Mjete të së keqes
SHPJEGIMI biblik i rolit të demonëve në punët njerëzore u përgjigjet pyetjeve themelore mbi të keqen, që në një mënyrë tjetër do të kishin mbetur të pashpjeguara. Shqyrto, për shembull, këtë pohim nga International Herald Tribune në lidhje me luftën që po zhvillohet në Ballkan: «Një ekip hetuesish i Komunitetit Evropian ka arritur në përfundimin se [ushtarët] kanë përdhunuar më se 20.000 gra dhe vajza myslimane . . . si pjesë e një politike terrori e destinuar për t’i trembur, demoralizuar dhe përzënë ata nga shtëpitë e tyre.»
Një artikull i gazetës Time kapej mbas këtij shpjegimi: «Disa herë, të rinjtë në luftë kryejnë përdhunime që t’u pëlqejnë eprorëve të tyre, oficerëve dhe të fitojnë një farë miratimi si biri nga ati. Përdhunimi është provë e detyrimit ndaj krenarisë së njësisë së vet. Një i ri që dëshiron të bëjë gjëra të frikshme, e ka nënshtruar ndërgjegjen e tij me qëllim që të shkrihet me qëllimet e padiskutueshme të grupit. Një burrë e vulos besnikërinë e tij me egërsi.»
Por, përse «qëllimet e padiskutueshme të grupit» janë shumë më të degjeneruara se ndërgjegjja e secilit prej individëve të tij? Si individ, pothuajse të gjithë dëshirojnë të jetojnë në paqe me fqinjët. Përse, pra, në kohë lufte njerëzit përdhunojnë, torturojnë dhe vrasin njëri-tjetrin? Një arsye kyçe është se forcat demonike janë në veprim.
Duke kuptuar rolin e demonëve, gjejmë gjithashtu një zgjidhje edhe për atë që disa e quajnë një «problem teologjik». Puna është se si të pajtojmë tri fjali: (1) Perëndia është i plotëfuqishëm; (2) Perëndia është i dashur dhe i mirë; (3) ndodhin gjëra të tmerrshme. Disa mbështetin se mund të pajtojmë dy prej këtyre fjalive, por të trija njëkohësisht nuk mund të pajtohen kurrë. Vetë Fjala e Perëndisë jep përgjigje dhe kjo përgjigje përfshin frymërat e padukshme, mjetet e së keqes.
Rebeli i parë
Bibla na thotë se vetë Perëndia është frymë. (Gjoni 4:24) Me kohë, ai u bë Krijuesi i miliona qenieve të tjera frymore, bijve engjëllorë. Në një vizion, shërbëtori i Perëndisë, Danieli, pa njëqind milion engjëj. Të gjithë personat frymorë që krijoi Jehovai ishin të drejtë dhe në harmoni me vullnetin e tij.—Danieli 7:10; Hebrenjve 1:7.
Më vonë, kur Perëndia ‘hidhte themelet e tokës’, këta bij engjëllorë të Perëndisë «këndonin të gjithë së bashku» dhe «lëshonin britma gëzimi». (Jobi 38:4-7) Por një prej tyre zhvilloi dëshirën që të merrte për vete adhurimin që me të drejtë i bëhej Krijuesit. Duke u rebeluar kundër Perëndisë, ky engjëll e bëri veten satana (që do të thotë «kundërshtar») dhe djall (që do të thotë «shpifës»).—Krahaso Ezekieli 28:13-15.
Duke përdorur një gjarpër në Eden për t’i folur gruas së parë, Evës, Satanai e nxiti atë që të mos i bindej urdhrit direkt të Perëndisë për të mos ngrënë frutin e një peme të caktuar të kopshtit. Më pas, edhe i shoqi u bashkua me të. Në këtë mënyrë, çifti i parë njerëzor u bashkua me engjëllin në rebelimin kundër Jehovait.—Zanafilla 2:17; 3:1-6.
