BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/9 f. 28-31
  • Të shikojmë me çmueshmëri «Shtëpinë e Perëndisë»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të shikojmë me çmueshmëri «Shtëpinë e Perëndisë»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një emër që kërkon devotshmëri
  • Si të kemi sukses në shërbimin në Bethel
  • Çmueshmëri e madhe për shërbimin e shenjtë në Bethel
  • Bekime në «Shtëpinë e Perëndisë»
  • A mund të jetë kjo karriera më e mirë për ty?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Shërbimi në Bethel—Nevojiten më shumë vullnetarë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • A mund të jemi të gatshëm?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • Të gjithë jeni të ftuar!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/9 f. 28-31

Të shikojmë me çmueshmëri «Shtëpinë e Perëndisë»

«NJË gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.»​—Psalmi 27:4.

Plot mirënjohje, mbreti David e shikonte tempullin e Jehovait me kënaqësi dhe ëndje. A ndien të njëjtën gjë për qendrat e adhurimit të vërtetë sot? Më shumë se 95 shtëpi Bethel të degëve të Shoqatës Watch Tower janë ndër objektet që shoqërohen me adhurimin e Jehovait në kohën tonë.

«Kur kujtoj vitet e shumta të shërbimit tim në Bethel, ndiej mirënjohje të thellë dhe çmueshmëri të madhe, gjë që është rritur nga viti në vit»,—shpjegon Helga, që e filloi punën në shtëpinë Bethel të Gjermanisë në 1948-ën. Helga është një nga 13.828 punëtorët e gëzuar të Bethelit në mbarë botën, që në vitin 1993 të shërbimit ‘kanë soditur kënaqësinë e Jehovait’. Çfarë do të thotë saktësisht emri Bethel? Si mund ta shikojë me çmueshmëri këtë përgatitje çdo Dëshmitar i Jehovait, kudo që i shërben Perëndisë, në Bethel apo jashtë?

Një emër që kërkon devotshmëri

«Bethel» është një emër shumë i përshtatshëm, sepse në hebraisht fjala Behth-ʼElʹ do të thotë «Shtëpia e Perëndisë». (Zanafilla 28:19, shënimi) Po, Betheli i ngjan një shtëpie të organizuar mirë apo ‘një shtëpie të ndërtuar në mençuri’, ku në qendër të vëmendjes është Perëndia dhe vullneti i tij. (Proverbat 24:3) «Është sikur të jetosh në një familje. Kemi një program ditor të organizuar mirë»,—thotë Herta me çmueshmëri, që shërben prej më shumë se 45 vjetësh në të njëjtin Bethel ku është edhe Helga. Çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe ka detyrën dhe vendin e tij, gjë që e bën të ndihet i gëzuar e i sigurt. Në përputhje me emrin Bethel, çdo repart karakterizohet nga përgatitja dhe organizimi i mirë. Një gjë e tillë përkrah paqen, e bën predikimin e lajmit të mirë sa më efikas që të jetë e mundur dhe i jep kongregacionit arsye të plotë për ta mbajtur «Shtëpinë e Perëndisë» si nderin më të lartë.​—1. Korintasve 14:33, 40.

Përse janë të nevojshme këto objekte? Kjo revistë, për shembull, është shtypur në një shtypshkronjë Betheli. Predikimi i mesazhit të Perëndisë dhe shpërndarja e ushqimit frymor, të parashikuara të dyja nga Jezu Krishti, i bëjnë të domosdoshme struktura organizative si Betheli, që përkrahen nga punëtorë vullnetarë dhe që vlerësohen shumë nga të gjithë adhuruesit e Jehovait.​—Mateu 24:14, 45.

A do të të pëlqente të dije më shumë për ditën e punës këtu? Aty ku jetojnë Helga dhe Herta, një zile me një tingull melodioz tingëllon në të gjitha ndërtesat e banuara në orën 630 të mëngjesit, edhe pse shumë nga 800 punëtorët e rregullt zgjohen më herët për t’u përgatitur për ditën. Në orën 700 të mëngjesit, nga e hëna deri të shtunën, familja mblidhet në dhomën e ngrënies për të shqyrtuar shkrimin e ditës apo adhurimin e mëngjesit. Më pas vjen një mëngjes ushqyes. Çdo ditë puna fillon në 800 të mëngjesit, zgjat tetë orë dhe ndërpritet vetëm nga intervali i drekës. (Zakonisht të shtunën familja punon një gjysmë dite.) Ka shumë për të bërë, qoftë në kuzhinë, në shtypshkronjë, në lavanteri, në zyra, në ofiçina, në lidhjen e librave apo në çdo repart tjetër.

