Reforma angleze: Një kohë ndryshimi
«Kjo ishte një botë që jetonte mu në mes të ndryshimit dhe të rivlerësimit.»
KËSHTU e përshkruan J. J. Skarësbrik në biografinë e tij Henri VIII, Anglinë e shekullit të 16-të. Rrëmuja fetare në Evropë i kontribuoi bindjes se feja tradicionale kishte nevojë për një reformë.
Mësimet polemizuese të Martin Luterit gjetën mbështetës në Angli. Gjithashtu, duke filluar nga fundi i shekullit të 14-të, lolardët, predikues të zjarrtë dhe mbrojtës të Biblës, kishin rezistuar dhe i kishin shpërndarë mësimet e tyre nëpër Angli.
Në vitin 1526, në Angli kishin mbërritur kopje të përkthimit anglisht të Shkrimeve Greke nga Uilliam Tindali, me gjithë përpjekjet e armiqve të fuqishëm për ta parandaluar shpërndarjen e saj. Mësimet tradicionale katolike si purgatori, transubstancimi dhe beqaria e detyruar e priftërinjve ishin demaskuar se nuk kishin mbështetje biblike.
Por, ishte kriza e ndodhur në çështjet familjare të mbretit ajo që shërbeu për t’i hedhur benzinë zjarrit të Reformës Angleze. Henri VIII kërkoi të divorcohej nga gruaja e tij katolike Katerina e Aragonit, pasi donte një trashëgimtar mashkull për fronin. Të gjashtë fëmijët që Katerina i kishte lindur Henrit kishin vdekur nga aborti ose në foshnjëri, përveç një fëmije, që ishte një vajzë e quajtur Meri. Për më tepër, Henrin e kishte tërhequr Ana Bolejn, një vajzë e re dhe plot gjallëri, e kishte ndër mend të martohej me të.
Pa dashje, aleati i tij i shkathët dhe i fuqishëm, kardinali Tomas Uolsej, i dha shtysë të mëtejshme Reformës. Që nga fillimi i mbretërimit të Henrit në vitin 1509, Uolsej kishte fituar vazhdimisht fuqi e pasuri. Pas ca kohësh, influenca e tij vinte e dyta vetëm pas mbretit. Por Uolsejn nuk e pëlqenin, sepse ishte një tiran dhe i kishte ngritur taksat. Përveç kësaj, ai dukej se mendonte që ishte mbi ligjet e kishës së vet, pasi i kishte dhënë atësinë dy fëmijëve të tij të paligjshëm.
Fisnikë të ndryshëm komplotuan për rënien e Uolsejt, komplot që iu vu vula kur ai dështoi të siguronte divorcin, të cilin Henri e donte me kaq ngulm. I zhveshur nga pozitat e tij, Uolsej vdiq në vitin 1530, tamam përpara se të dilte para mbretit me akuzën e tradhtisë.
Në Angli u bë e fortë një frymë antiklerike. Historiani Skarësbrik shkroi se në atë kohë u «argumentua që Kisha kishte nevojë për një spastrim rrënjësor, që shoqëria nuk mund të mbante më këtë barrë joekonomike, këtë institucion të stërmadh që thithte kaq shumë fuqi njerëzore, bllokonte kaq shumë pasuri, merrte kaq shumë e jepte kaq pak . . . dhe që derdhja e parave angleze për në Romë . . . dëmtonte ekonominë [e Anglisë]».
Epoka e Kromuellit
Përfundimisht, vështirësitë martesore të Henrit u «zgjidhën» me ndihmën e kryekëshilltarit të tij, Tomas Kromuell dhe arkipeshkopit të ri të Kantërbërit, Tomas Kranmer. Kisha Anglikane u shkëput nga Kisha e Romës dhe mbreti u bë kreu i Kishës Anglikane. Në vitin 1533 Kranmer bëri anulimin e martesës së Henrit me Katerinën. Në këtë kohë Henri ishte martuar tashmë me Ana Bolejn, e cila ishte shtatzënë. Ky çlirim nga autoriteti papal pati pasoja të thella.
Kromuellit iu dha autoritet i pakufizuar mbi kishën dhe ai i nënshtrohej vetëm mbretit. Me kalimin e kohës, manastiret u shembën dhe pronat e tyre iu kaluan Kurorës, duke siguruar të ardhurat që nevojiteshin shumë. Më tej, Kromuelli luajti një rol jetësor në shtypjen dhe në shpërndarjen e Biblës në anglisht, siç shkruan A. G. Dikensi, në librin e tij Reforma Angleze: «Iniciativa politike, planifikimi i botimit, financimi, presioni për t’ia imponuar Biblën e Madhërishme Kishës Anglikane, të gjitha këto erdhën nga mëkëmbësi i mbretit Tomas Kromuell.»
Dora-dorës që Bibla vihej më në dispozicion të publikut, ajo pati një efekt të thellë në pikëpamjen që kishin njerëzit për fenë tradicionale. Dikensi vëren: «Thjeshtësia e padëmtuar që shquante jetën e Jezu Krishtit dhe të Apostujve, ishte në kontrast shumë të çuditshëm me aparatin kolosal ligjor e shtrëngues, pasurinë e madhe dhe arritjet e shkëlqyera arkitekturale të kishës së mesjetës së vonë dhe asaj të Rilindjes.»
Henri tregoi interes për disa reforma fetare, por linja e tij e veprimit shpesh diktohej nga interesat politike në vend se nga bindja e fortë fetare. Ai ishte mjaft mirë i vetëdijshëm për dy fraksionet kundërshtare në oborr, ata që ishin në favor të reformës dhe ata që donin të mbanin fenë tradicionale, konservatorët. Për të mbajtur në dorë kontrollin, ai me shkathtësi i vinte dy grupet kundër njëri-tjetrit.
Në vitin 1540 epoka e artë e reformës u ndërpre përkohësisht nga rënia e Kromuellit. Armiqtë e tij konservatorë e bindën Henrin se ai ishte tradhtar e heretik dhe mbreti e ekzekutoi pa gjyq.
Për njëfarë kohe, u duk sikur konservatorët kishin në dorë kontrollin. Por ata nuk qenë në gjendje të ndalnin reformën që tashmë kishte zënë rrënjë. Sidoqoftë, Reforma nuk e përmbushi premtimin e saj. Reformatorët protestantë nuk ia dolën të çrrënjosnin shumë prej mësimeve të rreme të njerëzve dhe traditat që ndotnin besimin katolik.
Kur Henri u martua me gruan e tij të gjashtë e të fundit, Katerina Parr, në vitin 1543, ata që ishin në favor të reformës morën zemër. Ajo tregoi shumë interes për mësimet e reja fetare. Por konservatorët nuk ishin të gatshëm të dorëzoheshin pa luftë. Taktikat e tyre dhe intrigat e oborrit do ta futnin mbretëreshën e re në një luftë të dëshpëruar. Kjo ngjarje do të shqyrtohet në një numër të ardhshëm të Zgjohuni!.
[Figura në faqen 26]
Henri VIII dhe Ana Bolejn
[Figura në faqen 26]
Katerina e Aragonit
[Figura në faqen 26]
Uiliam Tindal
[Figura në faqen 26]
Tomas Kromuell
[Figura në faqen 26]
Tomas Kranmer
[Figura në faqen 26]
Tomas Uolsej
[Burimet e figurave në faqen 27]
Tomas Uolsej: Nga libri The Story of Liberty, 1878; emblema, piktura e sfondit dhe Mbreti Henri VIII me Ana Bolejn: Nga libri The Library of Historic Characters and Famous Events, Vol. VII, 1895; Katerina e Aragonit, Tomas Kranmer dhe Tomas Kromuell: Nga libri Heroes of the Reformation, 1904