Përhapja e Fondamentalizmit
FONDAMENTALIZMI, pak dekada më parë, ishte thjesht një lëvizje minoriteti brenda protestantizmit. Por gjërat kanë ndryshuar shumë! Brus B. Laurens, një komentues mbi fenë, shkroi se 30 vjet më parë, pak njerëz do të kishin parashikuar se në fund të shekullit të 20-të, fondamentalizmia do të bëhej një temë kaq e rëndësishme dhe madje përpirëse për mjetet e shtypit e të informacionit masiv dhe për kërkimet universitare.
Megjithatë, kjo ka ndodhur. Raportet e gazetave për demonstrata të dhunshme nëpër rrugë, vrasje, lëvizje kundër abortit, manovra politike nga grupet shtypëse fetare dhe djegie publike të librave që konsiderohen si blasfemues, janë përkujtues të vazhdueshëm të veprimtarive të fondamentalistëve. E përjavshmja financiare italiane Mondo Economico pohonte se fondamentalizmi është gati kudo «në sulm në emër të Perëndisë».
Shpeshherë, fondamentalistët portretizohen si ekstremistë dhe fanatikë, komplotistë nga ku zënë fill dhe kryhen sulme terroriste. Njerëzit janë të alarmuar me rritjen e grupeve të tilla, si Comunione e Liberazione në katolicizmin e Romës, Gush Emunim në judaizëm dhe të koalicionit të krishterë në protestantizmin e Amerikës së Veriut. Përse po përhapet fondamentalizmi? Ç’gjë e nxit këtë përhapje? Mos vallë është «hakmarrja e Perëndisë», siç sugjeron sociologu francez, Zhil Kepel?
[Shënimi]
a Fondamentalist është ai që u përmbahet rreptësisht vlerave tradicionale dhe atyre konservatore fetare. Domethënia e «fondamentalizmit» do të diskutohet në mënyrë më të plotë në artikullin vijues.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Nina Berman/Sipa Press