A e vlerëson Biblën?
GATI 200 vjet më parë, në Llanfihangel, një fshat i largët i Uellsit, jo larg nga vija bregdetare e Atlantikut, lindi Meri Xhons. Prindërit e saj ishin endës të varfër, tepër të varfër për të pasur një Bibël. Por futën tek vajza e tyre dashurinë për Perëndinë, duke i treguar tregime biblike dhe duke i përsëritur vargjet që mbanin mend. Meri shpesh lexonte Biblën e një fqinjeje në gjuhën uelshe dhe filloi të kursente nga pak lekë, aq sa mundej, e vendosur për të blerë një për vete.
Në vitin 1800, kur Meri ishte 16 vjeç, dëgjoi se në një qytet të vogël në Bala, që ishte 40 km larg, ishin për t’u shitur disa Bibla në gjuhën uelshe. E guximshme, ajo vendosi të shkonte atje. Dhe e bëri, duke ecur zbathur përmes kodrave. Megjithatë, në kohën që ajo arriti, të gjitha kopjet ishin shitur. Meri mësoi gjithashtu, se shuma e lekëve që kishte mbledhur, ishte mjaft e vogël.
Pastori i vendit, u prek thellë nga njohuria dhe dashuria e Merit për Biblën. Duke parë lotët e saj të zhgënjimit, pas gjithë atyre përpjekjeve që kishte bërë, ai me dashamirësi i dha kopjen e vet personale, duke i thënë: «Lexoje me kujdes, studioje me zell, ruaji fjalët e shenjta në kujtesën tënde dhe vepro sipas mësimeve të saj.»
Kjo ngjarje u tregua më vonë në një mbledhje të Komitetit të Shoqatës së Fletushkave Fetare në Londër. Atje u mor vendimi për të pajisur me përkthime të Biblës jo vetëm popullin e Uellsit, por gjithë botën. Nga ky fillim i thjeshtë, pati origjinën e para nga shoqatat e shumta biblike të shekullit të 19-të. Pas kësaj, kopjet e Biblave në gjuhë të huaja, filluan të shfaqeshin në një numër gjithnjë në rritje.
Shoqata Watch Tower Bible and Tract, e themeluar në 1884-ën, shtyp Bibla dhe materiale ndihmëse për studimin e Biblës në mbi 200 gjuhë. Ka shpërndarë në mbarë botën 72 milion kopje të Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta. I përkthyer nga origjinali i Shkrimeve Greke dhe Hebreje, përkthimi Bota e Re (angl.), tani është në dispozicion i tëri apo në pjesë, në 18 gjuhë dhe së shpejti do të jetë i përkthyer edhe në 12 gjuhë të tjera.
Tani që Bibla është e arritshme pothuajse nga të gjithë, si do ta konsideroje? A e vlerëson Biblën? A ke një kopje që e ruan dhe e lexon?
[Burimi i figurës në faqen 3]
Nga libri The Story of Mary Jones and Her Bible