PIKËPAMJA E BIBLËS
Engjëjt
Engjëjt i gjen në libra, piktura dhe filma. Por çfarë janë dhe ç’rol luajnë?
Çfarë janë engjëjt?
ÇFARË THOTË BIBLA:
Para se të krijonte universin dhe njerëzit e parë, Zoti kishte krijuar tashmë krijesa me intelekt të një rangu më të lartë. Ata janë më të fuqishëm se ne dhe banojnë atje ku banon Perëndia—një vend i paarritshëm dhe i padukshëm për njerëzit. (Jobi 38:4, 7) Këto krijesa të larta Bibla i quan «frymë» dhe ‘engjëj’.—Psalmi 104:4, shënimi.a
Sa është numri i engjëjve? Marramendës! Ata që janë pranë fronit të Perëndisë, janë «dhjetë mijë herë dhjetëra mijë dhe mijëra e mijëra». (Zbulesa 5:11) Po ta marrim në kuptimin e mirëfilltë, i bie që të jenë me qindra milionë.
‘Pashë shumë engjëj që ishin përreth fronit. Ata ishin dhjetë mijë herë dhjetëra mijë dhe mijëra e mijëra.’—Zbulesa 5:11.
Çfarë bënin engjëjt në kohët e lashta?
ÇFARË THOTË BIBLA:
Shpesh engjëjt shërbenin si zëdhënës ose lajmëtarë të Zotit.b Bibla tregon edhe se bënin mrekulli në emër të Perëndisë. Ai dërgoi një engjëll të bekonte Abrahamin dhe ta ndalonte që të flijonte të birin, Isakun. (Zanafilla 22:11-18) Edhe Moisiut iu shfaq një engjëll në mes të një kaçube që digjej, me një mesazh që do t’i ndryshonte jetën. (Dalja 3:1, 2) Kur profetin Daniel e hodhën në gropën e luanëve, ‘Perëndia dërgoi engjëllin e tij dhe ua mbylli gojën luanëve’.—Danieli 6:22.
«Atëherë engjëlli i Jehovait iu shfaq [Moisiut] në një flakë zjarri, në mes të një kaçube me gjemba.»—Dalja 3:2.
Çfarë bëjnë tani engjëjt?
ÇFARË THOTË BIBLA:
Nuk mund të dimë gjithçka për aktivitetin e engjëjve sot. Gjithsesi, nga Bibla kuptojmë se po ndihmojnë njerëzit e sinqertë të mësojnë më shumë për Zotin.—Veprat 8:26-35; 10:1-22; Zbulesa 14:6, 7.
Në një ëndërr nga Jehovai, patriarku Jakob pa engjëjt tek ngjiteshin e zbritnin nëpër një «shkallë» mes qiellit e tokës. (Zanafilla 28:10-12) Nga kjo ëndërr Jakobi mund të ketë arritur në përfundimin që mund të arrijmë edhe ne: Perëndia Jehova i dërgon engjëjt me mision në tokë për të ndihmuar njerëzit besnikë që kanë nevojë.—Zanafilla 24:40; Dalja 14:19; Psalmi 34:7.
‘Ai pa një shkallë që ishte vendosur në tokë, maja e së cilës arrinte deri në qiej. Dhe ja, engjëjt e Perëndisë ngjiteshin e zbritnin nëpër të.’—Zanafilla 28:12.
a Bibla i quan «demonë» engjëjt e ligj që u rebeluan kundër autoritetit të Perëndisë.—Luka 10:17-20.
b Në fakt, fjalët origjinale hebreje dhe greke të përdorura në Bibël për «engjëll» do të thonë «lajmëtar».