BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 7/98 f. 23-27
  • Vëzhgimi i zogjve: Një hobi magjepsës për këdo?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vëzhgimi i zogjve: Një hobi magjepsës për këdo?
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një rrëqethje për këdo
  • Përse është kaq i përhapur?
  • Elementet bazë për vëzhgimin e zogjve
  • Ku të filloni të shikoni? Në lagjen tuaj
  • Disa mënyra për të vëzhguar zogjtë
  • Përgatitja e mëparshme shpërblehet
  • «Vështroni me kujdes zogjtë»
    Zgjohuni!—2014
  • Zogjtë përplasen me ndërtesat
    Zgjohuni!—2009
  • Kënaqësitë e vëzhgimit të zogjve
    Zgjohuni!—2001
  • Gjeli i shkëmbit: Një bukuri e xhunglës së Amazonës
    Zgjohuni!—1998
Zgjohuni!—1998
g 7/98 f. 23-27

Vëzhgimi i zogjve: Një hobi magjepsës për këdo?

«Jeta e vëzhguesit të zogjve është një vazhdimësi e pafundme surprizash.» —U. H. Hudson, Libri i një natyralisti.

NË Gjirin Kosi, afër kufirit të Afrikës së Jugut me Mozambikun, Kithi, gruaja e tij Evelina, Xheni dhe udhërrëfyesi i tyre ecën për 22 kilometra në këmbë për të parë një zog. Ky nuk ishte thjesht një zog dosido! Ata ishin në kërkim të shkabës së palmës së kokosit, një zog i madh bardhezi me lëkurë të kuqe përreth syve. Ai ushqehet me peshq të ngordhur dhe me frytet e palmave të vajit.

Kithi tregon: «Pas ecjes së gjatë, erdhëm në shtëpi të zhgënjyer, sepse kishim parë vetëm një të tillë e edhe atë nga larg në fluturim. Por, çfarë gjetëm kur u kthyem në kampin tonë? Tri shkaba të palmës së kokosit ishin ulur në një pemë palme mbi kokat tona! Gëzuam shoqërinë e tyre për rreth gjysmë ore para se të niseshin, duke na dhënë një shfaqje të mrekullueshme me krahët e hapur plotësisht. Të njëjtën ditë pamë për herën e parë edhe një buf Pel që peshkonte. Tamam, një buf që zinte peshk!»

Një rrëqethje për këdo

Në të gjithë botën, zogjtë janë një bukuri që mund të shihet e mund të dëgjohet. Më shumë se 9.600 lloje zogjsh sigurojnë mundësi të shumta për çdo vëzhgues syçelur. Kush nuk rrëqethet po të shohë vezullimin e shpejtë të ngjyrave të një kolibri ose një bilbili uji? Kush nuk ndalet i magjepsur nga repertori i një zogu imitues, i një bilbili apo i një zogu-lirë të madhërishëm australian ose nga thirrja e veçantë e një qyqeje apo nga krrokatja muzikore e laraskës australiane?

Vëzhgimi i zogjve është shikimi me vëmendje i tyre në gjendje të lirë. Kjo hobi mund të jetë aq aktive sa e vendosni ju. Mund të mos keni dëshirë të llapashiteni përmes kënetave ose të ngjitni male për të gjetur zogj të rrallë. Megjithatë, shumë njerëz kanë parë se vëzhgimi i zogjve në oborrin e pasëm apo në kopshtin e shtëpisë së tyre mund të jetë i kënaqshëm dhe freskues. Shumë veta lënë përjashta ujë dhe një aparat ushqimi që të tërheqin zogjtë lokalë. Çdo vit numri i amatorëve rritet. Gjithnjë e më shumë njerëz besojnë se ia vlen barra qiranë.

Përse është kaq i përhapur?

Sipas një libri të Stiv H. Mërdokut (An America Challenged), mes viteve 1990 dhe 2050, pasioni për vëzhgimin e zogjve pritet të rritet me një shpejtësi më të madhe sesa popullsia e Shteteve të Bashkuara. Revista New Scientist raportoi se «gjithnjë e më shumë njerëz në Indi po tërhiqen ndaj vëzhgimit të dykëmbëshave me pupla». Dhe Gordon Holtshausën, drejtor i Komitetit të Botimeve për botën e shpendëve në Afrikën e Jugut, beson se «në Afrikën e Jugut . . . librat [për zogj] vijnë të dytët vetëm pas Biblës».

