KAPITULLI 7
Mbledhje që ‘na nxitin të shfaqim dashuri dhe të bëjmë vepra të shkëlqyera’
GJATË shekujve populli i Jehovait është mbledhur në mënyrë të organizuar. Në Izraelin e lashtë, të gjithë meshkujt udhëtonin për në Jerusalem për tri festat e mëdha. (Ligj. 16:16) Në shekullin e parë, të krishterët mblidheshin rregullisht, shpesh në shtëpi private. (Fil. 1, 2) Sot mbajmë mbledhje, asamble e kongrese. Pse mblidhen së bashku shërbëtorët e Perëndisë? Kryesisht ngaqë është pjesë e rëndësishme e adhurimit tonë.—Psal. 95:6; Kolos. 3:16.
2 Gjithashtu mbledhjet u sjellin dobi pjesëmarrësve. Për Festën e Kasolleve që mbahej në fund të çdo shtatë vjetëve, izraelitëve u ishte thënë: «Mblidhni popullin, burrat, gratë, fëmijët dhe të ardhurit që gjenden brenda qyteteve tuaja, që të dëgjojnë, të mësojnë e të kenë nderim të thellë për Jehovain, Perëndinë tuaj, dhe të zbatojnë me kujdes të gjitha fjalët e këtij Ligji.» (Ligj. 31:12) Qartë, një arsye e rëndësishme pse mblidhemi bashkë, është që ‘të mësohemi nga Jehovai’. (Isa. 54:13) Gjithashtu, mbledhjet na japin mundësi të njihemi me njëri-tjetrin, të inkurajohemi dhe të forcohemi nga kjo shoqëri.
MBLEDHJET E KONGREGACIONIT
3 Dishepujt që mblidheshin bashkë pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., i kushtonin vëmendje mësimit që jepnin apostujt dhe «ditë për ditë, ata ishin vazhdimisht në tempull së bashku». (Vep. 2:42, 46) Më vonë, kur të krishterët mblidheshin për të adhuruar, lexonin nga shkrimet e frymëzuara, ku përfshiheshin letrat e shkruara nga apostujt dhe nga dishepuj të tjerë të krishterë. (1 Kor. 1:1, 2; Kolos. 4:16; 1 Sel. 1:1; Jak. 1:1) Gjithashtu luteshin së bashku. (Vep. 4:24-29; 20:36) Nganjëherë tregonin ngjarje e përvoja nga fusha misionare. (Vep. 11:5-18; 14:27, 28) Shqyrtonin doktrinat e Biblës dhe përmbushjen e profecive të frymëzuara. Merrnin udhëzime për sjelljen e krishterë dhe për përkushtimin ndaj Perëndisë. Të gjithë nxiteshin të ishin lajmëtarë të zellshëm të lajmit të mirë.—Rom. 10:9, 10; 1 Kor. 11:23-26; 15:58; Efes. 5:1-33.
Gjatë ditëve të fundit të vështira, kemi nevojë për inkurajimin që marrim kur mblidhemi rregullisht
4 Sot, për mbledhjet e krishtere ndiqet i njëjti model si në ditët e apostujve. I bindemi nxitjes së frymëzuar që gjejmë te Hebrenjve 10:24, 25: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin . . . , e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shihni se dita po afrohet.» Gjatë ditëve të fundit të vështira, kemi edhe më shumë nevojë për inkurajimin që marrim kur mblidhemi rregullisht, që të qëndrojmë të fortë në besim dhe të mbajmë integritetin. (Rom. 1:11, 12) Si të krishterë jetojmë mes një brezi dredharak e të shtrembër. Ne e kemi hedhur poshtë qëndrimin shpërfillës ndaj Perëndisë dhe dëshirat e botës. (Filip. 2:15, 16; Titit 2:12-14) E ku tjetër do të donim të ishim, përveçse në shoqërinë e popullit të Jehovait?! (Psal. 84:10) Ç’gjë mund të jetë më e dobishme se studimi dhe diskutimi i Fjalës së Perëndisë?! Le të shqyrtojmë mbledhjet e ndryshme që janë organizuar për dobinë tonë.
MBLEDHJA E FUNDJAVËS
5 Në pjesën e parë të mbledhjes së fundjavës mbahet një fjalim nga Bibla që është menduar kryesisht për publikun e gjerë, disa prej të cilëve mund të kenë ardhur në mbledhje për herë të parë. Fjalimi publik luan rol të rëndësishëm që t’u forcojë besimin te Perëndia edhe atyre që i ndjekin mbledhjet nga pak kohë, edhe lajmëtarëve të kongregacionit.—Vep. 18:4; 19:9, 10.
