Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
«Le të shndritë drita juaj para njerëzve»
NË PREDIKIMIN e tij në Mal, Jezui u tha dishepujve të tij: «Ju jeni drita e botës.» Më pas, vazhdoi t’i nxisë: «Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:14-16.
Vepra e shkëlqyer e Dëshmitarëve të Jehovait në Itali nuk ka kaluar pa u vënë re. Për shembull, sjellja e tyre e mirë gjatë pjesëmarrjes nëpër kongreset vjetore, i sjell lavdi Perëndisë, ashtu siç vërtetojnë raportet e mëposhtme:
▪ Për vite të tëra, një grua në Terni, Itali, ndihmoi të bijën që të drejtonte një kafene, e cila gjendej pranë stadiumit të atij qyteti. Ajo tregon: «Vërejta një ndryshim të madh mes atyre që vinin për të parë ndeshjen e futbollit dhe delegatëve të kongreseve të Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend. Dëshmitarët ishin më modestë në të veshur, të ndershëm dhe të respektueshëm. Shpesh pyesja veten se si njerëz të racave të ndryshme mund të shkonin kaq mirë bashkë.
Një ditë, një Dëshmitare më ndaloi në rrugë dhe më pyeti nëse e njihja emrin e Perëndisë. Unë nuk e njihja dhe përderisa e dija se Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz të mirë, pranova që ajo të më vizitonte në shtëpi. Kisha shumë pyetje lidhur me gjendjen e të vdekurve, të cilave ajo iu përgjigj me vargje nga Bibla. Pa ngurruar, pranova një studim biblik dhe dy javë më vonë, fillova të merrja pjesë nëpër mbledhje.
Në fillim, vajza më kundërvihej, por sjellja dhe vendosmëria ime bënë që ajo të ndryshonte qëndrim. Kam studiuar për nëntë muaj. Sot, ime bijë dhe i shoqi bëjnë komente çmueshmërie për Dëshmitarët, të cilët janë klientë të rregullt në kafenenë e tyre. Sa për mua, unë jam pagëzuar në një kongres të zhvilluar në këtë stadium.»
▪ Pas një kongresi në Roseto degli Abruzzi, një drejtor kampi vërejti: «Kam vënë re se Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të ndershëm në çdo gjë që bëjnë. Javën e fundit, pata 40 prej tyre në kampin tim dhe nuk më krijuan asnjë problem. Përkundrazi, ata janë të vetmit që vijnë e të thonë, kur kanë një person tepër që qëndron në rulotën apo tendën e tyre. Për sa jam i interesuar unë, ata janë klientët më të mirë që mund të kesh.»
▪ Pas të njëjtit kongres, një drejtor hoteli pohoi: «Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait janë të qetë. Ata nuk janë shamataxhinj dhe shkojnë herët në shtrat. Janë vërtet të përzemërt, të ndershëm dhe të sjellshëm. Do të ishte e mrekullueshme sikur të gjithë të ishin si ata. Të tjerët vjedhin ç’të gjejnë: vazo, taketuke, madje edhe letrën higjienike dhe sheqerin. Me Dëshmitarët e Jehovait nuk ka ndodhur asnjëra nga këto. Kur fëmijët e tyre marrin në mbrëmje akullore nga frigoriferi, nuk e vras mendjen të shkoj e të kërkoj se çfarë kanë marrë. Ata llogarisin se sa më detyrohen dhe vijnë menjëherë për të paguar. Tek ata kam besim të plotë. Sa e mrekullueshme do të ishte, po të ishin edhe të tjerët kështu! Do të doja që të gjithë mysafirët që vijnë në hotelin tim, të ishin Dëshmitarë të Jehovait.»
Ashtu si edhe në shumë pjesë të tjera të tokës, Dëshmitarët e Jehovait në Itali janë të mirënjohur. Ata ‘mbajnë një sjellje të shkëlqyer mes kombeve’ dhe në këtë mënyrë i sjellin lavdi Perëndisë së vërtetë, emrin e të cilit ata mbajnë.—1. Pjetrit 2:12, BR.