Nga djersa e fëmijëve
«Fëmijët, tani pjesë e procesit të prodhimit, trajtohen si mallra ekonomike, në vend se si e ardhmja e shoqërisë.»—Kira Hongladarom, drejtor i Human Resources Institute, Tailandë.
HERËN tjetër që do të blini një kukull për vajzën tuaj, kujtoni se ajo mund të jetë prodhuar nga disa fëmijë në Azinë Juglindore. Herën tjetër që djali juaj do të gjuajë një top futbolli, mendoni mbi faktin që atë mund ta ketë qepur një vajzë trevjeçare, e cila, së bashku me mamanë dhe katër motrat e veta, fiton 75 cent në ditë. Herën tjetër që do të blini një qilim, kini parasysh se atë mund ta kenë thurur gishtat e zhdërvjellët të disa djemve gjashtëvjeçarë, të cilët punojnë për orë të tëra ditë pas dite në kushte abuzive.
Sa i përhapur është shfrytëzimi i fëmijëve? Si ndikon ai mbi fëmijët? Ç’mund të bëhet për të ndrequr situatën?
Shtrirja e problemit
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), llogaritet se në vendet në zhvillim, numri i fëmijëve të moshave nga 5 deri në 14 vjeç që punojnë është 250 milionë.a Mendohet se 61 për qind e tyre janë në Azi, 32 për qind në Afrikë dhe 7 për qind në Amerikën Latine. Shfrytëzimi i fëmijëve ekziston edhe në vendet e industrializuara.
Në Evropën Jugore një numër i madh fëmijësh punësohen me pagesë, veçanërisht në disa aktivitete sezonale, të tilla si puna në bujqësi ose blegtori dhe në punishte të vogla. Kohët e fundit, shfrytëzimi i fëmijëve ka pësuar një rritje në Evropën Qendrore dhe Lindore me kalimin nga komunizmi në kapitalizëm. Në Shtetet e Bashkuara, numri zyrtar i fëmijëve që punojnë është 5,5 milionë. Por ky numër nuk përfshin shumë fëmijë nën 12 vjeç që janë të punësuar ilegalisht në punë rropatëse ose si punëtorë sezonalë e migrues në ferma të mëdha. Si bëhen pjesë e fuqisë punëtore këta miliona fëmijë?
Shkaqet e shfrytëzimit të fëmijëve
Shfrytëzimi i varfërisë. «Forca më e fuqishme që i shtyn fëmijët drejt punëve të rrezikshme dhe ligështuese është shfrytëzimi i varfërisë,—thotë botimi The State of the World’s Children 1997.—Për familjet e varfra, kontributi i vogël i të ardhurave që sjell ose i ndihmës që jep në shtëpi një fëmijë, gjë që u jep mundësi prindërve të punojnë, mund të bëjë ndarjen mes urisë dhe plotësimit të nevojave minimale.» Prindërit e fëmijëve që punojnë janë shpesh të papunë ose të punësuar pjesërisht. Ata kanë një nevojë të dëshpëruar për të ardhura të sigurta. Atëherë, përse puna u ofrohet përkundrazi fëmijëve të tyre? Sepse fëmijët mund të paguhen më pak. Sepse fëmijët janë më të bindur dhe përpunohen kollaj; në fakt shumica e tyre bëjnë gjithçka që u thuhet, duke mos kundërshtuar thuajse kurrë. Sepse fëmijët ka më pak të ngjarë që të organizojnë qëndresë kundër shtypjes. Gjithashtu, sepse nuk kundërveprojnë kur me ta abuzohet fizikisht.