Gjatë mbrëmjeve dhe fundjavëve, anëtarët e familjes shoqërohen me kongregacionet lokale në mbledhje dhe në predikimin publik. Shumë vëllezër të Bethelit janë pleq ose shërbëtorë ndihmës në këto kongregacione. Dëshmitarët vendas e çmojnë me të vërtetë këtë bashkëpunim dhe të gjithë së bashku punojnë në harmoni si një trup i vetëm, me respekt reciprok dhe mirëkuptim. (Kolosianëve 2:19) Çdo punëtor në Bethel e di se caktimi i tij në «Shtëpinë e Perëndisë» ka përparësi mbi të gjitha aktivitetet e tjera. Megjithatë, entuziazmi për predikimin dhe zelli e interesi në kongregacion, bashkë me qëndrimin e ekuilibruar, forcojnë gjendjen frymore të punëtorit në Bethel, rritin gëzimin e tij dhe e bëjnë atë një anëtar më të frytshëm të familjes. Sa thelbësore janë këto cilësi për atë që punon në një «shtëpi» emri i së cilës lidhet me devotshmërinë me gjithë shpirt!

Si të kemi sukses në shërbimin në Bethel

Çfarë i ka ndihmuar Dëshmitarë të panumërt të Jehovait që të kenë sukses në shërbimin në Bethel? Anëtarët e familjes së Bethelit të Francës me shumë vite përvojë mbi supe, shpjegojnë kështu: «Dashuria për Jehovain. Vendosmëria për t’u treguar i duruar kudo që ai të na caktojë; përulësia, nënshtrimi dhe bindja ndaj udhëzimeve të dhëna nga Shoqata.» (Denisa) «Kam vërejtur se sa e rëndësishme është të respektohet parimi i përmendur nga Pavli tek Romakëve 12:10: ‘Nderoni njëri-tjetrin siç duhet.’ Ky shkrim na tregon se sa e rëndësishme është të mos insistohet që të pranohet mendimi ynë personal, por, në vend të kësaj, të kemi parasysh mendimet e të tjerëve. Me fjalë të tjera, të mos kërkojmë epërsi.» (Zhan-Zhak) «Mund të humbim respektin për shërbimin në Bethel, në qoftë se do t’i shikonim gjërat nga një këndvështrim njerëzor, trupor,—thotë Barbara,—sepse kjo mund të bëjë që të harrojmë faktin se Jehovai e drejton organizatën e tij. Ky respekt mund të humbasë, në qoftë se u kushtojmë rëndësi papërsosmërive të të tjerëve.»

Të gjithë në Bethel janë të papërsosur, prandaj duhet pasur kujdes lidhur me shoqëritë. Të rinjtë apo ata që sapo kanë ardhur nuk duhet ta kufizojnë shoqërinë e tyre vetëm me ata që gjenden në të njëjtën situatë. Ata që kanë prirjen për t’u ankuar apo për të qenë negativë, nuk janë shoqëri ndërtuese as në Bethel e as në kongregacion. Nga ana tjetër, imitimi i «njohurisë nga lart», i përshkruar në Jakovit 3:17, sjell bekime. Kjo «më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite». Cilësi të tilla bashkë me shpirtmadhësinë dhe mirësinë, janë të rëndësishme në «Shtëpinë e Perëndisë», duke e bërë qëndrimin në të më të këndshëm dhe nxitës. Shpesh edhe vizitorët jo Dëshmitarë shprehin admirim për sjelljen e mirë, miqësinë dhe frymën e gëzuar të punëtorëve.

Eni që ka kaluar të 70-at dhe është pjesë e familjes Bethel në Gjermani që nga 1956-a, shpjegon se si e mban gjallë dëshirën për të shërbyer: «Për mirëqenien time frymore, bëj një përpjekje të madhe për të qenë në një hap me botimet e organizatës, për të marrë pjesë rregullisht në mbledhje dhe në predikim. Gjithashtu, mundohem që të mbetem në formë të mirë fizike, duke bërë ushtrime gjimnastikore çdo mëngjes, duke evituar sa më shumë që të jetë e mundur përdorimin e ashensorit dhe duke ecur sa më shumë në këmbë, veçanërisht në shërbimin në fushë.»

Shumë vëllezër e motra që kanë përvojë në jetën e Bethelit, do të jenë dakort me Enin. Nuk pushojnë kurrë së mësuari dhe së punuari. Shëndeti fizik kërkon që të bëjnë gjumë të mjaftueshëm, disa ushtrime gjimnastikore dhe që të tregohen të përmbajtur në ushqim dhe pije. Ajo që është më e rëndësishmja, ata nuk e lënë pas dore lutjen personale dhe studimin e Biblës.

Çmueshmëri e madhe për shërbimin e shenjtë në Bethel

«Ku punon?» është një pyetje e zakonshme që u drejtohet shpesh anëtarëve të Bethelit. Detyrat e caktuara janë të ndryshme, por secila meriton respekt të madh nga të gjithë. Përse? Sepse çdo caktim​—vënia në punë e makinerisë për shtypjen e ushqimit frymor, larja e rrobave, gatimi dhe pastrimi për familjen apo kryerja e punës në zyrë—​është një shërbim i shenjtë. Siç thuhet më lart, të krishterët nuk bëjnë dallime. Sill ndër mend se të gjitha detyrat e nevojshme që kryheshin nga priftërinjtë dhe levitët në tempull, në oborret e tij dhe në sallat e ngrënies konsideroheshin si shërbim i shenjtë ndaj Jehovait. Kjo përfshinte vrasjen dhe përgatitjen e kafshëve për sakrificë, mbushjen e llambave me vaj, pastrimin dhe detyrën e rojës. Ngjashëm, çdo caktim në Bethel është një caktim i këndshëm dhe i vlefshëm «në veprën e Zotërisë», pra, një privilegj i veçantë.​—1. Korintasve 15:58.

Le të shqytojmë shkurtimisht diçka që mund të na pengojë ta shohim me çmueshmëri «Shtëpinë e Perëndisë». Të krishterët, si në Bethel ashtu edhe jashtë, duhet të ruhen nga smira dhe xhelozia, të cilat janë «krimbi brejtës i kockave». (Proverbat 14:30) Askush nuk ka arsye për të qenë ziliqar për privilegjet e shërbimit të punëtorëve në Bethel. Për më tepër, në familjen Bethel nuk ka vend për xhelozi, e cila është një nga veprat e trupit. Prit me përulësi​—kjo është një këshillë e vlefshme për atë që mendon se është kaluar pa u vënë re, ndërkohë që të tjerëve u janë besuar privilegje më të mëdha. Për më tepër, në Bethel jetojnë së bashku duke pasur një lidhje të ngushtë persona me gjendje të ndryshme financiare. Sa zhgënjyese do të ishte, nëse dikush i shikon kushtet e tij «në krahasim me personin tjetër»! Fakti se janë të kënaqur sepse «kanë çfarë të hanë dhe të veshin», ka ndihmuar shumë veta për të vazhduar me besnikëri për dekada në «Shtëpinë e Perëndisë».​—Galatasve 5:20, 26; 6:4; 1. Timoteut 6:8.

Dëshmitarët e Jehovait dhe miliona të tjerë nxjerrin dobi të madhe nga shërbimi pa pagesë që kryhet në Bethel—një punë e kryer me vetëmohim nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin. Shtëpitë Bethel dhe shtypshkronjat e Shoqatës Watch Tower, si dhe objekte të tjera teokratike, financohen nga kontribute vullnetare. (2. Korintasve 9:7) Ashtu si mbreti David dhe princat e kryetarët e Izraelit, edhe ne mund të tregojmë nderim dhe çmueshmëri për «Shtëpinë e Perëndisë», duke e mbështetur Shoqatën moralisht dhe ekonomikisht. (1. Kronikave 29:3-7) Le të shohim tani se si është e mundur «të soditim kënaqësinë e Jehovait» në Bethel.

Bekime në «Shtëpinë e Perëndisë»

A nuk ndien një ndjenjë kënaqësie të thellë kur merr pjesë në ndonjë asamble, ku je i rrethuar nga adhurues të gëzuar të Jehovait? Vetëm mendo: një punëtor në Bethel ka privilegjin që t’i shërbejë çdo ditë Jehovait mes një grupi vëllezërish! (Psalmi 26:12) Ç’perspektivë të mrekullueshme që ofron për rritjen frymore! Një vëlla vërejti se brenda një viti në Bethel, ishte ndihmuar që të formonte më shumë personalitetin e tij, sesa për tre vjet gjetkë. Përse? Sepse në asnjë vend tjetër nuk kishte pasur mundësi të vërente personalitetin e kaq shumë të krishterëve të pjekur dhe të imitonte besimin e tyre.​—Proverbat 13:20.

Në Bethel një person është i rrethuar, të themi, nga këshillues me përvojë. Përveç kësaj, dobia tjetër është se dëgjon komente të përgatitura mirë gjatë adhurimit të mëngjesit dhe studimit të Kullës së Rojës si familje Bethel si dhe ndjek fjalimet e mbajtura të hënave në mbrëmje. Të rinjtë e sapo ardhur marrin mësime në Shkollën e Fillestarëve në Bethel dhe u caktohet detyra që ta lexojnë gjithë Biblën brenda 12 muajve të parë.

Raportet dhe përvojat e treguara nga vizitorët e vendeve të tjera, japin inkurajim të mëtejshëm. Për më tepër, anëtarët e Trupit Udhëheqës apo përfaqësuesit e tyre vizitojnë zyrat e degës. «Edhe pse kanë shumë për të bërë,—thotë Helga,—vëllezërit gjithmonë gjejnë kohë për një fjalë të ngrohtë apo për një buzëqeshje.» Sa inkurajuese është që të vëresh personalisht sjelljen gjallëruese dhe modeste të këtyre burrave besnikë!

Veçanërisht në Bethel mund të vërehet nga afër se si vepron organizata e Perëndisë dhe se si fryma e Tij e shenjtë stimulon zemrat dhe duart e gatshme, duke i nxitur në veprim. Një vëlla që shërben në Bethelin e Francës që nga 1949-a, shpjegon: «Në Bethel ndihesh si në qendër të aktivitetit.» Ai vazhdon: «Vërtet, mund të them se për mua Betheli është mënyra e shërbimit të plotë kohor që më jep mundësi t’ia kushtoj sasinë maksimale të kohës dhe forcës shërbimit të Jehovait dhe t’i shërbej një numri shumë të madh vëllezërish.» A nuk është qëllimi ynë i vërtetë që të bëjmë vullnetin e Perëndisë? Në Bethel mund «të ofrohet lavdi gjatë gjithë ditës». Çfarë bekimi!​—Psalmi 44:8.

Siç kemi parë, ai që punon në një shtëpi Bethel mund të soditë kënaqësinë e Jehovait dhe të gjejë një varg bekimesh. (Hebrenjve 6:10) A mund të jetë diçka e vlefshme për ty shërbimi në «Shtëpinë e Perëndisë»? Dëshmitarët e Jehovait që janë të paktën 19 vjeç, që gëzojnë shëndet të mirë frymor dhe fizik dhe për të cilët ashtu si Timoteu ‘vëllezërit japin dëshmi të mirë’ mund të bëjnë kërkesën për të shërbyer në Bethel. (Veprat 16:2) Ngjashëm me ata që janë cituar më lart, shumë persona e kanë bërë shërbimin në Bethel karrierën e jetës së tyre. Për ta, dëshira e zjarrtë e psalmistit​—për ‘të banuar në shtëpinë e Jehovait të gjitha ditët e jetës së tij’—​është realizuar.

Dëshmitarët e Jehovait kanë respekt për frymën vetëmohuese të treguar nga vëllezërit dhe motrat e tyre në Bethel, të cilët i kryejnë caktimet e tyre vullnetarisht dhe me gëzim. Nëse i shërbejmë Jehovait në Bethel apo gjetkë, secili prej nesh ka arsye të mira për t’u ndier si mbreti David, duke e shikuar me çmueshmëri dhe kënaqësi «Shtëpinë e Perëndisë».

[Figura në faqen 31]

Për dekada me radhë këta të krishterë kanë gjetur kënaqësi në shërbimin e shenjtë në Bethelin e Gjermanisë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo