Ligji gojor: Pse u hodh me shkrim?
PËRSE shumë judenj të shekullit të parë nuk e pranuan Jezuin si Mesinë? Një dëshmitar okular raporton: «Pasi [Jezui] hyri në tempull, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa ishte duke mësuar dhe i thanë: ‘Me çfarë autoriteti i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë ty këtë autoritet?’» (Mateu 21:23, BR) Në sytë e tyre, i Plotfuqishmi i kishte dhënë kombit judaik Torën (Ligjin) dhe ky ligj u jepte disa burrave autoritetin e dhënë nga Perëndia. A e kishte Jezui këtë autoritet?
Jezui tregoi respektin më të madh për Torën dhe për ata, të cilëve ky ligj u jepte vërtet autoritet. (Mateu 5:17-20; Luka 5:14; 17:14) Por, shpeshherë ai denoncoi ata që i shkelnin urdhërimet e Perëndisë. (Mateu 15:3-9; 23:2-28) Këta burra ndiqnin tradita që u bënë të njohura si ligji gojor. Jezui e hodhi poshtë autoritetin e këtij ligji. Nga ana tjetër, shumë e hodhën poshtë atë si Mesinë. Ata besonin se vetëm një person që përkrahte traditat e njerëzve me autoritet mes tyre mund të kishte mbështetjen e Perëndisë.
Nga e kishte origjinën ky ligj gojor? Si arritën judenjtë ta konsideronin atë me një autoritet të njëjtë me Ligjin e shkruar, të regjistruar në Shkrime? Dhe nëse ai nënkuptonte një traditë gojore, pse më pas u hodh me shkrim?
Nga e kishin origjinën traditat?
Izraelitët hynë në një marrëdhënie besëlidhjeje me Perëndinë Jehova në malin Sinai në vitin 1513 p.e.s. Me anë të Moisiut ata morën statutet e asaj besëlidhjeje. (Eksodi 24:3) Ndjekja e këtyre rregullave do t’u jepte mundësi atyre ta ‘tregonin veten të shenjtë, sepse Jehovai, Perëndia i tyre ishte i shenjtë’. (Levitiku 11:44, BR) Nën besëlidhjen e Ligjit, adhurimi i Jehovait përfshinte flijimet e ofruara nga një priftëri e caktuar. Duhej të kishte një vend kryesor adhurimi që më pas u bë tempulli në Jerusalem.—Ligji i përtërirë 12:5-7; 2. Kronikave 6:4-6.
Ligji i Moisiut siguroi një strukturë të përgjithshme që Izraeli ta adhuronte Jehovain si një komb. Megjithatë, disa hollësi nuk u zbërthyen në imtësi. Fjala vjen, Ligji ndalonte punën gjatë sabatit, por nuk bënte një ndarje në imtësi mes punës dhe aktiviteteve të tjera.—Eksodi 20:10.
Nëse Jehovai do ta kishte parë të përshtatshme për ta bërë këtë, ai mund të kishte siguruar rregulla të hollësishme që mbulonin çdo pyetje të mendueshme. Por ai i kishte krijuar njerëzit me ndërgjegje dhe u lejoi atyre iniciativën për t’i shërbyer atij me një masë elasticiteti brenda strukturës së statuteve të tij. Ligji siguronte që çështjet gjyqësore të trajtoheshin nga priftërinjtë, levitët dhe gjyqtarët. (Ligji i përtërirë 17:8-11) Me rritjen e rasteve, u vendosën disa precedentë dhe pa dyshim disa prej tyre u përcollën nga brezi në brez. Edhe metodat e kujdesjes për detyrat priftërore në tempullin e Jehovait u përcollën nga ati te biri. Me rritjen e përvojës së përbashkët të kombit, po kështu ndodhi edhe me traditat.
Por në qendër të adhurimit të Izraelit mbeti Ligji i shkruar, i cili i qe dhënë Moisiut. Në Eksodin 24:3, 4, thuhet: «Moisiu erdhi dhe ia tregoi popullit të gjitha fjalët e Jehovait dhe të gjitha vendimet gjyqësore dhe i gjithë populli u përgjigj me një zë e tha: ‘Të gjitha fjalët që Jehovai ka folur ne jemi gati t’i bëjmë.’ Rrjedhimisht Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Jehovait.» (BR) Perëndia e përfundoi besëlidhjen e tij me izraelitët pikërisht në përputhje me këto urdhërime të shkruara. (Eksodi 34:27) Në fakt, asgjëkundi në Shkrime nuk përmendet ekzistenca e një ligji gojor.