Pasi ta shihni një zog me sytë e vëzhguesit të zogjve, do të bëheni edhe ju i apasionuar! Vëzhgimi i zogjve është ngjitës. Ai mund të jetë një argëtim jo i kushtueshëm që ju nxjerr jashtë shtëpisë për në vende të hapura dhe e zhvillon mendjen tuaj. Ka efektin e gjuetisë, por pa vrasjen e kafshëve. Meqë si fëmijët, ashtu edhe të rriturit, e mësojnë shpejt, vëzhgimi i zogjve mund të bëhet me familjen ose me një grup miqsh. Mund të bëhet edhe kur jeni vetëm. Vëzhgimi i zogjve është një mënyrë e pastër, e dobishme dhe e shëndetshme për të kaluar kohën dhe mund të bëhet gjatë gjithë vitit pothuaj kudo.

Elementet bazë për vëzhgimin e zogjve

A ju ndodh ndonjëherë të shihni një zog dhe të pyetni se si quhet? Një ndjenjë kënaqësie lind kur mëson jo vetëm emrat e shqiponjave të mëdha, të pallonjve dhe të mjellmave, por edhe të dallëndysheve të natës, të cilat shpesh kalohen pa u vënë re, si edhe të zvarritësve të tokës. Pastaj vijnë edhe gjelat e ujit që ngjajnë të gjithë njësoj, zogjtë këngëtarë të drurëve, të cilëve u ndërrohen pendët dhe të gjitha llojet që ndodhen mes tyre.a

Për t’i identifikuar ata, do t’ju duhet një manual udhëzimi për zogjtë e vendit ose të rajonit tuaj. Ky është një libër me format xhepi, me ilustrime dhe përshkrime të mashkullit e të femrës së çdo lloji. Manualet më të mira përfshijnë edhe daljen e pendëve sezonale dhe ato të pazhvilluara.

Për çfarë gjëje ka nevojë tjetër një fillestar? Një palë dylbi të mira janë për një vëzhgues zogjsh njësoj si kallami ose rrjeta e peshkimit për një peshkatar. Do të mahniteni nga hollësitë që do të gjeni te zogjtë e lagjes suaj kur t’i shihni ata përmes dylbive. Për shembull, në Afrikë është vështirë të kalosh pa e parë një hipopotam të stërmadh. Por po të mos përdorësh dylbi, mund të mos e shohësh qukapikthin e vogël sqepkuq që ushqehet me parazitë, ndërsa po ngjitet mbi kurrizin e hipopotamit.

Jo të gjitha dylbitë janë të projektuara për vëzhgimin e zogjve dhe rruga më e mirë është në fakt që të krahasohen se si funksionojnë modelet e ndryshme. Mes vëzhguesve të zogjve, dy modele të përhapura janë 7 x 42 dhe 8 x 40. Numri i parë i referohet fuqisë së zmadhimit dhe numri i dytë diametrit të lenteve të mëdha, të matur në milimetra. Manuali Field Guide to the Birds of North America i përgatitur nga botuesit e revistës National Geographic shpjegon se «raporti 1 me 5 mes fuqisë së zmadhimit dhe përmasave të lenteve zakonisht konsiderohet ideal për aftësinë e mbledhjes së dritës». Kjo ju lejon të shquani ngjyrat edhe në kushte ku nuk ka shumë dritë. Prandaj, zmadhimi më i lartë nuk është medoemos gjëja më e mirë. Ajo që ju duhet është qartësia.

Ku të filloni të shikoni? Në lagjen tuaj

Ai që i njeh zogjtë e lagjes së tij do të jetë më i përgatitur për një udhëtim në ndonjë vend tjetër për të gjetur zogj më pak të zakonshëm ose që shihen më pak. A e dini se cilat lloje zogjsh janë banorët e përhershëm përreth shtëpisë suaj? Cilët janë zogjtë fluturues që duken sikur nuk ulen asnjëherë, ndoshta në rrugën e tyre për në një liqen ose moçal aty afër? Cilët zogj shtegtarë kalojnë aty në udhëtimet e tyre sezonale? Kristofer Lihi, në librin e tij The Birdwatcher’s Companion, shkroi: «Në Amerikën e Veriut [shtegtimi] përfshin rreth 80 përqind të afro 645 llojeve të zogjve në shumëzim.»

