BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/3 f. 6-7
  • Një rrugë më e mirë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një rrugë më e mirë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një botë me vlera të qëndrueshme
  • Fondamentalizmi: Çfarë është ai?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Një qeveri që do të përkrahë vlerat hyjnore
    Zgjohuni!—2003
  • Dëshmitarët e Jehovait
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?
    Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/3 f. 6-7

Një rrugë më e mirë

DËSHMITARËT E JEHOVAIT janë të shqetësuar për erozionin e gjendjes frymore në botë, imoralitetin dhe pasigurinë fetare që mbizotëron në shoqëri. Si rezultat i kësaj, nganjëherë ata i quajnë fondamentalistë. Por, a janë në të vërtetë? Jo. Edhe pse kanë bindje të forta fetare, ata nuk janë fondamentalistë në atë kuptim, në të cilin përdoret ky term. Ata nuk bëjnë presion mbi krerët e politikës, që të përkrahin një lloj pikëpamjeje dhe nuk përdorin demonstratat dhe dhunën, kundër atyre me të cilët kanë mosmarrëveshje. Ata kanë gjetur një rrugë më të mirë. Imitojnë Udhëheqësin e tyre, Jezu Krishtin.

Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se e vërteta fetare ekziston dhe se ajo gjendet në Bibël. (Gjoni 8:32; 17:17) Por Bibla i mëson të krishterët që të jenë të sjellshëm, të mirë, të butë dhe të arsyeshëm, cilësi këto që nuk i hapin rrugë fanatizmit. (Galatasve 5:22, 23; Filipianëve 4:5) Në librin biblik të Jakovit, të krishterët inkurajohen që të kultivojnë ‘mençurinë që vjen nga lart’, e cila është përshkruar si të qenët «para së gjithash i dëlirë, më pas, paqësor, i arsyeshëm, i gatshëm për t’u bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira». Jakovi shtoi: «Fryti i drejtësisë e ka të mbjellë farën e tij në kushte paqësore, për ata që janë duke bërë paqe.»​—Jakovit 3:17, 18, BR.

Dëshmitarët e Jehovait nuk harrojnë se Jezui ishte shumë i interesuar për të vërtetën. Ponc Pilatit ai i tha: «Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) Ndonëse ishte një mbështetës sypatrembur i së vërtetës, ai nuk u mundua t’u impononte të tjerëve bindjet e tij. Përkundrazi, ai u bëri thirrje mendjeve dhe zemrave të tyre. Ai e dinte se Ati i tij qiellor, një Perëndi «i mirë dhe i drejtë», do të vendoste se si dhe kur të eliminonte falsitetin dhe padrejtësinë nga faqja e dheut. (Psalmi 25:8) Për këtë arsye, ai nuk u mundua të shtypte ata që nuk pajtoheshin me të. Përkundrazi, ishin krerët fanatikë fetarë të ditëve të tij, të cilët u munduan të shtypnin Jezuin.​—Gjoni 19:5, 6.

Dëshmitarët e Jehovait kanë bindje të forta lidhur me doktrinat fetare dhe shfaqin vlera të qëndrueshme për sa i përket moralit. Ashtu si apostulli Pavël, ata janë të bindur se ka vetëm «një Zotëri, një besim, një pagëzim». (Efesianëve 4:5, BR) Veç kësaj, ata janë të vetëdijshëm për fjalët e Jezuit: «E ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që të çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!» (Mateu 7:13, 14) Prapëseprapë, ata nuk përpiqen t’i detyrojnë të tjerët që të ndjekin bindjet e tyre. Përkundrazi, ata imitojnë Pavlin dhe ‘këshillojnë’ të gjithë ata që dëshirojnë në këtë mënyrë të ‘paqtohen me Perëndinë’. (2. Korintasve 5:20) Kjo është rruga më e mirë. Është rruga e Perëndisë.

