BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/9 f. 23-27
  • «Duke peshkuar» në ujërat e Fixhit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Duke peshkuar» në ujërat e Fixhit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • «Duke peshkuar» në një fshat fixhian
  • «Duke peshkuar» në stilin polinezian
  • Përshtatja ndaj komunitetit indian
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/9 f. 23-27

«Duke peshkuar» në ujërat e Fixhit

FIXHI​—emër që të kujton pamje nga parajsa e detërave të Jugut. Ujërat blu në të gjelbër, shkëmbinjtë koralë nënujorë, valëvitjet e arrave të kokosit, malet e gjelbra, peshqit tropikalë, frutat dhe lulet tepër të rralla. Të gjitha këto mund t’i gjesh me bollëk në këtë arkipelag të Paqësorit Jugor, të formuar nga 300 ishuj, rreth 1.800 km në veri të Zelandës së Re. Prandaj, do të pajtohesh me mendimin se Fixhi mund të jetë parajsa tropikale e ëndrrave të të gjithëve.

Megjithatë, Fixhi nuk është i mahnitshëm vetëm për bukurinë e tij natyrore. Po, ashtu siç ka një shumëllojshmëri të madhe ndërmjet peshqve të shkëmbinjve koralë nënujorë, ka një shumëllojshmëri të madhe edhe në brendësi të tokës. Kontrastet në përzierjen etnike të Fixhit, janë ndoshta të pashoqe në ishujt e Paqësorit Jugor. Në rreth 750.000 banorë, dy grupet më të mëdha janë fixhianët indigjenë me origjinë melaneziane dhe indianët e lindur në Fixhi, pasardhës të punëtorëve të sjellë nga India gjatë ditëve të kolonializmit anglez. Por ka edhe banabanë, kinezë, evropianë, xhilbertezë, rotumanë, tuvaluanë dhe të tjerë.

Në këtë shumëllojshmëri kulturash, Dëshmitarët e Jehovait janë tepër të zënë në një vepër «peshkimi». (Marku 1:17) Është një sfidë të predikosh lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në këtë bashkësi tepër të shumëllojshme. Së pari, duhen mposhtur pengesat e gjuhës dhe të kulturës. Megjithëse anglishtja është gjuha më e përdorur, shpesh duhen përdorur gjuhët fixhiane, indiane, rotumane apo gjuhë të tjera.

Për të biseduar me persona të feve të ndryshme duhen përdorur mënyra të ndryshme afrimi. Pjesa më e madhe e fixhianëve indigjenë dhe banorëve të tjerë të ishujve i përkasin sekteve të ndryshme të krishtere. Popullsia indiane përbëhet nga hindusët, myslimanët dhe sikhët, ku pjesa më e madhe janë hindusë. Në qytet e në fshat kishat janë me bollëk, ndërsa në dy ishujt më të mëdhenj të Fixhit gjendet një numër i madh tempujsh hindusë dhe xhamish islamike, që përbëjnë një kontrast.

Shumë Dëshmitarë vendas, i kanë mësuar tri gjuhët kryesore​—angleze, fixhiane dhe indiane—​që në vogëli. Kjo gjë është një përparësi e madhe në veprën e «peshkimit». Shpesh, njerëzit habiten kur dëgjojnë një fixhian që flet rrjedhshëm indisht dhe një indian që flet rrjedhshëm gjuhën fixhiane. Me ndryshime të tilla kulturore, fetare e gjuhësore, duhet të jesh i shumanshëm për të qenë «pjesëtar i [lajmit të mirë]».​—1. Korintasve 9:23.

«Duke peshkuar» në një fshat fixhian

Fixhianët indigjenë janë një popull miqësor e mikpritës. Është e vështirë të besosh se më shumë se një shekull më parë, luftërat ndërmjet fiseve ishin më se të zakonshme. Në fakt, në kohën e ardhjes së evropianëve të parë, Fixhi njihej si «ishujt e kanibalëve». Përfundimisht, me ardhjen në pushtet të një shefi të lartë dhe me pranimin e krishterimit, përleshjet dhe kanibalizmi morën fund. Dallimet fisnore mbetën vetëm në dialektet e shumta të provincave të ndryshme, edhe pse dialekti bauan kuptohet gjithandej.

Përveç kryeqytetit Suva, ka shumë qytete në mbarë Fixhin. Pjesa më e madhe e fixhianëve jetojnë në komunitetet e fshatrave nën mbikëqyrjen e një turaga ni koro apo një kryeplaku. Kur hyn në fshat «për të peshkuar», është zakon t’i marrësh leje këtij njeriu për të vizituar bure-t e ndryshme apo shtëpitë vendase. Rrallëherë ndodh që leja të mos jepet, por kur ndodh, zakonisht është për shkak të armiqësisë së disa klerikëve kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Në ç’mënyrë bëhet vizita në një shtëpi fixhiane?

Pasi hyjmë në bure, ulemi këmbëkryq mbi dysheme. Këtu nuk nevojitet një hyrje e studiuar me kujdes, si ajo që duhet për të nxitur interesin në vendet perëndimore. Kushdo që vjen të flasë për Perëndinë, është i mirëpritur. Nëse i zoti i shtëpisë ftohet të marrë Biblën, ai menjëherë çohet dhe me shprehjet «tulou» (më fal) merr, nga rafti një kopje të Biblës në gjuhën fixhiane dhe lexon me dëshirë tekste të ndryshme që shërbëtori vizitues përmend. Megjithatë, qëndrimi mikpritës dhe i respektueshëm i fixhianëve paraqet një sfidë në një aspekt tjetër. Nevojitet mjaft mendjemprehtësi dhe takt për ta nxitur padronin e shtëpisë që të marrë pjesë në bisedë, për ta inkurajuar që të ndjekë fillin e arsyetimit apo për ta ndihmuar që të shohë nevojën e krahasimit të besimeve të tyre me mësimet e Biblës.

Zakonisht, të zotët e shtëpisë janë më të interesuar mbi argumentet doktrinale, sesa për çështjet apo kushtet sociale. Në fakt, pjesa më e madhe e më shumë se 1.400 Dëshmitarëve aktivë të Jehovait në Fixhi u interesuan për të vërtetën biblike si rezultat i bisedave mbi pyetje si: Ç’vend është ferri? Kush shkon në qiell? A do të shkatërrohet toka? Megjithatë, për të kultivuar interesin e treguar, duhet të jesh i përshtatshëm dhe këmbëngulës. Ndonjëherë, kur kthehesh në kohën e caktuar, sheh se i zoti i shtëpisë ka shkuar në teitei (plantacion) apo gjetkë. Jo, nuk është sepse ata nuk e çmojnë vizitën, por sepse e konceptojnë ndryshe kohën. Pa dyshim, për Dëshmitarët vendas kjo gjë nuk është e jashtëzakonshme. Ata tregohen këmbëngulës, duke i vizituar një herë tjetër. Nuk ka emra rrugësh ose numra shtëpish për t’u mbajtur shënim, prandaj u nevojitet kujtesë e fortë kur kthehen për t’i rivizituar.

«Duke peshkuar» në stilin polinezian

Tani, le të shkojmë «të peshkojmë» me një shërbëtor udhëtues apo mbikëqyrës qarkor, gjatë vizitës që ai bën në kongregacionin e vogël, në Rotuma. Ky grumbull ishujsh vullkanikë gjendet 500 km në veri të Fixhit. Për të shkuar atje, hipim në një aeroplan 19 vendësh. Ishulli kryesor është vetëm 50 km2 me një popullsi prej 3.000 banorësh. Një rrugë rëre përshkon ishullin përgjatë bregdetit, duke lidhur afro 20 fshatra. Rotuma administrohet nga Fixhi, por ama ka një kulturë dhe gjuhë të ndryshme. Duke qenë me origjinë polineziane, populli i saj ndryshon në pamje nga fixhianët melanezianë. Përsa i përket fesë, pjesa më e madhe janë katolikë ose metodistë.

Ndërkohë që aeroplani zbret dhe përgatitet për t’u ulur, shohim bimësinë e harlisur me ngjyrë të gjelbër të ishullit. Degët e arrave të kokosit që ngjajnë me puplat shihen gjithkund. Një turmë e madhe ndodhet aty për t’i uruar mirëseardhjen fluturimit të përjavshëm. Mes tyre është edhe një grup Dëshmitarësh. Na pritën ngrohtësisht dhe na ofruan arra të mëdha kokosi të gjelbra të shpuara për të shuar etjen.

Pas një udhëtimi të shkurtër, arritëm në vendin e strehimit. Ishte përgatitur ushqim i pjekur në gurë të nxehur. Mish derri i pjekur, pulë, peshk i tiganisur, aragostë dhe taro, një bimë e kultivuar në vend, janë shtruar përpara nesh. Ç’gosti dhe ç’ambient parajsor nën ato arra kokosi të reja!

Ditën tjetër vizituam njerëzit në fshatrat, e quajtura ho’aga në gjuhën rotumane. Sapo iu afruam shtëpisë së parë, një derrkuc që kishte dalë nga ndonjë plevicë, ia mbathi me të katra duke hungëritur. I zoti i shtëpisë na pa të vinim dhe me buzën në gaz hapi derën, duke na përshëndetur «Noya!», në gjuhën rotumane e më pas na ftoi të uleshim. Na vuri përpara një pjatë me banane dhe na ftoi të pinim lëng nga disa arra kokosi të gjelbra. Në Rotuma mikpritja është gjëja e parë.

Këtu nuk ka agnosticistë apo evolucionistë. Të gjithë besojnë në Bibël. Argumente si qëllimi i Perëndisë për tokën, tërheqin menjëherë vëmendjen e tyre. I zoti i shtëpisë mrekullohet kur mëson se toka nuk do të shkatërrohet, por do të banohet nga njerëz të drejtë, të cilët do të banojnë përgjithmonë në të. (Psalmi 37:29) Ai ndjek me vëmendje leximin e teksteve biblike që mbështesin atë që po themi dhe pranon me dëshirë literaturën biblike që i ofrojmë. Kur përgatitemi të ikim, ai na falënderon për vizitën dhe na ofron një çantë plastike plot me banane, për t’i ngrënë gjatë rrugës. Duke predikuar këtu fare lehtë mund të rritesh në peshë!

Përshtatja ndaj komunitetit indian

Megjithëse shumë vende të tjera ishullore të Paqësorit Jugor janë shumëraciale, nën këtë aspekt Fixhi është i veçantë. Krahas kulturës melaneziane, mikroneziane dhe polineziane, është edhe një tjetër e ardhur nga Azia. Ndërmjet 1879-ës dhe 1916-ës, u blenë nga India punëtorë krahu me kontratë për të punuar në fushat e kallamsheqerit. Kjo përgatitje e quajtur girmit (pajtim), bëri që mijëra indianë të vinin në Fixhi. Pasardhësit e këtyre punëtorëve përbëjnë një pjesë të mirë të popullsisë së vendit. Ata kanë ruajtur kulturën, gjuhën dhe fenë e tyre.

Në anën perëndimore të ishullit kryesor të Fixhit ndodhet qyteti Lautoka. Kjo është qendra e industrisë së kallamsheqerit në Fixhi dhe strehon pjesën më të madhe të popullsisë vendase indiane. Anëtarët e tri kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait këtu, duhet të tregohen shumë të përshtatshëm në veprën e tyre të «peshkimit». Kur shkojnë nga shtëpia në shtëpi, duhet të dinë të kalojnë nga një argument në një tjetër, sipas racës dhe fesë së të zotit të shtëpisë. Le t’i bashkohemi një grupi Dëshmitarësh vendas, gjatë vizitave që bëjnë në shtëpitë e shpërndara në fushat e kallamsheqerit jashtë qytetit Lautoka.

Ndërkohë që i afrohemi shtëpisë së parë, vërejmë në pjesën e pasme të kopshtit disa hunj të gjatë bambuje me copa të kuqe të lidhura në majë. Kjo zbulon se familja është hinduse. Pjesa më e madhe e shtëpive hinduse janë të stolisura me pikturat e perëndive të tyre. Shumë njerëz kanë një perëndi të preferuar, të tillë si Krishna dhe shpesh mbajnë ndonjë gjë të shenjtë.a

Pjesa më e madhe e hindusëve besojnë se të gjitha fetë janë të mira, vetëm se janë mënyra të ndryshme adhurimi. Kështu, i zoti i shtëpisë mund të dëgjojë me njerëzillëk, pranon ndonjë botim, ofron pije freskuese dhe mendon se me kaq e ka bërë detyrën e vet. Që të ngresh pyetje të përshtatshme për ta tërhequr të zotin e shtëpisë në biseda më domethënëse, shpesh është e nevojshme të dish disa histori që janë pjesë e besimit të tyre. Për shembull, duke ditur se disa histori i përshkruajnë perënditë e tyre si ato që janë përfshirë në vepra imorale, mund të bëjmë pyetjen: «A e miraton një sjellje të tillë nga gruaja (burri) yt?» Përgjigjja zakonisht është: «Jo, pa dyshim që jo!» Kështu, mund të shtojmë: «Atëherë, a duhet të veprojë një Perëndi në këtë mënyrë?» Shpesh, biseda të tilla të japin mundësi për të treguar vlerën e Biblës.

Besimi mbi trupëzimin, një tjetër karakteristikë e hinduizmit, është një argument i shkëlqyer për biseda. Një grua e sjellshme indiane, që kohët e fundit i kishte vdekur i ati, u pyet: «A do të të pëlqente ta shikoje përsëri babanë, ashtu siç ishte më parë?» Ajo u përgjigj: «Po, do të ishte një mrekulli.» Nga përgjigjja e saj dhe nga biseda e mëvonshme, ishte e qartë se ajo nuk kënaqej nga besimi se i ati tani jetonte në një formë tjetër dhe se nuk do ta takonte më kurrë. Por mësimi i mrekullueshëm biblik i ringjalljes i preku zemrën.