Mungesa e arsimimit. Sudiri, një djalë 11-vjeçar nga India, është një prej atyre miliona fëmijëve që e kanë lënë shkollën dhe kanë filluar punën. Përse? «Në shkollë, mësuesit nuk na mësonin mirë,—përgjigjet ai.—Nëse ne u kërkonim që të na mësonin alfabetin, ata na qëllonin. Ata flinin në klasë. . . . Nëse nuk kuptonim, ata nuk na mësonin.» Mjerisht, pohimet e Sudirit për shkollën janë të sakta. Pakësimi i shpenzimeve buxhetore për programet sociale në vendet në zhvillim ka goditur veçanërisht rëndë arsimin. Një studim i OKB-së i kryer më 1994 në 14 prej vendeve më pak të zhvilluara të botës zbuloi disa fakte interesante. Në gjysmën e këtyre vendeve, për shembull, në klasat e fillores ka vende vetëm për 4 nxënës nga çdo 10 prej tyre. Gjysma e nxënësve s’kanë libra dhe gjysma e klasave s’kanë dërrasë të zezë. Nuk është për t’u habitur, pra, që shumë fëmijë që shkojnë në këto shkolla përfundojnë në tregun e punës.
Ajo që pritet tradicionalisht. Sa më e rrezikshme dhe sa më e rëndë të jetë puna, aq më shumë ka të ngjarë që t’u lihet minoriteteve etnike, klasave më të ulëta, atyre që janë në kushte të pafavorshme dhe të varfërve. Në lidhje me një vend aziatik, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët vëren se «ekziston pikëpamja që disa njerëz kanë lindur për të sunduar dhe për të bërë punë mendore, ndërsa të tjerët, shumica dërrmuese, kanë lindur për të bërë punë fizike». Në Perëndim nuk ekziston një mentalitet më i mirë se ky. Njerëzit e shtresës së lartë mund të mos pranojnë që fëmijët e tyre të bëjnë punë të rrezikshme, por nuk u bëhet vonë fare nëse këto punë i bëjnë të rinjtë e minoriteteve raciale, etnike ose ekonomike. Në Evropën Veriore, për shembull, fëmijët që punojnë ka të ngjarë të jenë turq ose afrikanë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara mund të jenë aziatikë ose latino-amerikanë. Problemi i shfrytëzimit të fëmijëve rëndohet nga fakti që shoqëria moderne është shumë e dhënë pas konsumimit të gjërave materiale. Kërkesa për produkte me çmime të ulëta është e lartë. Pak njerëz duket se shqetësohen për faktin që këto produkte mund të jenë prodhuar nga miliona fëmijë anonimë që shfrytëzohen.
Forma të shfrytëzimit të fëmijëve
Çfarë formash merr shfrytëzimi i fëmijëve? Në përgjithësi, shumica e fëmijëve punojnë në shërbimet shtëpiake. Këta punëtorë janë quajtur «fëmijët më të harruar të botës». Shërbimet shtëpiake nuk duhet të jenë të rrezikshme, por shpesh janë. Ekziston prirja që fëmijët që kryejnë këtë lloj pune të detyruar të paguhen fare pak ose të mos paguhen fare. Kushtet e punës dhe rrethanat në të cilat punojnë varen plotësisht nga tekat e pronarëve të tyre. Këtyre fëmijëve u është privuar përzemërsia, shkollimi, loja dhe aktivitetet shoqërore. Veç kësaj, ata janë të pambrojtur nga abuzimi fizik dhe seksual.
Fëmijë të tjerë përfundojnë si punëtorë nga zori, të lënë peng për borxhe. Në Azinë Jugore, ashtu si edhe në zona të tjera, disa prindër i lënë peng fëmijët, që shpesh janë vetëm tetë ose nëntë vjeç, te disa pronarë fabrikash ose te përfaqësuesit e tyre në këmbim të huave të vogla. Skllavëria e përjetshme e fëmijëve nuk arrin kurrë as ta ulë borxhin.
