BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/98 f. 20-22
  • Një mbretëreshë me takt që mundi një peshkop intrigues

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një mbretëreshë me takt që mundi një peshkop intrigues
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një peshkop intrigues
  • Torturohet në rrotën e torturës
  • Një mbretëreshë e mençur dhe e matur
  • Reforma angleze: Një kohë ndryshimi
    Zgjohuni!—1998
  • «Kurrë nuk kam ndier një dashuri si kjo!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
Zgjohuni!—1998
g 11/98 f. 20-22

Një mbretëreshë me takt që mundi një peshkop intrigues

Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Afrikën e Jugut

E RRETHUAR nga shoqërueset e saj besnike, mbretëresha Katerina Parr e Anglisë ndihet e sigurt. Sëmundja e mbretit Henri VIII, bashkë me intrigat e jetës së oborrit, po ndikojnë për keq tek ai. Ndërsa mbretëresha po bisedon me një mikeshë, njëra nga shoqërueset e saj hyn me vrull, duke shtrënguar në dorë një letër. Duke iu marrë fryma, ajo ia dorëzon letrën Katerinës. E shqetësuar nga shfryrja plot ankth e shoqërueses së saj, mbretëresha e pranon me ngurrim letrën. Me sa duket, ajo i kishte rënë rastësisht nga dora një zyrtari jashtë apartamenteve të mbretëreshës.a

Ndërsa është duke lexuar, Katerina zbehet. Mosbesimi i saj kthehet në tmerr. Letra është një listë me akuza heretike kundër saj, e firmosur nga mbreti. Ajo bërtet dhe pothuaj shembet përdhe, por mikeshat e mbajnë. Ajo përpiqet të qetësohet, të mendojë qartë, por është tepër e shqetësuar. Me dhembshuri shoqërueset e saj e çojnë në krevat.

Ajo shtrihet, por nuk mund të pushojë. Me hope fillon të rikujtojë ngjarjet e martesës së saj me mbretin Henri VIII. Ishte në moshën 31-vjeçare, e martuar dy herë dhe mbetur e ve dhe po mendonte të martohej me të pashmin Tomas Sejmur. Por mbreti kishte pasur plane të tjera. Ai i kishte propozuar të martoheshin. Si mund të refuzonte ajo? Ky patjetër që ishte një nder, por i shoqëruar me probleme. Ajo u bë gruaja e tij e gjashtë më 12 korrik 1543.

Henri nuk ishte më personazhi i pashëm, luftarak dhe atletik i rinisë së tij. Në moshën 52-vjeçare, ai ishte shëndoshur tej mase, kishte ndryshime të papritura humori dhe kishte ulcera në këmbë, deri në atë masë saqë disa herë mezi ecte dhe duhej ta lëviznin në një karrige.

Sidoqoftë, Katerina kishte përdorur inteligjencën dhe talentet e saj të konsiderueshme për ta bërë të suksesshme martesën. Ajo u bë mike me tre fëmijët që mbreti kishte nga martesat e para. U përpoq shumë për të qenë një grua zbavitëse. Kur mbretit i dhimbnin këmbët, ajo ia hiqte mendjen me diskutime të gjalla, shpesh mbi çështjet fetare. Ajo i kishte sjellë mbretit një masë qetësie në vitet e tij të vona.

Tani ajo përpiqet të rikujtojë jetën me mbretin. Ku kishte gabuar? Mediton mbi një mbledhje të kohëve të fundit me të. Atë mbrëmje ishin të pranishëm disa nga oborrtarët e tij dhe ai dukej se ishte me humor të mirë. Siç e kishte zakon, ajo ngriti një pyetje fetare që ata e kishin diskutuar më parë. Ai u zemërua dhe ia preu shkurt. Ajo u habit, por e mori si një ndryshim normal humori nga ana e tij. Zakonisht atij i pëlqenin këto diskutime dhe nuk e kundërshtonte interesin e saj në çështjet fetare.

Ajo përpiqet të numërojë ata që ishin të pranishëm në atë rast. Mendimet e saj kthehen e rikthehen te një njeri: Stiven Gardiner, një armik i njohur.

Një peshkop intrigues

Gardineri, peshkop i Uinçesterit dhe këshilltar mbretëror, është një njeri me influencë dhe një kundërshtar i reformës fetare. Ai i mban inat Katerinës, qoftë për interesin e saj në ndryshimin fetar, qoftë për ndikimin që ka ajo te mbreti.

Kur kryekëshilltari i Henrit, Tomas Kromuell, e hoqi Gardinerin nga posti i tij si sekretari kryesor i mbretit, Gardineri kërkoi një mundësi për t’u hakmarrë. Ai u përfshi në komplotin që shkaktoi rënien dhe ekzekutimin e Kromuellit. Gardineri ishte zhgënjyer edhe sepse Henri e kishte lënë në hije dhe kishte caktuar si kryepeshkop të Kantërbërit Tomas Kranmerin krahasimisht të panjohur, i cili simpatizonte edhe protestantët. Lumturisht për Kranmerin, Henri prishi një komplot të kurdisur kundër tij nga Gardineri dhe të tjerë.