Fondamentalizmi fetar, në kuptimin që kjo fjalë përdoret sot, është shumë i ndryshëm. Fondamentalistët përdorin shumë strategji, duke përfshirë këtu edhe dhunën, për t’i imponuar shoqërisë parimet e tyre. Duke vepruar kështu, ata bëhen një pjesë përbërëse e sistemit politik. Por, Jezui tha se ithtarët e tij nuk duhej të ishin «pjesë e botës». (Gjoni 15:19, BR; Gjo 17:16; Jakovit 4:4) Në harmoni me këto fjalë, Dëshmitarët e Jehovait mbajnë një asnjanësi të rreptë lidhur me debatet politike. Siç bënte të njohur një gazetë italiane, ata «nuk detyrojnë asgjë dhe askënd; gjithsecili është i lirë për të pranuar apo për të hedhur poshtë atë që ata thonë». (Fuoripagina) Me çfarë rezultati? Mesazhi paqësor i Biblës, i dhënë nga Dëshmitarët, bën për vete njerëz të të gjitha llojeve, madje edhe ata që njëherë e një kohë kanë qenë fondamentalistë.​—Isaia 2:2, 3.

Një botë me vlera të qëndrueshme

Dëshmitarët pranojnë se njerëzit nuk mund të zgjidhin problemet që shqetësojnë fondamentalistët. Ti nuk mund ta detyrosh një person, që të besojë në Perëndinë apo të pranojë bindjet e tua personale. Mendimi se kjo gjë është e mundur, çoi në disa nga tmerret më të mëdha që ka njohur historia, si kryqëzatat, inkuizicioni mesjetar dhe «kthimi» i indianëve amerikanë. Megjithatë, nëse beson në Perëndinë, do të jesh i gatshëm për t’i lënë gjërat në dorën e tij.

Sipas Biblës, Perëndia i ka vënë një kufi kohës, në të cilën ai i lejon njerëzit të thyejnë ligjet e tij e të shkaktojnë në këtë mënyrë vuajtje dhe dhimbje. Ajo kohë është gati duke dhënë shpirt. Jezui është tashmë duke sunduar si Mbret në Mbretërinë qiellore të Perëndisë dhe së shpejti ajo Mbretëri do të hidhet në veprim, për të eliminuar qeveritë njerëzore dhe për të marrë në dorë qeverisjen e përditshme të njerëzimit. (Mateu 24:3-14; Zbulesa 11:15, 18) Rezultati do të jetë një parajsë mbarëbotërore, në të cilën do të ketë paqe dhe drejtësi me bollëk. Në atë kohë, nuk do të ketë asnjë pasiguri lidhur me mënyrën se si duhet adhuruar Perëndia i vërtetë. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:29) Vlera të tilla të përjetshme si dashamirësia e dashur, e vërteta, drejtësia dhe mirësia do të triumfojnë për të mirën e gjithë njerëzimit të bindur.

Duke shikuar drejt asaj kohe, psalmisti thotë me fjalë poetike: «Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njëra me tjetrën. E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli. Po, Zoti do të japë atë që është e mirë dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj. Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.»​—Psalmi 85:10-13.

Ndërsa ne nuk mund të ndryshojmë botën, si individë mund të kultivojmë vlera hyjnore edhe sot. Kështu ne mund të përpiqemi të jemi ata lloj njerëzish, që Perëndia do të dëshirojë si adhuruesit e tij në atë botë të re. Atëherë, do të jemi mes të butëve, të cilëve iu referua psalmisti: «Vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të provojnë shijen e këndshme të bollëkut të paqes.» (Psalmi 37:11, BR) Perëndia mbështet dhe bekon ata që bëjnë vullnetin e tij dhe premton gjëra të mrekullueshme për të ardhmen e tyre. Apostulli Gjon tha: «Bota po kalon dhe po kështu edhe dëshira e saj, por ai që kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»​—1. Gjonit 2:17, BR.

[Figura në faqen 7]

Dëshmitarët e Jehovait i ftojnë të gjithë që të njihen me lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë

[Burimi i figurës në faqen 6]

Llampa në faqet 3, 4, 5 dhe 6: Ornamentet e shtypjes/​nga Karol Belanger Grafton/​Dover Publications, Inc.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo