Karaitët dhe kërkimi i tyre i së vërtetës
«KËRKONI me kujdes në [Shkrimet] dhe mos besoni në opinionin tim.» Janë fjalë të thëna nga një udhëheqës karait i shekullit të tetë të e.s. Kush ishin karaitët? A mund të nxjerrim ndonjë mësim me vlerë nga shembulli i tyre? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të kthehemi prapa në kohë, në një mosmarrëveshje të gjatë, e cila lindi lëvizjen e karaitëve.
Si filloi mosmarrëveshja?
Në shekujt e fundit para erës sonë, brenda judaizmit u zhvillua një filozofi e re. Ishte koncepti se Perëndia dha dy ligje në malin Sinai, një të shkruar dhe një gojor.a Në shekullin e parë të e.s. pati përplasje të ashpra midis atyre që e mbështetnin këtë mësim të ri dhe atyre që nuk e pranonin. Nismëtarë qenë farisenjtë, ndërsa saducenjtë dhe esenët ishin në krahun kundërshtar.
Në mes të kësaj mosmarrëveshjeje, u shfaq Jezui nga Nazareti, si Mesia i premtuar. (Danieli 9:24, 25; Mateu 2:1-6, 22, 23) Jezui u ballafaqua me të gjitha këto grupe hebrenjsh, të cilat ishin në konflikt midis tyre. Duke arsyetuar me to, ai dënoi faktin që fjala e Perëndisë ishte bërë e pavlefshme, për shkak të traditës së tyre. (Mateu 15:3-9) Gjithashtu, Jezui i mësoi të vërtetat frymore në një mënyrë të tillë që ishte e mundur vetëm për Mesinë. (Gjoni 7:45, 46) Për më tepër, vetëm ithtarët e vërtetë të Jezuit dhanë dëshmi se kishin përkrahjen hyjnore. Ata u bënë të njohur si të krishterë.—Veprat 11:26.
Kur u shkatërrua tempulli në Jeruzalem, në vitin 70 të e.s., farisenjtë ishin sekti i vetëm fetar që mbijetoi i paprekur. Tashmë pa priftërinj, sakrifica dhe tempull, judaizmi i farisenjve mund të shpikte zëvendësues për të gjitha këto, duke lejuar që tradita dhe interpretimet të kalonin mbi Ligjin e shkruar. Kjo i hapi rrugën shkrimit të «librave të shenjtë» të rinj. Së pari erdhi Mishnah, me shtesat dhe interpretimet e saj të ligjit të tyre gojor. Më vonë, u shtuan përmbledhje të tjera shkrimesh dhe u quajtën Talmudi. Në të njëjtën kohë, të krishterët apostatë filluan t’i jepnin vetes liri, në lidhje me mësimet e Jezuit. Të dyja qarqet krijuan sisteme të forta fetare: nga njëra anë autoriteti i rabinëve dhe nga ana tjetër autoriteti i kishës.
Për shkak të konfliktit të hebrenjve me Romën pagane e më pas me Romën «e krishterë», qendra e judaizmit u shpërngul me kalimin e kohës në Babiloni. Atje, shkrimet e Talmudit u përpunuan në formën e tyre më të plotë. Edhe pse rabinët pohonin se Talmudi zbulonte vullnetin e Perëndisë në mënyrë më të plotë, shumë hebrenj e ndjenin se pesha e autoritetit të rabinëve po rritej dhe kishin një dëshirë të zjarrtë për fjalën e Perëndisë, që u ishte dhënë me anë të Moisiut dhe profetëve.