Rreziku i Katerinës dhe i shoqërueseve të saj në oborr theksohet nga një intrigë tjetër e kohëve të fundit, e thurur nga peshkopi Gardiner. Një e re, An Askju, ishte mbrojtëse e zjarrtë e reformës fetare. Ajo ishte në burg, duke pritur ekzekutimin për herezi. Por Gardinerit ajo i interesonte për një arsye tjetër. Ai donte dëshmi se ajo kishte kontakte me zonjat me influencë në oborr, gjë që mund të sillte akuza edhe mbi mbretëreshën. Një shok i Gardinerit, Tomas Rajëthsli, një nga këshilltarët kryesorë të mbretit, shkoi ta merrte në pyetje An Askjun.

Torturohet në rrotën e torturës

Rajëthsli e mori në pyetje Anën për ca kohë, por nuk mori dëshminë akuzuese që priste. Më në fund, ai urdhëroi ta lidhnin në rrotën e torturës,b edhe pse ishte e paligjshme të përdorej ky mjet torture te gratë. Kur as kjo gjë nuk e bëri të fliste, Rajëthsli dhe një këshilltar tjetër e lëvizën vetë rrotën e torturës dhe e tërhoqën vajzën deri në cakun e fundit, por nuk morën informacionin e dëshiruar.

Mendimi i vuajtjeve të An Askjut bën që Katerina të shpërthejë në lot. Ajo kupton se dikush ka hyrë në dhomë. Një nga shoqërueset e saj i afrohet dhe i thotë se mjeku i mbretit, dr. Uendi, është dërguar nga mbreti për ta vizituar. Mjeku i sjellshëm pyet si është me shëndet dhe i tregon shqetësimin e mbretit për shëndetin e saj.

Mjeku i shpjegon se si iu hap mbreti në lidhje me komplotin e ngitur kundër saj dhe se si e bëri që të betohej për ta mbajtur të fshehtë. Por, dr. Uendi ia tregon asaj të gjithë ngjarjen: i thotë se, pasi ajo u largua nga mbreti atë natë, me sarkazëm ai komentoi se ishte shumë ngushëlluese për të që në moshën e plakur «të mësohej nga gruaja [e tij]».

Gardineri pa rastin që i kishte dalë në shteg dhe përfitoi nga ai. Ai tha se mbretëresha strehonte heretikët dhe se aktivitetet e saj ishin tradhtare, duke përbërë një kërcënim ndaj autoritetit të mbretit. Ai tha se po t’i lihej kohë, ai bashkë me të tjerë mund të sillte përpara mbretit dëshmi për këtë. Mbreti i inatosur pranoi të firmoste një listë akuzash kundër saj.

Pasi ia ritregon këto ngjarje, dr. Uendi e nxit mbretëreshën që të shkojë te mbreti në rastin më të parë dhe me përulësi t’i kërkojë falje. Kjo është mënyra e vetme për t’ia kaluar armiqve të saj, të cilët nuk do të pushojnë derisa ta burgosin në Kullën e Londrës dhe derisa të kenë mjaft dëshmi për ta dënuar me vdekje.

Katerina e kupton mençurinë e kësaj këshille dhe një natë vonë, pasi dëgjon se mbreti është në dhomat e tij, vishet me kujdes dhe risjell ndër mend se çfarë do të thotë. Motra e saj e madhe dhe një mikeshë, Ledi Lejn e shoqërojnë.

Një mbretëreshë e mençur dhe e matur

Mbreti është i ulur dhe po bën shaka me disa nga shoqëruesit e tij. Ai e mirëpret gruan e tij me një buzëqeshje. Pastaj e kthen bisedën drejt çështjeve fetare. Ai i kërkon Katerinës që të heqë dyshimet e tij në disa pika. Katerina e kupton menjëherë kurthin. Ajo përpiqet me të gjitha forcat për t’u përgjigjur me sinqeritet dhe me ndershmëri.

Ajo thotë se Perëndia e krijoi gruan pas burrit, më të ulët se burri. Pastaj vazhdon: ‘Që nga ajo kohë, Perëndia ka vendosur një ndryshim natyral mes burrit dhe gruas, madhëria juaj është kaq i shkëlqyer në mençuri dhe unë kaq shumë më e ulët në të gjitha aspektet ndaj jush, si atëherë madhëria juaj, në çështje kaq të ndërlikuara fetare, duket se kërkon gjykimin tim?’ Pastaj ajo pranon se ai është kreu i saj mbi të gjitha gjërat, duke u renditur i dyti vetëm pas Perëndisë.

‘Jo kështu,—përgjigjet mbreti.—Ti je bërë një mësuese e ditur, që të na mësosh dhe jo që të mësohesh apo të drejtohesh nga ne.’