Ç’të themi për shfrytëzimin tregtar seksual të fëmijëve? Llogaritet se çdo vit ,të paktën një milion vajza në mbarë botën tërhiqen në tregtinë seksuale. Shpesh shfrytëzohen seksualisht edhe djemtë. Dëmi fizik dhe emocional që shkaktohet nga ky lloj abuzimi, për të mos përmendur infektimin me virusin HIV, e bën këtë një nga format më të rrezikshme të shfrytëzimit të fëmijëve. «Ne kemi në shoqëri po atë vend që kanë endacakët,—thotë një prostitutë 15-vjeçare nga Senegali.—Askush nuk dëshiron të na njohë ose ta shohin me ne.»b
Një përqindje e lartë e fëmijëve që punojnë shfrytëzohet në industri dhe plantacione. Këta fëmijë robëtohen në punë të ndryshme në minierë, të cilat do të konsideroheshin tepër të rrezikshme për të rriturit. Shumë prej tyre vuajnë nga tuberkulozi, bronkiti dhe astma. Fëmijët që punojnë në plantacione janë të ekspozuar ndaj pesticideve, kafshimit të gjarpërinjve dhe pickimit të insekteve. Disa janë gjymtuar ndërsa prisnin kallam sheqeri me hanxhar. Miliona fëmijë të tjerë e kanë bërë rrugën vendin e tyre të punës. Le të marrim, për shembull, Shirinin 10-vjeçare, një rrëmuese profesioniste plehrash. Ajo nuk ka shkuar kurrë në shkollë, por është mjaft e zonja në aspektin ekonomik të mbijetesës. Nëse mbledh 30 deri në 50 centë nga shitja e letrave të hedhura dhe e qeseve, ajo mund të hajë diçka për drekë. Nëse fiton më pak, mbetet pa ngrënë. Fëmijët e rrugëve, të cilët shpesh ia mbathin nga abuzimi ose nga lënia pas dore në shtëpi, vuajnë nga abuzimi dhe shfrytëzimi i mëtejshëm në rrugë. «Çdo ditë lutem që të mos përfundoj në duar të liga»,—thotë Josi, një dhjetëvjeçare që shet sheqerka në rrugët kryesore të një qyteti aziatik.
Fëmijëri e shkatërruar
Si pasojë e këtyre formave të shfrytëzimit, dhjetëra milionë fëmijë ekspozohen ndaj rreziqeve të mëdha. Këto mund të vijnë nga natyra e punës që bëjnë ose nga kushtet e këqija të punës. Fëmijët dhe punëtorët e tjerë të rinj në moshë janë të prirur të kenë më shumë aksidente të rënda në punë sesa të rriturit. Kjo ndodh sepse anatomia e një fëmije është e ndryshme nga ajo e një të rrituri. Shtylla e tij kurrizore ose kockat e legenit mund të deformohen kollaj nga puna e rëndë. Gjithashtu, fëmijët vuajnë më shumë nga ç’vuajnë të rriturit, kur ekspozohen ndaj substancave të rrezikshme kimike ose ndaj rrezatimit. Veç kësaj, fëmijët nuk janë të formuar fizikisht për të duruar orë të tëra pune të mundimshme dhe të vazhdueshme, që është shumë shpesh ajo që u bie të bëjnë. Zakonisht ata nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe as nuk kanë shumë njohuri për masat parandaluese që duhet të marrin.
Ndikimet e shfrytëzimit të fëmijëve mbi rritjen psikologjike, emocionale dhe intelektuale të viktimave janë po ashtu të rënda. Këtyre fëmijëve u është privuar përzemërsia. Goditjet, sharjet, ndëshkimi duke i lënë pa bukë dhe abuzimi seksual janë shumë të zakonshme. Sipas një studimi, gati gjysma e afro 250 milionë fëmijëve që punojnë kanë lënë shkollën. Përveç kësaj, është vërejtur se aftësia për të mësuar e fëmijëve që punojnë për orë të tëra mund të bjerë.
Çfarë do të thotë e gjithë kjo? Që pjesa dërrmuese e punëtorëve fëmijë janë dënuar për gjithë jetën me varfëri, mjerim, sëmundje, analfabetizëm dhe shkëputje nga jeta shoqërore. Ose, siç u shpreh gazetarja Robin Rait, «me gjithë përparimet e saj shkencore dhe teknike, bota e fundit të shekullit të 20-të po sjell në ekzistencë me miliona fëmijë që zor se kanë ndonjë shpresë për të pasur një jetë normale e aq më pak për ta drejtuar botën drejt shekullit të 21-të». Këto vërejtje që të fusin në mendime ngrenë pyetjet: Si duhen trajtuar fëmijët? A ekziston ndonjë zgjidhje e afërt për problemin e punës abuzive të fëmijëve?
[Shënimet]
a Në përgjithësi, ILO përcakton moshën 15-vjeçare si moshën minimale për të lejuar futjen në punë të fëmijëve, me kusht që kjo moshë të mos jetë më e vogël sesa mosha për përfundimin e arsimit të detyruar. Ky ka qenë kriteri i përdorur më gjerësisht për të përcaktuar numrin e fëmijëve përreth botës që po punojnë aktualisht.
b Për informacion të mëtejshëm mbi shfrytëzimin tregtar seksual të fëmijëve, shiko faqet 11-15 të Zgjohuni!, prill-qershor 1997.
[Kutia në faqen 5]
Ç’është shfrytëzimi i fëmijëve?
NË TË gjitha shoqëritë, shumica e fëmijëve, në një mënyrë ose në një tjetër, punojnë. Llojet e punës që bëjnë ndryshojnë sipas shoqërisë dhe periudhës së kohës. Puna mund të jetë një pjesë thelbësore e edukimit të fëmijëve dhe një mënyrë për të transmetuar disa aftësi jetësore nga prindërit te pasardhësit. Në disa vende, fëmijët përfshihen shpesh në detyra të ndryshme në punishte dhe në kryerjen e shërbimeve të vogla, duke u bërë kështu gradualisht punëtorë të rritur plotësisht të aftë. Në vende të tjera adoleshentët punojnë pak orë në javë, që të kenë ca para për veten e tyre. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thotë se punë të tilla «janë të dobishme, duke qenë se nxitin ose rritin zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral a shoqëror të fëmijës pa penguar shkollimin, zbavitjen dhe pushimin e tij».
Shfrytëzimi i fëmijëve, nga ana tjetër, ka të bëjë me faktin që shumë fëmijë punojnë me orë të tëra për paga të ulëta, shpesh në kushte të dëmshme për shëndetin e tyre. Kjo lloj pune, siç komenton The State of the World’s Children 1997, «duket qartë që është shkatërrimtare dhe shfrytëzuese. Askush nuk do të argumentonte para të tjerëve se shfrytëzimi i fëmijëve për prostitucion është i pranueshëm në ndonjë rrethanë. E njëjta gjë mund të thuhet për ‘punën e kushtëzuar të fëmijëve’, term i cili përdoret gjerësisht për skllavërimin e vërtetë të fëmijëve që të shlyejnë borxhet në të cilat janë futur prindërit ose gjyshërit e tyre. Kjo gjë zbatohet edhe në rastin e industrive që janë të njohura për rrënimin e shëndetit dhe për rreziqet e sigurimit që paraqesin... Është krejtësisht e papranueshme që fëmijët të bëjnë punë me rrezik».
[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]
«Ende shumë për të bërë»
ORGANIZATA Ndërkombëtare e Punës (ILO) është në ballë të përpjekjeve për eliminimin e formave më të këqija të punës së fëmijëve. ILO nxit qeveritë të miratojnë ligje që ndalojnë futjen në punë të fëmijëve nën 15 vjeç. Ajo, gjithashtu, u jep shtysë marrëveshjeve të reja mes shteteve lidhur me ndalimin e punësimit të fëmijëve nën moshën 12 vjeçare dhe nxjerrjen jashtë ligjit të formave më të rrezikshme të shfrytëzimit. Për të mësuar diçka më shumë rreth suksesit të këtyre përpjekjeve, Zgjohuni! foli me Sonia Rozenin, drejtore e Programit Ndërkombëtar të Punës së Fëmijëve, në Departamentin e Punës për SHBA-në. Ajo ka bashkëpunuar ngushtë me programe të ndryshme të ILO-s. Më poshtë është një fragment i kësaj bisede.
Pyetja: Cila është mënyra më e efektshme për të luftuar shfrytëzimin e fëmijëve?