6 Jezu Krishti, apostujt dhe gjithë të krishterët e hershëm mbanin mbledhje publike të ngjashme me ato që ndjekin sot kongregacionet e popullit të Jehovait. Pa dyshim që Jezui ishte oratori më i madh publik që ka jetuar në tokë. Për të u tha: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» (Gjoni 7:46) Ai fliste me autoritet dhe i mahniste të pranishmit. (Mat 7:28, 29) Ata që ia vinin veshin mesazhit të tij, nxirrnin mjaft dobi. (Mat 13:16, 17) Apostujt ndoqën shembullin e tij. Te Veprat 2:14-36 lexojmë fjalimin nxitës të Pjetrit në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Mijëra veta u motivuan të vepronin falë asaj që dëgjuan. Më vonë disa u bënë besimtarë pasi dëgjuan fjalimin e Pavlit në Athinë.—Vep. 17:22-34.
7 Edhe sot miliona veta kanë nxjerrë dobi nga fjalimet publike që mbahen çdo javë në kongregacione, si edhe nga fjalimet publike në asamble dhe kongrese. Këto fjalime na ndihmojnë të rrimë vigjilentë ndaj mësimeve të krishtere dhe të palëkundur në shërbim të Mbretërisë. Kur i ftojmë të interesuarit dhe të tjerët, mund t’i ndihmojmë goxha të njohin mësimet bazë të Biblës.
8 Fjalimet publike trajtojnë tema të ndryshme. Ato flasin për doktrina e profeci të Biblës, për parime e këshilla nga Shkrimet rreth jetës familjare e martesore, për situata që hasin të rinjtë dhe për moralin e krishterë. Disa fjalime përqendrohen te veprat e mrekullueshme të krijimit të Jehovait. Të tjera theksojnë besimin, guximin dhe integritetin e shkëlqyer të personazheve të Biblës, duke nxjerrë në pah mësime për kohët tona.
9 Që të nxjerrim dobi plotësisht nga fjalimet publike, është e rëndësishme të jemi shumë të vëmendshëm, të gjejmë shkrimet që përmend oratori dhe ta ndjekim teksa i lexon e i shpjegon. (Luka 8:18) E ndërsa sigurohemi për gjërat që shqyrtohen, do të jemi të vendosur ta mbajmë fort dhe ta zbatojmë atë që mësojmë.—1 Sel. 5:21.
10 Nëse ka oratorë në dispozicion, patjetër që kongregacioni do të ketë një fjalim publik çdo javë. Kjo shpesh arrihet duke ftuar oratorë nga kongregacionet aty afër. Nëse nuk ka mjaft oratorë, fjalimet bëhen sa më shpesh të jetë e mundur.
11 Në pjesën e dytë të mbledhjes së fundjavës mbahet Studimi i Kullës së Rojës, që është një diskutim me pyetje-përgjigje i artikujve në botimin për studim të Kullës së Rojës. Me anë të Kullës së Rojës, Jehovai na siguron ushqim në kohën e duhur.
12 Artikujt e studimit shpesh tregojnë si zbatohen parimet e Biblës në jetën e përditshme. Ata u japin forcë të krishterëve të shmangin «frymën e botës» dhe sjelljen e papastër. (1 Kor. 2:12) Me anë të Kullës së Rojës hidhet gjithnjë e më shumë dritë mbi doktrinat dhe profecitë e Biblës, me qëllim që të gjithë të jenë në një hap me të vërtetën dhe të qëndrojnë në shtegun e të drejtëve. (Psal. 97:11; Prov. 4:18) Pjesëmarrja dhe komentet gjatë Studimit të Kullës së Rojës na ndihmojnë të gëzojmë për botën e re e të drejtë që do të sjellë Jehovai. (Rom. 12:12; 2 Pjet. 3:13) Falë shoqërisë së krishterë, zhvillojmë frytin e frymës dhe na thellohet dëshira që t’i shërbejmë Jehovait me zell. (Gal. 5:22, 23) Marrim forcë për të qëndruar përballë sprovave dhe për të ndërtuar ‘një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokim jetën e vërtetë’.—1 Tim. 6:19; 1 Pjet. 1:6, 7.
13 Si të nxjerrim dobi plotësisht nga kjo masë që na forcon marrëdhënien me Jehovain? Duhet të përgatitemi që më përpara, vetëm ose si familje, të shohim shkrimet e cituara dhe të komentojmë me fjalët tona gjatë mbledhjes. Kështu e vërteta do të na ngulitet në zemër dhe të tjerët do të nxjerrin dobi duke dëgjuar shprehjet tona të besimit. Duke dëgjuar me kujdes komentet e të tjerëve, do të përfitojmë nga mësimi i çdo jave.
MBLEDHJA E MESJAVËS
14 Çdo javë, kongregacioni mblidhet në Sallën e Mbretërisë për programin Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë. Kjo mbledhje ka tri pjesë të bëra enkas për të na ndihmuar që të «kemi kualifikimet e mjaftueshme» si shërbëtorë të Perëndisë. (2 Kor. 3:5, 6, shën.) Programi dhe materiali sigurohen çdo muaj te Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje. Ky botim përmban edhe ide për biseda në shërbim.
15 Pjesa e parë e kësaj mbledhjeje, që quhet Thesare nga Fjala e Perëndisë, do të na ndihmojë të familjarizohemi me përmbajtjen dhe kontekstin e tregimeve të Biblës dhe të mësojmë si mund t’i zbatojmë. Mbledhja përfshin një fjalim, një lexim dhe një diskutim të bazuar në leximin javor të Biblës. Në Fletëstudimin për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi» përfshihen mjete ndihmëse figurative dhe fletë pune që ndihmojnë për t’ua mësuar të tjerëve këto tregime. Ky shqyrtim i thellë i Biblës, na sjell dobi në jetën personale dhe në mësimdhënien tonë, kështu që ‘mund të jemi krejtësisht të zotë, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’.—2 Tim. 3:16, 17.
16 Pjesa e dytë e mbledhjes, Stërvitu për shërbimin, ka si synim t’u japë të gjithëve mundësinë të praktikohen për shërbimin, si edhe të përmirësojnë aftësinë që të predikojnë e mësojnë. Përveç caktimeve të studentëve, shqyrtohen edhe video nga pjesa Ide për biseda. Kjo pjesë e mbledhjes na ndihmon të njohim ‘gjuhën e të mësuarve, që të dimë si t’i përgjigjemi të lodhurit me fjalët e duhura’.—Isa. 50:4.
17 Pjesa e tretë, Të jetojmë si të krishterë, shqyrton zbatimin e parimeve të Biblës në jetën e përditshme. (Psal. 119:105) Një aspekt kryesor i kësaj pjese të mbledhjes është Studimi i Biblës në Kongregacion. Ashtu si Studimi i Kullës së Rojës, edhe Studimi i Biblës në Kongregacion është një diskutim me pyetje-përgjigje.
18 Çdo muaj kur vjen Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi», koordinatori i trupit të pleqve, ose një plak që e ndihmon, e analizon me kujdes dhe bën një program. Çdo javë, një plak që është mësues i aftë dhe i aprovuar nga trupi i pleqve, do të jetë drejtuesi i mbledhjes. Ai sigurohet që mbledhja të fillojë dhe të mbarojë në kohë dhe u jep lavdërime e këshilla studentëve që kanë caktime.
19 Kur përgatitemi rregullisht, jemi të pranishëm dhe marrim pjesë në mbledhjen Jeta dhe shërbimi, fitojmë njohuri nga Shkrimet, kuptojmë më mirë parimet e Biblës, jemi më të sigurt ndërsa predikojmë lajmin e mirë dhe më të aftë për të bërë dishepuj. Edhe të pranishmit që ende nuk janë Dëshmitarë të pagëzuar, përfitojnë nga shoqëria e përzemërt dhe nga pjesët inkurajuese në mbledhje. Biblioteka Watchtower, aplikacioni JW Library®, BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower™ (nëse disponohen në gjuhën tënde) dhe biblioteka në Sallën e Mbretërisë na ndihmojnë të përgatitemi për këtë mbledhje dhe të tjera. Në bibliotekën e Sallës së Mbretërisë gjenden botime të Dëshmitarëve të Jehovait, Treguesi i Botimeve Watch Tower ose Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait si edhe përkthime të ndryshme të Biblës, një tregues alfabetik, një fjalor dhe vepra të tjera referimi që mund të na ndihmojnë. Këtë bibliotekë mund ta përdorë kushdo para ose pas mbledhjes.
MBLEDHJET PËR SHËRBIM
20 Në orare të ndryshme gjatë javës dhe fundjavës, grupe lajmëtarësh marrin pjesë në mbledhje të shkurtra për shërbim. Këto mbledhje zakonisht mbahen në shtëpi ose në vende të tjera të përshtatshme. Mund të mbahen edhe në Sallën e Mbretërisë. Kur grupet që mblidhen në disa pika të territorit janë më të vogla, lajmëtarët mund ta kenë më të lehtë të shkojnë në mbledhjen e shërbimit dhe në territor. Lajmëtarët mund të organizohen shpejt dhe të nisen pa vonesë për në territor. Po ashtu, mbikëqyrësi i grupit ka mundësinë t’u kushtojë më shumë vëmendje atyre që janë nën kujdesin e tij. Edhe pse ka më shumë dobi që grupet të mblidhen veç e veç, për shkak të rrethanave disa grupe mund të mblidhen së bashku. Për shembull, nëse gjatë javës dalin më pak lajmëtarë në shërbim, mund të jetë e dobishme që disa grupe të bashkohen ose të gjithë të mblidhen në Sallën e Mbretërisë a në një vend tjetër të përshtatshëm. Kështu lajmëtarët do të kenë me kë të dalin në shërbim. Gjithashtu, kongregacioni mund ta shohë të përshtatshme të mblidhet në Sallën e Mbretërisë në ditë festash zyrtare. Ose kongregacioni mund të vendosë të bëjë një mbledhje të përbashkët për shërbim pas Studimit të Kullës së Rojës.
21 Nëse grupet mblidhen veç e veç, mbledhjen për shërbim e drejton mbikëqyrësi i grupit. Herë pas here, ai mund të caktojë ndihmësin e tij ose një vëlla tjetër të kualifikuar që të drejtojë mbledhjen. Drejtuesi duhet të përgatitet që të trajtojë diçka praktike dhe të dobishme për shërbimin. Pasi caktohen për shërbim, bëhet lutja dhe grupi niset pa vonesë për në territor. Këto mbledhje zgjasin nga pesë deri në shtatë minuta, por duhet të jenë më të shkurtra nëse bëhen menjëherë pas një mbledhjeje kongregacioni. Ato duhet t’u japin inkurajim, udhëzime praktike dhe drejtim lajmëtarëve që po dalin në predikim. Më të rinjtë në të vërtetën dhe të tjerë që mbase kanë nevojë për ndihmë, mund të dalin me lajmëtarë me përvojë që të stërviten.
ORGANIZIMI I MBLEDHJEVE PËR KONGREGACIONET E REJA OSE TË VOGLA
22 Me shtimin e numrit të dishepujve, shtohet edhe numri i kongregacioneve. Kërkesën për një kongregacion të ri zakonisht e parashtron mbikëqyrësi qarkor. Megjithatë, në disa raste, grupet e vogla mund të nxjerrin më shumë dobi po të shoqërohen me kongregacionin më të afërt.
23 Ndonjëherë kongregacionet e vogla përbëhen vetëm nga motra. Nëse është kështu, motra që përfaqëson kongregacionin në lutje ose që drejton mbledhjet, duhet ta mbulojë kokën, në përputhje me kërkesat e Biblës. (1 Kor. 11:3-16) Në shumicën e rasteve ajo qëndron ulur, përballë grupit. Motrat nuk mbajnë fjalime në mbledhje duke iu drejtuar auditorit. Në vend të kësaj, lexojnë materialin e siguruar nga organizata dhe komentojnë rreth tij, ose me raste mund ta trajtojnë materialin në formë diskutimi a demonstrimi. Zyra e degës do t’i kërkojë njërës prej motrave që të merret me korrespondencën me zyrën dhe të kujdeset për mbledhjet. Me kalimin e kohës, kur ka vëllezër të kualifikuar për të bërë këtë, do të kujdesen ata për këto përgjegjësi.
ASAMBLETË QARKORE
24 Çdo vit merren masa që kongregacionet e caktuara në të njëjtin qark të mblidhen bashkë për dy asamble qarkore njëditore. Këto raste të gëzueshme u japin mundësi të gjithë të pranishmëve ‘t’i hapin plotësisht dyert e zemrës’ në shoqërinë e krishterë. (2 Kor. 6:11-13) Duke pasur parasysh një nevojë specifike, organizata e Jehovait përgatit tema nga Bibla, si edhe pjesë të ndryshme për këto programe. Materiali paraqitet me anë të fjalimeve, demonstrimeve, dramatizimeve, videove, monologëve dhe intervistave. Udhëzime të tilla në kohën e duhur i inkurajojnë të gjithë të pranishmit. Në këto asamble, dishepujt e rinj kanë mundësinë të pagëzohen në simbol të kushtimit të tyre ndaj Jehovait.
KONGRESET RAJONALE
25 Një herë në vit, organizohen mbledhje më të mëdha. Zakonisht, këto janë kongrese rajonale treditore, ku bashkohen kongregacionet e disa qarqeve. Degëve më të vogla mund t’u duket më praktike që të gjitha kongregacionet e territorit të degës të mblidhen në të njëjtin vend. Në disa vende, masat që merren për këto mbledhje, mund të ndryshojnë sipas rrethanave ose në bazë të udhëzimeve që jep organizata. Herë pas here, në disa shtete mbahen kongrese ndërkombëtare ose speciale, ku marrin pjesë dhjetëra mijë Dëshmitarë nga vende të ndryshme. Gjatë viteve, mjaft njerëz e kanë mësuar lajmin e mirë për Mbretërinë falë përpjekjeve për të informuar publikun për këto mbledhje të mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait.
26 Për shërbëtorët e kushtuar të Jehovait, kongreset janë raste të gëzuara të adhurimit në unitet. Në mbledhje të tilla hidhet më shumë dritë për të vërtetën. Në disa kongrese dalin botime të reja për studimin personal, për studimin në kongregacion dhe për shërbimin. Në to bëhen edhe pagëzime. Kongreset kanë një rëndësi të veçantë për të na rritur besimin. Japin dëshmi të gjallë se populli i Jehovait është një vëllazëri ndërkombëtare me të krishterë të kushtuar që kanë shenjën dalluese të dishepujve të Jezu Krishtit.—Gjoni 13:35.
27 Duke ndjekur mbledhjet e kongregacionit në zonën tonë, si edhe asambletë e kongreset e popullit të Jehovait, forcohemi për të bërë vullnetin e Tij. Gjithashtu mbrohemi nga ndikimet e botës, të cilat mund të na minojnë besimin e krishterë. Të gjitha këto mbledhje i japin lavdi Jehovait. (Psal. 35:18; Prov. 14:28) I jemi mirënjohës Jehovait që, në këtë kohë të fundit, ka siguruar këto mbledhje që i afrojnë më shumë shërbëtorët e tij të kushtuar me të.
DARKA E ZOTËRISË
28 Një herë në vit, në përvjetorin e vdekjes së Jezu Krishtit, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në gjithë botën kremtojnë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit ose siç quhet ndryshe Darkën e Zotërisë. (1 Kor. 11:20, 23, 24) Për popullin e Jehovait, kjo është mbledhja më e rëndësishme e vitit. Kemi një urdhër specifik për të mbajtur Përkujtimin.—Luka 22:19.
29 Data e Përkujtimit përkon me datën e Festës së Kalimit që përmendet në Shkrime. (Eks. 12:2, 6; Mat. 26:17, 20, 26) Festa e Kalimit ishte kremtimi i përvitshëm i Eksodit të izraelitëve nga Egjipti në vitin 1513 p.e.s. Në atë kohë, Jehovai caktoi ditën e 14-të të muajit të parë hënor, si datën në të cilën duhej të hanin qengjin e Festës së Kalimit dhe të dilnin nga robëria në Egjipt. (Eks. 12:1-51) Data përcaktohet duke numëruar 13 ditë nga shfaqja e hënës së re më pranë ekuinoksit të pranverës, që shihet nga Jerusalemi. Zakonisht, data e Përkujtimit bie kur hëna e parë e plotë shfaqet pas ekuinoksit të pranverës.
30 Te Mateu 26:26-28, Jezui tregoi si duhet mbajtur Përkujtimi. Nuk është një rit me ngjyrime mistike, por një darkë simbolike ku marrin pjesë ata që janë thirrur si bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. (Luka 22:28-30) Të gjithë të krishterët e tjerë të kushtuar dhe personat e interesuar inkurajohen që të jenë të pranishëm si vëzhgues në Darkën e Zotërisë. Me praninë e tyre tregojnë çmueshmërinë për masën që ka marrë Perëndia Jehova nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, për dobinë e mbarë njerëzimit. Para Përkujtimit mbahet një fjalim publik special që nxit interesin për këtë rast dhe për të studiuar Biblën.
31 Dëshmitarët e Jehovait i presin me gëzim rastet për të qenë së bashku në mbledhje, ku «interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24) Skllavi besnik dhe i mençur është gjithnjë syçelë për t’i përgatitur këto mbledhje sipas nevojave tona. Të gjithë shërbëtorët e Jehovait, si edhe të interesuarit, nxiten të nxjerrin plotësisht dobi nga masat që janë marrë për t’u mbledhur bashkë rregullisht. Duke treguar çmueshmëri me gjithë zemër për masat që ka marrë Jehovai nëpërmjet organizatës, shërbëtorët e tij janë në unitet. Mbi të gjitha, i japim lavdi Jehovait.—Psal. 111:1.