‘Një faqe e vetme mund të çajë errësirën si një yll’
SOT, përkthimet e Biblës së Shenjtë janë në dispozicion pothuajse në të gjithë botën. Megjithatë, beteja për Biblën ka qenë shpesh një çështje për jetë a vdekje.
Në librin Biblat e Shekullit të Pesëmbëdhjetë (Fifteenth Century Bibles), Uendëll Prim shkroi: «Tridhjetë vjet pas shpikjes së shtypit, Inkuizicioni vepronte me mjaft sukses në Spanjë. Në atë vend, u ndëshkuan 342.000 persona, prej të cilëve 32.000 u dogjën të gjallë. Ishte Bibla ajo që i solli ata në flakët e martirizimit. Po aq i tmerrshëm ishte ky mjet shkatërrimi edhe në Itali, si në atë të veriut ashtu edhe në atë të jugut. Kryepeshkopët, të ndihmuar nga Inkuizicioni, i digjnin në zjarr Biblat, së bashku me lexuesit e tyre. Neroni i bëri disa të krishterë të shkëlqenin si drita në botë, duke i hedhur në zjarr të mbyllur në thasë, të mbuluar me katran, duke i përdorur si pishtarë për të ndriçuar skenat e shthurjeve të tij. Por rrugët e qyteteve evropiane u ndriçuan nga zjarri i madh i Biblave. Biblat nuk ishin sikurse lexuesit e tyre që mund të ishin të pafuqishëm, të zhveshur, të torturuar, të gjymtuar dhe të hedhur tej. Madje një faqe e vetme që mbijeton mund të çajë terrin e kësaj errësire si një yll.» (Kursivi është yni.)
Ajo që përshkruan autori Prim, aktualisht ndodhi në rastin e faqes së Biblës të paraqitur këtu. Kjo faqe e lyer me kollofon, është faqja e fundit e librit me një mbishkrim që identifikon përkthyesin. Dy kolonat paralele lart, janë vargjet përfundimtare të Apokalipsit, apo të librit të Zbulesës.
Në lidhje me këtë libër, The Cambridge History of the Bible deklaron: «Përkthimi katalan i Biblës nga Bonefasio Ferer, u shtyp në Valensia në 1478-ën; të gjitha kopjet që ishin në dispozicion u shkatërruan nga Inkuizicioni përpara 1500-ës, por një faqe e vetme mbijeton në bibliotekën, Hispanic Society of America.» (Kursivi është yni.)
Uendëll Prim gjithashtu shënoi: «Për klerikët e frikësuar, nuk kishte Bibla të mira, e vetmja mënyrë e pranueshme për të trajtuar një Bibël ishte që ajo të digjej. Këto flakë të shenjta do të kishin qenë më të mëdha e më të shndritshme, nëse ata do të kishin mundur të gjenin më shumë Bibla për të djegur. Në shumë vende nuk kishte zjarre Biblash, thjesht për faktin se autoritetet kishin qenë mjaft të zellshme në gjetjen e të gjitha Biblave.» Përkundër përpjekjeve të tilla të forta për të zhdukur Biblat e ardhshme për njerëzit e thjeshtë, shumë kopje i shpëtuan shkatërrimit. Prim shtoi: «Biblat u ruajtën duke u transportuar nga ata që mërgonin jashtë vendit, apo duke i fshehur si metale dhe gurë të çmuar, në kohët e shqetësimeve dhe të rrezikut.»
Profeti i Perëndisë Isaia shkroi: «Çdo qenie është si bari . . . Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë.» (Isaia 40:6, 8) Gjatë shekujve, një numër i madh i atyre që ishin të dhënë pas Biblës dhe shumë përkthyes të guximshëm, kanë rrezikuar dhe kanë vuajtur shumë për hir të Fjalës së Perëndisë. Megjithatë, vetëm përpjekjet njerëzore, kurrë nuk do të mund të siguronin shpëtimin e saj. Për këtë ne falënderojmë autorin e Biblës, Jehovain.
[Burimi i figurës në faqen 7]
Me mirësjellje nga Hispanic Society of America, New York