Edhe pse ngjarjet në Eden mund të duken si një mësim i drejtë për bindjen, Satanai ngriti aty dy çështje të rëndësishme morale. Së pari, Satanai vuri në diskutim nëse sundimi i Jehovait mbi krijesat e tij ushtrohej me drejtësi dhe për interesat e tyre më të mira. Ndoshta njerëzit mund të bënin ndonjë punë më të mirë në qeverisjen e vetes. Së dyti, Satanai vuri në pikëpyetje nëse do t’i mbetej ndonjë krijesë inteligjente besnike Perëndisë, atëherë kur bindja të dukej se nuk sillte më përfitime materiale.a
Një kuptim i qartë i çështjeve të ngritura në Eden, bashkë me njohjen e cilësive të Jehovait, na ndihmon për të kuptuar zgjidhjen e «problemit teologjik», d.m.th. të pajtojmë ekzistencën e së keqes me dy nga cilësitë e Perëndisë, fuqinë dhe dashurinë. Edhe pse është e vërtetë që Jehovai zotëron fuqi të pakufizuar dhe që është vetë personifikimi i dashurisë, ai është edhe i mençur e i drejtë. Ai i ushtron këto katër cilësi në një ekuilibër të përsosur. Prandaj, ai nuk e përdori fuqinë e tij të papërballueshme për të shkatërruar menjëherë të tre rebelët. Kjo do të kishte qenë e drejtë, por jo patjetër e mençur ose e dashur. Për më tepër, ai nuk i fali apo nuk e la me aq, gjë që për disa do të ishte një zgjidhje e dashur. Po të kishte bërë ashtu, nuk do të ishte as e mençur dhe as e drejtë.
Duhej kohë për të zgjidhur çështjet e ngritura nga Satanai. Duhej kohë për të provuar nëse njerëzit do të qeverisnin drejt vetveten, të pavarur prej Perëndisë. Duke u lejuar të tre rebelëve që të jetonin, Jehovai bëri të mundur, gjithashtu, që krijesat të merrnin pjesë në vërtetimin e falsitetit të thënies së Satanait, duke i shërbyer Perëndisë me besnikëri në kushte të vështira.b
Jehovai i kishte thënë hapur Adamit dhe Evës se nëse hanin prej frutit të ndaluar, do të vdisnin. Dhe në fakt ata vdiqën, edhe pse Satanai e siguroi Evën se nuk do të vdiste. Edhe Satanai është nën dënimin me vdekje; ndërkohë ai vazhdon të mashtrojë njerëzimin. Në fakt, Bibla thotë: «Mbarë bota është nën pushtetin e Djallit.»—1. Gjonit 5:19; Zanafilla 2:16, 17; 3:4; 5:5.
Engjëj të tjerë rebelohen
Jo shumë kohë pas ngjarjeve në Eden, engjëj të tjerë u bashkuan në rebelimin kundër sovranitetit të Jehovait. Bibla pohon: «Kur njerëzit filluan të shumohen mbi faqen e dheut dhe u lindën atyre vajza, djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë.» Me fjalë të tjera, ata engjëj «e lëshuan banesën e vet [në qiell]» dhe erdhën në tokë, të materializuar në formë njerëzish dhe gëzuan kënaqësi ndjesore me gratë.—Zanafilla 6:1, 2; Judës 6.
Tregimi vazhdon në Zanafillën 6:4: «Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve.» Këta djem hibridë që u lindën grave dhe që kishin baballarë engjëjt, ishin jashtëzakonisht të fuqishëm, ishin «heronj». Ata ishin njerëz të dhunshëm apo Nephi·lim, fjalë hebreje që do të thotë «ata që të rrëzojnë përdhe».
Ia vlen të përmendet se më vonë këto ngjarje gjetën vend në legjendat e qytetërimeve të lashta. Për shembull, një epikë babilonase e 4.000 vjetëve më parë përshkruan bëmat mbinjerëzore të Gilgameshit, një gjysmëperëndi i fuqishëm dhe i dhunshëm, që «nuk la asnjë virgjëreshë për të dashurit e tyre». Një shembull tjetër, nga legjenda greke, është Herkuli (apo Herakliu) mbinjerëzor. I lindur nga Alkmena njerëzore dhe me baba perëndinë Zeus, Herkuli u lëshua në një sërë aventurash të dhunshme, pasi vrau të shoqen dhe fëmijët gjatë një krize çmendurie. Edhe pse këto tregime u shtrembëruan shumë duke kaluar nga njëri brez në tjetrin, ato lidhen me atë që thotë Bibla për Nefilimët dhe për baballarët e tyre, engjëjt rebelë.
Për shkak të ndikimit të engjëjve të këqij dhe të bijve të tyre mbinjerëzorë, toka u mbush kaq shumë me dhunë, saqë Jehovai vendosi ta shkatërronte botën me një përmbytje. Nefilimët vdiqën, bashkë me të gjithë njerëzit e papërshpirtshëm; njerëzit e vetëm që mbijetuan ishin Noeja i drejtë dhe familja e tij.—Zanafilla 6:11; 7:23.
Megjithatë, engjëjt e ligj nuk vdiqën. Përkundrazi, ata i lanë trupat e tyre njerëzorë dhe u rikthyen në mbretërinë frymore. Për shkak të mosbindjes së tyre, ata nuk u lejuan të ktheheshin në familjen e engjëjve të drejtë të Perëndisë dhe as që nuk iu lejua më të merrnin trupa njerëzorë, siç bënë në ditët e Noesë. Megjithatë, ata vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim rrënues në punët e njerëzve, nën autoritetin e «sundimtarit të demonëve», Satana Djallit.—Mateu 9:34; 2. Pjetrit 2:4; Judës 6.
Armiq të njerëzimit
Satanai dhe demonët kanë qenë gjithmonë vrasës dhe mizorë. Satanai, me mjete të ndryshme, i mori bagëtinë Jobit dhe vrau shumë prej shërbëtorëve të tij. Më pas, vrau dhjetë fëmijët e Jobit, duke shkaktuar «një erë të furishme» që shkatërroi shtëpinë ku ndodheshin ata. Pas kësaj, Satanai e goditi Jobin me «një ulcerë të keqe nga majat e këmbëve deri në pjesën e sipërme të kokës».—Jobi 1:7-19; 2:3, 7.
Demonët treguan një prirje të ngjashme të ligë. Në ditët e Jezuit, ata u merrnin njerëzve të folurin dhe pamjen. Ata bënë që një burrë të priste veten me gurë. Gjithashtu, ata hodhën një djalë përdhe dhe ‘e përplasnin’.—Luka 9:42; Mateu 9:32, 33; 12:22; Marku 5:5.
Raporte nga e gjithë bota tregojnë se Satanai dhe demonët janë më të ligj se kurrë. Ata i mundojnë disa njerëz me sëmundje. Disa të tjerë i shqetësojnë duke i lënë pa gjumë apo duke u shkaktuar ëndrra të tmerrshme, apo duke abuzuar nga ana seksuale. Të tjerë akoma i shtyjnë në çmenduri, vrasje dhe vetëvrasje.
Edhe për sa kohë do të durohen akoma?
Satanai dhe demonët e tij nuk do të durohen përgjithmonë. Me të drejtë Jehovai ka lejuar që ata të ekzistojnë deri në ditët tona, por tani koha që u ka mbetur është e shkurtër. Në fillimet e këtij shekulli, është ndërmarrë një hap i madh për të kufizuar sferën e aktivitetit të tyre. Libri i Zbulesës shpjegon: «Pastaj në qiell shpërtheu një luftë: Mihaeli [Jezu Krishti i ringjallur] dhe engjëjt e tij luftuan kundër kuçedrës [Satanai]. Kuçedra me engjëjt e saj kundërsulmuan, por u mundën. Asaj bashkë me engjëjt e saj nuk i lejohej më të qëndronte në qiell. Kuçedra e madhe u hodh poshtë. Ajo është gjarpri i lashtë që quhet gjithashtu djalli ose Satanai, mashtruesi i mbarë botës. Ai dhe të gjithë engjëjt e tij u rrëzuan poshtë në tokë.»—Zbulesa (Apokalipsi) 12:7-9, ECM.
Cili ishte rezultati? Tregimi vazhdon: «Prandaj galdo, o qiell, bashkë me të gjithë ata që banojnë atje.» Engjëjt e drejtë mund të gëzohen, sepse Satanai dhe demonët e tij nuk janë më në qiell. Por ç’mund të themi për njerëzit në tokë? Bibla thotë: «Vaj për tokë dhe për det, pasi djalli ra ndër ju. Zemërimi i tij është shumë i madh, sepse e di se nuk i mbetet veçse pak kohë!»—Zbulesa 12:12.
Të zemëruar, Satanai dhe shërbëtorët e tij, janë të gatshëm që të shkaktojnë sa më shumë vuajtje që të jetë e mundur para fundit të tyre të pashmangshëm. Në këtë shekull ka pasur dy luftëra botërore dhe më se 150 luftëra të vogla që nga përfundimi i Luftës II. Në fjalorin tonë kanë hyrë shprehje që pasqyrojnë dhunën e këtij brezi: «lufta bakteriologjike», «Holokausti», «kampet e shfarosjes», «përdhunime në masë», «vrasës me seri» dhe «bomba», d.m.th. atomike. Lajmet janë plot me histori drogash, me vrasje, me bombardime, me psikopatë që hanë njerëz, me masakra, me zi buke dhe me tortura.
Lajmi i mirë është se këto gjëra janë të përkohshme. Në të ardhmen e afërt, Perëndia do të veprojë sërish kundër Satanait dhe demonëve të tij. Duke përshkruar një vizion nga Perëndia, apostulli Gjon tha: «Pastaj pashë një engjëll tjetër që po zbriste nga qielli me çelësin e Humnerës dhe me hekura të mëdhenj në dorë. Ai e kapi kuçedrën—Gjarprin e vjetër—Djallin, Satanain—dhe e lidhi me pranga për një mijë vjet. E plandosi në Humnerë, mbylli hyrjen dhe e vulosi. Kështu për një mijë vjet nuk ishte në gjendje t’i mashtronte më kombet.»—Zbulesa 20:1-3, ECM.
Pas kësaj, Djalli dhe demonët e tij ‘duhen liruar për pak kohë’ dhe atëherë do të shkatërrohen përgjithmonë. (Zbulesa 20:3, 10) Sa kohë e mrekullueshme do të jetë! Pasi të jenë hequr përgjithmonë Satanai dhe demonët e tij, Jehovai do të jetë «mbi të gjitha». Dhe të gjithë me të vërtetë «do të gëzojnë një paqe të madhe».—1. Korintasve 15:28; Psalmi 37:11.
[Shënimet]
a Kjo u bë e qartë më vonë, kur Satanai tha për shërbëtorin e Perëndisë, Jobin: «Lëkurë për lëkurë! Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij. Por shtrije dorën tënde dhe preki kockat e tij dhe mishin e tij dhe ke për të parë po nuk të mallkoi haptazi.»—Jobi 2:4, 5.
b Për një diskutim të hollësishëm se përse e lejon Perëndia ligësinë, shiko librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 7]
A është vetëm njeriu përgjegjës për gjëra të tilla, apo ka faj edhe ndonjë forcë e padukshme dhe e ligë?
[Burimi]
Puse nafte duke u djegur në Kuvait, 1991: Chamussy/Sipa Press
[Figura në faqen 7]
Sa kohë e mrekullueshme do të jetë kur demonët të mos e shqetësojnë më njerëzimin!