«Dritë e qartë» mbi Biblën, nga biblioteka më e vjetër e Rusisë
DY DIJETARË janë në kërkim të dorëshkrimeve të vjetra biblike. Secili më vete, udhëtojnë nëpër shkretëtira dhe kërkojnë nëpër shpella, manastire dhe banesa të lashta të ndërtuara në faqe shkëmbinjsh. Vite më vonë, rrugët e tyre puqen në bibliotekën shtetërore më të vjetër të Rusisë, ku ndodhen disa nga zbulimet më mahnitëse të dorëshkrimeve biblike që ka njohur deri më tani bota. Cilët ishin këta burra? Si përfunduan në Rusi thesaret që zbuluan ata?
Dorëshkrimet e lashta, mbrojtëse të Fjalës së Perëndisë
Për t’u njohur me njërin nga këta dijetarë, duhet të kthehemi në fillimin e shekullit të 19-të, kur në Evropë frynin erërat e revolucionit intelektual. Ishte një epokë përparimi shkencor dhe arritjesh kulturore, por që nxiste një pikëpamje skeptike për bindjet tradicionale. Kritikët letrarë biblikë u përpoqën të minonin autoritetin e Biblës. Madje disa dijetarë filluan të hidhnin dyshime për autenticitetin e tekstit biblik.
Disa përkrahës të sinqertë të Biblës kuptuan se po të kishte prova të reja—si dorëshkrime biblike të lashta ende të pazbuluara—ato do ta mbronin me siguri paprekshmërinë e Fjalës së Perëndisë. Po të gjendeshin dorëshkrime më të vjetra se ato që ekzistonin, do të shërbenin si dëshmi për pastërtinë e tekstit biblik, ndonëse prej kohësh ishin bërë përpjekje për ta shkatërruar ose për ta shtrembëruar mesazhin e saj. Këto dorëshkrime mund të nxirrnin në pah edhe ato pak vende ku kishin futur përkthime të gabuara në tekst.
Disa nga debatet më të zjarrta për autenticitetin e Biblës bëheshin në Gjermani. Atje, një profesor në moshë të re, la rehatinë e jetës akademike dhe u nis në një udhëtim që do ta çonte në një nga zbulimet më të mëdha të të gjitha kohëve, për sa i përket Biblës. Emrin e kishte Konstantin fon Tishendorf dhe ishte një dijetar biblik. Refuzimi i tij ndaj kritikës letrare të Biblës bëri që të mbrohej me shumë sukses autenticiteti i tekstit biblik. Udhëtimi i parë që bëri ai në vitin 1844, në shkretëtirën e Sinait, pati një sukses të jashtëzakonshëm. Ai vetëm sa i hodhi një sy rastësisht një koshi plehrash në një manastir dhe zbuloi një kopje të lashtë të Septuagintës, domethënë Shkrimet Hebraike të përkthyera në greqisht. Ishte dorëshkrimi më i vjetër që ishte zbuluar deri atëherë!
Krenar për këtë zbulim, Tishendorfi arriti të merrte me vete 43 fletë. Ndonëse ishte i bindur se kishte fletë të tjera, në vizitën tjetër që bëri atje në vitin 1853 arriti të gjente vetëm një fragment. Ku ishte pjesa tjetër? Meqë i ishin mbaruar fondet, Tishendorfi u përpoq të gjente ndonjë sponsor të pasur që ta financonte dhe vendosi të largohej prapë nga vendlindja e tij për të kërkuar dorëshkrime të lashta. Por, para se të nisej me këtë mision, do t’i kërkonte ndihmë carit të Rusisë.
Cari interesohet për dorëshkrimet
Tishendorfi me siguri do të ketë qenë në merak se ç’pritje do t’i bëhej atij, një dijetari protestant, në Rusi, një vend tejet i madh ku sundonte Kisha Ortodokse e Rusisë. Lumturisht, Rusia kishte hyrë në një epokë të favorshme ndryshimesh dhe reformash. Ngaqë ishte vënë theksi te arsimi, në vitin 1795 ishte themeluar Biblioteka Perandorake e Shën-Pjetërburgut, nga perandoresha Katerina II (e njohur edhe si Katerina e Madhe). Duke qenë biblioteka e parë shtetërore e Rusisë, ajo kishte vënë në dispozicion të miliona vetave një pasuri të tërë informacionesh të shtypura.