Përgjigjja: Nuk kemi një përgjigje të vetme të përshtatshme. Sidoqoftë, në nivel ndërkombëtar, çështjet që kemi trajtuar janë çështje kyçe, domethënë një zbatim siç duhet i ligjeve i ndërthurur me një arsim fillor për të gjithë, mundësisht të detyrueshëm dhe pa pagesë. Sigurisht, është jetësore edhe pasja e punëve të përshtatshme për prindërit.
Pyetja: A jeni e kënaqur me progresin që është bërë deri tani në luftën kundër punës së fëmijëve?
Përgjigjja: Unë nuk jam asnjëherë e kënaqur. Do të thoshim se edhe sikur vetëm një fëmijë të punojë në kushte abuzive, është shumë. Me anë të programeve të ILO-s kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Por ka ende shumë për të bërë.
Pyetja: Si po reagon komuniteti ndërkombëtar ndaj përpjekjeve për të eliminuar punën e fëmijëve?
Përgjigjja: Nuk e di më se si t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Tani përreth botës ekziston në njëfarë mase mendimi i përbashkët se shfrytëzimi i fëmijëve është një problem që duhet trajtuar. Unë mendoj se në këtë pikë, pyetjet që shtrohen në të vërtetë janë: Si duhet bërë kjo gjë dhe me çfarë ritmi? Cilat janë mënyrat më të mira që mund të përdorim për të trajtuar disa nga llojet e punës së fëmijëve? Mendoj se kjo është sfida jonë e vërtetë.
Pyetja: Ç’mund të presin nga e ardhmja punëtorët fëmijë?
Përgjigjja: Këtë vit të gjitha vendet e botës po përgatiten për t’u rikthyer në Gjenevë që të përfundojnë një marrëveshje të re lidhur me format më të këqija të punës së fëmijëve. Kjo ngjarje premton me të vërtetë shumë, duke qenë se në të marrin pjesë të gjitha vendet dhe shoqatat e punëtorëve e të punëdhënësve. Shpresojmë që kjo do të ngrejë një strukturë të re, e cila do të ketë për synim të heqë qafe pikërisht format më të këqija të punës së fëmijëve.
Jo të gjithë bashkohen me optimizmin e Sonia Rozenit. Çarls MekKormak, president i organizatës Shpëtoni Fëmijët, ka rezerva. «Për të eliminuar problemin nuk ekziston gatishmëria nga ana politike dhe vetëdija publike»,—thotë ai. Pse? Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët komenton: «Puna e detyruar e fëmijëve është shpesh një problem i ndërlikuar. Atë e mbështetin forca të fuqishme, ku përfshihen shumë punëdhënës, qarqe të interesuara dhe ekonomistë që janë të mendimit se tregu i lirë duhet ruajtur me çdo kusht. E mbështetin, gjithashtu, edhe ata që i përmbahen traditës, duke besuar se kasta ose klasa u heq disa fëmijëve të drejtat e tyre.»
[Figura]
Sonia Rozen
[Figurat në faqen 5]
Historia e mjerë e shfrytëzimit të fëmijëve përfshin robëtimin në miniera dhe në fabrika pëlhurash
[Burimi]
U.S. National Archives photos
[Figura në faqen 7]
Duke rrëmuar në plehra
[Figura në faqen 7]
Punë e rëndë për të mbledhur dru zjarri
[Burimi]
UN PHOTO 148046/J. P. Laffont-SYGMA
[Figura në faqen 7]
Të punësuara në një fabrikë tjerrjeje
[Burimi]
CORBIS/Dean Conger
[Figura në faqen 8]
Shitësit e vegjël të rrugëve punojnë për jo më shumë se gjashtë centë në ditë
[Burimi]
UN PHOTO 148027/Jean Pierre Laffont
[Figura në faqen 8]
Duke punuar në një punishte karpentieri
[Burimi]
UN PHOTO 148079/J. P. Laffont-SYGMA
[Figura në faqen 9]
Duke u përpjekur për të fituar bukën e gojës
[Burimi]
UN PHOTO 148048/J. P. Laffont-SYGMA