«Kush ta ka dhënë këtë autoritet?»
Ligji i Moisiut në mënyrë të qartë e la autoritetin kryesor dhe arsimimin fetar në duart e priftërinjve, pasardhësve të Aaronit. (Levitiku 10:8-11; Ligji i përtërirë 24:8; 2. Kronikave 26:16-20; Malakia 2:7) Por, përgjatë shekujve disa priftërinj u bënë jobesimplotë dhe të korruptuar. (1. Samuelit 2:12-17, 22-29; Jeremia 5:31; Malakia 2:8, 9) Gjatë epokës së sundimit grek, shumë priftërinj bënë kompromis me çështjet fetare. Në shekullin e dytë p.e.s., farisenjtë, një grup i ri brenda judaizmit që nuk kishte besim te priftëria, filloi të vendoste tradita me anë të të cilave njeriu i zakonshëm mund ta konsideronte veten të shenjtë si prifti. Këto tradita tërhoqën shumë veta, por ishin një shtesë e papranueshme e Ligjit.—Ligji i përtërirë 4:2; 12:32 (Lp 13:1 në botimet judaike).
Farisenjtë u bënë dijetarët e rinj të Ligjit, duke bërë punën që ata mendonin se nuk po e bënin priftërinjtë. Meqë Ligji i Moisiut nuk e lejonte autoritetin e tyre, ata zhvilluan metoda të reja të interpretimit të Shkrimeve me anë të aludimeve misterioze dhe me anë të metodave të tjera që në dukje mbështetnin pikëpamjet e tyre.a Si kujdestarë dhe nxitës kryesorë të këtyre traditave, ata krijuan një bazë të re autoriteti në Izrael. Në shekullin e parë të e.s., farisenjtë ishin bërë një forcë mbizotëruese në judaizëm.
Ndërkohë që mblodhën traditat ekzistuese gojore dhe kërkuan ndonjë përfshirje të Shkrimeve për të vendosur më shumë zakone të tyre, farisenjtë panë nevojën për t’i dhënë më tepër autoritet aktivitetit të tyre. Lindi një koncept i ri në lidhje me origjinën e këtyre traditave. Rabinët filluan të mësonin: «Moisiu e mori Torën në Sinai dhe ia dorëzoi Josiut, Josiu pleqve dhe pleqtë profetëve. Dhe profetët ia dorëzuan burrave të asamblesë së madhe.»—Avot 1:1, Mishna.
Duke thënë «Moisiu e mori Torën», rabinët nuk po u referoheshin vetëm ligjeve të shkruara, por edhe gjithë traditave të tyre gojore. Ata pohuan se këto tradita, të shpikura dhe të zhvilluara nga njerëzit, iu dhanë Moisiut nga Perëndia në Sinai. Ata mësuan edhe se Perëndia nuk ua kishte lënë në dorë njerëzve të mbushnin hendeqet, por e kishte përkufizuar gojarisht atë që Ligji i shkruar e kishte lënë pa thënë. Sipas tyre, Moisiu ua përcolli këtë ligj gojor nëpër breza, jo priftërinjve, por udhëheqësve të tjerë. Vetë farisenjtë pohonin se ishin trashëgimtarët natyrorë të këtij zinxhiri «të pathyer» autoriteti.
Ligji në krizë: një zgjidhje e re
Jezui, autoriteti i të cilit, i dhënë nga Perëndia, u vu në dyshim nga udhëheqësit fetarë judenj, kishte parathënë shkatërrimin e tempullit. (Mateu 23:37–24:2) Pasi romakët shkatërruan tempullin në vitin 70 të e.s., kërkesat e Ligjit të Moisiut në lidhje me flijimet dhe shërbimin priftëror nuk mund të plotësoheshin më. Perëndia kishte vendosur një besëlidhje të re mbi bazën e flijimit shpërblyes të Jezuit. (Luka 22:20) Besëlidhja e Ligjit të Moisiut kishte marrë fund.—Hebrenjve 8:7-13.
