Rrënjët e Krishtlindjeve moderne
PËR miliona njerëz në mbarë botën, periudha e Krishtlindjeve është një periudhë shumë e gëzueshme e vitit. Ajo është koha e gostive madhështore, e traditave të nderuara për vjetërsinë e tyre dhe e intimitetit familjar. Dita e festës së Krishtlindjeve është, gjithashtu, momenti kur miqtë dhe të afërmit gëzojnë shkëmbimin e kartolinave dhe të dhuratave.
Megjithatë, pikërisht 150 vjet më parë, Krishtlindjet ishin një ditë feste shumë e ndryshme. Në librin e tij Beteja për Krishtlindjet, profesori i historisë Stefan Nisenbaum shkruan: «Krishtlindjet . . . ishin një periudhë dehjeje, gjatë së cilës rregullat që drejtonin sjelljen e njerëzve në publik, për momentin braktiseshin në favor të një ‘karnavaleje’ të shfrenuar, në një lloj të Marte të Majme në dhjetor.»
Për ata që Krishtlindjet i konsiderojnë me frikë nderuese, ky përshkrim mund të jetë turbullues. Përse do ta përdhoste dikush një ditë feste, për të cilën pretendohet se përkujton lindjen e Birit të Perëndisë? Përgjigjja mund të të çudisë.
Themel me defekt
Që prej fillesës së saj në shekullin e katërt, Krishtlindja ka qenë e rrethuar nga polemikat. Për shembull, ekzistonte çështja e datëlindjes së Krishtit. Meqenëse Bibla nuk e specifikon as ditën, as muajin e lindjes së Krishtit, u sugjeruan një shumëllojshmëri datash. Në shekullin e tretë, një grup teologësh egjiptianë, e caktoi atë më 20 maj, ndërsa të tjerët favorizuan data të mëparshme, të tilla si: 28 marsi, 2 prilli ose 19 prilli. Deri në shekullin e 18-të, lindja e Jezuit u lidh me çdo muaj të vitit! Po atëherë, si u zgjodh së fundi 25 dhjetori?
Shumica e studiuesve janë dakord se 25 dhjetori u caktua si datëlindja e Jezuit nga Kisha Katolike. Pse? «Ka shumë mundësi që arsyeja,—thotë The New Encyclopædia Britannica,—është se të krishterët e hershëm dëshironin që kjo datë të korrespondonte me festën pagane romake, që shënonte ‘datëlindjen e diellit të pamposhtur’.» Por përse të krishterët, që ishin persekutuar egërsisht nga paganët për më shumë se dy shekuj e gjysmë, papritur e pa kujtuar u hapën rrugë persekutuesve të tyre?
Futja e korrupsionit
Në shekullin e parë, apostulli Pavël e paralajmëroi Timoteun se ‘njerëz të këqij dhe mashtrues’ do të depërtonin tinëzisht në kongregacionin e krishterë dhe do të mashtronin shumë veta. (2. Timoteut 3:13) Kjo apostazi e madhe filloi pas vdekjes së apostujve. (Veprat 20:29, 30) Pas të ashtuquajturit kthim të Konstandinit në shekullin e katërt, një numër i madh paganësh u mblodhën në atë formë të krishterimit që mbizotëronte atëherë. Me çfarë rezultati? Libri Krishterimi i hershëm dhe paganizmi pohon: «Grupi krahasimisht i vogël i besimtarëve vërtet të zellshëm, humbi në shumicën e madhe të të krishterëve të vetëshpallur.»
Sa të vërteta dolën fjalët e Pavlit! Ishte njësoj sikur krishterimi i vërtetë po përpihej nga korrupsioni pagan. Ky infektim ishte më i dukshëm se kudo gjetkë në kremtimin e ditëve të festave.
Faktikisht, i vetmi kremtim që të krishterëve u është urdhëruar të mbajnë, është Darka e Zotërisë. (1. Korintasve 11:23-26) Për shkak të praktikave idhujtare që kishin lidhje me festat romake, të krishterët e hershëm nuk merrnin pjesë në to. Për këtë arsye, paganët e shekullit të tretë i qortuan të krishterët, duke u thënë: «Ju nuk vizitoni ekspozitat; juve nuk ju bëhet vonë për shfaqjet publike; ju hidhni poshtë banketet publike dhe keni neveri për garat e shenjta.» Nga ana tjetër, paganët mburreshin: «Ne i adhurojmë perënditë me hare, me gosti, këngë dhe lojëra.»
Nga mesi i shekullit të katërt, ankimet e paganëve u fashitën. Si kështu? Ndërsa gjithnjë e më shumë të krishterë të falsifikuar futeshin pa u ndier në grup, idetë apostate u shumëfishuan. Kjo çoi në kompromise me botën romake. Duke komentuar në lidhje me këtë, libri Paganizmi në krishterimin tonë, pohon: «Ishte një politikë e përcaktuar e krishtere që të merrej kontrolli në festat pagane, të cilat nëpërmjet traditës kishin fituar zemrën e popullit, dhe t’u jepej atyre një domethënie e krishterë.» Po, apostazia e madhe po bënte punën e saj. Gatishmëria e të ashtuquajturve të krishterë për të adoptuar kremtimet pagane, solli tani njëfarë pranimi në komunitet. Jo shumë kohë më vonë, të krishterët arritën të kishin po aq festa vjetore, sa dhe vetë paganët. S’është për t’u habitur që mes tyre Krishtlindja ishte ndër më të mëdhatë.
Një ditë feste ndërkombëtare
Ndërsa forma mbizotëruese e krishterimit përhapej nëpër Evropë, Krishtlindja përhapej bashkë me të. Kisha Katolike adoptoi pikëpamjen se ishte e përshtatshme që të përjetësohej një festë e gëzueshme në nderim të datëlindjes së Jezuit. Në përputhje me këtë, në vitin 567 të e.s., Këshilli i Turit «i shpalli 12 ditët nga Krishtlindjet deri te festa e ujit të bekuar, si një periudhë e shenjtë dhe festive».—The Catholic Encyclopedia for School and Home.
Shpejt Krishtlindjet bënë të tyret shumë karakteristika të festave laike të të korrave, të Evropës veriore. Dëfrimi mbeti më i zakonshëm se përshpirtshmëria, ndërkohë që dëfryesit poterexhinj jepeshin pas të ngrënit dhe të pirit me babëzi. Në vend që të protestonte kundër sjelljes së shthurur, kisha dha aprovimin e saj për të. (Krahaso Romakëve 13:13; 1. Pjetrit 4:3.) Në vitin 601 të e.s., papa Gregori I i shkroi Mellitusit, misionarit të tij në Angli, duke i thënë që «të mos i ndalte festime të tilla të lashta pagane, por t’ia përshtaste ato riteve të Kishës, duke ndryshuar vetëm arsyen e tyre, nga motivim pagan në motivim të krishterë». Kështu raporton Artur Uigol, i cili dikur ishte inspektor i përgjithshëm i anitikiteteve për qeverinë egjiptiane.
Gjatë Mesjetës, individë reformatorë, ndjenë nevojën për të protestuar kundër teprimeve të tilla. Ata nxorrën dekrete të shumta kundër «abuzimeve me dëfrimin gjatë Krishtlindjeve». Dr. Pen Restad, në librin e saj Krishtlindjet në Amerikë: Një histori, thotë: «Ndonjë klerik e vinte theksin te fakti që njerëzimi i papërsosur kishte nevojë për një periudhë shfrenimi dhe teprimi, për sa kohë ndodhej nën çadrën e mbikëqyrjes së krishterë.» Kjo vetëm e shtoi pështjellimin në lidhje me Krishtlindjet. Megjithatë, vështirë se kjo ide luajti ndonjë rol, pasi zakonet pagane tashmë ishin bërë kaq njësh me Krishtlindjet, saqë shumica e njerëzve nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë prej tyre. Shkrimtari Tristrëm Kofin e shpreh këtë fakt në këtë mënyrë: «Njerëzit në përgjithësi, [po] bënin pikërisht atë që k[ishin] bërë gjithmonë dhe po u kushtonin pak vëmendje debateve të moralistëve.»
Në kohën që evropianët filluan të vendoseshin në Botën e Re, Krishtlindjet ishin një ditë feste e mirënjohur. Megjithatë, Krishtlindjet nuk patën pëlqimin e kolonive. Reformuesit puritanë e konsideronin kremtimin e tyre si pagan dhe e ndaluan në Masaçusets, në vitet 1659 deri më 1681.
Pasi u hoq ndalimi, kremtimi i Krishtlindjeve u rrit anembanë kolonive, veçanërisht në jug të Anglisë së Re. Megjithatë, duke pasur parasysh të kaluarën e kësaj dite feste, nuk është për t’u habitur që disa personave u interesonte më shumë argëtimi sesa nderimi i Birit të Perëndisë. Një zakon i Krishtlindjeve që ishte veçanërisht përçarës, qe ai i ahengjeve me teprime. Banda të potershme të rinjsh hynin në shtëpitë e fqinjve të pasur dhe kërkonin me këmbëngulje ushqim dhe pije falas, duke kërcënuar. Nëse i zoti i shtëpisë refuzonte, zakonisht mbi të lëshoheshin sharje dhe shpeshherë shtëpia e tij dëmtohej në mënyrë vandale.
Në vitet 1820, kushtet u keqësuan deri në atë pikë që «anarkia gjatë Krishlindjeve» u bë një «kërcënim i mprehtë social», thotë profesor Nisenbaum. Në qytete si Nju Jorku dhe Filadelfia, pronarët e pasur të tokave filluan të pajtonin me mëditje roje, që t’u ruanin pronat. Madje thuhet se qyteti i Nju Jorkut organizoi të parat forca të tij policore profesionale, në përgjigje të një trazire të dhunshme gjatë periudhës së Krishtlindjeve të vitit 1827-1828!
Rimodelimi i Krishtlindjeve
Shekulli i 19-të i solli njerëzimit ndryshime pa precedent. Njerëzit, mallrat dhe lajmet filluan të udhëtonin shumë më shpejt, ndërkohë që lindi një rrjet rrugor dhe hekurudhor. Revolucioni industrial krijoi miliona punë, ndërsa fabrikat prodhonin me shpejtësi një sasi të vazhdueshme mallrash. Industrializimi solli, gjithashtu, probleme sociale të reja dhe komplekse, të cilat së fundi ndikuan mbi mënyrën e kremtimit të Krishtlindjeve.
Prej kohësh njerëzit i kanë përdorur ditët e festave si mjet për forcimin e lidhjeve familjare dhe kështu është edhe me Krishtlindjet. Duke rishikuar në mënyrë përzgjedhëse disa prej traditave më të vjetra të Krishtlindjeve, nxitësit e tyre i kthyen Krishtlindjet nga një festë e shfrenuar, ngjashëm karnavaleve, në një ditë feste që ka si bazë familjen.
Në të vërtetë, nga fundi i shekullit të 19-të, Krishtlindjet arritën të konsideroheshin si një lloj kundërhelmi për sëmundjet e jetës moderne amerikane. «Nga të gjitha ditët e festave,—thotë dr. Rested,—Krishtlindjet ishin një mjet i përsosur për transportimin e fesë dhe të ndjenjave fetare në shtëpi, si dhe për ndreqjen e teprimeve dhe dështimeve të botës publike.» Ajo shton: «Bërja e dhuratave, gjestet e bamirësisë, madje shkëmbimi miqësor i urimeve për festën, si dhe zbukurimi e gëzimi i një peme gjithnjë të blertë të vendosur në dhomën e pritjes apo, më vonë, në një sallon të shkollës fetare të së dielës, lidhte anëtarët e çdo familjeje me njëri-tjetrin, me kishën dhe me shoqërinë.»
Ngjashëm, shumë veta sot i kremtojnë Krishtlindjet si një mjet për të vërtetuar dashurinë e tyre për njëri-tjetrin dhe për të ndihmuar në mbajtjen e unitetit të familjes. Sigurisht që nuk kalojnë pa vënë re edhe aspektet frymore. Me miliona njerëz i kremtojnë Krishtlindjet në nderim të lindjes së Jezuit. Ata mund të marrin pjesë në shërbime të veçanta fetare, të krijojnë në shtëpi skenën e lindjes së Jezuit apo t’i ofrojnë lutje falënderimi vetë Jezuit. Por si e konsideron Perëndia këtë çështje? A kanë miratimin e tij këto gjëra? Le të shqyrtojmë se çfarë ka për të thënë Bibla.
«Duajeni të vërtetën dhe paqen»
Kur Jezui ishte në tokë, u tha ithtarëve të tij: «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.» (Gjoni 4:24) Jezui jetoi në përputhje me këto fjalë. Ai tha gjithmonë të vërtetën. Ai imitoi në mënyrë të përsosur Atin e tij, «Jehovain, Perëndinë e së vërtetës».—Psalmi 31:5, BR; Gjoni 14:9.
Nëpërmjet faqeve të Biblës, Jehovai e kishte bërë të qartë se urren çdo lloj mashtrimi. (Psalmi 5:6) Duke pasur parasysh këtë, a nuk është ironike që kaq shumë karakteristika që kanë të bëjnë me Krishtlindjet, mbajnë erë gënjeshtër? Për shembull, mendo për përrallën e sajuar mbi Shën Klausin. A je përpjekur ndonjëherë t’i shpjegosh një fëmije se përse ky shenjt preferon të hyjë nëpër një oxhak në vend se nga dera, siç besohet në masë të madhe në shumë vende? Si ia del Shenjti të shkojë për vizitë në kaq shumë miliona shtëpi brenda një mbrëmjeje? Po për renën që fluturon? Kur një fëmijë merr vesh se e kanë mashtruar në lidhje me besimin se Shën Klausi është një person real, a nuk minohet mirëbesimi i tij te prindërit?
Enciklopedia katolike thotë qartë: «Zakonet pagane . . . ishin të tërhequra drejt Krishtlindjeve.» Atëherë, pse Kisha Katolike dhe kisha të tjera të të ashtuquajturit krishterim, vazhdojnë të përjetësojnë një ditë feste, zakonet e së cilës nuk kanë origjinë të krishterë? A nuk tregon kjo se po e bën një sy qorr para mësimeve pagane?
Kur ishte në tokë, Jezui nuk i inkurajoi njerëzit që të adhuronin atë. Vetë Jezui tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10, BR) Ngjashëm, pas lartësimit qiellor të Jezuit, një engjëll i tha apostullit Gjon të ‘adhuronte Perëndinë’, duke i treguar se në lidhje me këtë çështje s’kishte ndryshuar asgjë. (Zbulesa 19:10) Kjo çon në pyetjen: A do ta miratonte sadopak Jezui devocionin adhurues që i drejtohet atij, jo Atit të tij, në periudhën e Krishtlindjeve?
Qartë që faktet në lidhje me Krishtlindjet moderne nuk ta bëjnë shumë qejfin. Është kryesisht një ditë feste e fabrikuar, me një dëshmi të madhe që tregon për një të kaluar degraduese. Kështu që, të qartësuar në ndërgjegje, miliona të krishterë kanë vendosur të mos i kremtojnë Krishtlindjet. Për shembull, një i ri, Rian, në lidhje me Krishtlindjet thotë: «Njerëzit emocionohen kaq shumë për nja dy ditë në vit, kur familja mblidhet së bashku dhe të gjithë janë të lumtur. Po ç’gjë kaq të veçantë ka këtu? Prindërit më bëjnë dhurata gjatë gjithë vitit!» Një vajzë 12-vjeçare, thotë: «Nuk ndihem e privuar. Marr dhurata gjatë gjithë vitit, jo vetëm në një ditë të veçantë, kur njerëzit ndihen të detyruar të blejnë dhurata.»
Profeti Zaharia i inkurajoi izraelitët e tjerë të ‘donin të vërtetën dhe paqen’. (Zaharia 8:19) Nëse ne, ashtu si Zaharia dhe burrat e tjerë besimplotë të lashtësisë, ‘duam të vërtetën’, a nuk duhet të shmangim çdo kremtim të rremë fetar, i cili çnderon «Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë, Jehovain»?—1. Thesalonikasve 1:9, BR.
[Figura në faqen 7]
«Nuk ndihem e privuar. Marr dhurata gjatë gjithë vitit»