Ajo përgjigjet: ‘Nëse madhëria juaj e shikon në këtë mënyrë, atëherë madhëria juaj më ka keqkuptuar mua, që gjithnjë e kam menduar shumë të pahijshme dhe absurde që gruaja të marrë mbi vete pozitën e një instruktori ose mësuesi mbi burrin dhe zotërinë e saj, por përkundrazi ajo duhet të mësojë nga burri i saj dhe të lërë që ai ta mësojë.’ Më tej, ajo i shpjegon se kur fliste me të mbi çështjet fetare dhe disa herë shprehte opinionin e saj, këtë gjë nuk e bënte për të nxitur idetë e saj. Përkundrazi, duke u futur në bisedë, ajo shpresonte t’ia hiqte mendjen nga dhimbja që ndiente për shkak të sëmundjes së tij.

‘A është vërtet kështu, e dashur?—thotë mbreti.—Argumentet e tua nuk kishin ndonjë synim të keq? Atëherë jemi përsëri miq të përsosur, si kurrë më parë.’ Ndërsa është ende i ulur, ai e thërret afër, e përqafon ngrohtë dhe e puth. Ai thotë se dëgjimi i këtij lajmi është më mirë se të kishte marrë një dhuratë të papritur prej njëqind mijë paundesh. Ata vazhdojnë një bisedë të këndshme derisa ai i jep leje të largohet aty afër mesnatës.

Ditën tjetër mbreti bën shëtitjen e tij të zakonshme në kopshtin mbretëror, i shoqëruar nga dy shoqërues të dhomës së tij të gjumit. Ai e ka thirrur mbretëreshën që ta shoqërojë dhe ajo paraqitet në kohë bashkë me tri shoqëruese të sajat. Henri ka harruar t’i thotë Katerinës se kjo ishte koha që më parë ishte lënë dakord për arrestimin e saj. Ai ka harruar edhe të informojë Rajëthslin, i cili do të bënte arrestimin, për pajtimin e tij me mbretëreshën. Ndërsa ata po shijonin shëtitjen, Rajëthsli shfaqet me 40 roje të mbretit për të arrestuar mbretëreshën dhe shoqërueset e saj.

Henri ndahet nga grupi dhe thërret Rajëthslin, i cili përkulet në gjunjë. Pjesa tjetër e grupit nuk mund të dëgjojë atë që mbreti i thotë, por dëgjojnë vetëm kur shqipton me tërbim fjalët: ‘Batakçi! Kafshë! Budalla!’ Ai e urdhëron Rajëthslin t’i hiqet sysh.

Kur mbreti kthehet te Katerina, ajo përpiqet ta qetësojë me fjalë të buta. Madje i flet edhe në favor të Rajëthslit, duke thënë se çfarëdo gjëje të ketë bërë, mund ta ketë bërë gabimisht.

Në këtë pikë mbreti përgjigjet: ‘Të betohem, e dashur, ai është treguar një batakçi me damkë ndaj teje, prandaj lëre të ikë.’

Kështu Katerina shpëtoi nga armiqtë e saj dhe peshkopi Gardiner humbi favorin e mbretit. Mbretëresha e kishte mundur peshkopin intrigues. Plani kishte dështuar.c

[Shënimet]

a Ky tregim i sajuar bazohet në disa burime, duke përfshirë librin Foxe’s Book of Martyrs.

b «Një mjet torture që konsistonte në një strukturë me cilindra ku lidheshin kyçet e duarve dhe të këmbëve të një personi, me qëllim që gjymtyrët të tendoseshin kur viheshin në punë cilindrat.»—Oxford Advanced Learner’s Dictionary.

c Katerina Parr jetoi pas vdekjes së Henrit dhe më në fund u martua me Tomas Sejmurin. Vdiq në vitin 1548, në moshën 36-vjeçare, pak kohë pas lindjes së një fëmije. Gardinerit, pasi kaloi ca kohë në burg dhe në Kullën e Londrës, iu hoq posti si peshkop në vitin 1550. Ai rifitoi favor nën Marinë I katolike (1553) dhe vdiq në vitin 1555.

[Figurat në faqen 21]

Mbretëresha Katerina Parr

Peshkopi Stiven Gardiner

[Burimet]

Riprodhim i portretit të Katerina Parr: Me mirësjellje nga Galeria Kombëtare e Portreteve, Londër; Stiven Gardiner: Biblioteka Fotografike e Thesarit Kombëtar/J. Uajteikër

[Figura në faqen 22]

Henri VIII denoncon Tomas Rajëthslin para mbretëreshës

[Burimi]

Portret nga Holbein, i marrë nga libri The History of Protestantism (Vëll. III)

[Burimi i figurës në faqen 20]

Sfondi në faqet 20-22: Nga libri The Library of Historic Characters and Famous Events, Vëll. VII, 1895

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo