Bibla: Një libër që duhet lexuar
ËSHTË e lehtë që të mbarojnë format sipërore të foljeve dhe ndajfoljeve kur dikush flet për Biblën. Ajo prej kohësh është libri më i përhapur në të gjithë historinë. Bibla është libri më i vjetër, më i përkthyer, më i përmendur, më ndikues dhe më i respektuar. Me sa duket, ai gjithashtu është më i diskutueshmi. Dhe sigurisht ai është libri që ka mbijetuar më shumë ndalime, djegie dhe kundërshtime të ashpra. Megjithatë, mjerisht, ekziston një formë sipërore që nuk mund të aplikohet më për Biblën. Nuk duket që ajo të jetë akoma libri më i lexuar në botë.
Ndërsa njerëzit mund të kenë një Bibël diku në shtëpi, shumë mendojnë se janë mjaft të zënë për të shpenzuar faktikisht kohë për leximin e saj. Njëherë e një kohë, leximi ishte një mënyrë popullore për kalimin e kohës. Megjithatë, tani, shumica preferon ta kalojë kohën e lirë duke parë televizor apo duke bërë diçka tjetër. Ata që akoma lexojnë diçka, zakonisht preferojnë diçka të lehtë apo më pak impenjuese. Leximi i Biblës, kërkon përqendrim dhe shumica e njerëzve nuk përqendrohen më thellësisht në atë që lexojnë.
Megjithatë, Bibla nuk ka mbijetuar thjesht për të qëndruar mbi raftin tonë të librave. Ka arsye të mira se përse ajo duhet lexuar. Le të konsiderojmë disa fakte rreth kësaj.
S’është për t’u çuditur që ajo ka rezistuar!
Fjala «Bibël» vjen nga fjala greke bi·bliʹa, që do të thotë «libreza». Kjo na sjell ndër mend se Bibla përbëhet nga një numër i caktuar librash, disa jo aq të vegjël. Ata u shkruan gjatë një periudhe kohore prej 1.600 vjetësh. Megjithëse shkrimtarët ishin njerëz, ata u frymëzuan nga një Burim më i lartë. Një shkrimtar i Biblës tha: «Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.» (2. Pjetrit 1:21) Ajo që është e vërtetë për shkrimet profetike, është gjithashtu e vërtetë edhe për pjesën tjetër të Biblës. Këto «libreza» të frymëzuara hyjnore, janë të mbushura me mendime të larta të Perëndisë Jehova. (Isaia 55:9) Nuk është për t’u çuditur që Bibla ka rezistuar kaq gjatë!
Për shërbëtorët e Perëndisë, Bibla ka qenë gjithmonë libri më i rëndësishëm. Ata janë të një mendjeje me apostullin Pavël, një nga vetë shkrimtarët e Biblës. Ai tha: «I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim.» (2. Timoteu 3:16) Prandaj, sot, Bibla është baza e besimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo përcakton doktrinat dhe rregullat e tyre të sjelljes. Ata me gjithë zemër rekomandojnë që secili të lexojë çdo ditë disa pjesë nga Fjala e Perëndisë dhe të meditojë me çmueshmëri mbi përmbajtjen e saj.—Psalmi 1:1-3.
Shprehia e leximit të Biblës
Shprehia e leximit të Shkrimeve, ka qenë e dobishme në kohët e kaluara. Mbretërit e Izraelit ishin urdhëruar të shkruanin me dorë kopjen e tyre të Ligjit, që tani është një pjesë e rëndësishme e Biblës, dhe ta lexonin atë çdo ditë, për të kujtuar vazhdimisht se cili ishte vullneti i Perëndisë për ta. (Ligji i përtërirë. 17:18-20) Dështimi në bërjen e kësaj, solli rrënimin e shumë mbretërve.
Vlera e studimit të Shkrimeve ilustrohet në rastin e profetit të moshuar Daniel. Për shkak të studimit personal të pjesëve të Biblës që ekzistonin në ditët e tij, Danieli, megjithëse i mërguar në Babiloni, ishte në gjendje ‘të dallonte nga librat’ se një profeci e rëndësishme e treguar nga Jeremia duhej të përmbushej.—Danieli 9:2.
Në kohën e lindjes së Jezuit, njeriu i «drejtë dhe i respektuar», Simoni, priste me besim të shihte atë që do të bëhej Krishti apo Mesia. Simonit i qe premtuar, se nuk do të vdiste para se të shihte Krishtin. Aluzioni i tij në lidhje me profecinë e Isaisë, tek mbante foshnjën Jezu në krahë, tregoi se Simoni ishte një lexues i vëmendshëm i librave të Biblës, që tashmë ishin shkruar në ditët e tij.—Luka 2:25-32; Isaia 42:6.
Kur Gjon Pagëzori po predikonte, «populli ishte në pritje» të Mesisë. Çfarë tregonte kjo? Na bën të mendojmë se shumë nga hebrenjtë ishin të njohur me profecitë mesianike të shënuara në Shkrimet. (Luka 3:15) Kjo është interesante, sepse në atë kohë librat nuk ishin në dispozicion të lirë. Kopjet e librave të Biblës duhej të bëheshin me dorë, me shumë kujdes e mundim dhe si rrjedhim ishin të kushtueshme dhe të vështira për t’u gjetur. Si ishte njohur populli me përmbajtjen e tyre?
Në shumë raste, me anë të leximeve publike. Për shembull, Moisiu urdhëroi se në kohën e caktuar, i gjithë Ligji i dhënë nga Perëndia duhej t’u lexohej izraelitëve të mbledhur. (Ligji i përtërirë 31:10-13) Në shekullin e parë të e.s., leximi publik i librave të Biblës ishte mjaft i përhapur. Dishepulli Jakov theksoi: «Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qenë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga.»—Veprat 15:21.
Sot, është e lehtë të kesh një kopje personale të Biblës. Së fundi, disa nga këto «libreza» janë në dispozicion në 98 përqind të gjuhëve të popullsisë botërore. Prandaj, është e trishtueshme që shumica nuk interesohet të mësojë mbi atë që Bibla ka për t’u thënë atyre. Mund të duket një metodë e vjetër, por Fjala e Perëndisë, Bibla, është akoma një metodë e shquar, «e dobishme për mësim». Ajo jep këshilla të shëndosha mbi moralin, marrëdhëniet e njerëzve dhe shumë tema të tjera. Për më tepër, Bibla ofron të vetmen shpresë të sigurt për një të ardhme paqësore.
Lexoje atë rregullisht
Dëshmitarët e Jehovait e kanë bërë një pjesë të rëndësishme të veprës së tyre inkurajimin e leximit të rregullt të Biblës. Me shkronja të mëdha, mbi ndërtesën e fabrikës në qendrën e tyre botërore në Bruklin, në Nju Jork, duket thirrja: «LEXONI ÇDO DITË BIBLËN E SHENJTË, FJALËN E PERËNDISË.» Miliona kalimtarë i kanë parë këto fjalë dhe shpresohet që t’i kenë kushtuar vëmendje.
Në më shumë se 73.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën, mbahen çdo javë pjesët e Shkollës së Shërbimit Teokratik. Leximi publik i një pjese të zgjedhur nga Bibla, është pjesë e programit. Gjithashtu, të gjithë pjesëmarrësit kanë për detyrë që të lexojnë disa kapituj të Biblës çdo javë, në mënyrë private në shtëpinë e tyre. Ata që vazhdojnë me këtë program, së fundi lexojnë të gjithë Biblën.
Ky organizim është në harmoni me një nga librat mësimorë të përdorur në këtë shkollë. Libri Udhëzues për Shkollën e Shërbimit Teokratik (angl.) thotë: «Programi yt personal duhet të përfshijë kohë për leximin e vetë Biblës. Është e një dobie të madhe, nëse e lexon atë të gjithë nga fillimi deri në fund. . . . Megjithatë, synimi yt në lexim kurrë nuk duhet të jetë thjesht sa për të kaluar meterialin, por për të nxjerrë pikëpamjen e përgjithshme të tij me qëllim që ta mbash mend. Merr kohë për të menduar mbi atë që ai thotë.»
Edhe botimet e tjera të Dëshmitarëve të Jehovait, nxisin gjithashtu leximin e Biblës. Për shembull, një nga këto botime, revista Zgjohuni!, paraqet inkurajimin e mëposhtëm për të rinjtë: «A e keni lexuar . . . të gjithë Biblën nga fillimi deri në fund? Po, Bibla është një libër i madh, por përse nuk e ndani leximin e saj në pjesë të vogla? . . . Bereasit ‘fisnikë’ ‘i shqyrtuan me kujdes Shkrimet çdo ditë.’ (Veprat 17:11) Nëse ndjek një program të përditshëm leximi, vetëm 15 minuta në ditë . . . , mund të lexosh tërë Biblën brenda një viti.» Po, Dëshmitarët e Jehovait e ndiejnë se të krishterët e ditëve moderne, duhet të njihen mirë me Shkrimet, ashtu si ishin shërbëtorët e Perëndisë në kohët e lashta.
Me këtë në mendje, Dëshmitarët e Jehovait të shekullit të 20, kanë zhvilluar një tip të ri të leximit publik të Biblës. Ata kanë prodhuar kaseta të regjistruara që përmbajnë leximin e të gjithë Biblës, në gjuhë të ndryshme. Për shumicën, kjo doli një ndihmë e shkëlqyer për kalimin e disa pengesave në leximin e Biblës. Disa i dëgjojnë këto regjistrime ndërsa punojnë rreth shtëpisë, kur ngasin makinën, apo kur bëjnë disa gjëra të tjera. Të ulesh dhe të dëgjosh me qetësi leximin e një pjese të Biblës ndërsa e ndjek atë në heshtje me vetë kopjen tënde, është një përvojë e pëlqyeshme.
Nëse më parë nuk e ke lexur Biblën çdo ditë, përse nuk e bën këtë një shprehi tënden? Kjo nuk kërkon shumë kohë çdo ditë, por dobitë do të jenë të mëdha, mbasi aplikimi i Shkrimeve do të të ndihmojë të veprosh me mençuri dhe të gëzosh një jetë frymore të shpërblyer. Gjithashtu, do të mund të veprosh në harmoni me këtë urdhër të dhënë kohë më parë udhëheqësit izraelit, Josiut: «Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.»—Josiu 1:8.
Faqet e Biblës nxjerrin në pah qëllimin e dashur të Jehovait për njerëzimin e bindur. Njohuria e saktë mbi Fjalën e tij të frymëzuar sjell lumturi të vërtetë dhe shpresën e jetës së përhershme në Parajsë, në një botë të re të mrekullueshme nën bekime të pafundme. (Luka 23:43; 2. Pjetrit 3:13) Shfrytëzo mundësinë që ke për të lexuar dhe studiuar Biblën dhe për të arritur këtë jetë të mrekullueshme.