BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/3 f. 4-5
  • Fondamentalizmi: Çfarë është ai?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Fondamentalizmi: Çfarë është ai?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Fondamentalizmi është një reagim i kohëve tona
  • Identifikimi i një fondamentalisti
  • Përhapja e Fondamentalizmit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Një rrugë më e mirë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Pyetje që bëhen më shpesh
    Zgjohuni!—2010
  • A është feja shkaku i problemeve të njerëzimit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/3 f. 4-5

Fondamentalizmi: Çfarë është ai?

KU ZURI fill fondamentalizmi? Nga fundi i shekullit të kaluar, teologët liberalë po ndryshonin bindjet e tyre për t’i bërë vend kritikës më të lartë të Biblës dhe teorive shkencore si evolucioni. Si pasojë, besimi i njerëzve në Bibël u lëkund. Krerët konservatorë fetarë në Shtetet e Bashkuara reaguan, duke themeluar ato që i quajtën parimet bazë të besimit.a Në vitet e para të shekullit të 20-të, ata botuan një diskutim të këtyre parimeve bazë në një varg volumesh me titull The Fundamentals: A Testimony to the Truth (Parimet bazë: Një dëshmi për të vërtetën). Nga ky titull në anglisht vjen edhe termi «fondamentalizëm».

Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, fondamentalizmi bëhej herë pas here një temë për bisedë. Për shembull, në 1925-n, fondamentalistët fetarë morën një mësues shkolle të quajtur Xhon Skops, nga Tenesi, SHBA, për ta gjykuar në atë që u bë i njohur si gjyqi i Skopes. Cili kishte qenë krimi i z. Skops? Ai ishte duke mësuar evolucionin dhe kjo ishte kundër ligjit të shtetit Tenesi. Ato ditë, disa besuan se fondamentalizmi do t’i kishte ditët e numëruara. Në 1926-n, Christian Century, një revistë protestante, thoshte se fondamentalizmi ishte «diçka boshe e artificiale» dhe i «mungonin tërësisht cilësitë e arritjeve ndërtuese apo të mbijetesës». Sa i gabuar ishte ai vlerësim!

Duke filluar nga 1970-a, fondamentalizmi ka qenë vazhdimisht në lajme. Profesor Miroslav Volf, i Seminarit më të plotë Teologjik, në Kaliforni, SHBA, thotë: «Fondamentalizmi jo vetëm që ka mbijetuar, por edhe ka lulëzuar.» Sot, fjala «fondamentalizëm» nuk i drejtohet vetëm lëvizjeve protestante, por edhe atyre të feve të tjera, si katolicizmi, islamizmi, judaizmi dhe hinduizmi.

Fondamentalizmi është një reagim i kohëve tona

Përse gjithë kjo përhapje e fondamentalizmit? Ata që e studiojnë atë, ia atribuojnë këtë gjë, të paktën pjesërisht, pasigurisë morale dhe fetare të kohës sonë. Vitet e mëparshme, pjesa më e madhe e shoqërisë njerëzore jetonte në një atmosferë sigurie morale, të bazuar në bindjet tradicionale. Tani, ato bindje janë sfiduar apo hedhur poshtë. Shumë intelektualë pohojnë se nuk ka Perëndi dhe se njeriu është i vetëm në një univers indiferent. Shumë shkencëtarë mësojnë se njerëzimi ka ardhur si pasojë e evolucionit të rastësishëm dhe jo i veprimeve të një Krijuesi të dashur. Mbizotëron një mentalitet tolerant. Bota është molepsur me humbjen e vlerave morale në të gjitha nivelet e shoqërisë.​—2. Timoteut 3:4, 5, 13.

Fondamentalistët digjen nga malli për siguritë e së shkuarës dhe disa prej tyre mundohen t’i kthejnë komunitetet dhe kombet e tyre në ato që ata mendojnë se janë themele të përshtatshme morale dhe doktrinale. Ata bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të detyruar të tjerët që të jetojnë sipas një kodi «korrekt» moral dhe sistemi bindjesh doktrinale. Një fondamentalist është fuqimisht i bindur se ai ka të drejtë dhe të tjerët e kanë gabim. Profesori Xhejms Bar, thotë në një libër të tij se fondamentalizmi «është konsideruar shpesh si një term armiqësor dhe fyes, që të sjell ndër mend mendjengushtësinë, fanatizmin, obskurantizmin dhe sektarizmin».​—Fundamentalism.

Duke qenë se askujt nuk i pëlqen të quhet mendjengushtë, fanatik apo sektar, jo të gjithë pajtohen me atë se kush është fondamentalist dhe kush jo. Megjithatë, ka disa aspekte që karakterizojnë fondamentalizmin fetar.

Identifikimi i një fondamentalisti

Fondamentalizmi fetar është zakonisht një përpjekje për të ruajtur ato që besohet se janë tradita origjinale apo bindje fetare të një kulture dhe për t’iu kundërvënë asaj që perceptohet si frymë jofetare e botës. Kjo nuk do të thotë se fondamentalistët i kundërvihen gjithçkaje që është moderne. Disa përdorin shumë efektivisht komunikimin modern, për të mbështetur pikëpamjet e tyre. Por ata luftojnë kundër shekullarizimit të shoqërisë.b

Disa fondamentalistë janë përcaktuar si ata që jo vetëm ruajnë një strukturë tradicionale të doktrinave apo të mënyrës së jetesës për vete, por që ua imponojnë këtë gjë edhe të tjerëve, për të ndryshuar strukturat shoqërore, në mënyrë që të përputhen me bindjet e fondamentalistëve. Për këtë arsye, fondamentalisti katolik nuk kufizohet vetëm me mospranimin e abortit. Ai fare mirë mund t’u bëjë presion ligjvënësve të vendit të tij, për të mbështetur nxjerrjen e abortit jashtë ligjit. Sipas gazetës La Repubblica, në Poloni, për të miratuar ligjin kundër abortit, Kisha Katolike bëri «një ‘betejë’, në të cilën përdori gjithë fuqinë dhe ndikimin e vet». Duke bërë këtë, autoritetet kishtare po vepronin shumë ngjashëm fondamentalistëve. Koalicioni i krishterë protestant në Shtetet e Bashkuara bën «beteja» të ngjashme.

Fondamentalistët dallohen mbi të gjitha nga bindjet e tyre fetare të rrënjosura thellë. Kështu, një fondamentalist protestant do të jetë një përkrahës i bindur i interpretimit fjalë për fjalë të Biblës, duke përfshirë edhe bindjen se toka u krijua në gjashtë ditë të vërteta. Një fondamentalist katolik nuk ka asnjë dyshim lidhur me pagabueshmërinë e papës.

Kuptohet, pra, përse termi «fondamentalizëm» të ngjall imazhin e një fanatizmi të paarsyeshëm dhe përse ata që nuk janë fondamentalistë, janë të shqetësuar kur shohin përhapjen e fondamentalizmit. Si individë, ne mund të mos pajtohemi me fondamentalistët dhe të tmerrohemi nga manovrat e tyre politike dhe ndonjëherë nga veprimet e tyre të dhunshme. Në fakt, fondamentalistët e një feje mund të jenë të tmerruar nga veprimet e fondamentalistëve të feve të tjera! Prapëseprapë, shumë njerëz që i thërrasin mendjes, janë të shqetësuar rreth atyre gjërave që provokojnë përhapjen e fondamentalizmit, ku futen: shthurja morale gjithnjë e në rritje, humbja e besimit dhe hedhja poshtë e vlerave frymore në shoqërinë moderne.

A është fondamentalizmi përgjigjja e vetme ndaj këtyre prirjeve? Nëse jo, cila është alternativa?

[Shënimet]

a Të ashtuquajturat Pesë Pika të Fondamentalizmit, të përcaktuara në 1895-n, ishin: «(1) frymëzimi i plotë dhe pagabueshmëria e Shkrimeve; (2) hyjnia e Jezu Krishtit; (3) lindja e Krishtit nga virgjëresha; (4) shlyerja zëvendësuese e Krishtit në kryq; (5) ringjallja trupore dhe ardhja e dytë personale e fizike e Krishtit në tokë.»​—Studi di teologia.

b «Shekullarizim» do të thotë shtypje e laikut, si kundërshtar i gjërave frymore apo të shenjtëruara. Ai që është i pafe nuk interesohet për fenë apo për bindjet fetare.

[Diçitura në faqen 5]

Në 1926-n, «Christian Century», një revistë protestante, e përshkruante fondamentalizmin si diçka «boshe e artificiale» dhe që i «mungonin tërësisht cilësitë e arritjeve ndërtuese apo të mbijetesës»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo