Një vështrim rreth botës
T’i vësh çmim të paçmueshmes
Trembëdhjetë shkencëtarë nga disa vende kanë përpiluar një raport ku i vënë çmimin në dollarë bollëkut të natyrës. Shkencëtarët punuan mbi më shumë se 100 studime të botuara, për të përllogaritur koston për hektarë të zëvendësimit të shërbimeve të ndryshme që siguron toka. Për shembull, siç pohon revista Science, një studim tregonte se për çdo hektar kënetash të përdorur për zhvillim në Shtetet e Bashkuara, «humbja e aftësisë për të thithur ujërat e përmbytjeve i rriti dëmet vjetore prej përmbytjeve nga 3.300 dollarë në 11.000». Edhe pse shumë veta i shpërfillin rezervat natyrore të tokës dhe shërbimet e saj, shkencëtarët përllogaritin se vlera e tyre monetare vjetore është 33.300.000.000.000, pothuaj dyfishin e produktit kombëtar bruto të të gjithë botës.
Papa viziton Kubën
Në vizitën që bëri janarin e kaluar në Kubë, papa Gjon Pali II theksoi shpresat e Kishës Katolike për një rol më të zgjeruar në shoqërinë kubane. Sipas L’Osservatore Romano, ai pohoi se «prindërit duhet të kenë mundësi të zgjedhin për fëmijët e tyre . . . përmbajtjen etike dhe qytetare si edhe frymëzimin fetar, i cili do t’i mundësojë fëmijët të marrin një arsimim të plotë». Edhe pse papa dëshiron të rihapë shkollat katolike në vend, zyrtarët kubanë thonë se duan të mbajnë monopolin e shtetit mbi arsimimin publik. Për sa i përket pikëpamjes së qeverisë kubane për vizitën e papës, gazeta franceze Le Monde Diplomatique komenton: «Fidel Kastro e konsideron vizitën si një fitore mbi mospranimin, të cilit i ishte nënshtruar regjimi i tij.» Edhe pse disa nga pohimet e papës kur ishte në Kubë kishin qartësisht ngjyrim politik, Dëshmitarët e Jehovait mbeten asnjanës nga ana politike në aktivitetet e tyre fetare.
Flokët më të gjatë në botë
Hu Sateo, një banor 85-vjeçar i fisit Hmong në Tailandën veriore, nuk i ka prerë flokët për afro 70 vjet. «I preva kur isha 18 vjeç dhe u bëra vërtet keq»,—tha Hu. Shtypi i Bashkuar raporton se, pasi u matën kohët e fundit nga një gjykatës për Librin e rekordeve të botës Gines dhe dolën 520 centimetra të gjatë, tani besohet se flokët e tij janë më të gjatët në botë. Hu i lan flokët një herë në vit dhe i var përgjatë një listele që të thahen. Vëllai i tij 87-vjeçar Ji, i cili i preu për herë të fundit flokët në vitin 1957, është rivali më i afërt i Husë. Megjithatë, flokët e Jisë janë më të gjatë se ato të mbajtëses së mëparshme të rekordit, një grua indiane me flokë 420 centimetra të gjatë. Hu e konsideron një dobi pasjen e flokëve kaq të gjatë, veçanërisht lart në malet e ftohta të Tailandës. «Më mbajnë ngrohtë»,—thotë ai.
Tre versione të historisë
Nxënësve të shkollave në Bosnjë po u mësohen tre versione të ndryshme të historisë, artit dhe gjuhës së vendit. The New York Times raporton se ajo që dëgjojnë ata varet nga cili prej tre grupeve kryesore etnike kontrollon programin e tyre mësimor. Për shembull, nxënësit në zonën e kontrolluar nga serbët ortodoksë mësojnë se burri që vrau arkidukën Ferdinand në vitin 1914 dhe i dha shtysën Luftës I Botërore ishte «një hero dhe një poet». Nxënësve kroatë katolikë u thuhet se ai ishte një «vrasës i stërvitur dhe i mësuar nga serbët për të kryer këtë akt terrorizmi». Versioni mysliman i ngjarjes e përshkruan atë si «një nacionalist, bëmat e të cilit nxitën kryengritjet anti-serbe dhe që u ndalua vetëm nga policia prej të tre grupeve etnike». Raporti pohon se nxënësve po u kërkohet të identifikohen si serbë, myslimanë ose kroatë për t’i regjistruar në klasa të ndara nga ana etnike.
Bari më i gjelbër në një stadium
Një stadium me 28.000 vende i ndërtuar për klubin e futbollit holandez Vitese Arnhem, ka një fushë loje me bar shumë cilësor si edhe një çati të mbuluar. Këto dy aspekte janë të vështira të jenë që të dyja, pasi bari rritet më mirë kur merr dritë natyrore dhe shi. Pa to, bari bëhet i verdhë dhe vyshket. Revista New Scientist raporton se problemi u zgjidh në projektin e ndërtesës. Fusha e lojës qëndron mbi një shtresë betoni që rrëshqet me anë të këmbëve plastike. Kur nuk është në përdorim, e gjithë fusha e lojës me peshë 11.000 ton mund të nxirret jashtë stadiumit në ajër të pastër nga katër pompa hidraulike. Një përparësi tjetër e këtij rregullimi është se dyshemeja e fortë e stadiumit mund të përdoret për koncerte dhe ngjarje të ngjashme.
Dëmtimet nga rrjeta elastike
The New York Times raporton se rrjetat elastike kanë pasur një rritje popullariteti në vitet e fundit, por kjo gjë ka sjellë një rritje në dëmtimet e fëmijëve. «Njerëzit kanë konceptin e gabuar se rrjeta të tilla elastike janë të buta e si jastëk»,—thotë dr. Geri A. Smith, nga Spitali i Fëmijëve në Kolumbus, Ohaio, SHBA. Dr. Smith tha se fëmijët dëmtohen duke kërcyer në rrjetën elastike, duke rënë në mënyrë të gabuar, duke u përplasur me një fëmijë tjetër që hidhet në të njëjtën kohë ose duke goditur një sipërfaqe pa dyshek. Ai shtoi se rrjetat elastike të pajisura me shkallë janë veçanërisht të rrezikshme, sepse ato u lejojnë fëmijëve të vegjël të hipin në to, e këta janë më të prekshëm ndaj dëmtimeve. Ana Braun, nga Komisioni i Konsumatorit për Sigurinë e Produkteve sugjeron që fëmijët nën gjashtë vjeç të mos kërcejnë në rrjetën elastike dhe që vetëm një fëmijë duhet të kërcejë çdo herë. Ajo vëren: «Ashtu si edhe në pishinë, një fëmijë mbi rrjetën elastike kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme.»
Dashura nuk dështon kurrë
The Washington Post raporton se «adoleshentët që kanë lidhje të forta emocionale me prindërit e tyre e me mësuesit, ka shumë më pak të ngjarë të përdorin drogën dhe alkoolin, të tentojnë vetëvrasjen, të përfshihen në dhunë ose të bëhen aktivë seksualisht në një moshë të hershme». Kërkuesit në Universitetin e Minesotës dhe të Universitetit të Karolinës së Veriut në Çapël Hill zbuluan, gjithashtu, se kjo gjë mbetet e vërtetë pavarësisht nëse një fëmijë jeton në shtëpi me një ose me dy prindër. E rëndësishme është që fëmija ta ndiejë se e duan, e vlerësojnë dhe e kuptojnë. Post shpjegon se një faktor tjetër që theksoi studimi është «rëndësia që prindërit të mbeten intensivisht të përfshirë në jetën e fëmijëve të tyre përgjatë viteve të adoleshencës, edhe kur ata mund të mendojnë se roli i tyre po pakësohet».
Ruajtësit idealë
The Sunday Telegraph raporton se Flota Mbretërore e Britanisë po përdor cjeptë për të ruajtur arkitekturën prej tulle të një fortese bregdetare historike. Rrënjë drizash, pemësh dhe barërash të këqija po dëmtonin tullat dhe suvanë. Metodat normale për heqjen e tyre përfshinin mjete të kushtueshme si sharra elektrike me zinxhirë dhe herbicide, që mund të jenë të rrezikshme. Përveç kësaj, këto metoda shkatërrojnë bimët e rralla, likenet dhe insektet. Sidoqoftë, cjeptë e shkathët jo vetëm që kushtojnë më pak për t’u përdorur, por ata ulin edhe dëmtimin e bimëve të rrezikuara dhe florës e faunës së egër. Këshilltari i programit, Majk Bjushomp, thotë: «Brenda 10 vjetëve, shumica e enteve ruajtëse do të përdorin cjeptë për ripërtëritjen fillestare të tokës me shkurre.»
Lojëra të dhunshme kompjuteri
Një nga lojërat më të dhunshme të kompjuterit që është krijuar ndonjëherë, Quake II, është përditësuar për të përfshirë edhe më shumë dhunë. The Wall Street Journal raporton se programi ka «tërhequr një kult me anë të shpërndarjes së gjakut e të pjesëve të trupit kudo në ekranin e kompjuterit të lojtarit». «Reagimi që morëm ishte se nuk kishte mjaft gjak,—thotë programuesi kryesor Xhon Karmak,—kështu që i shtuam edhe ca.» Quake II bën të mundur që lojtarët të zhyten në një «gosti vrasjeje», duke luftuar me një dyzinë lojtarësh të tjerë në Internet në duele të quajtura ndeshje të vdekjes. Një buton bën të mundur që lojtarët t’u bëjnë gjeste të ndyra kundërshtarëve të tyre. Programuesit dhe profesionistët që krijuan lojën «punojnë në atë që mund të quhet parajsa e lojtarit, që përfshin një dhomë me vegla gjimnastikore dhe një kuzhinë të mbushur me ushqime të çastit. Numri i apartamentit është 666, një referim . . . në librin biblik të Zbulesës».
Një Bibël pa Perëndinë
Një mjek danez ka botuar një version të rishkruar të Shkrimeve Hebraike, duke lënë jashtë të gjitha referimet për Perëndinë. Gazeta daneze Kristeligt Dagblad raporton se dr. Sven Lins beson që Perëndia dhe besimi «janë gjëra të së kaluarës që vetëm sa na ndrydhin». Lins vëren se shumë njerëz nuk janë të lumtur e janë të vetmuar. «Po jetojmë në një kulturë hebraike-të krishterë,—thotë Lins.—prandaj, kultura hebraike-e krishterë duhet të jetë përgjegjëse për mungesën e lumturisë.» Me versionin e tij të ri të Biblës, synimi i Linsit, sipas gazetës, është që të «tronditë themelet e kulturës sonë». Në Biblën pa Perëndinë të Linsit, në Zanafillën 3:12 lexojmë: «Adami mendoi me vete: ‘Gruaja përkrah meje më dha frytin nga pema dhe pastaj unë e hëngra.’» Kristeligt Dagblad bën pyetjen: «A nuk është kjo njësoj si të heqësh ujin nga dëbora e të shohësh se çfarë mbetet?»