Në gjysmën e dytë të shekullit të tetë të e.s., hebrenjtë e Babilonisë që kundërshtonin autoritetin e rabinëve dhe besimin që kishin ata në ligjin e tyre gojor, iu përgjigjën një udhëheqësi erudit, i quajtur Anan ben David. Ai shpallte se çdo hebre kishte të drejtë të pakufizuar për të studiuar Shkrimet Hebreje, si i vetmi burim i fesë së vërtetë, pa marrë parasysh interpretimet e rabinëve apo Talmudin. Anani mësonte: «Kërkoni me kujdes në Torah [ligji i shkruar i Perëndisë] dhe mos besoni në opinionin tim.» Për shkak të kësaj rëndësie që u jepnin Shkrimeve, ithtarët e Ananit u bënë të njohur si qa·ra·ʼimʹ, një emër hebraisht që do të thotë «lexues».
Përplasje ndërmjet karaitëve dhe rabinëve
Cilët janë disa shembuj të mësimeve të karaitëve që shkaktuan tronditje në qarqet e rabinëve? Rabinët ndalonin ngrënien e mishit me qumësht. E shfaqnin këtë si shpjegimin e ligjit gojor për Të Dalët 23:19, i cili thotë: «Nuk do ta ziesh kecin me qumështin e nënës së tij.» Nga ana tjetër, karaitët mësonin se domethënia e këtyre vargjeve nuk ishte as më pak e as më shumë se ajo që thuhej. Ata argumentonin që kufizimet rabinike ishin shpikje njerëzish.
Sipas interpretimit që i bënin Ligjit të përtërirë 6:8, 9, rabinët mendonin se burrat hebrenj duhej të luteshin, duke pasur të veshur tefilinin dhe se në parvazin e derës duhej vendosur një mezuzah.b Karaitët i konsideronin këto vargje se kishin vetëm kuptim figurativ dhe domethënie simbolike, prandaj nuk i pranonin rregullat e rabinëve.
Në çështje të tjera, karaitët ishin shumë më të shtrënguar se rabinët. Shqyrto, për shembull, pikëpamjen e tyre për Të Dalët 35:3, në të cilin lexojmë: «Nuk do të ndizni zjarr në asnjë prej banesave tuaja ditën e shtunë.» Karaitët nuk lejonin të lihej një llampë apo kandil ndezur, edhe sikur të ishte ndezur para Sabatit.
Veçanërisht pas vdekjes së Ananit, krerët e karaitëve vazhdimisht nuk ranë dakort në lidhje me masën dhe natyrën e disa kufizimeve dhe mesazhi i tyre nuk ishte gjithmonë i qartë. Karaitët nuk kishin unitet, pasi nuk pranonin asnjë udhëheqës të vetëm, por theksonin leximin dhe interpretimin individual të Shkrimeve, gjë që ishte e kundërta e autoritetit e tipit rabinik. Megjithatë, lëvizja e karaitëve u rrit gjithsesi e fitoi popullaritet e ndikim edhe përtej komunitetit hebre në Babiloni dhe u përhap në Lindjen e Mesme. Një qendër e madhe karaite u vendos madje në Jeruzalem.
Gjatë shekujve të nëntë e të dhjetë të e.s., dijetarët karaitë shkëlqyen në një studim të rinovuar të gjuhës hebreje dhe kaluan njëfarë periudhe të artë. Ata e konsideronin tekstin e shkruar të Shkrimeve Hebreje, jo traditat gojore, si të shenjtë. Disa karaitë u bënë kopjues të kujdesshëm të Shkrimeve Hebreje. Në fakt, ishte sfida e karaitëve ajo që inkurajoi studimin masoretik të Shkrimeve midis të gjithë hebrenjve, duke siguruar një tekst biblik të ruajtur më me kujdes deri sot.
Gjatë periudhës së rritjes së shpejtë, judaizmi karait u angazhua në një vepër misionare midis hebrenjve të tjerë. Kjo përbënte një kërcënim të hapur për judaizmin rabinik.
Si u përgjigjën rabinët?
Kundërsulmi i rabinëve ishte një luftë e ashpër fjalësh, me një përkulshmëri dinake dhe duke i ndryshuar mësimet e tyre. Në shekujt pas sulmit të Ananit, judaizmi rabinik adoptoi një sërë metodash nga karaitët. Rabinët u bënë më shumë profesionistë në citimin e Shkrimeve, duke mishëruar në retorikën e tyre stilin dhe metodën e karaitëve.
Udhëheqësi i padiskutueshëm i kësaj ndeshjeje fjalësh me karaitët ishte Saʽadia ben Jozef, i cili u bë kreu i komunitetit hebre në Babiloni, në gjysmën e parë të shekullit të dhjetë të e.s. Vepra më e madhe e Saʽadias, The Book of Beliefs and Opinions, u përkthye në anglisht nga Samuel Rozenblat, i cili në parathënien e tij tha: «Edhe pse . . . në ditët e tij ishte autoritet në fushën e Talmudit, [Saʽadia] bëri një përdorim krahasimisht ekonomik të këtij burimi të traditës hebreje, me sa duket ngaqë dëshironte të luftonte karaitët me armët e tyre, pasi ata pranonin si të vlefshëm vetëm Ligjin e Shkruar.»
Duke ndjekur gjurmët e Saʽadias, judaizmi rabinik më në fund pati kontroll dhe ndikim më të madh. Këtë e arriti duke iu përshtatur Ligjit të shkruar vetëm aq sa t’u hiqte argumenteve të karaitëve forcën dinamike. Goditjen përfundimtare e dha Mose Maimonidi, dijetari i njohur talmudist i shekullit të 12. Me qëndrimin e tij tolerues kundrejt karaitëve, me të cilët kishte jetuar në Egjipt, si dhe me stilin e tij bindës prej dijetari, ai fitoi admirimin e tyre dhe dobësoi edhe vetë pozitën e krerëve karaitë.
Lëvizja karaite e humb vrullin
Tashmë pa unitet dhe pa një forcë rezistuese të koordinuar mirë, lëvizja karaite humbi vrullin dhe ithtarët e saj. Së fundi, karaitët modifikuan pikëpamjet dhe parimet e tyre. Leon Nemoi, një autor i lëvizjes karaite, shkruan: «Edhe pse Talmudi mbeti teorikisht jashtë ligjit, shumë material i marrë nga Talmudi u përshtat krejtësisht në praktikat karaite të ligjit dhe zakoneve.» Në thelb, karaitët e humbën qëllimin e tyre fillestar dhe adoptuan shumë nga judaizmi rabinik.
Sot në Izrael ka ende rreth 25.000 karaitë. Disa mijëra të tjerë mund të gjenden në komunitete të tjera, më shumë në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara. Duke pasur traditën e tyre gojore, ata ndryshojnë nga karaitët e parë.
Ç’mund të mësojmë nga historia e karaitëve? Që është një gabim serioz ‘të bësh pa vlerë fjalën e Perëndisë, për shkak të traditës’. (Mateu 15:6, BR) Për t’u liruar nga traditat e rënda të njerëzve duhet njohuria e saktë e Shkrimeve. (Gjoni 8:31, 32; 2. Timoteut 3:16, 17) Po, ata që përpiqen të njohin dhe të bëjnë vullnetin e Perëndisë nuk besojnë në traditat e njerëzve. Përkundrazi, kërkojnë me zell në Bibël dhe zbatojnë udhëzimet e dobishme të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.
[Shënimet]
a Për një shpjegim të të ashtuquajturit ligj gojor, shiko faqet 8-11 të broshurës A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?, botuar në shqip nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Tefilinët janë dy kuti të vogla katrore prej lëkure, të cilat përmbajnë copa të vogla pergamene me pjesë nga Shkrimet. Sipas traditës, ato vareshin në krahun e majtë dhe në kokë gjatë lutjeve të mëngjesit të çdo dite, përveç së dielës. Mezuzah është një rrotull e vogël pergamene, në të cilën është shkruar Ligji i përtërirë 6:4-9 dhe 11:13-21 e që vendoset në një kuti të vogël të varur në parvaz të derës.
[Figura në faqen 30]
Një grup karaitësh
[Burimi]
Nga libri The Jewish Encyclopedia, 1910