Edhe pse e lavdëronin si një nga bibliotekat më të mira të Evropës, Biblioteka Perandorake kishte një mangësi. Pesëdhjetë vjet pasi ishte hapur, ajo bibliotekë kishte vetëm gjashtë dorëshkrime hebraike. Me kaq pak, nuk arrinte ta përballonte interesin gjithnjë e më të madh të Rusisë për studimin e gjuhëve biblike dhe të përkthimeve të Biblës. Katerina II kishte dërguar dijetarë në universitetet evropiane për të mësuar gjuhën hebraike. Pasi ishin kthyer dijetarët, në seminaret më të mëdha të kishës ortodokse ishin hapur kurse të gjuhës hebraike dhe, për herë të parë, dijetarët rusë filluan punën për një përkthim të saktë të Biblës nga hebraishtja e vjetër në rusisht. Por ndeshën një mungesë fondesh e madje kundërshtime nga disa krerë fetarë konservatorë. Ndriçimi i vërtetë s’kishte filluar ende për ata që kërkonin njohurinë biblike.
Cari, Aleksandri II, e kuptoi menjëherë vlerën e misionit të Tishendorfit dhe i ofroi mbështetjen e tij financiare. Me gjithë «kundërshtimin nga xhelozia dhe fanatizmi» i disave, Tishendorfi u kthye nga misioni i tij në Sinai me pjesën tjetër të kopjes së Septuagintës.a E quajtur më vonë Kodiku Sinaitik, ajo është ende një nga dorëshkrimet më të vjetra biblike ekzistuese. Pasi u kthye në Shën-Pjetërburg, Tishendorfi nxitoi të shkonte në Pallatin Dimëror të carit. Ai i propozoi carit që të financonte «një nga përpjekjet më të mëdha në studimin kritik dhe biblik», që do të ishte një botim i dorëshkrimit të sapogjetur, i cili më vonë u vendos në Bibliotekën Perandorake. Cari pranoi menjëherë dhe, i entuziazmuar, Tishendorfi shkroi më vonë: «Perëndia i ka dhënë epokës sonë . . . Biblën Sinaitike, që të jetë për ne një dritë e qartë dhe e plotë se si është shkruar në të vërtetë teksti i Fjalës së Perëndisë, dhe për të na ndihmuar që të mbrojmë të vërtetën, duke përcaktuar formën e saj origjinale.»
Thesare biblike nga Krimeja
Në fillim përmendëm edhe një dijetar tjetër që kërkonte thesare biblike. Kush ishte ai? Disa vjet para se Tishendorfi të kthehej në Rusi, Biblioteka Perandorake mori një propozim kaq të pabesueshëm, saqë tërhoqi interesin e carit dhe solli në Rusi dijetarë nga e gjithë Evropa. Nuk u besonin dot syve. Para tyre kishin një koleksion kolosal dorëshkrimesh dhe materialesh të tjera. Kishte një numër marramendës prej 2.412 pjesësh, duke përfshirë 975 dorëshkrime dhe rrotulla. Mes tyre ishin 45 dorëshkrime të Biblës, me datë më të hershme se shekulli i dhjetë. Sado e pabesueshme të dukej, që të gjitha këto dorëshkrime i kishte mbledhur pothuajse me dorën e vet një burrë me emrin Abraham Firkoviçi, një dijetar karait, që në atë kohë ishte mbi 70 vjeç! Por, cilët ishin karaitët?b
Kjo pyetje i interesonte shumë carit. Rusia i kishte zgjeruar kufijtë dhe kishte marrë territore që më parë i kishin pasur shtete të tjera. Kjo kishte sjellë në perandori grupe të reja etnike. Krahina piktoreske e Krimesë, në brigjet e Detit të Zi, ishte e populluar nga njerëz që dukeshin si judenj, por që kishin zakone turke dhe flitnin një gjuhë që ishte e lidhur me gjuhën tatare. Këta karaitë e kishin prejardhjen nga judenjtë që u çuan robër në Babiloni, pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Por, ndryshe nga judenjtë rabinikë, ata nuk e pranonin Talmudin dhe theksonin leximin e Shkrimeve. Karaitët e Krimesë dëshironin shumë t’i jepnin prova carit se ishin ndryshe nga judenjtë rabinikë, pasi kjo do t’u jepte edhe një pozitë të veçantë në shoqëri. Duke paraqitur dorëshkrime të lashta që i kishin në pronësi, karaitët shpresonin të provonin se kishin ardhur nga judenjtë që kishin emigruar në Krime, pas mërgimit në Babiloni.
Firkoviçi e nisi kërkimin e dorëshkrimeve të lashta te banesat që krimeasit i kishin ndërtuar nëpër shkëmbinj, në Çufut-Kale. Breza të tërë karaitësh kishin jetuar dhe e kishin adhuruar Perëndinë në këto shtëpi të vogla të ndërtuara me gurë që ishin nxjerrë nga shkëmbinjtë. Karaitët nuk i shkatërronin kurrë kopjet e vjetëruara të Shkrimeve ku ndodhej edhe emri hyjnor, Jehova, sepse e konsideronin sakrilegj këtë veprim. Dorëshkrimet i ruanin me kujdes në një depo të vogël që e quanin genizah, domethënë «vend i fshehtë» në hebraisht. Meqë karaitët kishin shumë respekt për emrin e Perëndisë, këto pergamenë nuk i trazonin.
Pa u trembur nga pluhuri i shekujve, Firkoviçi kërkoi me kujdes nëpër vendet ku ndodheshin genizahët. Në njërin prej tyre, gjeti dorëshkrimin e famshëm të vitit 916 të e.s. Ky dorëshkrim, i quajtur Kodiku i Pjetërburgut i Profetëve të Mëvonshëm, është një nga kopjet më të vjetra ekzistuese të Shkrimeve Hebraike.
Firkoviçi arriti të mblidhte një numër të madh dorëshkrimesh dhe, në vitin 1859, vendosi t’ia ofronte këtë koleksion të madh Bibliotekës Perandorake. Në vitin 1862, Aleksandri II e ndihmoi bibliotekën për ta blerë koleksionin që kushtonte 125.000 rubla, vërtet një shumë marramendëse. Në atë kohë, i gjithë buxheti i bibliotekës nuk i kalonte të 10.000 rublat në vit! Në këtë koleksion ishte përfshirë i famshmi Kodik i Leningradit (B 19A). Daton që nga viti 1008 dhe është kopja më e vjetër e plotë e Shkrimeve Hebraike. Një dijetar komentoi se ai është «me siguri dorëshkrimi i vetëm më i rëndësishëm i Biblës, sepse mbi të u bazuan shumica e botimeve kritike të Biblës Hebraike». (Shih kutinë ngjitur.) Po atë vit, më 1862, u botua Kodiku Sinaitik i Tishendorfit, i cili mori famë botërore.
Ndriçim frymor në kohët moderne
Biblioteka që tani njihet si Biblioteka Kombëtare e Rusisë, ka një nga koleksionet më të mëdha në botë me dorëshkrime të vjetra.c Duke pasqyruar historinë ruse, emri i bibliotekës është ndryshuar disa herë gjatë këtyre dy shekujve. Një nga emrat e njohur është Biblioteka Shtetërore Saltikov-Shçedrin. Edhe pse trazirat e shekullit të 20-të nuk e lanë të paprekur bibliotekën, dorëshkrimet e saj mbijetuan në gjendje të mirë përgjatë dy luftërave botërore dhe rrethimit të Leningradit. Çfarë dobie nxjerrim nga këto dorëshkrime?
Dorëshkrimet e lashta janë një bazë e besueshme për shumë përkthime të sotme të Biblës. Ato u japin mundësi njerëzve që e kërkojnë me sinqeritet të vërtetën, që të kenë një version të saktë të Shkrimeve të Shenjta. Kodiku Sinaitik dhe ai i Leningradit kanë dhënë një ndihmesë të vlefshme për Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta, që është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe është prezantuar i plotë në vitin 1961. Për shembull, Biblia Hebraica Stuttgartensia dhe Biblia Hebraica e Kitelit, që janë përdorur nga Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re, bazohen në Kodikun e Leningradit dhe e përdorin Tetragramin ose ndryshe emrin hyjnor, 6.828 herë në tekstin origjinal.
Ndoshta pak lexues të Biblës e dinë sa borxhlinj i janë bibliotekës së qetë të Shën-Pjetërburgut dhe dorëshkrimeve të saj, disa prej të cilave kanë emrin e mëparshëm të qytetit, Leningrad. E megjithatë, borxhin më të madh e kemi ndaj Autorit të Biblës, Jehovait, i cili jep dritën frymore. Prandaj, psalmisti iu lut atij: «Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin.»—Psalmi 43:3.
[Shënimet]
a Ai solli edhe një kopje të plotë të Shkrimeve të Krishtere Greke që datonin nga shekulli i katërt i erës sonë.
b Për më shumë informacione rreth karaitëve, shih artikullin «Karaitët dhe kërkimi i tyre i së vërtetës», në Kullën e Rojës, 15 tetor 1995.
c Pjesa më e madhe e Kodikut Sinaitik iu shit Muzeut Britanik. Vetëm disa fragmente mbetën në Bibliotekën Kombëtare të Rusisë.
[Kutia në faqen 13]
EMRI HYJNOR NJIHEJ DHE PËRDOREJ
Me mençuri, Jehovai është kujdesur që Fjala e tij, Bibla, të ruhej deri në ditët tona. Puna e palodhur e kopjuesve gjatë epokave të ndryshme, ka ndihmuar për ruajtjen e saj. Ndër ta, më të kujdesshmit ishin masoretët, kopjues profesionistë hebrenj, që punuan nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e tetë të erës sonë. Hebraishtja e lashtë shkruhej pa zanore. Me kalimin e kohës, kjo e shtoi rrezikun se mos humbiste shqiptimi i saktë, ndërkohë që gjuha aramaike zëvendësoi hebraishten. Masoretët zhvilluan një sistem me pika për të treguar zanoret dhe ia shtuan tekstit biblik, për të treguar shqiptimin e saktë të fjalëve hebraike.
Është domethënëse që pikat e zanoreve masoretike që gjenden në Kodikun e Leningradit të japin mundësi të dish shqiptimin e Tetragramit, domethënë të katër bashkëtingëlloreve hebraike që përbëjnë emrin hyjnor, që mund të shqiptohet Yehvah, Yehvih dhe Yehovah. «Jehova» është shqiptimi më i njohur sot i këtij emri. Emri hyjnor ishte një emër i gjallë dhe i njohur për shkrimtarët e Biblës dhe për të tjerë në kohët e lashta. Sot, miliona njerëz e njohin dhe e përdorin emrin e Perëndisë, duke pranuar se ‘vetëm Jehovai është Më i Larti në tërë dheun’.—Psalmi 83:18, BR.
[Figura në faqen 10]
Dhoma e dorëshkrimeve në Bibliotekën Kombëtare
[Figura në faqen 11]
Perandoresha Katerina II
[Figurat në faqen 11]
Konstantin fon Tishendorfi (në qendër) dhe Aleksandri II, cari i Rusisë
[Figura në faqen 12]
Abraham Firkoviçi
[Burimi i figurës në faqen 10]
Të dyja figurat: Biblioteka Kombëtare e Rusisë, Shën-Pjetërburg
[Burimet e figurave në faqen 11]
Katerina II: Biblioteka Kombëtare e Rusisë, Shën-Pjetërburg; Aleksandri II: nga libri Spamers Illustrierte Weltgeschichte, Lajpcig, 1898