilat ishin udhëheqëse për një jetë të përditshme të shenjtë, pa pasur një tempull. Kjo strukturë e re frymore u paraqit në Mishnën e përpiluar nga Juda he-Nesi në fillimin e shekullit të 3-të të e.s.a
Mishna qëndroi e pavarur, duke mos kërkuar justifikime mbi bazën e referimeve biblike. Metoda e saj e trajtimit e madje edhe stili i hebraishtes së saj janë unike, ndryshe nga teksti i Biblës. Vendimet e rabinëve të cituara në Mishnën ndikuan në jetën e përditshme të judenjve, kudo që ndodheshin ata. Në të vërtetë, Jakob Noisner komenton: «Mishna siguroi kushtetutën e Izraelit. . . . Ajo kërkoi miratim dhe respektim të rregullave të saj.»
Po sikur disa ta vinin në dyshim faktin se autoriteti i të urtëve të cituar në Mishnë ishte me të vërtetë i njëjtë me atë të Shkrimit të zbuluar? Rabinët duhej të tregonin se mësimet e Tanaimit (mësuesit e ligjit gojor) që gjendeshin në Mishna, ishin në harmoni të përsosur me Shkrimet Hebraike. Sqarimi i mëtejshëm u bë një domosdoshmëri. Ata ndjenë nevojën për të shpjeguar dhe justifikuar Mishnën, si dhe për të provuar se e kishte origjinën nga Ligji që iu dha Moisiut në malin Sinai. Rabinët u ndjenë të shtrënguar të provonin se ligji gojor dhe ai i shkruar kanë të njëjtën frymë dhe qëllim. Pra, në vend se të ishte fjala e fundit në judaizëm, Mishna u bë një themel i ri për diskutimet dhe debatet fetare.
Procesi i bërjes së Talmudit
Rabinët që ndërmorën këtë sfidë të re njiheshin si Amoraimët, «interpretuesit» ose «shpjeguesit» e Mishnës. Çdo akademi kishte si figurë qendrore një rabin të shquar. Një rreth i vogël dijetarësh dhe studentësh bënin diskutime gjatë gjithë vitit. Por sesionet më të rëndësishme mbaheshin dy herë në vit, gjatë muajit të adarit dhe të elulit, kur binte puna bujqësore dhe mund të merrnin pjesë qindra ose edhe mijëra vetë.
Adin Stinsals shpjegon: «Kryetari i akademisë kryesonte i ulur në një karrige ose në rrogozë specialë. Në rreshtat përballë tij uleshin dijetarët e rëndësishëm, përfshirë edhe kolegët ose nxënësit e tij të shkëlqyer dhe pas tyre vinin të gjithë dijetarët e tjerë. Zënia e vendeve bazohej në një hierarki të përcakuar saktësisht [sipas rëndësisë].» Citohej me zë të lartë një fragment i Mishnës. Pastaj ky fragment krahasohej me një material paralel ose shtesë të grumbulluar nga Tanaimët, por që nuk përfshihej në Mishnën. Fillonte procesi i analizës. Drejtoheshin pyetje dhe analizoheshin kontraditat, për të gjetur harmoninë e brendshme mes mësimeve. Kërkoheshin shkrime vërtetuese nga Shkrimet Hebraike, për të mbështetur mësimet rabinike.
Ndonëse të strukturuara me kujdes, këto diskutime ishin intensive dhe herë pas here të rrëmujshme. Një i urtë i cituar në Talmud foli për «shkëndija zjarri» që gjatë një debati kërcenin nga njëra gojë e rabinëve te tjetra. (Hullin 137b, Talmudi babilonas) Stinsals thotë këtë për procedurat: «Kryetari i akademisë, apo i urti që mbante fjalimin, jepte interpretimin e tij për problemet. Dijetarët në auditor e bombardonin shpesh me pyetje të bazuara në burime të tjera, në pikëpamjet e komentuesve të tjerë ose në përfundimet logjike të atyre vetë. Hera-herës debati ishte shumë i shkurtër dhe i kufizuar në një përgjigje të padyshimtë dhe përmbyllëse për një pyetje specifike. Në raste të tjera, dijetarë të tjerë ofronin zgjidhje alternative dhe pasonte një debat i madh.» Të gjithë të pranishmit ishin të lirë të merrnin pjesë. Çështjet e sqaruara gjatë sesioneve u transmetoheshin akademive të tjera, për t’u rishikuar nga dijetarë të tjerë.
Megjithatë, sesionet nuk ishin vetëm debate të pafundme ligjore. Çështjet ligjore që kanë të bëjnë me rregullat dhe rregullimet e jetës fetare judaike quhen Halakah. Ky term vjen nga rrënja hebraike «të shkosh» dhe tregon ‘mënyrën e jetës që duhet të ndjekë një person’. Të gjitha çështjet e tjera: tregimet për rabinët dhe personazhet biblikë, fjalët e urta, konceptet e besimit dhe të filozofisë, quhen Hagadah, nga rrënja hebraike «të tregosh». Gjatë debatit rabinik, ndërfuteshin edhe Halakah dhe Hagadah.
Në librin e tij Bota e Talmudit, Morris Alder komenton: «Një mësues i mençur ndërpriste një argument ligjor të gjatë dhe të vështirë, duke u larguar nga tema me anë të një argumenti me natyrë më pak të mundimshme dhe më ndërtuese. . . . Kështu, ne gjejmë legjendën dhe historinë, shkencën dhe folklorin bashkëkohor, kritikën dhe biografinë biblike, fjalimin fetar dhe teologjinë, të gjitha të ndërthurura bashkë, duke formuar diçka që një personi, i cili s’e njeh fare funksionimin e akademive, do t’i dukej një përzierje e çuditshme të dhënash të pasistemuara.» Për dijetarët e akademive, të gjitha këto largime nga tema bëheshin me një qëllim dhe lidheshin me pikën që po diskutohej. Halakah dhe Hagadah ishin blloqet ndërtuese të një strukture të re në ndërtim e sipër, në akademitë rabinike.
Elementët përbërës të dy Talmudëve
Së fundi, qendra kryesore rabinike në Palestinë u transferua në Tiberi. Akademi të tjera të rëndësishme ndodheshin në Sefor, Cezare dhe Lida. Por situata ekonomike në keqësim, paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike dhe së fundi presioni dhe persekutimi nga krishterimi apostat, çoi në imigrimin në masë të madhe drejt një qendre tjetër të madhe të popullsisë judaike në Lindje: Babilonisë.
Për shekuj të tërë, studentët kishin shkuar në masë nga Babilonia në Palestinë, për të studiuar nën drejtimin e rabinëve të akademive. Një student i tillë ishte Aba ben Ibo, i quajtur edhe Aba Arika, Aba shtatlartë, por që më vonë njihej thjesht si Rab. Ai u kthye në Babiloni rreth vitit 219 të e.s., pasi kishte studiuar nën drejtimin e Juda ha-Nesit dhe kjo shënoi një pikë kthese për rëndësinë frymore të komunitetit judaik babilonas. Rabi ngriti një akademi në Sura, një zonë me shumë judenj, por me pak dijetarë. Reputacioni i tij tërhoqi në këtë akademi 1.200 studentë të rregullt dhe mijëra të pranishëm më shumë, gjatë muajve judaikë të adarit dhe të elulit. Bashkëkohësi i shquar i Rabit, Samueli, ngriti një akademi në Neharde. Akademi të tjera të rëndësishme u hapën në Pumbedita dhe në Mehoza.
Tani nuk ishte e nevojshme të udhëtoje për në Palestinë, sepse një person mund të studionte nën drejtimin e dijetarëve të mëdhenj në Babiloni. Formulimi i Mishnës si tekst më vete shtroi udhën për pavarësinë e plotë të akademive babilonase. Megjithëse në Palestinë dhe në Babiloni u zhvilluan tani stile dhe metoda të ndryshme studimi, komunikimi i shpeshtë dhe shkëmbimi i mësuesve ruajti unitetin e akademive.
Nga fundi i shekullit të 4-t dhe fillimi i shekullit të 5-të të e.s., situata u bë e vështirë sidomos për judenjtë në Palestinë. Valët e kufizimeve dhe të persekutimit nën autoritetin që po forcohej të të ashtuquajturit krishterim apostat, nga viti 425 i e.s. çuan në goditjen përfundimtare të asgjësimit si të Sinedrit, ashtu dhe të pozitës së Nesit (patriark). Kështu, Amoraimët palestinezë filluan të mbledhin në një vepër koherente të vetme përmbledhjet e debateve të zhvilluara nëpër akademi, për të siguruar ruajtjen e tyre. Kjo vepër, e hartuar nxitimthi në pjesën e fundit të shekullit të katërt të e.s., u bë e njohur si Talmudi palestinez.b
Ndërkohë që akademitë në Palestinë ishin në rënie, Amoraimët babilonas po arrinin kulmin e aftësive të veta. Abaja dhe Raba e çuan nivelin e debatit në një argumentim të ndërlikuar dhe të stërholluar, që më vonë u bë modeli i analizës talmudike. Më pas, Ashi, kryetari i akademisë së Suras (371-427 i e.s.), filloi të përpilonte dhe të redaktonte procesverbalet e debateve. Sipas Stinsals, ai e bëri këtë «nga frika se, duke qenë e pasistemuar, sasia më e madhe e materialeve gojore rrezikonte të lihej në harresë».
Kjo masë e madhe materiali ishte më shumë se ajo që mund të sistemojë një njeri ose qoftë edhe një brez. Periudha e Amoraimit përfundoi në Babiloni në shekullin e 5-të të e.s., por puna për redaktimin përfundimtar të Talmudit babilonas vazhdoi deri përgjatë shekullit të 6-të të e.s. nga një grup i quajtur Saboraim, një term aramaik që do të thotë «shpjeguesit» ose «mbajtësit e opinioneve». Këta redaktorë përfundimtarë mblodhën së bashku mijëra punët e papërfunduara dhe shekujt e debateve rabinike, duke i dhënë Talmudit babilonas një stil dhe strukturë që e dallonte nga të gjitha shkrimet e mëparshme judaike.
Çfarë kreu Talmudi?
Rabinët e Talmudit u përpoqën të provonin se Mishna ishte prej të njëjtit burim që janë edhe Shkrimet Hebraike. Po pse? Jakob Noisner komenton: «Çështja e deklaruar ishte pozita në të cilën ndodhej Mishna. Por thelbi i çështjes doli se kishte qenë autoriteti i vetë të urtit.» Për të përforcuar këtë autoritet, çdo rresht i Mishnës, disa herë çdo fjalë, shqyrtohej, vihej në dyshim, shpjegohej dhe harmonizohej në ndonjë mënyrë. Noisner vëren se në këtë mënyrë, rabinët «e kaluan orbitën e Mishnës nga një trajektore në një tjetër». Ndonëse e krijuar si një vepër e plotë në vetvete, tani Mishna ishte studiuar me rrënjë e me degë. Gjatë këtij procesi, ajo u rikrijua dhe u riformulua.
Kjo vepër e re, Talmudi, i shërbeu qëllimit të rabinëve. Ata vendosën rregullat e analizës dhe prandaj ai i mësoi njerëzit të mendonin si rabinët. Rabinët mendonin se metoda e tyre e studimit dhe e analizës pasqyronte mendjen e Perëndisë. Vetë studimi talmudik u bë objektivi, një formë adhurimi: përdorimi i mendjes në një mënyrë që supozohej se ishte në imitim të Perëndisë. Për brezat që do të vijnë, vetë Talmudi do të analizohet me po këtë metodë. Rezultati? Historiani Sesil Roth shkruan: «Talmudi . . . u dha [judenjve] vulën karakteristike që i dallon nga të tjerët, si dhe fuqinë e tyre të jashtëzakonshme të rezistencës dhe të kohezionit. Dialektika e tij mprehu inteligjencën e tyre dhe u dha . . . mendjemprehtësi. . . . Talmudi i dha judeut të persekutuar të Mesjetës një botë tjetër ku mund të ikte për të shpëtuar . . . I dha atij një atdhe, që mund ta merrte me vete kur të humbiste vendin e vet.»
Duke u mësuar të tjerëve mënyrën e të menduarit të rabinëve, sigurisht që Talmudi ka pasur fuqi. Por pyetja për të gjithë, judenj dhe jo-judenj, është kjo: A pasqyron Talmudi me të vërtetë mendjen e Perëndisë?—1. Korintasve 2:11-16.
[Shënimet]
a Për më shumë informacion mbi zhvillimin dhe përmbajtjen e Mishnës, shiko artikullin «Mishna dhe Ligji i Perëndisë i dhënë Moisiut», në Kullën e Rojës, 15 nëntor 1997.
b Talmudi palestinez njihet gjerësisht si Talmudi i Jerusalemit. Megjithatë, ky term është një emër i gabuar, sepse gjatë pjesës më të madhe të periudhës amoraike judenjve nuk u lejohej të hynin në Jerusalem.
[Kutia në faqen 31]
Dy Talmudët: Ku ndryshojnë?
Fjala hebraike «Talmud» do të thotë «studim» ose «mësim». Amoraimët e Palestinës dhe të Babilonisë u përpoqën të studionin ose të analizonin Mishnën. Të dy Talmudët (palestinez dhe babilonas) e bëjnë këtë, por ku ndryshojnë? Jakob Noisner shkruan: «Talmudi i parë analizon dëshmitë, i dyti shqyrton premisat; i pari qëndron krejtësisht brenda kufijve të objektit të tij, i dyti i kalon tej mase shumë ato.»
Redaktimi më intensiv dhe i plotë që iu bë Talmudit babilonas, e bëri atë jo vetëm shumë më të madh, por edhe më të thellë dhe më depërtues për sa i përket mënyrës së tij të të menduarit dhe të analizës. Kur përmendet fjala «Talmud», ai që nënkuptohet zakonisht është Talmudi babilonas. Ky është Talmudi që është studiuar dhe komentuar më së shumti gjatë shekujve. Sipas mendimit të Noisnerit, Talmudi palestinez «është një vepër kompetente», ndërsa Talmudi babilonas «është një vepër gjeniale».