Në vend që t’i shihnin këto ngjarje si dëshmi se Jezui ishte Mesia, farisenjtë gjetën një zgjidhje tjetër. Ata tashmë kishin uzurpuar pjesën më të madhe të autoritetit të priftërisë. Me shkatërrimin e tempullit, ata mund të bënin edhe një hap më tej. Akademia rabinike në Jabneh u bë qendra e një Sinedri të riorganizuar që u quajt Gjykata e Lartë Judaike. Nën udhëheqjen e Johanan ben Zakit dhe të Gamalielit II në Jabneh, judaizmi u ristrukturua plotësisht. Shërbimet në sinagogë, të drejtuara nga rabinët, zëvendësuan adhurimin në tempull, të mbikëqyrur nga priftërinjtë. Lutjet, të bëra veçanërisht në Ditën e Shlyerjes, zëvendësuan flijimet. Farisenjtë arsyetuan se ligji gojor dhënë Moisiut në Sinai i kishte parashikuar që më parë këto dhe kishte marë masa.
Akademitë rabinike morën akoma më shumë rëndësi. Programi i tyre kryesor përbëhej nga diskutimi intensiv, mësimi përmendësh dhe zbatimi i ligjit gojor. Më parë, baza për ligjin gojor lidhej me interpretimin e Shkrimeve, praktikë që quhej Midrash. Tani, traditat gjithnjë në rritje që po akumuloheshin filluan të mësoheshin dhe të organizoheshin veç. Secili rregull i ligjit gojor përmblidhej në fraza të shkurtra që mësoheshin lehtë përmendësh, të cilave shpesh u shtohej një melodi.
Pse të shkruhej një ligj gojor?
Bollëku i akademive rabinike dhe rritja e rregullave të tyre krijuan një problem të ri. Dijetari rabinik, Adin Stinsalts shpjegon: «Secili mësues kishte metodën e vet dhe i shprehte rregullat e tij gojore me stilin e vet të veçantë. . . . Studentit nuk i mjaftonte më të njihej vetëm me mësimet e mësuesit të vet dhe ishte i detyruar të njihej edhe me punën e dijetarëve të tjerë . . . Kështu, studentët detyroheshin të mësonin përmendësh një sasi kolosale materialesh për shkak të ‘shpërthimit të njohurisë’.» Mes një deti informacionesh të çrregullta, kujtesa e studentit mbingarkohej deri në pikën sa shpërthente.
Në shekullin e dytë të e.s., rebelimi judaik kundër Romës, i drejtuar nga Bar Kokba, çoi në një persekutim intensiv të dijetarëve rabinikë. Akiba, rabini më i shquar, i cili e kishte mbështetur Bar Kokbën, si edhe shumë dijetarë të mëdhenj u ekzekutuan. Rabinët kishin frikë se përsëritja e persekutimit mund të rrezikonte vetë ekzistencën e ligjit të tyre gojor. Ata kishin besuar se traditat përcilleshin më mirë me anë të komunikimit gojor nga mjeshtri te dishepulli, por këto ndryshime rrethanash çuan në një përpjekje më të madhe për të krijuar një strukturë të organizuar që të ruheshin mësimet e të urtëve, përndryshe ato do të harroheshin përgjithnjë.
Gjatë një periudhe pasuese me një paqe relative me Romën, Juda Ha-Nasi, rabini kryesor i fundit të shekullit të dytë dhe i fillimit të shekullit të tretë të e.s., mblodhi dijetarë të shumtë dhe i përmblodhi sasitë e mëdha të traditave gojore në një sistem të organizuar të përbërë nga gjashtë Urdhra, ku secili ndahej në traktate më të vogla: gjithsej 63. Kjo vepër u bë e njohur si Mishna. Efraim Uerbak, një autoritet në ligjin gojor, komenton: «Mishnës . . . iu dha një miratim dhe një autoritet që nuk i ishte dhënë kurrë ndonjë libri tjetër përveç Torës vetë.» Mesia ishte hedhur poshtë, tempulli ishte gërmadhë, por me ligjin gojor të ruajtur me shkrim në formën e Mishnës, për judaizmin filloi një epokë e re.
[Shënimi]
a Ky stil i interpretimit të Shkrimeve quhet midrash.
[Figura në faqen 26]
Pse shumë judenj e hodhën poshtë autoritetin e Jezuit?