Disa nga këta shtegtarë mund të bëjnë një ndalesë afër shtëpisë suaj për të marrë ushqim dhe për të pushuar. Vëzhguesit e zellshëm të zogjve në disa zona kanë identifikuar më shumë se 210 lloje zogjsh pikërisht në oborrin e pasmë të shtëpisë së tyre! Do të shihni se është interesante dhe informative që të mbani një listë me data kur e shihni një lloj zogu për herën e parë dhe për herë të fundit çdo vit.

Disa mënyra për të vëzhguar zogjtë

Të pajisur me dylbi varur në qafë dhe me një manual udhëzimi në xhep, tani jeni gati për të eksploruar vende të tjera përveç oborrit tuaj. Shpesh nëpër parqe dhe rezervate natyrore ka në dispozicion lista të zogjve të zonës. Këto lista zakonisht tregojnë në cilat stinë mund të shihen zogjtë atje dhe çfarë mundësish keni për t’i gjetur ata. Një listë e tillë do të jetë një mjet i dobishëm për të verifikuar zogjtë që vëzhgoni. Nëse mendoni se zogu që sapo keni parë është një lloj i rrallë, do të ishte mirë ta hetonit, veçanërisht nëse jeni fillestarë. (Shiko kutinë «Udhëzime bazë për identifikimin.») Nga ana tjetër, nëse është shënuar në listë si një lloj i përhapur, ka të ngjarë që ta keni identifikuar në rregull.

Përpiquni të pajiseni paraprakisht me një hartë që tregon shtigjet dhe llojet e habitateve që do të hasni. Bota e shpendëve zakonisht është më e pasur atje ku bashkohen dy ose më shumë habitate. Qoftë që ecni rretheqark, qoftë që rrini në një vend, përpiquni të përshtateni me mjedisin dhe pritni që zogjtë të vijnë te ju. Kini durim.

Në disa vende ka një numër telefoni ku mund të telefonojnë admiruesit për të dëgjuar raportet mbi zogjtë e vëzhguar së fundi në atë zonë.

Përgatitja e mëparshme shpërblehet

Të vësh si synim për të parë zogj të veçantë është shumë mirë, por do të jetë në dobinë tuaj të lexoni diçka më përpara mbi ata zogj që do t’ju pëlqente t’i shihnit. Po të ndodhesh në Karaibet, mbase e keni ndarë mendjen për të gjetur Todusin, qoftë që është i llojit kuban, portorikan ose xhamajkan. Ai është një «gur i çmuar» topolak, i vogël, me pupla të ngyrosura me ngjyra të qarta jeshile dhe të kuqe. Manuali Guide to the Birds of Puerto Rico and the Virgin Islands, i Herbert Rafaeles, na thotë se ky zog «shihet me vështirësi, por dëgjohet shpesh». Zogj të tillë kubanezë janë të njohur për oreksin e tyre të pangopur dhe për shpejtësinë me të cilën ushqejnë të vegjlit e tyre. Pasi përshkruan metodën e të ushqyerit të këtij zogu, Rafaele jep këtë këshillë: «Shpesh ata i tërheq përplasja e dy gurëve bashkë.»

Ju mund të dëshironi të programoni një udhëtim në një rezervat për të qenë dëshmitar në një ngjarje në historinë e jetës së një lloji të veçantë, siç është shfaqja mahnitëse ajrore e një lloji shapkash në pranverën e hershme. Ose mund të doni të shihni kolonitë e mëdha të lejlekëve të bardhë në Gjibraltar ose në Bosfor, që përgatiten për fluturimin e tyre në vjeshtë. Ose shtegtimin e zogjve mbi Izrael.

Pranohet që planifikimi për të gjetur një zog të veçantë nuk është si të vizitosh një monument historik, që ju e dini se do të jetë gjithnjë aty. Zogjtë janë vazhdimisht në lëvizje. Ata janë plot jetë, shumëllojshmëri, surpriza. Por kërkimi dhe pritja ia vlejnë të bëhen.

E gjithë kjo e bën vëzhgimin e zogjve entuziazmues. Pavarësisht nga planet tuaja, zogjtë mund të mos jenë aty kur shkoni ju ose të paktën jo zogjtë që ju shpresoni të shihni. Por askush nuk mund ta thotë se çfarë zbulimesh të tjera të papritura ju presin. Një gjë është e sigurt, zogjtë nuk do t’ju zhgënjejnë kurrë. Vetëm kini durim. Vëzhgim të mbarë zogjsh! Dhe mos harroni Projektuesin e tyre!—Zanafilla 1:20; 2:19; Jobi 39:13-18, 27-29.

[Shënimi]

a Zogjtë ndahen në tetë kategori kryesore pamore: (1) notuesit: rosat dhe zogjtë ngjashëm rosave, (2) ajrorët: pulëbardhat dhe zogjtë ngjashëm pulëbardhave, (3) zogjtë e ujit këmbëgjatë: çafkat dhe krillat, (4) zogjtë më të vegjël të ujit: gjelëza pikaloshe dhe gjelat e ujit, (5) zogjtë ngjashëm pulave: thëllëza dhe shkurta, (6) zogjtë rrëmbenjës: skifterët, shqiponjat dhe bufat, (7) zogjtë harabelorë (që rrinë nëpër degë) dhe (8) zogjtë joharabelorë të tokës.—A Field Guide to the Birds East of the Rockies, nga Roxher Tori Pitërsën.

[Kutia në faqen 26]

Udhëzime bazë për identifikimin

Kur identifikoni fillimisht një zog që nuk e njihni, mund të jetë e dobishme të përpiqeni t’u përgjigjeni disave nga pyetjet e mëposhtme:

1. Çfarë lloj ngjyre ka zogu: të fortë, me vija, me njolla apo me stërpika?

2. Në çfarë lloj habitati gjendet zogu: në ujë, kënetë, moçal, lëndinë apo pyll?

3. Çfarë përmasash ka zogu? Krahasoje me një zog të njohur: harabelin, gushëkuqin, pëllumbin ose skifterin.

4. Si sillet zogu: rend pas insekteve, fluturon lart, lëviz bishtin, e mban lart ose poshtë bishtin ose ecën në bar?

6. Çfarë forme ka sqepi: të shkurtër e me majë, të shkurtër e të fortë, të gjatë, të kthyer ose me hark?

Duke parë këto «karakteristika» dhe duke iu referuar një manuali bazë për zogjtë, edhe ai që është fillestar mund të fillojë të njohë llojet e përhapura.—Exhibit Guide, Rezervuari i Merël Krik, Nju Xhersi, SHBA.

[Burimi i figurës në faqen 23]

Fotografitë e zogjve në faqet 23-27: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck

[Harta dhe figurat në faqet 24, 25]

Për tekstin e faqosur, shiko botimin)

PATA E BORËS

Amerika e Veriut

KOLIBRI

Amerika e Veriut/Qendrore

GRIFSHA E KALTËR

Amerika e Veriut

PAPAGALLI

Amerika Qendrore/e Jugut

SHQIPONJA KOKËBARDHË

Amerika e Veriut

KARDINALI

Amerika e Veriut/Qendore

PELIKANI

Amerikë

SHQIPONJA E BRONXTË

Afrikë, Azi

TUKANI

Amerika e Jugut

IBISI I PURPURT

Amerika e Jugut

PULËBARDHA E FRANKLINIT

Amerikë

ÇAFKA E MADHE E BARDHË

Në të gjithë botën

ZBORAKSI

Evropë, Afrika e Veriut

ROSA MANDARINË

Kinë

LEJLEKU

Evropë, Afrikë, Azi

FLAMINGOJA

Tropik

KRILLA ME KURORË TË ZEZË

Afrikë

TRISHTILI GOULDIAN

Australi

KOOKABURRA

Australi

PALLOI

Mbarë botën

STRUCI

Afrikë

ROSELLA

Australi

[Burimet]

U.S. Fish and Wildlife Service, Uashington, D.C./Glen Smart

Me mirësjellje nga Ferma Green Chimney

Me mirësjellje nga San Diego Wild Animal Park

Harta: The Complete Encyclopedia of Illustration/ J. G. Heck

Me mirësjellje nga San Diego Wild Animal Park

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo