Uniteti Botëror: A do të jetë ndonjëherë një realitet?
«NËSE do t’ia dalim mbanë që gjatë disa brezave që do të vijnë, ta transformojmë botën e shteteve të pavarura në të cilën jetojmë, në një lloj bashkësie të vërtetë ndërkombëtare, . . . atëherë do të kemi zhdukur, në fakt, edhe institucionin e lashtë të luftës . . . Megjithatë, nëse do të dështojmë, ka mundësi që të mos ketë . . . qytetërim.» Kështu thotë historiani ushtarak Guin Diër në librin e tij të titulluar Lufta.
Faqet e historisë,—thotë Diër,—janë të mbushura me tregime rreth kombeve dhe grupeve të tjera të fuqishme, që për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, iu drejtuan luftës. Mungesa e unitetit mes tyre shkatërroi jetën e miliona viktimave. Përshkrimi që i bën mbreti Solomon mënyrës se si ndikonte kjo tek njerëzit në kohën e tij, sot është ende me vend. Ai shkroi: «U ktheva dhe mendova për gjithë shtypjen që ndodh nën diell; dhe ja, lotët e të shtypurve, të cilët nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë; nga ana e shtypësve të tyre ishte forca, por as ata nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë.»—Predikuesit 4:1.
Në ditët tona, siç e nxjerr në pah historiani i mësipërm, përveç dhembshurisë për «lotët e të shtypurve», ka një arsye më tepër që të gjendet ndonjë mënyrë për transformimin e botës së shteteve të pavarura në një lloj bashkësie të vërtetë ndërkombëtare: Vetë mbijetesa e qytetërimit është në rrezik! Lufta moderne premton shkatërrimin e çdo kombi që i drejtohet asaj dhe nuk do të lërë fitimtarë.
Uniteti botëror në horizont?
Cilat janë perspektivat për unitet botëror? A mundet t’i kapërcejë shoqëria njerëzore forcat ndarëse që kërcënojnë mbijetesën e tokës? Disa mendojnë se po. Redaktori për çështjet e mbrojtjes i Daily Telegraph të Britanisë, Xhon Kigën, shkruan: «Megjithë rrëmujën dhe pasigurinë, duket pothuajse e mundshme të shquhet përvijimi i një bote pa luftë.»
Ç’gjë ia jep atij këtë vështrim optimist? Përse shumë persona duken me shpresë, megjithë historinë e gjatë të luftërave të njerëzimit dhe paaftësinë e dukshme të njeriut për ta drejtuar me sukses veten? (Jeremia 10:23) ‘Njerëzimi po shkon përpara. Historia tregon një rrymë progresi të vazhdueshëm’,—argumentonin dikur disa. Edhe sot, shumë besojnë se në njëfarë mënyre, mirësia e njeriut do të triumfojë mbi të ligën. A është kjo një shpresë realiste? Apo është thjesht një iluzion që do të çojë në më shumë zhgënjim? Në librin e tij, Historia më e shkurtër e botës, historiani J. M. Roberts shkroi në mënyrë realiste: «Vështirë se mund të thuhet që e ardhmja e botës duket e sigurt. Në horizont tani nuk duket ndonjë fund për vuajtjet njerëzore dhe as ndonjë bazë për të besuar se do të ketë një të tillë.»
A ka arsye të vlefshme për të besuar se popujt dhe kombet do ta kapërcejnë me të vërtetë mosbesimin e tyre reciprok dhe mosmarrëveshjet ndarëse? Apo kërkohet diçka më shumë sesa përpjekjet njerëzore? Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim këto pyetje.
[Burimi i figurës në faqen 2]
Globi në sfond në kopertinë: Mountain High Maps® Copyright © 1995 Digital Wisdom, Inc.