Burimi i kurajës së padështueshme
«NJË tingull fërshëllime bëri që t’i ndalonim menjëherë hapat tanë. Pastaj, nga një kaçube në të majtën tonë, dy zogj fuguan drejt nesh me krahë të hapur. Përballë nesh, në një pjesë të ulur të terrenit ishin dy vezë. Zogjtë na penguan që ta shkelnim aksidentalisht folenë e tyre. Sa herë që përpiqeshim për të fotografuar vezët e bukura pikaloshe, zogjtë e përsëritnin qëndrimin e tyre kërcënues. ‘Çfarë kurajë!’, menduam.»
Kjo u ndodhi katër personave të cilët i ishin afruar folesë së Burhinus capensisa. Një zog më i vogël është Vanellus armatusb. Në një libër mbi zogjtë, ornitologët Sinkleir dhe Mendelson shpjegojnë: «Çiftet që mbarështohen, i mbrojnë fuqimisht foletë dhe të vegjlit e tyre dhe bëhen shumë agresivë me afrimin e çdo ndërhyrësi. Nuk lënë që të frikësohen nga përmasat e tyre por ngrihen fluturimthi duke klithur me ashpërsi dhe lëshohen pingulthi si bombë madje edhe mbi qeniet njerëzore duke u përpjekur që t’i largojnë ata.»—Everyone’s Guide to South African Birds.
Disa kanë parë madje edhe elefantë të mëdhenj që ecnin në mënyrë të pakujdesshme në drejtim të folesë së një Vanellus Armatus, duke provokuar kështu reagimin e tyre. Zakonisht, elefantët detyroheshin të kalonin anash.
Kush ua ka dhënë zogjve gjithë këtë kurajë? Krijuesi i tyre. Perëndia Jehova i ka programuar këto krijesa të vogla me instinktin mekanik për të penguar armiqtë e mëdhenj t’u bëjnë keq foleve apo të vegjëlve të tyre.
Një mësim për të krishterët
Të krishterët mund të nxjerrin diçka nga kjo, edhe pse duan të shkojnë përtej kurajës instinktive. Ata janë ftuar për të imituar Zotërinë e tyre, Jezu Krishtin, i cili iu bind pa frikë urdhrave të Perëndisë. (Hebrenjve 12:1-3) Bibla i dënon frikacakët të cilët prapsen nga shërbimi i Perëndisë. (Hebrenjve 10:39; Zbulesa 21:8) Në të njëjtën kohë, Jehovai e di që jemi të papërsosur, kështu që mund të mëkatojmë kohë pas kohe ose mund të na mungojë kuraja e nevojshme për të kryer vullnetin e tij në mënyrë të plotë. (Psalmi 103:12-14) Ç’mund të bëjë një person, nëse frika i bëhet pengesë për të bërë atë që është e drejtë?
Një i krishterë duhet të kthehet tek Perëndia me lutje duke kërkuar ndihmë për të përballuar provat dhe për të vazhduar që të kryejë vullnetin e tij. Bibla përmban këtë premtim të sigurt të ndihmës që jep Jehovai: «Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.» (Isaia 40:29-31) Shumë qenie njerëzore kanë përjetuar të vërtetën e këtyre fjalëve dhe ‘nga të dobët janë bërë të fuqishëm’. (Hebrenjve 11:34) Një shembull i mirë u bë ai i apostullit Pavël, i cili shkroi: «Zoti më qëndroi pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjitha kombet.»—2. Timoteut 4:17, BR.
Madje edhe personat e rinj të interesuar të cilët duan të bëhen ndjekës të Jezu Krishtit mund të përjetojnë një ndihmë të tillë forcuese. Merr rastin e një jugafrikani të quajtur Henri i cili ishte arkëtari i kishës së tij dhe banonte ngjitur me priftin e tij. Henri ishte në kërkim të së vërtetës. Pavarësisht nga lidhja e tij me kishën, një ditë ai pranoi një studim biblik falas të ofruar nga Dëshmitarët e Jehovait. Me kohë, shprehu dëshirën për t’u bërë një Dëshmitar i Jehovait dhe pyeti se çfarë hapash duhet të merrte që t’ia arrinte qëllimit. Iu shpjegua se së pari i duhej të jepte dorëheqjen nga kisha e tij. (Zbulesa 18:4) Pasi prifti ishte fqinji dhe miku i tij, Henri e ndjeu se nuk do të duhej vetëm të shkruante një letër ku të deklaronte se jepte dorëheqjen, por se do të ishte më mirë ta shpjegonte çështjen ballë-përballë. Me kurajë e bëri.
Prifti u shtang dhe më vonë mori kryetarin e sinodit dhe anëtarët e tjerë të kishës për të vizituar Henrin. Ata donin të dinin se përse e kishte lënë kishën e tyre për t’u bërë anëtar i një feje, që sipas tyre nuk e kishte frymën e shenjtë të Perëndisë. «Në fillim, pata frikë t’u përgjigjesha»,—shpjegoi Henri,—«sepse ata gjithmonë kishin patur një influencë të madhe mbi mua. Iu luta Jehovait për ndihmë dhe ai më bëri të mundur të mbrohesha në këtë mënyrë: ‘Nga të gjitha fetë në botë, kush është e vetmja prej tyre që përdor emrin e Perëndisë, Jehova? A nuk janë Dëshmitarët e Jehovait? A mendoni ju se Perëndia do t’i lejonte ata që të mbanin emrin e tij pa u dhënë atyre edhe frymën e shenjtë?’» Përfaqësuesit e kishës ishin të paaftë për të hedhur poshtë një arsyetim të tillë. Falë njohurisë dhe forcës që i siguroi Perëndia, Henri tani merr pjesë me kurajo në shërbimin nga dera në derë bashkë me Dëshmitarët e Jehovait.
Po, të qënët i krishterë i vërtetë kërkon kurajë. Ndërsa fundi i kësaj bote afrohet, besimi sa vjen e vihet më tepër në provë. Satanai do që t’ua rrëmbejë shërbëtorëve të Perëndisë shpresën e tyre të mrekullueshme të jetës së përhershme duke u përpjekur që të thyejë integritetin e tyre ndaj Jehovait. (Krahaso Zbulesën 2:10.) Por ne kurrë nuk duhet të jepemi. Edhe pse do të duhet të pësojmë një rënie të përkohshme për shkak të frikës, Jehovai mund të na ndihmojë që të marrim veten. Vazhdo të besosh tek ai që të marrësh forcën për të kryer vullnetin e tij. Kujto, ai që krijoi zogjtë e patrembur, është Burimi i kurajës së padështueshme. Me të vërtetë, të krishterët e vërtetë duhet «të kenë kurajë e të thonë: ‘Jehovai është ndihmësi im; Unë nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?’»—Hebrenjve 13:6.
[Shënimet]
a Emra zogjsh që bëjnë pjesë në familjen e pallonjve.
b Emra zogjsh që bëjnë pjesë në familjen e pallonjve.