Disa hindusë drejtojnë pyetje dhe janë në kërkim të përgjigjeve bindëse. Kur një Dëshmitar trokiti në shtëpinë e një hindusi, burri pyeti: «Si quhet perëndia juaj?» Dëshmitari i lexoi Psalmin 83:18 dhe i shpjegoi se emri i Perëndisë është Jehova dhe se Romakëve 10:13 thotë se për të marrë shpëtimin duhet të thërrasim atë emër. Njeriu u habit dhe donte të dinte më shumë. Në fakt, kërkonte medoemos një shpjegim. Ai shpjegoi se i ati, që kishte qenë shumë i përkushtuar pas idhullit të familjes së tyre, u sëmur pasi e adhuroi atë dhe vdiq pak më pas. E njëjta gjë i kishte ndodhur edhe të vëllait. Pastaj shtoi: «Ajo figurë po na sjell vdekje, jo jetë. Prandaj, duhet të ketë ndonjë gjë që s’shkon po ta adhurosh. Ndoshta ky Perëndi, Jehovai, mund të na ndihmojë të gjejmë rrugën e jetës.» Kështu, u fillua një studim biblik me të, të shoqen dhe dy fëmijët e tij. Ata bënë progres të shpejtë dhe shpejt u pagëzuan. I lanë idhujt e tyre dhe tani ecin në rrugën e Jehovait, Perëndisë së jetës.

Pastaj, shkuam në shtëpinë e një familjeje myslimane. Është e dukshme e njëjta frymë mikpritjeje dhe menjëherë u ulëm me nga një pije freskuese në dorë. Nuk shihen piktura fetare mbi mure, me përjashtim të një vargu nga shkrimet arabe të futur në një kornizë të vogël. Shpjeguam se ekziston një lidhje e përbashkët ndërmjet Biblës dhe Kuranit, e quajtur patriarku Abraham dhe se Perëndia i premtoi Abrahamit se përmes farës së tij do të bekoheshin të gjitha kombet. Ky premtim plotësohet tek Jezu Krishti, Biri i tij. Disa myslimanë e kundërshtojnë mendimin se Perëndia ka një bir. Prandaj, shpjegojmë se ashtu si njeriu i parë, Adami, është quajtur biri i Perëndisë, pasi është krijuar prej Perëndisë, në të njëjtën mënyrë edhe Jezui është Biri i Perëndisë. Perëndia nuk ka nevojë për një grua të vërtetë për të lindur bij të tillë. Meqenëse myslimanët nuk besojnë në doktrinën e Trinitetit, përdorim këtë bazë të përbashkët për të treguar se Perëndia Jehova është suprem.

Tani është koha e drekës dhe pjesëtarët e grupit tonë po kthehen nga fushat e kallamsheqerit, për të pritur autobusin që do t’i kthejë në qytet. Megjithëse pak të lodhur, të gjithë janë entuziastë nga aktiviteti i «peshkimit» në mëngjes. Përpjekja për t’iu përshtatur ndeshjes me situata dhe besime të ndryshme ia vlente.

Ujërat dhe shkëmbinjtë nënujorë të Fixhit mbajnë shumë lloje peshqish. Për t’ia dalë mbanë, gonedau (peshkatari) fixhian duhet të jetë i aftë në punën e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për veprën e «peshkimit» që Jezu Krishti u caktoi dishepujve të tij. Të krishterët, «peshkatarë njerëzish», duhet të jenë të aftë për t’ia adaptuar prezantimet dhe argumentimet e tyre bindjeve të ndryshme të popullsisë. (Mateu 4:19) Kjo nevojitet patjetër në Fixhi. Rezultatet janë të dukshme në kongreset vjetore të Dëshmitarëve të Jehovait, ku fixhianë, indianë, rotumanë dhe të tjerë nga mjedise etnike të përziera adhurojnë të bashkuar Perëndinë Jehova. Po, bekimi i tij është mbi veprën e «peshkimit» në ujërat e Fixhit.

[Shënimi]

a Shiko librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë (angl.), i botuar nga Watchtower and Tract Society of New York, Inc., faqet 115-117.

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Viti Levu

Vanua Levu

Suva

Lautoka

Nandi

0 100 km

0 100 mi

18°

180°

[Figura në faqen 24]

Një bure, apo shtëpi vendase

[Figura në faqen 24]

Një tempull hindus në Fixhi

[Figurat në faqen 25]

«Peshkim» i suksesshëm i njerëzve në Fixhi

[Burimi i figurës në faqen 24]

Fiji Visitors Bureau

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo