Ata ‘blenë të vërtetën’!
«BLI të vërtetën dhe mos e shit.» (Fjalët e urta 23:23) Njeriu i mençur, Solomoni bëri këtë thirrje. Ndërkohë që kjo gjë mund të thuhet për të vërtetën në përgjithësi, është veçanërisht kështu kur bëhet fjalë për të vërtetën që gjendet në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Një e vërtetë e tillë mund të çojë në jetën e përjetshme! (Gjoni 17:3, 17) Vëre, megjithatë, se fitimi i kësaj të vërtete nuk vjen pa shpenzime. Një person duhet të jetë i gatshëm për ta «blerë» atë, domethënë, të sakrifikojë apo të heqë dorë nga diçka me qëllim që ta fitojë atë. (Krahaso Mateun 13:45, 46.) Në përgjithësi, njerëzit nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Por në shumë vende, një numër në rritje individësh të guximshëm po blejnë të vërtetën biblike, shpesh me një shpenzim të madh personal.
Merr për shembull, Dëshmitarët e Jehovait në shtetin afrikano-perëndimor të Ganës. Në qershor të 1989-s, në atë vend kishte mbi 34000 individë që kishin përqafuar të vërtetën biblike dhe po e ndanin atë aktivisht me të tjerët. Më pas, në veprën e predikimit publik u vunë kufizime ligjore. Megjithatë, personat me zemër të ndershme vazhduan të ‘blinin të vërtetën’, pavarësisht nga pengesat ligjore. Kufizimi mbaroi në 31 tetor 1991 dhe në mesin e vitit 1995, vetëm tre vjet e gjysmë pas heqjes së atyre kufizimeve, numri i Dëshmitarëve aktivë të Jehovait në Gana ishte rritur në 46104 veta. Këtë vit numri është rritur në mbi 52800.
Çfarë i ka tërhequr njerëzit drejt të vërtetës së Fjalës së Perëndisë? Çfarë sakrificash u janë dashur të bëjnë disave për ‘të blerë të vërtetën’? Për t’u përgjigjur le të shohim përvojat e tre të krishterëve ganezë.
E tërhequr nga mësimet biblike
Le të konsiderojmë së pari një grua në fillimet e moshës 20 vjeç. I ati i saj ishte një pastor, e megjithatë, ajo zgjodhi ta linte fenë e babait të saj. Arsyeja? Dashuria e saj për të vërtetën.
Një herë ajo shpjegoi: «Dëshmitarët vinin në shtëpinë tonë, ndërsa bënin vizitat e tyre shtëpi më shtëpi. Pas disa bisedave që bëra me ta, e kuptova se ajo që po mësonin ata ishte e bazuar mirë në Bibël. Ngrita pyetje mbi tema të tilla si: triniteti, zjarri i ferrit, pavdekësia e shpirtit dhe veçanërisht shërimi përmes besimit. Unë besoja fortësisht se këto doktrina ishin nga Bibla. Por Dëshmitarët më ndihmuan që të shoh se kjo nuk ishte e vërtetë.»—Për të ditur mbi pikëpamjen e Biblës për këto tema, të lutem shiko Markun 13:32; Romakëve 6:23; Veprat 10:40; dhe 1. Korintasve 13:8-10.
E reja shtoi: «Përsëri, nga familja ime dhe veçanërisht nga babai im pata kundërshtim të fortë. Ai mendonte se unë isha mashtruar. Megjithatë, unë e dija se ajo që po mësoja nga Dëshmitarët e Jehovait ishte e vërteta. U përpoqa t’ia bëja të njohur babait tim këto gjëra nga Bibla, por ai nuk më dëgjonte. Në fakt, kundërshtimi u intensifikua.
Megjithatë, unë isha e paepur. E dija se vetëm njohuria e vërtetë të çon në jetën e përjetshme në parajsë dhe isha e vendosur për t’u kapur fort pas saj. Kur Dëshmitarët lokalë dëgjuan për problemet që po përballoja, me dashuri më erdhën në ndihmë, duke më inkurajuar dhe duke më siguruar disa nevoja thelbësore. Kjo më bëri të qartë fjalët e Jezuit që gjenden në Gjonin 13:35: ‘Nga kjo të gjithë do të dinë se ju jeni dishepujt e mi, nëse ju keni dashuri midis jush.’ Bindja ime se Dëshmitarët e Jehovait praktikojnë fenë e vërtetë u thellua. Më vonë, kur prindërit e mi vunë re se unë e kisha ndryshuar jetën për mirë, u pëlqeu ajo që panë dhe qëndrimi i tyre drejt meje ndryshoi, kaq shumë, saqë babai i kërkoi Dëshmitarëve të studionin Biblën me vëllain tim më të madh!»
I provoi vetes të vërtetën
‘Blerja e së vërtetës’ është, gjithashtu, një sfidë për disa të rinj, të cilët janë rritur nga prindër Dëshmitarë. Disa të rinj janë të prirur ta nënvlerësojnë të vërtetën e Biblës. Nëse dështojnë t’i bëjnë të tyret këto të vërteta, besimi i tyre anon nga të qenët i dobët, sipërfaqësor. (Krahaso Mateun 13:20, 21.) Natanieli, një burrë ganez rreth të tridhjetave, tregon se si ai ‘bleu të vërtetën’, ndërsa ishte akoma një djalosh.
«Prindërit e mi më mësuan Biblën që nga koha kur isha një foshnjë,—kujton ai.—Ndërsa rritesha, i shoqëroja në veprën e predikimit, por nuk kisha vendosur me të vërtetë për t’u bërë një Dëshmitar. Me kohë, arrita të kuptoja se kisha nevojë që t’i shqyrtoja gjërat personalisht.
Së pari, duhej të bindesha se Bibla e jo ndonjë libër tjetër i shenjtë feje, është Fjala e Perëndisë. Përmes studimit personal mësova se ajo është i vetmi libër i shenjtë që përmban shumë profeci të qarta, të cilat u përmbushën saktësisht. Mësova, gjithashtu, se Bibla përmban një numër të vërtetash shkencore, për shembull, se toka ‘mbahet pezull mbi hiçin’. (Jobi 26:7) Këto fjalë u shkruan mijëra vite përpara se shkencëtarët të dinin për sistemin diellor. Vetëm Perëndia mund të frymëzonte njerëzit për të shkruar të tilla gjëra!a
Pastaj, doja të zbuloja se cila organizatë fetare mëson dhe praktikon të vërtetat që mësohen në Bibël. Shumica e feve mëson zjarrin e ferrit, trinitetin dhe një shpirt të pavdekshëm që mbijeton në vdekje. Por këto doktrina s’kishin kuptim për mua. Unë arsyetova: A nuk do të ishte i lig një baba që do ta vinte dorën e fëmijës së tij në një tenxhere me ujë të valuar si ndëshkim? Si mund, atëherë që një Perëndi i dashurisë t’i vendosë fëmijët e tij në një ferr të zjarrtë dhe t’i lërë që të vuajnë? Dëshmitarët e Jehovait, sidoqoftë mësojnë në harmoni me shkrimet biblike si Romakëve 6:23, që thotë se ‘paga që paguan mëkati është vdekja’, jo ndonjë ferr i zjarrtë. Kjo, tani, kishte kuptim për mua.
Unë vërejta, gjithashtu, se Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë që të gjithë anëtarët të jetojnë sipas standardeve biblike dhe se përjashtojnë të gjithë ata që pa u penduar praktikojnë mëkatin. Duke pasur parasysh të gjitha këto, dola në përfundimin se Dëshmitarët e Jehovait kanë të vërtetën dhe mora një vendim personal për t’u bërë një prej tyre. Punova shumë për t’u kualifikuar për pagëzimin si një Dëshmitar.»—1. Korintasve 5:11-13.
Përvoja e Natanielit ilustron mirë se edhe të rinjtë e rritur nga prindër të krishterë duhet ‘ta blejnë të vërtetën’. Ata nuk duhet thjesht të ndjekin në mënyrë pasive mbledhjet e kongregacionit. Ashtu si bereasit e lashtë, ata duhet ‘të shqyrtojnë me kujdes Shkrimet çdo ditë për të parë nëse gjërat janë ashtu’. (Veprat 17:11) Kjo kërkon kohë dhe përpjekje, por mund të rezultojë në një besim dhe bindje të fortë.—Krahaso Efesianëve 3:17-19.
I zhgënjyer nga feja e rreme
Një burrë ganez i quajtur Gaduin ishte gati 70 vjeç kur la kishën Presbiteriane dhe një Shoqatë masonike. «Në atë kishë po ndodhnin disa gjëra që për mua ishin të papëlqyeshme,—thotë Gaduin.—Për shembull, aty kishte shumë konflikte dhe janë duke vazhduar akoma. Disa herë u desh të vinte policia për të rivendosur qetësinë dhe rregullin! Nuk mendoja se kjo ishte e përshtatshme për ndjekësit e Krishtit. Më pas lindi një problem midis meje dhe një presbiteriani tjetër. Një gjykatë publike e dëgjoi çështjen dhe e gjykoi burrin tjetër fajtor. Megjithatë, pastori i kishës pandershmërisht mori anën e atij burri dhe u orvat të më gjykonte para gjithë kongregacionit. Ia thashë copë mendimin tim dhe dola nga kisha: për të mos u kthyer kurrë.
Kaluan disa kohë dhe Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën time. Fillimisht i dëgjova thjesht sepse nuk doja t’i përzija njerëzit që flisnin për Perëndinë. Por fillova të vija re se, edhe pse kisha qenë një presbiterian për dekada, kishte shumë gjëra që nuk i dija rreth Biblës. Për shembull, nuk e kisha ditur kurrë se Bibla afron shpresën për të jetuar përgjithmonë në parajsën mbi tokë.b Dhe kur fillova të isha i pranishëm në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, sjellja dhe veçanërisht veshja dhe krehja e të rinjve që ishin mes tyre, më bëri shumë përshtypje. Këta ishin persona që me të vërtetë jetonin sipas parimeve biblike!»
E megjithatë, ‘blerja e së vërtetës’ kërkonte që ai të bënte disa rregullime të mundimshme në jetën e tij. Gaduin kujton: «Unë isha një anëtar i Shoqatës masonike. Dhe, megjithëse është e njohur si një shoqatë vëllazërore që siguron ndihmë për anëtarët e saj, unë vura re rituale që përfshinin përdorimin e kafkave dhe kockave dhe thirrjen e frymërave. Këto frymëra supozohej se ndihmonin ata që ashkëvepronin me to për t’u zhvilluar frymësisht.
Studimet më ndihmuan të shoh se Perëndia Jehova urren çdo përfshirje me spiritizmin, sepse kjo gjë mund ta sjellë një person nën ndikimin e Satanait dhe të forcave të tija të liga frymore.c A do të vazhdoja si një anëtar i Shoqatës masonike me të gjithë misticizmin e saj, apo do ta lija dhe të kënaqja Jehovain? Zgjodha të dytën. I shkatërrova të gjitha hajmalitë framasonike që kisha, madje edhe kostumin që përdorja për mbledhjet e Shoqatës. Përjetova vërtetësinë e premtimit të Jezuit kur tha: ‘E vërteta do t’ju bëjë të lirë!’ (Gjoni 8:32) Tani jam duke ndarë me lumturi me të tjerët gjërat që kam mësuar. Nuk kam asnjë keqardhje, sido që të jetë.»
Me mijëra persona me zemër të ndershme kanë bërë në mënyrë të ngjashme sakrifica të mëdha me qëllim që të ‘blinin të vërtetën’. Ngjashëm tre të krishterëve, të cilët i konsideruam këtu, ata nuk ndiejnë keqardhje për ndryshimet që kanë bërë. E vërteta biblike u ka dhënë atyre «një themel të shkëlqyer për të ardhmen, me qëllim që të kapen fortë pas jetës së vërtetë». (1. Timoteut 6:19, BR) Ajo ‘jetë e vërtetë’ dhe të gjitha bekimet e saj shoqëruese mund të jenë edhe të tuat përjetësisht nëse ‘do të blesh të vërtetën’.
[Shënimet]
a Për informacion të mëtejshëm, shiko librin Bibla: Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Shiko, për shembull Psalmin 37:9-11, 29.
[Figura në faqen 9]
Natanieli
[Figura në faqen 9]
Gaduin